LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet në SBASHK: Votë me llokum dhe asgjë

Zgjedhjet në SBASHK: Votë me llokum dhe asgjë

Vota, kudo qoftë dhe për çfarëdo niveli të votimit qoftë, duhet të jetë e shenjtë e të shpreh vullnetin që buron nga vetë bindja e votuesit. Kjo duhet ndodhë edhe për zgjedhje nacionale, komunale, në organizata punuese, në organizata qeveritare dhe joqeveritare etj.

SBASHK-u është një shkurtesë për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Parauniversitar, Universitar dhe të Shkencës të Republikës Kosovës. Në gjirin e saj përfshin rreth 18 mijë anëtarë dhe është organizata më e madhe sindikale në vend. Momentalisht, si kryetar i SBASHK-ut është Ali Shabanaj, që nëntë vite me radhë dhe më herët 12 vite si nënkryetar apo anëtar kryesie. Ka formuar një “klan”, të një pjese të Kryesisë së SBASHK-ut, që kanë uzurpuar këtë organizatë sindikale.

Që një vit kryetarit i ka kaluar mandati dhe udhëheq pa vendimin e Kongresit. Tani, këtë muaj del në pension dhe ligji e detyron me lëshua këtë post. Por, klani i tij nuk po zgjedh as mjete e as forma e metoda, vetëm e vetëm për të qëndruar ky i fundit edhe si pensionist afër tyre dhe këta të fundit të vazhdojnë me avazin e vjetër. Po përgatitë që të zëvendësohet nga një pasardhës i dëgjueshëm i “klanit” – anëtar i Kryesisë në mandatin e tij të dytë me radhë. Nëse ky i fundit zgjidhet, Shabanaj do të ketë ndikim dhe në hije do të vazhdojë të udhëheqë si pensionist.


Vitin e kaluar kam lexuar në një portal një artikull, si ish një oficer serb i cili ka garuar për deputet në një ish Republikë të Jugosllavisë së vjetër, i ka grumbulluar votat me llokum. Në ditën e tregut kur frekuentimi i njerëzve ishte më i madh, ka vendosur një tavolinë në hyrje të tregut dhe përfundi tavolinës paketat e llokumit. Mbi tavolinë një paket e çelë me llokum, ku secili kalimtar e fitonte një në këmbim me votën e tij. Një votë për një llokum. Vota e shqiptarit atëherë ka pas kundërvlerën e një llokumi. Skamnori ka qenë i kënaqur për atë pakë kohë, derisa është shkrirë sheqeri me brum në gojë dhe jeta e hidhur ka vazhduar sërish.

Çka po ndodh sot në SBASHK, para Kongresit zgjedhor me 22.02.2014. Kryetari me “klanin” e tij po e shfrytëzon llokumin vetëm për të vazhduar mandatin. Gëzojnë shumë privilegje dhe nuk dëshirojnë t`i befasojnë askush në zgjedhje. “Klani” nuk i shërben anëtarësisë sindikale, por interesave të tyre personale. Kanë të ardhura të mira materiale pa punë, marrin mëditje për udhëtimet e tyre në vend dhe jashtë vendit pa kurrfarë dobie për sindikatën.

Shëtitjet e tyre janë të shpeshta në bregdet dhe vende malore. Marrin para të mira nga projektet që i japin organizatat e huaja në emër të SBASHK-ut. Momentalisht, edhe pse kryetari shkon këtë muaj në pension, ai ka nënshkruar një kontratë për një projekt për disa vite me KEC-in me të ardhura mujore jo më pakë se 750 euro (sipas informatave që kemi, sepse asnjëherë nuk është bërë publike në Kryesi). Nëse i shtojmë edhe rrogën që merr në SBASHK, rreth 1.450 euro, ia vlen për të shpërndarë llokum për vota.

Të ardhura materiale të mira kanë edhe klani i tij që është përkrahës çdo herë. Marrëdhëniet ndërnjerëzore edhe në vetë klanin nuk janë të mira në dy-tri vitet e fundit: një muaj flasin në mes veti, dy muaj jo dhe kështu me radhë. Por, i lidh interesi i përbashkët, kur është çështja e zgjedhjeve për të vazhduar mandatet dhe për të keqpërdorur mjetet e grumbulluar në SBASHK. Në këtë organizatë sindikale nuk ka kurrfarë kontrolli të brendshëm apo i jashtëm mbikëqyrës, apo siç thotë populli? vetë presin, vetë qepin, veç zgjate Zot.

