LAJMI I FUNDIT:

Tërheqja e investimeve përmes shërbimeve profesionale

Tërheqja e investimeve përmes shërbimeve profesionale

”Çdo gjë që bëhet brenda natës, humbet brenda natës”. Bizneset që synojnë zhvillim dhe rritje të qëndrueshme, duhet të fillojnë të investojnë sa më herët në strukturimin dhe legalizimin e të gjitha operacioneve, në mënyrë që kompania të përgatitet për tërheqjen e investimeve apo investitorëve në të ardhmen.

Shërbimet profesionale të ofruara nga këshillues kredibël janë shtyllë e rëndësishme në ndërtimin dhe strukturimin e mirëfilltë të bizneseve. KIVO L.LC është historia e suksesit të tërheqjes së investitorëve të huaj duke bashkëpunuar me kompani si RECURA Financials që ofron shërbime profesionale. Kërkimi i informacionit kualitativ dhe analiza profesionale e tregut nga kompanitë ofruese të shërbimeve profesionale bën që përpunimi i idesë apo ofertës së ndërmarrësit dhe mënyra e prezantimit të saj të jetë më tërheqëse për investitorët. Ky ishte mesazhi kryesor që panelistët përçuan tek pjesëmarrësit. Kjo drekë e dytë biznesore është vazhdimësi e projektit të CEED Kosova i mbështetur nga EYE (Enhancing Youth Employment projekt i mbështetur nga qeveria zvicerane dhe implementohet nga Helvetas Swiss Interoperation në bashkëpunim me MDA).
IMG_1174
Kreshnik Lleshi, Drejtor i CEED Kosova u shpreh se kjo mbledhje kishte për synim vetëdijesimin e ndërmarrësve për rëndësinë e përdorimit të shërbimeve profesionale për zhvillimin e mirëfilltë të kompanisë, si mënyrë për të tërhequr investitorë të huaj në tregun tonë. Gjithashtu Heini Conrad, Kordinator i Programit EYE ne Kosove u shpreh para pjesëmarrësve se qëllim i bashkëpunimit me CEED Kosova është fokusi i përbashkët për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe rritjen e vetëdijes së bizneseve për rëndësinë e bashkëpunimit me kompanitë që ofrojnë shërbime për bizneset.
IMG_1179
KIVO L.L.C është shembull më i mirë për tërheqjen e investitorëve të huaj, me bashkëfinancim vendor, duke përdorur shërbime profesionale. Visar Ramajli,
Drejtor Ekzekutiv i kësaj kompanie në Kosovë ndau me pjesëmarrësit përvojën e tij duke theksuar se çelësi i suksesit të arritur është konsumimi i shërbimeve profesionale, në këtë rast. Gjithashtu Ramajli foli për rëndësinë e bashkëpunimit me investitorët e huaj, duke theksuar se bashkëpunimi me jashtë është shumë frytdhënës dhe bën të mundur transferimin e eksperiencës, dijes dhe profesionalizmit. “Ne kemi marrë 10 fishin e atij 50% të aksioneve që i kemi dhënë”, tha Ramajli.

Nga ana tjetër përvojën e ofrimit të shërbimeve profesionale e ndau me pjesëmarrësit edhe Bersant Disha, Drejtor Ekzekutiv në RECURA Financials. Disha tha se kryesore në bashkëpunimin e suksesshëm të ofruesve të sherbimeve dhe bizneseve është zgjedhja e konsulentëve kredibël që punojnë në kompani të strukturuara të shërbimeve profesionale, transparenca e bizneseve në informacionin që ndajnë me këshilluesit dhe gatishmëria e bizneseve të kalojnë në kompani aksionare. “Filozofia e punës së RECURA-s është të rritemi bashkë me kompaninë, të krijojmë bashkëpunime afatgjatë të ndërtimit të storieve të suksesit. Konsulentët nuk vinë me shkop magjik, ata punojnë dhe mësojnë bashkë me kompaninë në zhvillimin e idesë fillestare dhe ndërtimin e planit strategjik. Asgjë nuk ndërtohet brenda natës, çdo gjë që bëhet brenda natës humbet brenda natës”, tha Disha.
IMG_1184
Gjithashtu të pranishmit u shprehën entuziastë për këto evente të organizuara nga CEED Kosova dhe EYE. Shemsie Dërmaku, drejtuese e Kompanisë Grand Dekor deklaroj se këto evente janë nxitëse për kompanitë që duan të rrisin kapacitetet e tyre dhe janë urëlidhëse me kompanitë e konsulencës.
Nga ana tjetër Drilona Emrullahu përfaqësuese e RTC, kompani konsulence tha se shembulli i KIVO L.L.C dhe RECURA është model i bashkëpunimit dhe formimit të një relacioni afatgjatë dhe konsistent, siç duhet te ndodh gjithmonë. Ajo cilësoi këto evente si mënyrën më të mirë të formimit të kontakteve dhe bashkëpunimeve me bizneset.


Dreka e tretë biznesore, vazhdimësi e projektit CEED Kosova me mbështetjen e EYE, do te zhvillohet ne muajin nëntor 2015 dhe ka për qëllim elaborimin e temës “Tregu i shërbimeve digjitale dhe zhvillimi i bizneseve”. /Telegrafi/