LAJMI I FUNDIT:

28 Nëntori, rikthim në vizionin e kastriotizmit

Si gjithnjë, Festa e 28 Nëntorit te kombi shqiptar në përgjithësi është një nga ditët e veçuara në kalendarin e tij historik evropian. Kjo ditë shënon jo vetëm kohën e rinisjes së kombit në rrugën e tij historike të ndërtimit të shtetit demokratik-juridik, pastaj të rikthimit në familjen evropiane, por edhe të çlirimit dhe daljes nga rrënojat e perandorisë otomane. Ditët nacionale të kombeve janë të një rëndësie të veçantë historike, për dy arsye: së pari ato shënojnë një kthesë të madhe në rrugën e kombeve përgjatë historisë së tyre, pastaj na rikthen në kohën e vendimeve historike, edhe përkundër sfidave, rreziqeve të mëdha të kohës nga pushtuesit dhe së dyti këto ditë nacionale e vënë në shoshë kohën e tanishme, pra të shekullit XXI, se a kanë arritur këto kombe t’i ndërtojnë shtetet e tyre në rrugën dhe vizionin historik të rrënjëve të tyre, pra kemi të bëjmë me një rishikim në pasqyrën e historisë gjer në ditët tona.

Rruga e vendimeve historike

Rruga e vendimeve historike të kombeve, si gjithmonë, ka qenë përcaktuese e kohës së ecjes së tyre drejt së ardhmes edhe përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta përgjatë kësaj rruge kulminante të historisë, por megjithatë vendimet historike kanë shënuar edhe shkëputjen e këtyre kombeve nga zinxhirët e egër të skllavërisë dhe hapja e derës së lirisë, paqes dhe progresi të tyre në të gjitha drejtimet. Po kështu edhe kombi shqiptar gjatë rrugës së tij historike ka arritur të marrë vendime të rëndësishme historike, vendime këto që kanë shënuar një kthesë të madhe, si të rrjedhave historike, por edhe të hyrjes në realitetin historik dhe kapjes së kohës së zhvillimeve moderne të botës demokratike dhe të civilizuar.


Duhet vënë re këtu se kombi shqiptar për shkak të pushtimit të perandorisë otomane pesëqind e ca vjet ka mbetur i vonuar si në kohë ashtu edhe në aspektet e tjera kulturore, ekonomike, të kulturës dhe sistemit institucional politik, të procesit të rikthimit në familjen evropiane, etj. etj. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht deri në ditët tona për shkak të kësaj vonese të madhe gjatë kohës së pushtimit barbar nga ana e perandorisë otomane të kombit shqiptar, po ashtu nga kjo mund të themi se menjëherë pas pushtimit otoman kombi shqiptar sërish u vë në gojë të ujqve, si nga ana e pushtuesit serb, grek, etj. Siç mësojmë, gjithashtu kombi shqiptar gjatë historisë së tij pati një varg sakrificash, përpjekjesh kulminante për liri dhe pavarësi, por edhe një kohë të vështirë të pushtuesve të ndryshëm, të cilët jo vetëm i shkaktuan dëm të madh kombit shqiptar, por edhe e ndanë atë sipas qejfit të tyre dhe kjo ishte pjesa më tragjike e historisë së kombit shqiptar gjatë historisë së saj.

Ndarja e pjesëve të kombit shqiptar nga trupi i tij natyral gjenealogjik ishte bërë në marrëveshje në mes të pushtuesve të asaj kohe dhe këtu duhet cekur se pak para rënies së perandorisë otomane ajo më pas kishte lidhe aleanca të fshehta me pushtuesit e tjerë serbë dhe grekë që disa nga pjesët e trupit të kombit shqiptar t’i ndajnë sipas interesave të tyre gjeostrategjike. Këto aleanca të fshehta dhe të hapura të pushtuesve barbarë që u bënë për interes të tyre për ta dëmtuar kombin shqiptar, si një ndër kombet autoktone të gadishullit Ilirik, dhe për ta ndalë në kohë dhe zhvillim, kështu që këto aleanca të pushtuesve barbarë vazhduan deri në ditët tonë apo deri në fundshekullin XX, kur edhe iu dha fund luftërave të përgjakshme në këtë pjesë të Evropës. Megjithëkëtë, në kuadër të kësaj duhet nënvizuar një gjë këtu se 470 vjet më parë nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 1912 , Gjergj Kastrioti ngriti flamurin kombëtar për pavarësinë e trojeve të tëra kombëtare të Shqipërisë evropiane më 28 nëntor 1443, në kalanë shkëmb të Krujës, ku nga këtu u vunë shtyllat bazë të ndërtimit të shtetit shqiptar më pas, por gjithashtu duhet përmendur këtu edhe një akt të rëndësishëm historik si ai i Lidhjes së Lezhës (1444), në krye me atletin e civilizimit evropian, strategun dhe diplomatin Gjergj Kastrioti, u bë shtrati i parë i themeleve të shtetësisë së kombit shqiptar, aty u mblodhën të gjitha fiset për t’u çliruar nga pushtuesi barbar otoman dhe për të mbrojtur në tërësi sovranitetin dhe integritetin e Shqipërisë së vërtetë evropiane.

