LAJMI I FUNDIT:

Zbardhen detajet e ekzekutimit të Mirit të Xhikes

Zbardhen detajet e ekzekutimit të Mirit të Xhikes

Zbardhen detaje të reja mbi ekzekutimin mafioz të biznesmenit Fatmir Rama, i njohur ndryshe me nofkën "Miri i Xhikes".

Në drejtim të tavolinës ku ndodhej i ulur biznesmeni Rama, dyshohet të kenë qëlluar dy persona, njëri prej të cilëve ndodhet në bankën e të akuzuarve dhe është pikërisht Lavdërim Tufa. Personi i dytë dyshohet të jetë vrarë dhe hedhur në Liqenin e Baldushkut, vetëm pak ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në kompleksin luksoz “Kartodromi 2000”, pronë e biznesmenit që u ekzekutua së bashku me mikun e tij, Kristaq Cami dhe punonjësin e lokalit, Julian Durishti.

Një fakt i tillë u zbulua dje gjatë procesit gjyqësor ndaj Lavdërim Tufës, kur avokati i të pandehurit kërkoi shpjegime nga Ndoc Çardaku, shef sektori i shkencave ligjore pranë Institutit të Policisë Shkencore, lidhur me një akt- ekspertim në të cilin vërtetohej se ishin ekzaminuar dy kapuça të zinj të një kufome të gjetur në liqenin e Baldushkut ditët e para të prillit 2003, pra vetëm tri-katër ditë pas ekzekutimit mafioz.

Kufoma e gjetur në liqen është dyshuar si një nga autorët e vrasjes së Ramës dhe dy personave të tjerë. Njollat e gjakut të gjetura në një armë automatike dhe dy karikatorë që dyshohet se janë përdorur në vrasjen e Fatmir Ramës, janë krahasuar me njollat e gjakut të viktimës së gjetur në Baldushk.


Avokati mbrojtës i Lavdërim Tufës ka hedhur hije dyshimi për humbjen e provave materiale të gjetura në vendngjarje. Gjyqi ndaj Tufës, i cili po përballet për të dytën herë me drejtësinë, pasi vendimi me burgim të përjetshëm u rrëzua dhe çështja u kthye nga e para, është drejt fundit, raportoi të enjten Gazeta Shqiptare./Telegrafi/