LAJMI I FUNDIT:

Ukshin Hoti dhe Albin Kurti

Duke lexuar me vëmendje artikujt dhe komentet në faqen Telegrafi, nuk mund të kalohen thjesht vetëm me një vështrim të përciptë gjithë ato opinione të njerëzve, që për mendimin tim janë shqetësime njerëzore. Desha vetëm të ndalem pak në aktualitetin tonë politik e social, ku vërtet qeni nuk e njeh të zonë. Shqetësimi i shumë njerëzve është i natyrshëm, sepse realiteti po dëshmon gjendje kaotike në jetën tonë politike, sociale e ekonomike. Ndoshta krahasimi i këtyre dy figurave kombëtare duket i pa vend, por do të përpiqem të argumentoj mendimin tim.

Teksa lexoja komentet për dhe rreth Albin Kurtit e Lëvizjes “Vetëvendosje”, mu kujtua fabula e Ujkut dhe ariut. Ariu i fuqishëm ia kishte ngrënë këlyshët ujkut në një guvë. Kur u kthye ujku i dëshpëruar tha; e di kush mi ka ngrënë këlyshët. Dashi e ka bërë këtë dhe do ta paguajë shtrenjtë”.

Mendoj se kjo nuk kërkon shumë koment. Njësitet policisë speciale rumune të mbështjellë me imunitet ndërkombëtar vranë dy çuna të rinj, të cilët asgjë më shumë e as më pak po kërkonin të ishin zot në shtëpinë e tyre. Por, padronët e luftës dhe të paqes vendosën që të fajësojnë viktimën, sepse u ndodh në drejtimin e plumbit të tyre. Pra, ndodhën në kohën dhe vendin e gabuar.


Në këto rrethana mund të thuhet se PADRONËT kërkonin qetësi dhe ju duhej kohë të ndërtonin shtetin MULTIETNIK, me 95 për qind popullsi etnike shqiptare. Ata donin që të shlyenin “fajin” që kishin bërë kur kishin vendosur të ndërhynin ushtarakisht për të ndalur makinën vrastare serbe. Duket se tashmë janë penduar rëndë dhe dëshirojnë që të dëmshpërblejnë qeverinë “demokratike serbe”, duke i krijuar favore në dëm të të drejtës për VETËVENDOSJE të shqiptarëve.

Dikush në një opinion e quajti shtet prej letre Kosovën. Mendoj se nuk ka letër që do të mund të përmblidhte paradoksin kosovar. Nëse dikush e di një shembull se si mund të funksionojë një shtet MULTIETNIK me një përbërje të tillë të popullsisë, ju lutem të ma thotë se unë nuk e di !

Rreth Albin Kurtit

Është për të të ardhur shumë keq si po përsëritet historia jonë në mënyrë kaq autentike. A nuk na tregoi mendimtari i madh, politologu dhe njeriu i sakrificës kombëtare UKSHIN HOTI, në kohën e eliminimit të tij nga skena politike se “MË BURGOSI SHTETI SERB DHE NJË PJESË E ALTERNATIVËS KOSOVARE” . Ky njeri i madh kërkoi që në Kosovë të ndërtohet demokraci autentike. Pra, sipas vendit-kuvendi. Mirëpo dikujt ndër qarqet e shqiptarëve të Kosovës kjo nuk i pëlqeu, sepse “Ushini po shfaqte ide të vjetruara që nuk përkonin me ndryshimet demokratike në ish vendet e kampit socialist”.

Madje “djemtë e TATAVE DHE HAXHIBABËVE” nuk nguruan ta quanin edhe të krisur. Natyrisht disa nuk i kuptonin idetë e Ukshinit, ndërsa për disa ky njeri paraqiste rrezik për të ardhmen e tyre politike. Mediokriteti politik nuk la gur pa lëvizur për ta izoluar këtë “të çmendur”, sepse ai dëshironte Kosovën Republikë, qoftë edhe nëse duhet të luftohej me makinerinë ushtarake të Serbisë.

Tani pas kaq kohësh që ne jetojmë me iluzionin se jemi të pavarur, sovran e demokratik, na bien ndërmend thëniet e Hotit, se duhet të ndërtohet DEMOKRACI AUTENTIKE, dhe se shteti nuk ndërtohet vetëm me konferenca shtypi, kapardisje para medieve dhe deklarata pompoze se po ndërtojmë shtet me standarde euro-atlantike.

Nuk e kuptoj si mund ta ndërtojmë këtë shtet nëse nuk je zot në shtëpinë tende dhe kur dilerët ( desha të them liderët politik e institucional), ulin kokën para absurdit të shtetit MULTIETNIK.

Prandaj, kërkesa e drejtpërdrejt e “Vetëvendosjes” për vetëvendosje të njëmendtë, është sa legjitime aq edhe humane. Albini duke qenë në krye të kësaj Lëvizjeje humane e kombëtare, është asgjë më shumë se zëri ndërgjegjes kombëtare. Si duket ai e ka studiuar me vëmendje veprën jetësore e politike të Ukshin Hotit dhe është i bindur se pa të drejtën për VETËVENDOSJE nuk mund të kishte as liri e as demokraci.

Mbi këtë bazë platforma politike e Albinit dhe e VETËVENDOSJES më duket se ka të ardhme të qartë. Por ashtu sikur kundër UKSHIN HOTIT edhe tani kundër ALBIN KURTIT janë vënë djemtë e TATAVE dhe djemtë e HAXHIBABËVE, që aktualisht dominojnë skenën politike të Kosovës.

Albinit do t’i duhet të përballet me këto realitete. Në një anë ka aparatin e dhunës të instaluar nga padronët e luftës dhe të paqes, në anën tjetër ka mediokritetin politik të dilerëve( liderëve) tanë politik, të cilët duket se kanë frikë nga vizioni politik i Albinit. Këta të fundit e shohin si rrezik për synimet e tyre përfituese, ndërsa të parët kanë frikë nga dështimi i eksperimentit të quajtur Kosovë.

Albinit do t’i duhet të përballet edhe me indiferencën tonë kolektive. Deri më tani ne jemi mjaftuar vetëm me deklarata mbështetëse nëpër kafene dhe me ndonjë opinion tek-tuk nëpër medie të ndryshme, por nuk e kemi mbështetur Lëvizjen me aksion konkret në terrenin politik. Këtu e ka burimin edhe “guximi” i të parëve dhe i të dytëve kundër Albinit dhe Vetëvendosjes.

Nëse konsiderojmë se Albini ka të drejtë, atëherë duhet mbështetur konkretisht me aksion të vendosur qytetar dhe kombëtar. Nuk guxojmë të lejojmë përsëritjen e historisë, ngase të gjitha përpjekjet për të mësuar rreth fatit të kolosit të kombit Ukshin Hoti deri më tani janë treguar pa sukses.

Po Albinin do ta lëmë të përballet i vetëm me gjithë këto sulme policore e politike?