Miron Çako
Fenomeni i vetëvrasjes është i hershëm dhe ka sjellë shumë viktima para kohe në thonjtë e vdekjes, në botën e të vdekurve. Në shekullin XIII u quajt për studim me termin latinisht suicidium (sui-vetja dhe cidium-vrasja). Por, pavarësisht ndërgjegjësimit dhe zhvillimit social dhe kulturor të njerëzve, përsëri fenomeni mbetet si një fatkeqësi e madhe dhe e pariparueshme, si për ata që e kryejnë, por edhe për të afërmit e tyre dhe mbarë shoqërinë. Madje, edhe në kohët moderne fenomeni nuk po zvogëlohet, por po shtohet frikshëm dhe me shifra alarmante. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, OBSH, çdo 40 sekonda në botë një person vret veten ose 3000 njerëz në ditë dhe një milion në vit. Suicidi është një nga tre shkaqet e vdekjes për grupmoshat 15 deri 44 vjeç, që është mosha më e bukur dhe produktive për njeriun.
Vetëvrasja nuk ndodh vetëm në vendet e botës së tretë me një zhvillim ekonomik social dhe kulturor të ulët, por edhe në vendet me zhvillim të lartë dhe në të gjithë sferat e shoqërisë. Në SHBA, në çdo 12.3 minuta kryhet një akt vetëvrasjeje – pothuajse 43 mijë amerikanë në vit. Po ashtu, edhe në Evropë dhe në vende me standarde të larta jetese, si në Francë, ka të paktën 20 mijë suicide në vit dhe 200-400 mijë tentativa; në Belgjikë po ashtu ka më shumë vdekje nga vetëvrasja sesa nga aksidentet rrugore; në Suedi vetëvrasja është në një shkallë shumë të lartë; e vendi me vetëvrasje më të madhe në botë është ishulli i Grenlandës, ku një në katër qytetarë kryejnë vetëvrasje. Edhe në Shqipëri gjatë vitit 2016 janë evidentuar 277 raste vetëvrasjesh dhe 325 raste tentative për vrasje.
Sa i përket moshës, mendimit dhe tentativës për suicidështë zakonisht adoleshenca, mosha 15-vjeçare, për disa arsye të kësaj moshe delikate dhe shumë të ndjeshme, si: problemet me prindërit, divorci, keqtrajtimi, abuzimi, ose jashtë shtëpisë dhuna nga bullizmi, apo kapriço të moshës (për fëmijë të moshës 10 vjeçe më tepër është quajtur aksident, sepse fëmijët nuk e bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes). Suicidi vazhdon në çdo moshë tjetër, sidomos në rastet më të shumta shfaqet në moshat 55-65 vjeç – mosha kur njeriu fillon tatëpjetën n.q.s. ka dështuar ose ka humbur qëllimin e jetës edhe po ashtu shfaqet në pleqëri, sepse procesi i plakjes krijon problem sociale, psikologjike dhe fizike për mbijetesë (kjo kalon në dëshpërim, depresion dhe në aktin e vetëvrasjes). Sa i përket gjinisë, ajo femërore duke qenë më sentimentale dhe e paqëndrueshme emocionalisht, bëjnë gati tri herë tentativë për suicid më shumë se meshkujt, por meshkujt për nga fiziku dhe kurajo arrijnë ta realizojnë suicidin tri herë më shumë se femrat.
Fenomeni i vetëvrasjes sipas OBSH-së, nga viti 1945 deri me sot, ka një rritje globale gati 60 për qind. Për sensibilizimin dhe ndalimin e kësaj fatkeqësie që po kthehet si epidemi sociale, është vendosur 10 shtatori si dita e ndalimit të suicidit (vetëvrasjes).
Në përgjithësi, suicidi është fenomen kompleks, produkt i shumë faktorëve të cilët e pështjellojnë viktimën dhe e shtyjnë në aktin e eliminimit të vetes. Këta faktorë janë psikologjikë, socialë, biologjikë (sëmundje mendore), kulturorë, mjedisorë, madje edhe fetarë, d.m.th. për ato fe që e tolerojnë dhe e nxisin vetëvrasjen si akt i shenjtë dhe sublim para “Zotit”. Në përgjithësi, njerëzit që duan të vrasin veten, të të gjitha moshave përgjegjëse, kur duan të kryejnë aktin e vetëvrasjes janë përballë dilemës filozofike “të rrosh apo të mos rrosh” dhe kjo si zgjidhja më e mirë e mundshme përballë realitetit pa shpresë ku gjendet personi. Vetëvrasja kryhet nga të gjitha nivelet intelektuale – nga më të ulëtat deri tek inteligjenca gjeniale. Mund të themi se nga studimet, pothuajse shumica e njerëzve kanë menduar ose kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje.
