LAJMI I FUNDIT:

Zgjidhja e thjeshtë për të mbajtur vajzat në shkollë

Zgjidhja e thjeshtë për të mbajtur vajzat në shkollë

Catherine Dolan

Arsimimi është thelbësor për të gjithë fëmijët, djem apo vajza. Megjithatë asgjë nuk ka rezultuar më e rëndësishme për zhvillimin global se arsimimi i vajzave. Gratë e arsimuara priren të fitojnë më shumë, të jenë më të shëndetshme, të martohen më vonë dhe të kenë më pak fëmijë. Ato rrisin gjithashtu fëmijë më të shëndetshëm dhe më të mirë-arsimuar.

Kjo është arsyeja përse arsimimi i vajzave është kaq thelbësor në luftën për të zhdukur varfërinë globale. Vendet që investojnë në arsimimin e vajzave zakonisht kanë rritje ekonomike më të shpejtë dhe norma më të ulëta varfërie dhe përfitojnë nga rezultatet pozitive të shëndetit publik si normat më të ulëta të kalimit të HIV dhe të vdekshmërisë foshnjore dhe mëmësore.


Megjithatë, pavarësisht progresit të konsiderueshëm në dy dekadat e fundit, akoma mbi 130 milionë vajza në mbarë botën nuk janë në shkollë. Arsyeja kryesore është varfëria. Për shembull, në Nigeri, vetëm 4 për qind e vajzave në Veri-Perëndimin e varfër mund të lexojnë, krahasuar me 99 për qind të vajzave në juglindjen më të pasur. Por, varfëria gjithashtu sjell pengesa të tjera të arsimimit si për shembull martesa në fëmijëri, shtatzënia e hershme, përgjegjësitë e një vajze në punët e shtëpisë dhe kufizime sociale, si dhe preferenca kulturore për djem.

Në vitet e fundit, një tjetër pengesë për arsimimin e vajzave që ka fituar vëmendje të shtuar janë kufizimet infrastrukturore si mungesa e tualeteve, ujit dhe mjeteve higjienosanitare. Menstruacioni në veçanti, është zbuluar se ndikon në normat e pjesëmarrjes në shkollë mes vajzave adoleshente. Të dhënat tregojnë se më pak se gjysma e vajzave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë akses në produktet bazë të higjienës si tamponë, peceta higjienike, sapun dhe ujë apo vendeve të pastra për të kryer këto nevoja.

Në pjesë të Afrikës Nën-Sahariane dhe në Azinë Jugore, vajzat shpesh i menaxhojnë periodat e tyre në mënyra të pasigurta, të parehatshme dhe johigjienike, duke përdorur baltë, gjethe dhe veshje të vjetra për mbrojtje sanitare. Dhe shkollat shpesh nuk kanë tualete të përshtatshme apo të ndara për djemtë dhe vajzat.

Në pamundësi për të menaxhuar menstruacionet në privatësi dhe me pastërti në shkollë, shumë vajza zgjedhin të mos shkojnë fare. Një raport i UNESCO vlerëson se 10 për qind e vajzave në Afrikën Nën-Sahariane mungojnë në shkollë gjatë ciklit menstrual, me shumë prej tyre që largohen për fare pasi arrijnë pjekurinë seksuale.

Pra, çfarë mund të bëjmë? Zgjidhja ndodhet në Menaxhimin e Higjienës Menstruale – që siguron që vajzat të kenë informacion të sakë, kujdes sanitar dhe sapun e ujë me të cilat të menaxhojnë të sigurta, shëndetshëm dhe me dinjitet menstruacionet. Një studim i përbashkët mes SOAS-Oksford në tetë shkolla në Ugandë zbuloi se kur vajzave iu dhanë peceta sanitare të ripërdorshme dhe informacion rreth menstruacioneve pjesëmarrja e tyre në shkollë u rrit me një mesatare prej 17 për qind.

Me fjalë të tjera, rezultatet arsimore mund të përmirësohen përmes një zgjidhje të thjeshtë si pecetat sanitare. Por ky është vetëm një fillim. Zgjidhja e problemeve të arsimimit të vajzave kërkon qasje të gjatë dhe të shumëanshme që zgjidh pengesat financiare, logjistike dhe kulturore në shkollë. Është gjëja e duhur për t’u bërë për vajzat dhe gratë – dhe për shëndetin dhe mirëqenien e shoqërisë si një e tërë. /Project Syndicate/BIRN/