LAJMI I FUNDIT:

Termocentralet e vjetruara shkaktojnë import të shtuar

Termocentralet e vjetruara shkaktojnë import të shtuar

Agim Perolli

Në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme për prodhimin e energjisë elektrike, aktualisht jemi duke u përballur me një krizë serioze në furnizim. Çdo rënie, qoftë e planifikuar ose në rastin më të rëndë paplanifikuar në termocentralet Kosova A dhe B, po krijon probleme të papërballueshme për furnizuesin KEDS/KESCO dhe automatikisht në instancë të fundit për konsumatorët – atyre të amvisërisë e sidomos bizneseve edhe ashtu të brishta dhe të lodhura të shtetit tonë.

Pajisjet e stërvjetruara të blloqeve (në Kosova A nga viti 1970 dhe në Kosova B nga viti 1983), janë në momentet e fundit te jetës së tyre, sa që edhe riparimet permanente nuk rezultojnë me një besueshmëri minimale në punën e tyre. Kur kësaj i shtohen edhe kushtet ekstreme klimatike me temperaturat nën -20 gradë dimrit dhe mbi 30 gradë verës, atëherë nuk duhet të befasohemi me gjendjen momentale në sektorin e energjisë dhe nevojën e madhe për import.


S’ka dyshim që punëtorët e KEK-ut janë angazhuar maksimalisht për të mbajtur prodhimin në nivel, duke u munduar që përkundër pajisjeve të stërvjetëruara t’i përmbahen planit të parashikuar. Ky plan devijon ne masë të madhe nga fuqia e instaluar e njësive prodhuese që është sajuar duke marrë parasysh gjendjen e gatishmërisë së ultë të pajisjeve të vjetruara dhe të konsumuara gjerë në pikën kur paraqesin rrezik për stafin punues në veçanti dhe për tërësinë e Bllokut në përgjithësi.

Nevoja për import të shtuar, e që është rasti i ditëve të fundit, vjen si pasojë e rënies së njësisë A3 dhe pamundësisë së ristartimit për shkak të ngricave, largimit nga puna i njësisë A5 për shkak të rrjedhjes në gjeneratorin e avullit(ekonomizerit) dhe ndaljes së njësisë B1 për shkak të dëmtimeve në elektrofilter. Blloku B1 ka dëmtime edhe në vijën e ventilatorit shtytës, kështu që edhe pas sanimit të elektrofilterit, një kohë do të punojë me gjysmë kapaciteti – vetëm me një vijë të ekstraktimit të gazrave.

Jo disponueshmëria e njësive A3, A5 dhe B1 krijojnë një situatë me mungesë të konsiderueshme të energjisë – rreth 500 megavat prodhim të planifikuar për orë. Aktualisht kjo sasi së bashku me sasitë e kontraktuara më herët, duhet të importohet.

Çmimi i një megavati për orë në ditët e sotme sigurohet me çmime të ndryshme nga 130 euro deri në 350 euro, përderisa KEK-u e prodhon megavatin me 28 euro. Përveç çmimit të lartë furnizuesi ka vështirësi në sigurimin e importit për shkak të kërkesës së madhe për energji në rajon.

Nuk do mend se vështirësitë dhe kriza energjetike do të na përcjellin edhe muajve në vijim, sa i përket vitit 2017. Parashikimet për vitet e dekadës pasuese janë edhe më të frikshme, duke marrë parasysh tre faktorë kyçë: rritja e konsumit për çdo vjet, degradimi i mëtejshëm i termocentraleve ekzistuese dhe mungesa gjithnjë e më e madhe e energjisë në rajon.

Sipas MZHE-së, është bërë e ditur se së shpejti pritet të fillojë projekti më i madh në sektorin e energjisë – ai i Termocentralit “Kosova e Re”. Shtrohet pyetja se sa do të përfitojmë me 500 megavatët e planifikuar nga elektrana e re, sa do të zbusim krizën me këtë sasi? Analizat tregojnë që edhe një kohë të gjatë nuk do të kemi stabilitet në sektorin e energjisë.

Për sivjet 52 për qind e konsumit ishte paraparë të mbulohet me prodhimin vendor (nuk është realizuar). Vitin tjetër kjo përqindje do të jetë më e vogël, dhe kështu me radhë edhe së paku 7-8 vjet të tjera.

Kapacitetet e reja i nevojiten Kosovës. Nuk ka qenë aspak megalomani (termi cili përdorej nga kundërshtarët e shumtë të projektit 2100 megavatësh) kur në fillim të viteve 2000 punohej në aktualizimin e projektit 2100 megavatësh të filluar vite më parë.

Ky projekt është bazuar në resurset tona të thëngjillit, kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturës ekzistuese. Mendohej me arsye për zhvillimin e industrisë se rëndë, përpunimin e xeheve tona të çmuara këtu në vend, sjelljen e investitorëve të mëdhenj nga i gjithë rruzulli tokësor. Së fundmi, do të ishim edhe eksportues të sigurt të energjisë elektrike në rajon.

Mbetemi me shpresë se strategjia e re për sektorin e energjisë 2016-2025 që parasheh investime të reja kapitale do t’i përfshijë kërkesat e argumentuara për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit dhe jo vetëm të rivitalizimeve të njësive në Kosova A dhe Kosova B.

Eliminimi sa do pak i importeve të shtrenjta të energjisë elektrike gjatë viteve që pasojnë do të mundësojë zhvillimin më te hovshëm ekonomik të shtetit tonë.