Sipas studiuesit të parë për fenomenin e suicidit, Emile Durkehin, në studimin e tij publikuar në vitin 1897, citohet se “vetëvrasja si fenomen nënkupton të gjitha rastet e vdekjes të cilat rezultojnë në mënyrë direkte dhe indirekte prej aktit pozitiv dhe negativ të vetë viktimës, i cili e kupton se çdo të prodhojë rezultati i aktit të tillë”. Ai e përcakton vetëvrasjen në katër forma: 1. Si vetëvrasje egoiste, kur personi e ndjen veten të përjashtuar nga shoqëria, i paintegruar, me vështirësi ekonomike të cilat kanë ardhur si pasojë e një dështimi personal; 2.Vetëvrasje altruiste, kur personi është i integruar në shoqëri, por i ndikuar nga tradita apo feja se akti i vetëvrasjes është shërbimi më i mirë apo akt heroik për nderim, si harakiri – vetëvrasje për japonezët – ose sekte që përligjin vetëvrasjen si kamikazët etj.; 3. Vetëvrasje anomike vjen nga çregullimet sociale, prej ndërrimit të sistemet shoqëror – numri i madh i popullsisë, e kur rregullat shoqërore janë në disavantazh apo të papërshtashme me papunësi, varfëri, depresion ekonomik humbje shprese. 4. Fataliste; kur individi i ka të gjitha, por ka humbur drejtimin në jetë dhe kontrollin mbi fatet e tij.
Për psikiatrët, vetëvrasja është parë dhe trajtuar prej kohësh si sëmundje mendore. Sipas tyre, suicidi është pasojë e sëmundjeve mendore, si skizofrenia apo epilepsia. Kur personat e ndjejnë se po çmenden dhe po humbin personalitetin, bëjnë vetëvrasje. Por, pavarësisht trajtimit klinikal të personave me tendenca vetëvrasjeje, problemi nuk është zgjidhur dhe në disa raste ai ka dështuar në trajtimin e tij nga ana mjekësore. Sepse, mbetet e pashpjegueshme për mjekët se përse dy persona me të njëjtën diagnozë dhe terapi antidepresive, njëri e kryen aktin e suicidit dhe tjetri jo. Shumica e studiuesve të fenomenit mendojnë se 30-60 përqind e suicidantëve janë me probleme mendore. Madje, antidepresorët duke eliminuar frenimin psikomotor krijojnë tek pacienti mundësi fizike për të kryer suicid. Është për t’u çuditur se si psikiatrët që merren me trajtimin e pacientëve mendorë, janë njerëzit më me risk për suicid se nga mjekët e tjerë si ata pediatër, kirurgë dhe të tjerë.
Por përveç psikiatrëve ka mendime të ndryshme nga psikologë, se suicid nuk është sëmundje por një akt pozitiv nëpërmjet të cilit individi qoftë dhe i sëmurë zgjidh një problem. Pra për shumicën e psikologëve modernë suicide është aspekt specifik dhe eksluzivisht human, d.m.th. se vetëvrasja nuk është gjë tjetër veçse një veprim i një qenieje me vetëdije të mjaftueshme për të bërë dallim midis jetës dhe vdekjes. Kjo është arsyeja që në disa vende vetëvrasja është pjesë e kultures si: në Japoni akti i vetëvrasjes shikohet me respekt për të zgjidhur një problem pa zgjidhje, ose në Belgjikë suicide është diçka e lejuar. Por përveç rasteve që përmendëm ka dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në një vetëvrasje pasive si droga, alkooli, duhani, pakujdesi në aktivitetin fizik, aventura përtej limiteve, aksidenteve prej pakujdesisë, abuzim me trupin nga ana seksuale shkak i sëmundjeve vdekjeprurëse si sida, etj.
