LAJMI I FUNDIT:

1 Prilli si festë nacionale

1 Prilli si festë nacionale

Nëse nuk na lënë të hyjmë për dere, ne do të futemi për dritare. Nëse na nxjerrin për njërën dritare, ne do të futemi për tjetrën. Pak a shumë kështu e kishte shprehur strategjinë afatgjatë dhe orientimin e tij, e besa edhe të Qeverisë që e drejton, kryeministri aktual i vendit tonë. E kishte fjalën gjithsesi për procesin e integrimeve euroatlantike. Deklarata e tij nuk lë kurrfarë dilemash. Në Evropë – me çdo kusht.

Tash mbetet të shihet se a do të kalojë apo do të bjerë kjo strategji, këtë të mërkurë, kur Parlamenti i cili nuk po arrin të votojë asnjë nga kushtet e Evropës, të votojë edhe njëherë këtë koalicion dhe të i vazhdojmë kështu përpjekjet tona, plotë shpresë, drejt dyerve dhe dritareve të blinduara të Evropës.

Vet Evropa, politike, megjithatë – qysh e dini edhe vet – nuk përputhet me Evropën gjeografike. Ajo ka vënë kufij dhe ka vënë kushte për të hyrë për dere. E, në dritare kanë vënë grila. Duket si burg i bukur dhe shpesh është vështirë të përdorësh këtë metaforë, duke pasur parasysh se në një burg të vërtetë të burgosurit nuk mund të dalin, ndërkohë që këtu ndodhë e kundërta – pra, nuk mund të hyjnë.


Nuk mjafton të jesh gjeografikisht në Evropë, për të qenë pjesë e bashkësisë. Dyert e rënda, të kështjellës së moçme, nuk hapen lehtë dhe pa kushte. Për shtete duhen kushte, e për qytetarët duhen viza. Zyrtarët dhe kriminelët s’kanë problem me viza. E, qytetarët gjinden si munden: atje ku nuk i çon Qeveria, i dërgon krimi i organizuar të cilët punojnë me strategji të koordinuar. Qytetarët mund të zgjedhin: të presin apo të nisen menjëherë. Për dere apo për dritare.

Sot është ditë pushimi në Kosovë. Është Dita e Evropës. Te ne pushohet në këtë ditë të rëndësishme, ndërkohë që në Evropë 9 maji është ditë pune si gjithë të tjerat. Është e kuptueshme se ne kemi nevojë më shumë për pushim, sidomos institucionet. Tash, nuk është e arsyeshme me i thanë shpirtit dil prej punës së rëndë. Pastaj, nuk ta di kush! Sidomos qytetarët janë mosmirënjohës. Disa vite më parë, brenda një dimri, u çuan dhe ikën mbi njëqindmijë qytetarë mosmirënjohës të këtij vendi, të cilët ikën me autobusët dhe nëpër territorin e armikut të dikurshëm, duke e vënë në siklet Qeverinë që udhëhiqej nga ata që e kishin çliruar këtë vend. Politika nuk e pranon se njerëzit po ikin nga këtu, por thonë se duan me çdo kusht të shkojnë në Evropë. Pra, populli është në valë të njëjta me udhëheqësit e vet. Populli, duke e parë se politika nuk e ka për ngutë dhe se nuk do të ndihet mungesa e tyre, vendosën me shku menjëherë në Evropë. Kur populli vendosë, nuk ka gjasa me ndërru mendje. E tradhtoi politikën, çlirimtarë e tradhtarë, dhe iku në Evropë. Kush mbërriti, mbërrijti, ata që nuk u mbytën në Danub dhe shpëtuan e nuk paraqitën ndonjë arsye për të qëndruar – i kthyen.

Qytetarët, të llastuar – gjithnjë po flas për qytetarët e tanë mosmirënjohës – e kanë një ide të gabuar se të gjithë duhet të jenë në shërbim të tyre, sidomos Qeveria, Presidenca, Parlamenti, dhe institucionet në përgjithësi. Shumë nga këta kanë qenë më parë në Evropë dhe kanë marrë yrnek të keq dhe janë indoktrinuar me ideologjinë e mbrapsht e cila na mëson se të jesh në pushtet do të thotë të jesh 24 orë në shërbim e jo si është te ne. Populli i lodhur duke e shërbye politikën, duke e votuar sa herë kishte nevojë, u dorëzua dhe dezertoi. Eh, politikanët e gjorë. Nuk mjaftojnë vetëm milionat!

Sido që të jetë, atmosfera sot, në këtë ditë festive nuk duket aspak e tillë. Është ditë e vranët, me kërcënime të hapura për shi. Edhe dje, në vigjilje të kësaj feste, ra shi tërë ditën. Pastaj, nuk arritëm me e lidhë ditën e Evropës me vikendin se na u fut e hëna në mes. Po të ishin tri ditë bashkë, do të kishim ndërru vend e ia kishim “therrë” dika.

Në ditën e Evropës, para një Ambasade evropiane, tollovi si zakonisht. Mbi 50 veta, në grumbuj më të vegjël, prisnin andej rruge nëpër kohë të keqe. Kjo është pamje e zakonshme. Ajo shpreh dashurinë tonë për Evropën, e kurrsesi dëshirën tonë për të ikur nga këtu. As mos t’ju shkojë mendja.

Një shtëpi e madhe e rrethuar me grila pasqyron gjendjen reale, marrëdhënien e dashurisë së njëanshme të kosovarëve për Evropën. Tash Evropa jo se nuk na do, por thjesht nuk i shfaq emocionet. Ashiqare nuk po na besojnë. E këndojmë Evropën herë kështu e herë ashtu. Sidomos këngët e moçme me sharkia që përfolin moralin e saj – e kanë hidhëruar shumë. Qeveria është në rregull, por populli…!

Ambasadat evropiane, dhe vetë Evropa në përgjithësi, nuk feston me pushim. Qysh e dini me 9 maj 1945 kapitulloi Gjermania. Atëherë Evropa kishte tendencë me pushtu, ndërkohë që tash ndodhë e kundërta. Ka vënë grila që të mos pushtohet. Me 9 maj Evropa e mundi vetveten. Mundi militarizmin dhe autoritarizmin e vet në formën e diktaturës fashiste. Edhe fashizmi ishte Evropë, por tashmë nuk është. Evropa ka arritur standarde të lirisë dhe sigurisë të cilat adhurohen nga qytetarët e botës. E adhurojnë edhe ata që lirinë e shohin si popullizëm.

Ne kur do ta mundim vetveten? Pa e mundur egërsinë, të keqen tonë, pushtetin e klaneve dhe oligarkëve të fuqizuar mbi kurrizin tonë, dhe t’i kthejmë pushtetin popullit, vështirë se mund të arrijmë që vendin tonë ta bëjmë edhe politikisht, Evropë.

Cila datë do të jetë 9 maji ynë? Cila datë do të simbolizojë çlirimin e vërtetë të qytetarit dhe shndërrimin e tij në sovran? Duke parë se çfarë po ndodhë në jetën ton publike, propozoj që 1 prilli të shpallet edhe zyrtarisht festë nacionale! Kjo i ka dy të mira: askush nuk do të na besojë dhe do të kemi një ditë më shumë, pushim!