LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë për ndryshim

Sigurisht ju kujtohet thënia e madhe e Viktor Hygos: “Asnjë ushtri nuk mund të përballojë forcën e një ideje së cilës i ka ardhur koha”. Kjo duhet të na mësojë edhe ne, që ka ardhur koha të vetëdijesohemi se cilat gjëra janë të mira dhe cilat jo të mira për shoqërinë tonë.

Nuk ka asnjë dyshim që zhvillimi i shoqërisë sonë bëhet në sajë të zhvillimit të intelektit, prandaj duhet përdorur të gjitha mundësit që të arrihet sa më shumë në këtë aspekt. Gjithashtu, zhvillimi i shoqërisë sonë, që tashmë ka një shtet që pesë vite, arrihet më së miri duke bashkëvepruar me ide, qofshin ato individuale apo grupore brenda shoqërisë. Me rëndësi të jenë qëllimmira për vendin tonë.

Një fenomen zhgënjyes që po ndodhë viteve të fundit me rinin tonë është që përkundër studimit dhe zhvillimit të intelektit, ata prapë po bien pre e mashtrimeve politike. Përpjekjet për të përmirësuar situatën politike po tjetërsohen për përmirësime të jetës personale. Të bësh pjesë në krahun udhëheqës, do të thotë që shumicën e vendimeve do t’i marrësh pro gjendjes sate. Kjo automatikisht do të keqësojë gjendjen e tjetrit, që nuk bënë pjesë në këtë krahë.


Mirëpo, tashmë ka ardhur koha që t’i refuzojmë thirrjet e botëkuptimeve të vjetra. E thashë këtë duke aluduar jo në kronologjinë e ngjarjeve, mirëpo në kronologjinë e përfitimit të tyre në sajë të shoqërisë. Këto plane, ide negative, apo çfarëdo qofshin, në vend se të përdorin të gjitha mjetet për të arritur tek përmirësimi i shoqërisë, ato përdorin shoqërinë kinse duke ruajtur vlerën e tyre. Dhe, më një mekanizëm “intelektual” të tyre arrijnë tek dobia, jo e shoqërisë, por e tyre.

Kam frikë se disa shtresa udhëheqëse që ishin dhe janë në poste qeverisëse, kanë krijuar një lloj “imperializmi”. Më shumë se gjysma e shoqërisë sonë në mënyrë indirekte është bërë sllave e saj, jo armike, sepse po të ishte kjo e fundit gjërat nuk do kishin shkuar kështu.

Militantët partiakë do t’i krahasoja me agjentë detyrash. Këta “agjentë” në masë të madhe dhe me plot përkushtim kryejnë punën e tyre – zakonisht të punësuar në pozita të ndryshme. Në mënyrë direkte apo hierarkie, ata kanë krijuar një lloj frike tek punonjësit e rinj, qe po nuk binden do të largohen nga puna.

Të manipulosh individualisht nuk është shumë e vështirë, as në një grupacion kundërshtues. Mirëpo, të manipulosh masën do të thotë diçka. Papunësia e madhe që e ka kapluar vendin tonë, me vetëm 9 për qind të punësuar të moshës rinore, po manipulohet me të madhe nga shumë parti, duke ofruar një alternativë të angazhimit në to, të kurorëzuar më pas me një punë. Edhe pse shumica e këtyre në fakt nuk e dinë saktësisht se kë përfaqësojnë ose kujt në të vërtetë iu binden, dhe a është kjo gjë e mirë apo e dëmshme për shoqërinë, megjithatë angazhimet e tyre janë më tepër për përhapjet e informacioneve të politikes që i takojnë.

Ndoshta tingëlloj si populist, mirëpo elitave politike të korruptuara duhet t’ju themi jo. Të gjitha gjërave negative t’ju themi jo. Ligjet duhet të respektohen e jo të flasim në emër të ligjit duke e shkelur atë. Krijimi i një klime bashkëveprues ndërmjet ideve dhe qëllimeve të mira duhet të jetë përpjekja e gjeneratës së re, të cilës në masë të madhe zhvillimi i shoqërisë do t’i bie mbi supe në të ardhmen.