Por, le ta shikojmë vetëvrasjen nga një tjetër plan dhe dimension që shpesh psikologët dhe psikiatrët dhe gjithë ata që merren me fenomenin e suicidit e anashkalojnë, që është dimensioni fetar ose religjioz. Bazuar në studime të shumta, njerëzit religjiozë janë më pak të prirë të bëjnë vetëvrasje. Kjo ndodh sepse fetë monoteiste dhe në mënyrë të veçantë krishterimi e dënon aktin e vetëvrasjes pa ekuivok, sepse njeriu nuk është një qenie autonome, ai nuk është zot i vetes po një krijesë e krijuar me një trup prej dheu i cili ka brenda një frymë jete (shpirtin e arsyeshëm) që gjendet brenda trupit dhe e gjallëron atë. Prandaj, njeriu duke qenë një qenie psiko-somatike (shpirt- trup) ku shpirti (uni i tij) është futur dhe banon në një trup që mund ta quajmë si një çadër, shtëpi, ose një mjet lëvizësh, për të cilin njeriu duhet të përkujdeset gjatë gjithë jetës së tij mbi tokë. Asnjëherë krishterimi se ka parë trupin si armik të shpirtit, por banesë dhe bashkëpunëtor të tij, për të përmbushur qëllimin e jetës brenda kohës dhe hapësirës në këtë botë.
Në Dekalogun që është shtylla kurrizore e moralit të besimtarit monoteist, në porosinë e gjashtë Zoti thotë: “Mos vrit” (Eks.20:13). Kjo porosi kuptohet në dy aspekte: mos vrit për egoizmin tënd dhe mos vrit veten po ashtu nga egoizmi yt. Njeriu normal, pavarësisht se jeton bashkë me vdekjen ose ka lindur për të vdekur, çuditërisht nuk e do vdekjen si shumë gjëra të tjera në jetë si ushqimi, gjumi etj., por i frikësohet vdekjes, e shmang, e lufton deri në momentin e fundit duke u përpjekur të jetojë sa më gjatë, madje edhe një ditë, edhe një orë më shumë dhe në qoftë se është e mundur të gjejë ilaçin e pavdekësisë që përfundimisht ta mundë armikun e tij më të madh dhe të pamëshirshëm – vetë vdekjen. Ky instinkt për të jetuar dhe mbrojtur jetën është vendosur tek njeriu nga Zoti Krijues që, duke qenë një Qenia e pavdekshme, e krijoi njeriun sipas ikonës së tij, me potencialin dhe mundësinë e pavdekësisë, duke u bërë i ngjashëm me Zotin e tij. Vdekja hyri tek njerëzit aksidentalisht për shkak të mëkatit fillestar, kur njeriu i mashtruar nga djalli ziliqar (engjëlli rebel), shkeli porosinë e Perëndisë: “Mos ha nga pema e njohjes së të mirës dhe të së keqes se në ditën që do të hash prej saj me siguri do të vdesësh” (Zan. 2:13).
Vdekja është produkt i mëkatit dhe djalli duke qenë shkaku i mëkatit fillestar dhe çdo mëkat personal ka pushtet mbi mëkatarët (njerëzit) të cilët i çon në vdekje të parakohshme me anën e vetëvrasjes. Prandaj, dhe dëshira për vetëvrasje fillon të shfaqet në adoleshencë kur njeriu fillon të dallojë të mirën nga e keqja dhe ai është i lirë të zgjedhë dhe të shkojë mbas të keqes, mbas mëkatit që të bashkon me djallin dhe që të çon në vdekje. Prandaj, Krishti tha për djallin “njerivrasës që nga fillimi” (Jn. 8:44). Ai, së bashku me demonët e ajrit ndikojnë që njeriu të shkelë porosinë mos vrajë ose mos vrit veten. Kjo na tregohet shumë qartë me Juda Iskariotin i cili e tradhtoi Krishtin: “Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët. (Lk. 22:3). “Dhe ai… u largua dhe shkoi e u var në litar” ( Math. 27:5).
Shumë herë personat që vrasin veten janë të bombarduar me mendime dhe zëra të brendshëm që e shtyjnë njeriun drejt aktit të vrasjes dhe vetëvrasjes që në të vërtetë është i njëjti krim, ashtu siç thotë dhe shën Agustini (354-430): “Të vetëvritesh është sikur të vrasësh një njeri”. Këta zëra demoniakë, që psikiatrët dhe psikologët duke mos ditur origjinën i quajnë “zëra të brendshëm” ose “personalitet i dyfishtë” në një mendje të çoroditur, shoqërohen me melankoli dhe ankth, mendim i ulët për veten, dëshpërim ose një ego të tepruar sa kërkon të sfidosh edhe veten. Në Shkrimin e Shenjtë përmenden vetëm dy njerëz që vranë veten. Njëri ishte Ahitofeli, tradhtari i mbretit David (II Sam. 17:23) dhe tjetri Juda, tradhtari i Krishtit (Math. 27:5). Të dy vranë veten nga egoizmi i sëmurë dhe dëshpërimi i pashpresë.
