LAJMI I FUNDIT:

Universalja e Kadaresë përmes kombëtares dhe konkretes historike

Universalja e Kadaresë përmes kombëtares dhe konkretes historike

Të mëdhenjtë, si Kadare, dinë të harmonizojnë mrekullisht përmbajtjen me formën, thelbin me shfaqjen, universalen me kombëtaren dhe konkreten historike, duke krijuar vepra me origjinalitet të papërsëritshëm artistik. Pa universalen, vepra do të kishte humbur po në çastin që krijohet, ndërsa pa konkreten historike do të humbiste pikën mbështetëse, nga ku fillon origjinaliteti i saj. Por gjenitë fillojnë me të njëjtin origjinalitet, si ai i Adamit, duke qenë njëherit vetvetja dhe specia, kombëtarja dhe universalja.

Me njërën këmbë tek e përgjithshmja, te thelbi i qenies dhe ekzistencës dhe me tjetrën mbështetur fort në udhëkryqet historike të popullit tonë, kur ai rrezikohej të shuhej si komb dhe të fshihej nga faqja e dheut midis Perandorisë së Romës dhe asaj të Bizantit, midis Evropës dhe Azisë, midis Lindjes dhe Perëndimit, midis Krishtërimit dhe Islamit, i kryqëzuari i dualitetit, midisësi Kadare, krijoi vepra të tilla si: “Pallati i ëndrrave”, “Piramida”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën”, “Hija”, “Darka e fundit”, “Qorrfermani” e të tjerë, me shkëlqime diamanti në letërsinë botërore. Vepra e tij është një enigmë që të josh me pafundësinë e mistereve dhe në përpjekje për t’i zbuluar ato, rendim pas fijeve që mbajnë të lidhura edhe bazën, edhe lartësinë, edhe aksin, edhe qendrën e totalitetit të veprës së tij, duke u bishtnuar pambarimisht nga e vërteta e përjetshme që synon një lexim naiv i veprës.

Duke na “mashtruar” kështu, njëlloj si Himenat, këto trupëzuese të ëndrrave, autori ia arrin qëllimit për të na futur në grackat e artit të tij, por dilemat e qenies dhe të ekzistencës na i le sërish në dorë. Midis tokës dhe qiellit, midis fytyrës dhe maskës, lëkundemi sërish. Askush nuk është thirrur në skenën e historisë për t’i zgjidhur ato, duke shkarkuar kështu njerëzimin mbarë nga barra te cilën duhet ta mbajë vetë. Por Kadare me guximin qytetar, me erudicionin e pafund dhe intuitën artistike arrin të ngacmojë vetëdijen e lexuesit, se diku, dikush ka gabuar në momentet kthesë të historisë së kombit.


Me nota biblike, romani “Darka e fundit” tregon se një pakt është thyer, një premtim s’është mbajtur. Kush kishte të drejtë: lobi progjerman me parullën “të presim” apo ai prorus me ngutjen për të sulmuar sa më shpejt gjermanët? Por vendosja e terrorit komunist me përndjekjet, internimet, burgosjet, tregoi se marshuti i zgjedhur ishte i gabuar.

Krimet e diktaturës na “përndjekin” në çdo vepër. Si padashur, kaluam në motivin qëndror të veprës së tij, tirania e shteteve diktatoriale. Tirania, për Kadarenë, është krimi më i fundbotshëm që ia kalon dhe atëvrasjes dhe incestit, sepse ajo “përmbys fatin e një populli, e disa herë, të popujve të tërë”. S’është rastësi rimarrja e këtij motivi nga vepra në vepër. Ka qenë një shestim i ngahershëm i autorit, ndoshta që nga mosha 12-13 vjeçare, kur lexonte tragjeditë e Shekspirit dhe ndjente pezm pse Hamleti kishte humbur nderimin për fantazmën.

Për këtë arsye na propozon një lexim të ri të Edipit, përveç leximeve të tjera, te sprova “Hamleti ky princ i vështirë”. Sipas Kadaresë atëvrasja dhe incesti s’janë veçse maska dhe mbuloja të krimit me të fundbotshëm të gjitha krimeve, atij TË TË BËRIT TIRAN. Fantazmat nuk u shfaqen të tjerëve, por atyre që kanë kryer krimin. Kadare e hedh poshtë leximin frojdist të atëvrasësve, duke propozuar një lexim tjetër, atë të të bërit tiran. Krimet në pushtet fshihen, krime dhe komplote të pabëra sajohen dhe me to u lidhen kokë, këmbë, gjuhë dhe sy popujve, duke i mbajtur gjithmonë nën pushtetin e përndjekjes e të terrorit.

Papërcaktueshmëria e krimit bëhet përcaktuese e ankthit kirkegardian të mëkatit që pushton një popull të tërë në romanet “Piramida”, “Pallati i ëndrrave”, “Qorrfermani”, “Hija” etj. Mjafton të thuhet “dikush ka vrarë dikë” që të gjithë të perfshihen në një proces pa fillim e fund, si te “Procesi i Kafkës”, ndonëse s’është kryer asnjë krim konkret. P.sh. te “Piramida” mungon skena konkrete e krimit, s’dihet as vendi, as shkallana ku rrëshqiti guri i bazaltit që u mori jetën mijëra egjiptianëve, ndërsa te “Pallati i ëndrrave” krimi kërkohet në mënyrë paradoksale në mbretërinë e ëndrrave, konkretisht te një ëndërr e parë rastësisht nga një perimeshitës, ëndërr e cila i dha goditjen fatale Qyprillinjve. Papërcaktueshmëria e krimit bëhet akoma më absurde te “Qorrfermani”, pasi ai buron nga goditja e syrit të keq.

