LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen dhjetë persona në tri operacione

Arrestohen dhjetë persona në tri operacione

Policia e Kosovës në dy ditët e fundit ka zhvilluar tri operacione të ndara në disa komuna, si Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Lipjan, Besianë dhe Graçanicë, me ç’rast ka arrestuar dhjetë persona.

Operacioni i parë, i koduar me emrin “Petriti”, është ndërmarrë të mërkurën me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, me ç’rast janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale të kontrabandimit me emigrantë: Naser I. (45), Besim I. (28), Halil Th. (35), Hasan B. (59), Nysret A. (37) dhe Hasan B. (27).

Gjatë kontrollimit të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar dy revole kalibrash të ndryshëm, një kallashnikov, një pushkë gjuetie me 8 fishekë, një kompjuter dhe tetë telefona celularë.

Të enjten, Policia e Kosovës ka ndërmarrë operacionin e koduar me emrin “Ibri”, me ç’rast ka arrestuar tre persona nën dyshimin e bazuar për vjedhje të automjeteve dhe falsifikim të dokumenteve.


Personat e arrestuar janë Vllastimir V. (44) Graçanicë, Goran L. (Mitrovicë) dhe Bahri Rr. (52) Podujevë.

Gjatë kontrollimit të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar dy kompjuterë, njëri prej tyre laptop dhe disa dokumente. Ky grup në mënyrë të organizuar dyshohet se kanë kryer veprat në rajone të ndryshme të Kosovës, duke organizuar vjedhjen e veturave dhe falsifikimin e dokumenteve. Ata veturat i dërgonin në veri të Kosovës dhe u kërkonin pronarëve të veturave të vjedhura shuma të ndryshme parash për t’ua kthyer ato.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në vazhdimësi të hetimeve të formave të ndryshme të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, ka arrestuar Muhamet B. (28) me dyshimin se ka kryer veprën penale të shantazhit. I dyshuari në mënyrë sistematike përmes formave të kërcënimit dhe shantazhit kishte shfrytëzuar seksualisht viktimat. /Telegrafi/