Ekzistojnë tri Evropa që janë të ndërtuara mbi tri definicione që japin tri kuptime dhe paraqesin po aq realitete. E para është Evropa gjeografike dhe kufiri i saj në perëndim merret Oqeani Atlantik, në jug deti Mesdhe, i cili përfundon në Bosfor duke e ndarë Stambollin në dysh, pastaj vazhdon nëpër Detin e Zi dhe atë Kaspik për të arritur në lindje te malet e Kaukazit. Në veri, natyrisht, kufiri është Deti i Veriut. Siç shihet, tokat shqiptare janë pjesë e kësaj Evrope pasi që aty përfshihen sipas kriterit gjeografik.
Daut Dauti
Evropa e dytë është Unioni Evropian me 25 shtetet anëtare. Kjo ndarje është bërë sipas kriterit ekonomik dhe politik. Në këtë bashkësi shtetesh shqiptarët nuk bëjnë pjesë, por kanë gjasa reale që të hyjnë në të gjatë një të ardhme, e cila momentalisht duket të jetë e largët.
Evropa e tretë është më e rëndësishmja dhe përcaktohet, kryesisht, sipas kriterit kulturor. Kjo është një Evropë liberale, demokratike dhe me një nivel të lartë të zhvillimit ekonomik. Gjykuar sipas gjendjes së tanishme, shqiptarët kanë fare pak gjasa për të hyrë në te. Në fakt, Evropa kulturore është më problematike për ta definuar pasi që shpesh nuk dihet se ku fillon e ku përfundon ajo. Së paku kështu ka qenë deri para disa javësh.
Ekziston një anekdotë e cila ia cakton kufijtë Evropës kulturore. Anekdota i ka dy personazhe, dy ballkone dhe një dialog të shkurtër, por që e shpjegon çështjen në tërësi. Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Victoria, e cila në fakt ka qenë perandoreshë pasi që e tillë ishte bashkësia ekonomike dhe politike që e udhëhiqte, e dinte se Evropa fillonte nga ballkoni i pallatit të saj dhe vazhdonte për në Lindje. Po, ku përfundonte ajo?
Njëherë Victoria qëlloi të ishte mysafire në Vjenë e perandorit Austro-Hungarez. Bota atëherë u takonte këtyre dyve, por edhe Sulltanit deri-diku. Ulur në ballkonin e pallatit dhe duke i diskutuar problemet e botës, Victoria në një moment e pyeti perandorin Austro-Hungarez: ‘Ku përfundon Evropa?’ Perandori pa u hamendur dhe me një shikim plot brengë, bëri me dorë nga Lindja dhe tha: ‘Ja, atje në fund të oborrit tim’. Ai madje e përjashtoi nga Evropa edhe Hungarinë, ndonëse ajo ishte pjesë dualiste e monarkisë perandorake.
Sot pakkush mund ta kundërshtojë esencën e kësaj anekdote. Kjo dëshmon që Evropa vërtet fillon apo përfundon (varet nga cila anë apo cili ballkon shikohet) në Austri dhe Gjermani. Dhe hapësira vazhdon për të përfunduar aty ku e kishte lënë Victoria.
Refugjatët, së pari ata shqiptarë dhe së fundmi sirianët, gjatë këtij viti kanë vënë në pah vendin se ku gjendet guri i kufirit të Evropës. Me ngulm kanë bërë me dije se Evropa është Austria dhe Gjermania, por edhe disa shtete matanë. Në anën tjetër, hungarezët, por edhe polakët së bashku me sllovakët, e konfirmuan vijën e kufirit dhe me këtë edhe saktësinë e definicionit të anekdotës. Këto janë vendet që formojnë vijën e shteteve të para-Evropës, e cila fillon në Greqi e përfundon në Poloni.
Në Vjenë, nga ballkoni i perandorit, refugjati sirian ka dy pamje. Pamja e kufirit në anën e para-Evropës është e rëndë për vrojtim. Refugjati, sa është ende në Hungari, është i përgjakur, i përbuzur dhe i poshtëruar nga policia hungareze, e cila i zbaton urdhrat e kryeministrit Viktor Orbáni, i cili pa autorizim të askujt ka marrë rolin e mbrojtjes së Evropës së krishterë. Kur policia ‘dështon’, refugjatit i dalin në udhë gazetarët duke e shkelmuar. Qytetarët, ndërkaq, përkrahin qeverinë me demonstrata. Refugjati bënë çmos për të ikur nga ky vend me mentalitet johuman.
Pamja e dytë është hyrja e refugjatit në Evropë (Austri dhe Gjermani). Përkundër plagëve që ka marrë udhës, refugjati është i gëzuar. Policia e përzemërt i del në ndihmë. Qytetarët e këtyre vendeve i presin me mirëseardhje. Gazetarët, po ashtu, ofrojnë ndihmën e tyre duke botuar lajme dhe pamje të cilat i paraqesin refugjatët si njerëz që janë në hall të madh pa fajin e tyre. Kjo është Evropa.
