LAJMI I FUNDIT:

Zonja Presidente…

E nderuara zonjë e shtëpisë së quajtur Kosovë! Nëse jeni shumë e zënë me punë, shpresoj që këshilltarët apo sekretaria juaj do të lexojnë këtë perspektivë ndryshe të shtetit tuaj.

Kjo pjesa “shteti juaj” duket sfiduese dhe joshëse në të njëjtën kohë. Nga kjo vjen dilema dhe pyetja logjike: E kujt është Kosova! Kujtoj se Kosova është e atij individi që e zhvillon jetën e vet në truallin ku është lindur dhe rritur. Nëse është kështu, dhe nëse edhe ju pajtoheni, Kosova na përket edhe mua edhe juve njësoj.

Pozita juaj si Presidente na dallon në konceptin e përgjegjësisë. Vendi i punës suaj është kategori e nevojës për organizmin e jetës në grup. Paramendoni funksionimin e tufës së bletëve nëse nuk e kanë mbretëreshën! Dallimi është se unë kam të drejtë të bëhem injorant social e politik; kam të drejtë të paragjykoj dhe të vlerësoj mbi baza jo të shëndosha. Kam të drejtë edhe të flejë, edhe të iku nga ky vend, normalisht me shumë mundime po me pasionin e ikjes nga diçka që nuk më ofron jetë me dinjitet.


Identifikimi i pronësisë së shtetit e ka historinë mbrapa, pikë nga e cila mund të bëjmë një krahasim. Tradicionalisht, ne kemi jetuar pa shtet. Gjithmonë ka qenë këtu ndonjë mekanizëm shtetëror, por nuk e kemi ndjere kurrë se shteti na përket neve. Nevoja për ekzistencë dhe siguri ka bërë që të grumbullohemi në grupe si familja, lagjja, fisi… dhe, kemi mbijetuar. Jetë i thënçin, se veç në momentin kur kishim mundësi të blejmë televizor, e pamë veten duke parë të tjerët.

Në epokat e para edhe pas televizorit e, në mungesë të shtetit, njerëzit e kësaj Kosove, kanë organizuar institucionin “pleqnar” dhe procedurën “pleqni”. Aty janë ulur tipat me historik, vlera, qëndrime dhe guxim të mjaftueshëm për tu dalë ballë sfidave që kanë prodhuar dhimbje dhe padrejtësi në at jetën në grup.

Ka një slogan që funksionon në momentet e nevojës për vlerësim i cili thotë: “Nëse do të kuptosh ku qëndron sot, ktheu mbrapa dhe kuptoje nga e si ke ardhur deri këtu”. Me këtë ide provova të bëj një paralele nga e kaluara e grupit të njerëzve të Kosovës. Nëse flasim për vendin e punës si Presidente, kujtoj se shumëçka ka për shqetësim në atë zyre. Sepse personifikon detyrë dhe përgjegjësi për të kryer. Nuk po ndalem në të kaluarën tuaj personale, sepse nuk ka shumë informata për jetën tuaj. As nuk po e përmend se ju dolët si një befasi nga një zarf.

Për hesapin tim si injorant politik, sot Kosovës i duhet një individ në vendin e punës President i Kosovës, i tillë që nuk ka nevojë të ketë aq shumë kujdes në plotësimin e detyrave të punës nga Kushtetuta. I tillë që ndihet mirë dhe i/e sigurt në shfaqje, qëndrim dhe adresim publikut. Ka nevojë Kosova për ideale, vlera dhe qëndrime ndryshe. Këto duhet të trasohen nga “kryeplaku”, mësuesi. Pse të përsërisim histori të dhimbshme kur këto pozitat janë marrë si nevojë e jo si mundësi zgjedhjeje të avancuara. Më herët edhe hoxhën e kemi përdorë si lider organizativ. Më herët kemi paguar edhe për hajmalia, sepse kemi pasë humbur shpresat aq shumë sa kemi menduar sa na kanë mallkuar.

Sot, Zonja Presidente, juve ju mashtrojnë se po mbani një pozitë aq të ndjeshme në një moment politik pa alternativa tjera. Këshilltarët apo kush e di kush, ju përsërisin çdo ditë se po qëndroni mirë dhe jeni e efektshme. Ata dinë edhe të ju trembin, duke potencuar se nëse nuk veproni apo zhvilloni diçka si sugjerimi i tyre, Kosova do të zhytet në kriza. Ata ju kanë mbushur mendjen se luksi dhe pozita ju përket juve, sepse nuk ka tjetër meritor. Këshillat e tyre të vijnë në stilin “është mirë për Kosovën” e jo në stilin “është mirë për juve”. Edhe më keq, kurrë nuk diskutohet çka është mirë për lypësin në Kosovë, për të papunin, për të sëmurin, për imazhin e Kosovës në botë, për individin me nevoja të veçanta, për pozitën nënshtruese në Evropë, për talentin që shet cigare në rrugë, për vizionin global të shtetit, për gratë e dhunuara në luftë… për ish kolegun tuaj që ha dajak e poshtërohet nga ata që po fluturojnë nëpër Kosovën tuaj.

Kjo listë është shumë e gjatë Zonja Presidente. Ata i kanë sytë tek ju e jo në pozitën e Presidentit. Sepse, në partitë i kanë humbur shpresat moti. Sepse shteti dhe pushteti nuk kanë ndonjë kuptim që ta ndjejnë. Sepse, të gjithë po e shohin se as ju nuk jeni duke e ndjerë veten si Presidente.

Sot jam shumë i sigurt që ju jeni një njeri shumë e padjallëzuar, një zonjë e shtëpisë e familjare ideale, me shumë kulturë e edukatë. Besoj shumë se me fillimin e luajtjes së rolit të presidentit, edhe shoqet e banesës ku jetoni, kanë humbur një fqinje shumë të mirë.

Ju lutem bëni një tabelë me vlerësimin e pyetjeve se çka po humb e çka mundet të humbas Kosova. Në kolonën tjetër, të njëjtin kalkulim bëni për pasurinë e personalitetit tuaj.