LAJMI I FUNDIT:

Në Sicili mund të merrni shtëpi falas

Në Sicili mund të merrni shtëpi falas

Mos po kërkoni shtëpi? Një qytezë siciliane është duke bërë ofertë, të cilën zor mund ta refuzosh: Ajo po jep shtëpi falas.

Natyrisht ato e kanë një të metë. Shtëpitë në Gangi, një qytezë piktoreske që ndodhet pranë maleve Madonie, janë të stërvjetruara, disa të boshatisura shumë gjenerata më parë.

Këto objekte i japin një kuptim të ri termit “rregullues” dhe secili që merr njërën prej shtëpive i ka vetëm katër vjet kohë për ta rinovuar dhe për ta bërë të banueshme, raporton NYT.

Por oferta tashmë ka joshur dhjetëra kërkues shtëpish për pushime nga e tërë bota, derisa kjo qasje e re e Gangit ka sjellë mundësi të reja për ndërtuesit dhe tregtarët lokalë, duke i dhënë në të njëjtën kohë shtytje turizmit.


“Për mentalitetin tonë sicilian, Gangi konsiderohej si shumë larg nga deti”, që të ishte tërheqës për turizmin, thotë Giuseppe Ferrarello, prefekt i qytezës, që ndodhet në rrugën e pashtruar dhe të mundimshme midis Palermos dhe Katanias, shkruan sot “Koha Ditore”.

Nisma për shtëpitë falas, thotë ai, “vuri në lëvizje një mekanizëm që kishte qenë i paimagjinueshëm më parë për një qytet në qendër të Sicilisë”, ku qytezat, ashtu si edhe mundësitë ekonomike të rajonit, janë zvogëluar.

Gangi kishte një popullsi prej rreth 16.000 banorësh në vitet pesëdhjetë, tregon prefekti. Sot aty jetojnë rreth 7.000 banorë.

Valët periodike të emigrimit nga Gangi nisën në fund të shekullit 19, jo aq nga vështirësitë ekonomike, të cilat ishin “të përhapura në tërë rajonin”, sa nga agjentët e kompanive detare transatlantike, që shisnin mundësitë për një jetë më të mirë në Amerikë, tregon Marcello Saija, drejtor i rrjetit të muzeve të emigrantëve në Sicili.