Edhe nga ballkoni i Regina Victorias refugjati sirian shikohet si njeri në hall të madh. Edhe këtu kishte demonstrata, por ato u organizuan për ta kundërshtuar politikën e qeverisë konservatore, e cila dëshiron ta kufizojë hyrjen e refugjatëve në disa dhjetëra mijëra. Kërkesa e domonstruesve, e përkrahur nga shumica e mediave, organizatave të ndryshme dhe personaliteteve të njohura, është që në këtë vend të vijnë të gjithë sirianët që dëshirojnë. Një prift anglikan, duke e favorizuar ardhjen e refugjatëve deklaroi: ‘Në fytyrën e sirianëve po e shoh vuajtjen e Krishtit. Në trupin e sirianëve po i shoh plagët e Krishtit’.
Nuk ka mundësi t’i ikim pyetjes: pse prifti anglikan nuk e ka frikën e islamizimit të Evropës dhe pse ai sirianin e shikon si njeri e jo si terrorist që ka për mision shkatërrimin e civilizimit evropian siç mendon kryeministri hungarez, Viktor Orbáni? Kush po e mbron këtu krishterimin dhe Evropën? Orbáni apo prifti? Këtu prifti është ekzemplari i evropianit të vërtetë.
Shembulli i priftit anglikan vërteton faktin se para-Evropiani Viktor Orbáni është problemi i Evropës. Evropa e relacionit Vjenë-Londër është ndërtuar ndër shekuj duke i luftuar idetë e Orbánit. Natyrisht që nga Londra deri në Vjenë ka edhe të atillë që nuk i duan refugjatët, por ata janë në bisht të shoqërisë e jo në krye të saj siç është Orbáni.
Shembulli i Viktor Orbánit ka edhe një dimension tjetër, i cili reflektohet te shqiptarët. Kriza e Sirisë ka nxjerrë në pah se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve e shohin Evropën nëpërmes fytyrës, shembullit dhe mentalitetit të Orbánit. Ata e shohin Evropën, para se gjithash, nëpërmes prizmit të religjionit.
Fenomeni Orbán i ka kompleksuar deri në frustrim një masë të konsiderueshme të shqiptarëve myslimanë dhe i ka trimëruar pa kufi disa shqiptarë katolikë për të vazhduar në ndërtimin e ndjenjave të tyre raciste dhe kundër Lindjes, të cilat në esencë janë antiislamike. Këta njerëz (shqiptarë), që mund të quhen orbánistë, kanë shprehur qëndrimet e tyre në media sociale, por edhe në ato kryesore shqiptare duke mos e dalluar myslimanin e zakonshëm nga pjesëtari i çmendur i ISIS-it. Pra, të gjithë myslimanët trajtohen njësoj, kurse kriza e refugjatëve sirianë shpjegohet me vokabularin e Orbánit. Kjo mënyrë e gabuar e vlerësimit flet për tendencën e këtyre shqiptarëve orbánistë për të hyrë në para-Evropë – jo në Evropë.
Mënyre orbániste e vlerësimit të popujve të “tjerë” ka origjinë të vjetër. Pamja e “tjetrit” është e ndërtuar mbi imagjinatën e dëshiruar e jo mbi realitetin. Në fillim të shekullit XIX Evropa e ka shikuar Ballkanin në këtë mënyrë siç e shikojnë sot orbánistat Lindjen. Atëherë banori i Ballkanit është paraqitur si një njeri i shëmtuar, i pakulturuar, primitiv, shkatërrues, vrasës etj.
Në të njëjtën mënyrë sot, pas më shumë se dy shekujve, orbánistat e shikojnë Lindorin (zakonisht turkun dhe arabin), i cili në fakt është myslimani. Një gjë e këtillë vjen si rezultat i ndarjes që sot imponohet në mes Lindjes dhe Perëndimit dhe e cila është e vjetër në origjinë. Ndarja, siç do ta shohim, ka qenë e ndërtuar mbi baza fiktive dhe të rrejshme dhe si rrjedhim ka krijuar kundërthënie, të cilat shpesh kanë përfunduar me luftëra të përgjakshme. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëEurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi
Lamtumirë Ferid Gjikolli, Haradinaj i ndan dekoratën post mortem ‘Me besim në Zot, atdhe e shtet’
Ligji i ri për kadastër, drejtori i AKK-së: Hap i madh për unifikimin e procedurave pronësore
Faton Abdullahu: Votimi për Kurtin më 9 shkurt do të ishte “vetëvrasje elektorale”
KQZ-ja prezanton kamerat vëzhguese që do të vendosen në vendvotime
Iu bashkua organizatës terroriste "Al Nusra" në Siri, shpallet aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve
Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve
Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare
Edhe pas mbarimit të spektaklit, Atilla Kardesh publikon fotografi i shoqëruar nga Rovena dhe Besforti
SHBA-ja dërgon një numër të madh raketash të fuqishme nga Izraeli në Ukrainë
Shtëpia e Bardhë anulon memorandumin për ngrirjen e granteve dhe huave federale