Pa kryer asnjë krim konkret, të gjithë rendin drejt vendit të krimit, si të ishin kriminelë të vërtetë dhe në pamundësi për ta gjetur atë, rendin drejt zyrave të hetuesisë, si Raskolnikovi i “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit me duar të përgjakura, me të vetmin ndryshim se ata s’kanë gjak në duar, por vetëm fijen e hetimit që i arrin kudo që të ndodhen, dhe s’janë një, por me mijëra Raskolnikovë, të cilët, duke mos duruar dyshimin lemeritës, bërtasin “Na thërrisni, na merrni në pyetje, ndryshe do të çmendemi”. Në këto çaste bie në heshtje jo vetëm shteti i dukshëm, por dhe ai i padukshëm, policia e fshehtë dhe hetuesia. Në pushtet ngrihet ankthi dhe dyshimi lemeritës, sepse “Një fije e hetimit mbërrinte gjithmonë tek gjithkush, për ta shkulur nga amullia e për ta tërhequr branë, 4 ose 14 vjet më pas, aty ku niste mëkati i gjithkujt” dhe, nëse ajo vononte, “ishin vetë ata që e tërhiqnin cergën, gjersa binin robër të saj”.

Kjo mungesë e shtetit ose qëndrimi i tij në hije është forma më djallëzore e tiranisë së tij kundër një populli. Mjafton t’u përçosh kokat me fijet e hetimit, të përndjekjes, duke i lidhur si kafkanat mongole dhe bunkerët e Enverit me hekur e beton, që ta shndërrosh një popull në një turmë pa gojë, pa sy e pa vesh; ta tulasësh, ta poshtërosh atë për ta sunduar më mirë. Në diktatura të tilla as që bëhet fjalë për liri të individit, ai identifikohet vetëm me numrin. Pas lajmit të keq për krimet e shtetit dhe tiraninë e tij, Kadare do të na sjellë lajmin e mirë.

Po a ka një pikëprerje, ku përkitja e kombëtares me universalen, përshkëndijon një vizion për të ardhmen e popullit të vet, një vizion për t’i shpëtuar tiranisë në pushtet? Si të gjithë të mëdhenjtë, edhe Kadare, i shqetësuar thellësisht për fatet e kombit të tij, është në kërkim të një force a lëvizjeje të brendshme shpirtërore botëformuese e jetëpohuese, një tharmi ngjizës që kishte gjalluar e gjallonte brenda tij dhe nuk e kishte lënë atë të shuhej midis dy krishtërimeve, mes Krishtërimit e Islamit, midis Lindjes dhe Perëndimit.

Dhe Kadare, ashtu si Dostojevski në gjysmën e dytë të shekullit XIX, vihet në kërkim të një Zoti për popullin e vet, të ndryshëm nga Zotat e tjerë. Ai e kërkon dhe e gjen një Zot, perëndizon BESËN, një premtim që i jepet tjetrit për ta mbajtur, një lloj ligji i brendshëm shpirtëror, i paracionalizueshëm nga arsyeja. Ky lloj ligji është themeli mbi cilën do të ngrihet një rend i ri pa polici, burgje e gjyqe dhe ku individi do të veprojë jo i detyruar nga një forcë e jashtme, siç është ligji pozitiv, por nga bindja e brendshme, premtim i dhënë për t’u mbajtur. Këtë kumt vjen për ta sjellë Konstandini që nga bota e përtejme në boten e të gjallëve tek romani “Kush e solli Doruntinën”.

Por duhet ta dallojmë mirë se Kadare s’bën fjalë për ringjalljen fizike, për ta dalluar nga Jezu Krishti, por për rilindje shpirtërore dhe jo vetëm per ringjalljen e një njeriu, por për rilindjen e një kombi të tërë. Ky ligj s’ka asgjë të përbashkët as me vrasjen e ndërgjegjes drejt së cilës synon feja, por me një lloj bindje të brendshme, së cilës individi i nënshtrohet me vullnet të lirë.

Ja, pra, se si arrin Kadare, me anë të metodës së kontrapunktit, tek e njëjta skenë si te “Piramida” ku shteti mungon, por me një ndryshim thelbësor, se tek “Piramida” vendin e shtetit e ka zënë ankthi dhe dyshimi lemeritës, ndërsa te “Kush e solli Dorutninën” është besa, premtimi që i japin njëri-tjetrit që s’ka nevojë as për ligjin pozitiv, as për organet e shtetit. Stresi, protagonist i romanit, në shenjë simbolike flak tutje uniformën e nëpunësit me stemën me kokën e dhisë bashkë me ligjin pozitiv. Më pas ai përhumbet si Konstandini për t’u shfaqur ndoshta në një kohë tjetër. Një Konstandin, në një kohë tjetër, por në të njëjtin vend, Shqipëri, përpiqet të shkrijë nga kallkanosja një popull të tërë, të gjallët që janë si të vdekur dhe të vdekurit që synojnë të vijnë në këtë botë, sepse janë prerë në besë, jo nga të huajt, por shteti i tyre.

Dhe Mesia arrin ta shkrijë palcën e kombit, të ngrirë nën telat me gjemba te romani “Hija” dhe ta përcjellë kumtin e një populli të tërë përmes avionesh sarkofagë, herë përmes postash me destinacione të rreme, më së shumti përmes gjuhës alegorike e simbolike të veprës së tij.