LAJMI I FUNDIT:

Vendimet e mëdha kërkojnë guxim!

Vendimet e mëdha kërkojnë guxim!

Ditën kur Gjykata Kushtetuese nxori konstatimin se shumë prej parimeve të Marrëveshjes për Asociacionin/ Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe (AKS) – nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, vetëm pak metra larg nga selia e Kryeministrisë, u organizua një ndejë. Ç’është e vërteta, gostia ishte paracaktuar më herët nga Ministria e Punëve të Jashtme, që drejtohet nga zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi. Aty u mblodhën zyrtarë të lartë të shtetit, diplomatë vendës e të huaj, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve.

Nikoqiri, siç e do rendi, e mbajti një fjalim përshëndetës. Foli pak për “sukseset” e Ministrisë dhe të Qeverisë, por për t’i vënë kapak asaj që foli, u përkujdes shefi i tij. Me zë të ultë dhe pa e zgjatur shumë, edhe ky e përmbylli fjalimin duke i uruar sukses parafolësit jo si ministër, as zëvendës por si president i ardhshëm. E tëra përfundoi me duartrokitje dhe cakërrim gotash, thua se s’kishte ndodhur gjë.

E, në fakt, për diçka të ngjashme me atë që kishte ndodhur atë ditë, në vjeshtën e vitit 2010 Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit. Pas tij, po për çështje kushtetutshmërie, në pranverën e vitit 2011, nga Presidenca ishte larguar edhe Behgjet Pacolli.


Me gjithë mospajtimet që patën me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Sejdiu e Pacolli, e respektuan këtë institucion. Por, këtë standard nuk arriti ta ruajë Mustafa- në dy raste brenda një qarku kohor prej më pak se dy vjetësh: në rastin e parë kur Gjykata Kushtetuese nuk e njohu të ligjshëm zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe, në të dytin, kur po e njëjta Gjykatë nxori aktgjykimin se marrëveshja të cilën e kishte nënshkruar në Bruksel për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, bie ndesh me aktin më të lartë juridik të shtetit.

* * *

Praktikat e mëhershme kanë dëshmuar se sa herë që nuk janë shfrytëzuar momentumet për ta marrë një vendim të drejtë, pasojat kanë ardhur duke u shtuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijoi bazë të mjaftueshme juridike, politike e morale që Mustafa të jepte dorëheqje. Me një akt të tillë ai do t’i kryente shërbim shtetit që, si nënshkrues i një marrëveshjeje që e prish rendin kushtetues, jo vetëm se nuk do të ishte zbatues i saj, por edhe do ta zhvleftësonte atë. Vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të nxirrnin dikë tjetër në krye të Ekzekutivit, të pangarkuar me obligimet e krijuara nga një marrëveshje kundërkushtetuese.

Krahas kësaj do të evitohej mundësia e krijimit të praktikës që pushteti të bije sa herë që atë e kërkon opozita. Zotimi në respektim të vendimit të Gjykatës nën pretendimin se kështu ishin marrë vesh edhe në Bruksel, është vetëm farsë politike për t’iu shmangur përgjegjësisë në shkelje të Kushtetutës. Garancitë se Qeveria nuk do të lejoj që AKS ta cenoj rendin kushtetues, nuk mund të jenë të besueshme kur kihen parasysh këto pesë gjëra:

-E para: Marrëveshjen nuk e ka dërguar në Kushtetuese Qeveria, por presidentja.

-E dyta: Gjykata Kushtetuese nuk e ka vlerësuar (mos)përputhshmërinë e statutit të Asociacionit me Kushtetutën, ashtu siç përcaktohet në Marrëveshje, por vet Marrëveshjen.

-E treta: Statuti për Asociacionin nuk mund të hartohet pa u ndryshuar marrëveshja

-E katërta: Për t’u ndryshuar marrëveshja, duhet të pajtohet edhe Serbia e Brukseli.

-E pesta: Marrëveshja për AKS-në është instrument i Marrëveshjes së parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e cila ndonëse e ka marr bekimin e Kuvendit, nuk është trajtuar fare nga Gjykata Kushtetuese, çka lë për të dyshuar se edhe ajo bie ndesh me rendin kushtetues të shtetit.