Shën Nektari i Egjinas (1846-1920), një atë i madh Kishës Ortodokse thotë: “Dëshpërimi është një e keqe e frikshme dhe një pasion i pashërueshëm që dëmton shpirtin e njeriut. Shkatërron çdo gjë të shëndoshë brenda tij, e udhëzon në shkatërrim dhe e bën t’i japë fund jetës së tij. I dëshpëruari, edhe pse jeton, është i vdekur, sepse ka humbur lidhjen me botën dhe me çdo kënaqësi të jetës. Dhe, mendon se një vdekje më e shpejtë se ajo natyrore, do ta çlirojë nga hidhërimet dhe vështirësitë e jetës dhe përfundon në vetëvrasje. Por nuk është kështu. Ai që vret veten nuk është i çmendur, por i dëshpëruar në kulm. Pra, vetëvrasësit nuk vuajnë psikologjikisht, por moralisht. Dëshpërimi është një devijim moral. Ata lanë pas dore kurimin moral dhe kur i pushtoi paniku i dëshpërimit vranë veten. Kështu, ata janë përgjegjës të veprimeve të tyre dhe bëjnë mëkat të madh, të pafalshëm (përderisa nuk mund të pendohen)”.
Shkaqet e dëshpërimit janë të shumta. Por, ai më kryesori është “sëmundja” morale. Dhe, këta të “sëmurë” moralisht i ndajmë në tri kategori: a) ateistë që nuk besojnë në jetën pas vdekjes dhe në gjyqin e Perëndisë dhe kjo të çon në çmenduri: “ Tha i marri në zemrën e tij, nuk ka Perëndi, janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën” (Ps. 14:1); b) frikacakë, besëpakë: Në këtë grup bëjnë pjesë ata njerëz që fillimisht jetojnë sipas ligjeve hyjnore dhe njerëzore, por sa takojnë vështirësi të mëdha në jetë, humbin guximin dhe shpresën e tyre te Perëndia; c) të pushtuarit nga ndjenja të ndryshme, pra të sëmurët sentimentalë. Në këtë grup bëjnë pjesë ata që vriten të zhgënjyer nga dashuria njerëzore, qoftë kjo e pastër (si dashuria rinore), ose e paligjshme. Dhe, i riu i pushtuar nga zhgënjimi, kaq shumë vuan dhe duke qenë i papërvojë për temat e jetës, i kushton rëndësi të madhe ngjarjes, e cila për të rinjtë e zhgënjyer konsiderohet si e keqja më e madhe.
Vetëvrasja jo vetëm që është një fatkeqësi dhe nënshtrim ndaj demonëve por është dhe një mëkat i pafalshëm, sepse e para njeriu që vret veten sfidon Zotin, dhuruesin e jetës dhe blasfemon ndaj Tij duke e quajtur të paaftë për ta shpëtuar në situatën ku u rrëzua. E dyta, më e keqja, njeriu që vret veten i humb vetvetes çdo mundësi rikthimi, pendimi dhe korrigjimi, ndryshe nga ai që vret tjetrin dhe bën çdo mëkat, por ka mundësi të pendohet të korrigjohet gjatë jetës. Ai që vret veten shkëputet përfundimisht nga Zoti i jetës, nga jeta e përjetshme dhe bashkohet me djallin, shkaktarin e vdekjes dhe vdekjen e përjetshme (Ferrin). Për këtë arsye, ata njerëz që vrasin veten nuk përkrahen as nga kisha e Krishtit, ndaj tyre nuk kryhen shërbesa fetare, madje më përpara nuk varroseshin me të tjerët që kishin vdekur me shpresën e ngjalljes.