Mësimdhënësit e mjerë që nga paga e tyre ndajnë për anëtarësi 0,5 për qindqë është krejt normale dhe në interes të tyre, sepse sindikatat kudo në botë mbrojnë të drejtat e tyre, që çdo herë shkelen nga Qeveria dhe sindikatat, duhet të jenë në mbrojtje të tyre dhe të jenë këmbëngulës për përmirësimin e pozitës materiale të tyre. Anëtarësia nuk din për këto zhvillime dhe Kryesia e SBASHK-ut merret vetëm me vetveten. Dëshmitar duhet te jenë ata vetë dhe mund të shtrojnë pyetje çfarë të mira kanë nga sindikata p.sh. vetëm këto vitet e fundit.

Organe më të larta të SBASHK-ut, se Kryesia, janë: Këshilli i Përgjithshëm dhe Kongresi. Anëtar të KP-së janë të gjithë kryetarët e sindikatave të arsimit fillor e të mesëm të komunave të Kosovës. Ndërsa, Kongresi i cili zgjedh kryetarin e SBASHK-ut e përbëjnë delegatet e çdo komune, varësisht prej numrit të anëtarësisë (1 në 200 delegat).

Tani, paria e SBASHK-ut nuk e ka qitë tavolinën e llokumit për të zgjedhur kryetarin, por po vepron pak më ndryshe. Çdo ditë thirren kryetaret e sindikatave të komunave në kafeteri, që janë të shumta për rreth zyrave të SBASHK-ut, për t`i siguruar votat e delegatëve të tyre. Ju ofrojnë kafe me lëng, e nëse është e nevojshme për bindje më të madhe edhe dreka e gjësende tjera. Për vota i japin premtime të ndryshme, e ku është pak më vështirë edhe shpërblime. Ata që nuk i dëgjojnë i kërcënojnë se do t`i shkarkojnë etj. Nëse nuk vjen ndonjë prej tyre në zyre, shkojnë nëpër komunat e tyre. Raport i këndshëm për të dy palët. Kjo i ngjanë grupeve të “grabitësve”.

Një kryetar i sindikatës së një komune më thirri dhe më njoftoi se më telefonoi një “grabitës” nga “klani” SBASHK-ut për t’i dhënë emrat dhe nr. celularëve të delegatëve të Kongresit, për t’ua përvetësuar votën. E çuditshme për çka. Por, e arsyeshme pse vetëm të ruaj grupin klanor për të “hëngër” SBASHK-un. Është një e mirë se shumë sindikalist komunalë e kanë kuptuar qëllimin e Kryesisë së SBASHK-ut dhe nuk po arrijnë t’i bindin. Këta të fundit janë për të bërë një prerje punës së kësaj kryesie dhe për të zgjedhur një kryesi të re të pakorruptuar, e cila punon dhe do të jetë e përkushtuar për anëtarësinë e SBASHK-ut.

Nëse bëhet ndonjë analizë se çka do të sjellë ky Kongres zgjedhor, atëherë përgjigjja ime është se kundërmon era e keqe e keqe, nuk ka ndërrime, nuk ka arsye, nuk ka vetëdijesim, por eufori, premtime dhe mashtrime. Asgjë. Asgjë për anëtarin e sindikatës. Kurrë më e nevojshme nuk ka qenë se në këtë sindikatë të ketë ndryshime rrënjësore, por kjo varet nga delegatet.

Anëtarësia duhet të zgjohet nga gjumi, t’i vetëdijesojë delegatët dhe kryetaret e sindikatave të komunave të Republikës Kosovës që të mos të kënaqen me një llokum, por t`i shprehin e t`i mbrojnë interesat e anëtarësisë së tyre. Të jenë në dijeni se kjo kryesi që po përgatitet me vazhdu mandatin po Ju merr djersën e mësimdhënësve pa kundërvlerë.

Të votojnë për ndryshime, për reforma e për demokratizimin e SBASHK-ut. Mbetemi me shpresë se do të ndodhin ndryshime, sepse shpresa asnjëherë nuk është humbur dhe nuk është tjetërsuar.

(Autori është nënkryetar i SBASHK-ut)