Realisht, s’ka se si të jetë në harmoni me Kushtetutën krijimi i një entiteti etnik me fuqi ekzekutive brenda një shteti multietnik që funksion mbi parimin e pushteteve të ndara. Zaten, Asociacioni bie ndesh me vet Pakon e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilës është i ndërtuar sistemi kushtetues yni.

* * *

Tani, kur momentumi për të dhënë ‘vullnetshëm’ dorëheqje është humbur, gjasat për të shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme vetëm sa janë rritur. Kjo për faktin se opozita tash e ka në duar “armën” e kushtetutshmërisë kundrejt të cilës mund të përgjigjesh vetëm me aparatin e dhunës. E, dhuna shkakton destabilitet që pashmangshëm, në një moment të caktuar, i detyron palët në konflikt të ulen rreth tryezës për t’u marr vesh.

Shembullin e kemi jo më larg se në shtetin fqinj- Maqedoninë. Pas skandalit të përgjimeve dhe protestave të vazhdueshme, Nikolla Gruevski u detyrua të ulët në bisedime me liderin opozitar, Zoran Zaev, përfshirë edhe liderët shqiptarë. Kështu, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian u caktua koha e zgjedhjeve të parakohshme për prillin e këtij viti.

Pjesëmarrja masive e qytetarëve në protestën e 9 janarit në Prishtinë, është inkurajim i opozitës që të mos ndalet derisa të detyrojë partnerët qeverisës të ulën në bisedime të ngjashme. Opozita aktuale nuk është se paraqet ndonjë alternativë për krijimin e një shteti ligjor, kur dihet se dy nga tri partitë e opozitës së bashkuar, AAK dhe Nisma, drejtohen nga njerëz që janë bashkëfajtorë në keqqeverisjet e pasluftës. As Vetëvendosja nuk mund ta ndërtojë Republikën për sa kohë që i injoron simbolet e shtetit e përderisa nuk po arrin të prodhoi argumente të qëndrueshme se di të menaxhojnë me pushtetin që i është besuar në komunën ku është e sistemuar administrata shtetërore. Por, qytetarët, duke mos pasur zgjidhje tjetër, i janë bashkuar kauzës politike të opozitës, me shpresën se me ndërrimin e kësaj qeverie do të ndërrohet edhe mendësia në të qeverisur. Në një stad, kur revolta politike është e mishëruar me elemente të pakënaqësive të shumta qytetare, Qeveria duhet ta ketë parasysh se stabilitetin nuk mund ta siguroj me rezistencë policore.

Nuk do të ishte e drejtë sikur e gjithë përgjegjësia për shkallën e lartë të varfërisë, papunësisë, izolimit, korrupsionit, krimit të organizuar e mungesës së zhvillimit të kënaqshëm ekonomik, t’i faturohet Mustafës. Ai, në fakt, e ka marr drejtimin e Qeverisë me këto telashe.Përgjegjësia e drejtpërdrejt e Mustafës bie të marrëveshja për Asociacionin, përkatësisht në shkeljen e Kushtetutës, që bëri me anë të nënshkrimit të saj.

Homologu i tij italian, Matteo Renzi, pothuajse një vit më herët ka paralajmëruar se do të jap dorëheqje vetëm nëse gjatë referendumit nuk i kalon reforma kushtetuese. Paraprakisht e ka pranuar se nëse e humb referendumin, atëherë përvoja e tij politike konsiderohet e dështuar. As që bëhet fjalë për shkelje.

Në situatën e tanishme, David Lloyd George do të udhëzonte shefin e Qeverisë së Kosovës: “Mos kini frikë të ndërmerrni një hap të madh nëse është e nevojshme. Nuk mund ta kaloni humnerën me dy hapa të vegjël”. Ndërsa, John Kennedy do t’i shpjegonte se fjala “krizë”, në gjuhën e shkruar kineze, përbëhet nga dy simbole- ku njëri përfaqëson rrezikun e tjetri mundësinë.

Pse të mos shfrytëzohet simboli i fundit, pasi veç ekziston edhe në krizën tonë politike- mundësia për arritje të marrëveshjes për zgjedhje?

Kërkohet vetëm guxim!