LAJMI I FUNDIT:

14 për qind e kosovarëve shpenzojnë në muaj më shumë se sa fitojnë

14 për qind e kosovarëve shpenzojnë në muaj më shumë se sa fitojnë

Sipas statistikave 14 për qind e kosovarëve gjatë muajit shpenzojnë më shumë se sa fitojnë, ndërsa 78 për qind e qytetarëve nuk mbajnë evidencë fare për shpenzimet mujore.

Kjo ka bërë që Grupi i Bankës Botërore, në bashkëpunim me bankat që veprojnë në Kosovë të fillojnë një projekt dy vjeçar, në të cilin do të marrin pjesë rreth 3 mijë qytetarë, në mënyrë që të vetëdijesohen për shpenzimet dhe investimet e panevojshme. Kjo sipas përfaqësuesve të bankave, do të ishte mundësi e mirë për qytetarët që të ulin shpenzimet dhe të rrisin kursimet.

Me këtë rast menaxherja e IFC-së për Kosovë dhe Shqipëri(Shoqata e Bankës Botërore), Elira Sakiqi, tha se ky projekt, target ka qytetarët kosovarë, të cilëve do t’iu jepet mundësia që të mësojnë se si të menaxhohen sa më mirë të ardhurat dhe të mos e teprojnë me investime të panevojshme.


“Çdo të thotë edukim financiar? Do të thotë që neve të dimë të shfrytëzojmë më së miri të ardhurat tona në familje, të dimë të kuptojmë se ku do të bëjmë një veprim në rast se do të kemi kursime… të dimë të komunikojmë me bankat, për të parë cilat janë mënyrat më të mira për të bërë investime. Është pak a shumë ajo që ne themi se duhet të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin, të mos e teprojmë me investime të panevojshme. Një nga faktorët shumë të rëndësishëm të këtij programi që duhet modest dhe i vogël është fakti që neve kemi target qytetarët e Kosovës, si duhet të veprojnë ata për të menaxhuar sa më mirë të ardhurat e tyre duhet të bëjmë investime të mençura, duhet të menaxhojmë sa më mirë gjërat që të jemi sa më të suksesshëm”, tha Sakiqi.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, tha se qytetarët duhen trajnuar për menaxhimin e të ardhurave, pasi 14 për qind e tyre më shumë shpenzojnë sesa fitojnë.

“Shoqata e Bankave të Kosovës duke nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me IFC-në në korrik të vitit 2014, hodhi hapin e parë të këtij projekti duke treguar një përkushtim në edukimin financiar bankar në Kosovë. Qëllimi i projektit për edukim financiar të klientëve është që të ndihmojmë në rritjen e aftësive dhe njohurive të klientëve ekzistues dhe klientëve potencial…Kosova mbetet mbrapa në këtë fushë dhe ka bërë shumë pak për edukimin financiar të popullatës në krahasim me vendet e rajonit…kemi arritur të përgatisim një projekt dhe të fillojmë implementimin e tij për dy vitet e ardhshme…në Kosovë 78 për qind e respondentëve nuk mbajnë evidencë për shp enzimet mujore, 44 për qind e huamarrësve janë të mbingarkuar me borxhe, ndërsa 14 për qind shpenzojnë më shumë se të ardhurat e tyre”, tha Balija.

Fare në fund drejtorit të Shoqatës së bankave kosovare, Petrit Balija, iu dhuruan produkte bankare të marketingut për promovim, ndërsa përfaqësuesve të 10 bankave që veprojnë në Kosovë, nga IFC-ja iu dhurua nga një certifikatë mirënjohjeje për punën e bërë në vetëdijesimin e qytetarëve për shërbimet bankare. /Telegrafi/