Kohë kthesash

Kështu që në lidhje me këtë shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, shënon një kthesë historike të kombit shqiptar për kohën dhe rrethanat e atëhershme, edhe përkundër asaj se pjesët më vitale të kombit u ndanë nga trupi kombëtar dhe gjenealogjik, kjo nuk do të thotë se tani, në shekullin XXI, nuk do të kemi arsye edhe më tepër që këto pjesë t’ia rikthejmë trupit tonë të natyrshëm kombëtar, evropian, kjo duhet të bëhet në mënyrë të kujdesshme, të përgjegjshme dhe me një strategji reale në bashkëpunim të ngushtë me faktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë. Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912 është perceptuar gjithashtu edhe si një kulm i historisë së kombit shqiptar dhe kjo po të krahasohet në atë distancë sigurisht se jo vetëm se është një kulm por një hap i madh dhe një lëvizje e rëndësishme e kohës në anën e bërjes së kombit shqiptar me identitet politik, institucional dhe hyrje në raporte ndërkombëtare, por edhe një hap do të thosha në rikthimin të vizionit të kastriotizmit (Gjergj Kastriotit) evropian të kombit shqiptar, si pjesë jetike e familjes evropiane, apo më mirë si zemra e kësaj familje të lashtë historike në këtë kontinent të vjetër.

Dhe krejt në fund tani është koha që kombi shqiptar në përgjithësi, që ai tani të kthehet nga errësira ku e kanë futur nën rroba ideologjish të huaja pushtuesit e ndryshëm, në dritën e tij të natyrshme dhe historike, pra te rrënjët e tij të lashta të familjes evropiane. Është rëndësishme që në këtë festë nacionale të kombit shqiptar në përgjithësi, pra nëntorin e kthesës së madhe historike të shfrytëzojë si mundësi reflektimi dhe vetëdijesimin për një vizion të qartë të kombit drejt së ardhmes së sigurt të tij evropiane.
Prandaj, është tepër e rëndësishme që mos t’i keqpërdorim apo t’i lëmë të papërdorura dhuntitë që na janë dhuruar si komb i lashtë evropian, por t’i përdorim ato, sepse vetëm duke i përdorur sigurt dhe mirë, veset, sindromat dhe virtytet false të lëna nga pushtuesit barbarë nuk do të zinin me vend dhe kështu kombi shqiptar do të ecte sigurt dhe i zhvilluar në të gjitha aspektet drejt ardhmërisë së mirë dhe në rrugë të përbashkët me familjen e tij të natyrshme evropiane

Po ashtu duhet reflektuar thellë edhe për një vetëdijesim dhe përgjegjësi më të madhe, sepse tani në këtë shekull do të duhej që çdo historian i vërtetë i kombit shqiptar t’i mësojë studentëve të tij për dëmet e mëdha që i kanë shkaktuar kombit shqiptar pushtuesit e ndryshëm barbarë, për sakrilegjin e bërë ndaj vlerave sublime, për mohimin e identitetit të vërtetë, kulturës, për vonesat në zhvillimet e përgjithshme të kombit, etj., por gjithashtu historianet e vërtetë duhet mësuar studentëve të tyre edhe për derën që qëndron hapur gjithmonë për rikthimin tek rrënjët e tyre të vërteta evropiane. Me pak fjalë, kombi ynë ka nevojë urgjente që ta mbushë llambën e tij të jetës me vaj, ashtu që të ecë në dritën e së vërtetës dhe të ardhmes historike të tij.

Nga kjo është gjithashtu e rëndësishme që mos të na zërë gjumi në kohë dhe dinamikën e botës demokratike, por të jemi bashkëkohës dhe bashkautorë të rrugëtimit të përbashkët historikë, sepse përderisa një komb qëndron në gjumë në krahët e kontradiktave dhe sfidave nuk do të mund të ketë progres të madh dhe hapa mbikohorë, por vetëm atëherë kur të zgjohet nga ky gjumë ai do të mund të kapë kohën, të vërtetën dhe të ardhmen e tij të sigurt. Prandaj, është e rëndësishme të rrimë zgjuar dhe të jemi bashkëkohës të zhvillimeve dhe ecjes në rrugën e përbashkët me botën e civilizuar dhe demokratike.