Për ta ilustruar atë që thamë më sipër po iu tregoj një rrëfim të një personi të cilin e kam takuar në burg. Ai kishte bërë një krim dhe duke parë pastaj çdo gjë të shkatërruar, ra në dëshpërim dhe vendosi të vrasë veten duke u varur. Mbasi kaloi në gjendje kome tregon se një zë i qartë i tha: “Tani nuk të ndihmojmë dot”. Për “fatin” e tij të mirë ai u rikthye në jetë dhe u pendua thellësisht për aktin e vetëvrasjes që ishte i pafalshëm nga Zoti.
I vetmi tolerim që bën Kisha Ortodokse është kur personi që kryen aktin e vetëvrasjes është i dalë mendsh d.m.th. i pavetëdijshëm, i marrë, i demonizuar, saqë ka humbur çdo kontroll ndaj vetes dhe kështu është i papërgjegjshëm dhe nuk gjykohet. Ose, në një tjetër rast, kur personat pranojnë të vrasin veten për të ruajtur moralin, siç ka raste të përmendura edhe në historinë e popullit tonë, ku gra së bashku me fëmijët e tyre hidheshin nga shkëmbinjtë për të mos rënë në duart e armiqve të cilët kërkonin t’i çnderonin.
Por, vetëvrasja si akt është shumëdimensionale dhe e kamufluar, p.sh. siç është dhe eutanazia që si term vjen nga greqishtja që do të thotë (vras veten) ose vdekja e ëmbël. Kemi (eutanazi vullnetare) ku kërkohet nga vetë pacienti – ajo quhet vetëvrasje nga Kisha, kurse (eutanazi e imponuar); kur kërkohet nga të afërmit pa dëshirën e pacientit – kjo konsiderohet si krim (vrasje). Ata njerëz që ndërgjegjësohen se do të vdesin, me siguri mendojnë se në qoftë se unë do të vdes, pse të mos vdes më përpara, ose pse të bëhem barrë e shoqërisë. Ndërsa, të afërmit e tij mendojnë se me eutanazi do ta lehtësojnë nga dhimbja dhe kështu e justifikojnë. Kisha Ortodokse është kundër, sepse jeta nuk është pronë e njeriut po dhuratë e Zotit dhe vetëm Zoti ka të drejtë të marrë shpirtin duke e ndarë atë nga trupi. Jeta e njeriut nuk është e matur me minuta, orë, ditë, dhe vite, por me frymëmarrje, prandaj thuhet: “Dha frymën e fundit”.
Jeta në trup në këtë kohë dhe hapësirë ka një qëllim të madh, për të formuar plotësisht shpirtin që ta bëjë të përshtatshëm për jetën e përjetshme. Ky është një proces i gjatë të cilën vetëm Perëndia e di kur mbaron, ashtu siç ndodh me frutin që kur piqet shkëputet vetë nga dega.
Vetëvrasja është shtuar në këto kohë apostazie (mohimi i Zotit) dhe kjo është neuroza më e madhe e këtij brezi të pabesë dhe imoral, që të çon në dëshpërim edhe fatalitet. Zgjidhja më e mirë e këtij fenomeni, si fatkeqësia më e madhe dhe mëkati më i pafalshëm, është besimi tek Zoti i jetës dhe i dashurisë dhe të mos dëshpërohesh, mos të frikësohesh, mos e dëgjosh djallin që të pëshpërit vrite veten.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGerta - Gjestit: Kë do të shpëtoje po të mos ishte Egli?, banori befason me përgjigjen
Trump lavdëron kryeministrin britanik ndërsa Musk kërkon burgosjen e tij - çfarë ndodh kur dy aleatë ndajnë mendime të ndryshme?
Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre
Përplasja Conceicao - Calabria menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së Milanit
Pati përplasje të ashpër me trajnerin, reagon Calabria dhe sqaron pse ndodhi kjo
Pas tensioneve mes tyre, Egli shkon ta zgjojë Gjestin nga gjumi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
“Jo, vendi im është atje” – Lionel Messi ka konfirmuar se ku do të shkojë pas largimit nga Inter Miami
Trump nuk u bë brenda natës kripto miliarder
Xheneta Fetahu ngjall dyshime me vizitën në Shqipëri, a po bëhet pjesë e BBVA?
Rashford te Barcelona: Man United me transferim aspak të pritur nga katalunasit
Masivisht po shpërndahet një foto e televizionit kroat - duhet ta shihni se si e quajnë Erdoganin
Barcelona humbet një talent të madh të akademisë – pritet transferimi i tij në Arabinë Saudite