LAJMI I FUNDIT:

Vdekja e një terroristi dhe të drejtat tona si qytetarë të botës

Gjatë një operacioni të fshehtë të forcave ushtarake amerikane në fillim të këtij muaji, u vra Osama bin Laden, i kërkuari numër një në botë dhe komplotisti i shumë akteve terroriste anë e mbanë botës, duke përfshirë dhe sulmin në Nju Jork me 11 Shtator 2001, ku gjetën vdekjen më shumë se 3000 veta.

Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar dhe pas shumë përpjekjeve intensive të ish-administratës së Presidentit Bush dhe administratës së tanishme të Presidentit Obama, dhe me ndihmën dhe bashkëpunimin e pakursyer të shumë partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara kanë punuar pa ndërprerje dhe me një intensivitet të paparë, për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë marrë pjesë në këto sulme barbare, kryesisht kundër civilëve të pafajshëm në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Këto përpjekje kanë rezultuar në kapjen dhe arrestimin e shumë terroristëve si dhe në parandalimin e shumë sulmeve terroriste të planifikuara gjate viteve anë e mbanë botës, por vetë Osama bin Laden, udhëheqësi dhe themeluesi i organizatës terroriste Al Qaeda, mundi te mbetet i pakapshëm.

Mirëpo, në fillim të këtij muaji, forcat speciale amerikane e zbuluan dhe e vranë atë në ne një shtëpi luksoze në Pakistan, duke treguar aftësi dhe kurajo të jashtëzakonshme njerëzore dhe profesionale. Në njoftimin e vrasjes së kryeterroristit, Presidenti Obama tha se “vrasja e bin Ladenit shënon suksesin më të madh të përpjekjeve të kombit tonë deri më sot, në luftën kundër Al Qaedas….”. Presidenti shtoi se me gjithë vrasjen e bin Ladenit, përpjekjet do të vazhdojnë kundër Al Qaeda-s, e cila pritet të ndërmarrë sulme të reja anë e mbanë botës, si hakmarrje për eliminimin e bin Ladenit.


Vrasja e bin Ladenit, solli për herë të parë në dhjetë vjet – gëzim e festim në Nju Jork dhe anë e mbanë Amerikës. Kjo ishte një shprehje e kuptueshme krenarie kombëtare, krenari për presidentet Bush e Obama të cilët nuk pushuan kurrë përpjekjet e tyre për të kapur terroristin bin Laden dhe krenari për mënyrën efikase të veprimit të forcave të armatosura amerikane me këtë rast.

Vrasja e bin Ladenit ishte jo vetëm “një ditë e mirë për Amerikanët”, siç u shpreh presidenti Obama, por ishte gjithashtu një lajm i mirë për të gjithë botën, pasi ky ishte personi i cili jo vetëm shkaktoi ndarje, përçarje dhe urrejtje midis popujve e feve, por ai dhe lëvizja e tij shkaktuan vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm anë e mbanë botës, duke manipuluar fetë për qëllimet e tij djallëzore. Presidenti Obama u shpreh gjithashtu se vdekja e bin Ladenit do ta bëjë botën më të mirë dhe më të sigurt.

Ndërkaq, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se “historia do të shënojë se vdekja e bin Ladenit ndodhi në një kohë lëvizjesh të mëdha për liri e demokraci anë e mbanë Lindjes së Mesme…, ku popujt atje janë duke hedhur poshtë ekstremizmat dhe janë duke hapur shtigje të përparimit paqësor të bazuar në të drejtat dhe aspiratat universale”. Sekretarja e Shtetit u shpreh gjithashtu se nuk ka ndonjë refuzim me të vendosur kundër ideologjisë së urryer të Al Qaedas së bin Ladenit se sa lëvizjet e tanishme për liri e demokraci në botën arabe.

Shpresoj të jetë kështu, por në të njëjtën kohë duhet kuptuar se forcat e errëta e të ligshta gjithnjë vazhdojnë të kërcënojnë liritë tona bazë, besimin dhe jetën e njerëzve anë e mbanë botës.

Në saje të një grupi të specializuar të forcave ushtarake amerikane nën drejtimin e Entit Amerikan të Zbulimit (CIA), Osama bin Laden nuk është më. Por ama duam a s’duam, jemi të detyruar të pranojmë se bin Ladeni ka lenë gjurmët e një ideologjie të shëmtuar që mund të ketë ndryshuar për më keq, e ndoshta për gjithmonë, jetën e përditshme të njerëzve anë e mbanë botës. Kushdo që udhëton sot me aeroplan, kudo në bote, është dëshmitar dhe i përjeton masat imponuese e nganjëherë poshtëruese të sigurisë në aeroporte, në trena, stadiume dhe kudo në vende ku mblidhen shumë njerëz.

Anë e mbanë botës, gjatë dhjetë viteve të fundit, dalëngadalë, njerëzit kanë humbur liritë civile, si dhe të drejtat për të lëvizur lirisht dhe pa ndërhyrje, për të udhëtuar të lirë e pa u kontrolluar dhe pa imponime nga forcat e policisë e të sigurimit. Në shumë shtete, anë e mbanë botës, mijëra kamera përgjuese janë vendosur kudo në rrugë, në ndërtesa e ne vende publike për të ndjekur çdo lëvizje, natyrisht me qëllim për tu mbrojtur nga sulmet terroriste, por në të njëjtën kohë janë një invazion i jetës private të çdo individi anë e mbanë botës.

Respekti për jetën private, që sidomos këtu në Amerikë konsiderohej si një gjë e shenjtë, ka rënë viktimë e nevojës për të qenë të sigurt. Kontrolli fizik në aeroporte, në ndërtesa qeveritare e të tjera, dhe në çdo vend ku jetojnë e punojnë shumë njerëz, jo vetëm është bërë rutinë, diçka e përditshme, por në fakt edhe pranohet nga një pjesë dërmuese e publikut si e nevojshme dhe e pa evitueshme.

Ky pra është realiteti i ri i botës së sotme, këtu në Amerikë dhe anë e mbanë botës — trashëgimi e Osama bin Ladenit.

Është me vend dhe e kuptueshme shprehja e gëzimit për vrasjen e kryeterroristit botëror, pasi kjo mund të konsiderohet edhe si mbyllja e një kapitulli të një tregimi shumë të hidhur. Mirëpo, fatkeqësia e madhe është se edhe pa bin Ladenin, ky realitet i hidhur i jetës sonë të përditshme është dhe siç duket do të mbetet status-kuoja për të gjithë ne dhe për një kohë të gjatë.

Nga dora e bin Ladenit kanë humbur jetën mijëra vetë në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Shumë kanë humbur të dashurit dhe të afërmit e tyre, por në të vërtetë të gjithë ne, kudo që jemi në botë, kemi humbur – kemi humbur shumë nga liritë e shtrenjta dhe të drejtat tona civile, ndoshta përgjithmonë. Kjo është trashëgimia tragjike e bin Ladenit për botën, më pak liri e më pak të drejta për të gjithë qytetarët e botës.

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori