LAJMI I FUNDIT:

Të nxitur nga Rusia: Pas Serbisë, Bosnjës, Hungarisë dhe Sllovakisë, Rumania po sfidon demokracinë evropiane

Të nxitur nga Rusia: Pas Serbisë, Bosnjës, Hungarisë dhe Sllovakisë, Rumania po sfidon demokracinë evropiane
Simon Tisdall

Burimi: The Guardian (titulli në anglisht: Feeding off anger, fuelled by Russia… Enter Călin Georgescu, Europe’s latest radical populist)
Përkthimi: Telegrafi.com

Politika në Rumani shpesh ka qenë një arenë e ashpër, sidomos në të djathtën. Ekstremet e Gardës së Hekurt nga vitet ’30 të shekullit XX – një milici rebele politike-fetare, e dhunshme, antisemitike dhe ultranacionaliste – dalloheshin madje edhe në një kohë kur partitë fashiste po shkaktonin kaos në Gjermani, Itali dhe Spanjë. Ngjarjet e asaj periudhe janë shumë mësimdhënëse, duke marrë parasysh çfarë po ndodh sot në Evropë.

Themeluesi i Gardës së Hekurt, Corneliu Codreanu, një vrasës i pamëshirshëm që vetë u vra në vitin 1938, dhe aleati i tij i kthyer në armik, gjenerali pro-nazist Ion Antonescu – i ekzekutuar për krime lufte në 1946 – janë rikthyer kohët e fundit në qendër të vëmendjes. Kjo sepse të dy janë lavdëruar si heronj kombëtarë nga Călin Georgescu, fituesi tronditës i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë fundjavën e kaluar.


Georgescu nuk është një figurë e së kaluarës, por një njeri i kohëve tona – një populist radikal nacionalist i ekstremit të djathtë, pro-Rusi, që synon ta bëjë Rumaninë “të madhe përsëri”. Platforma e tij kundër globalizimit, anti-NATO dhe euroskeptike, e titulluar “Ushqim, Ujë, Energji”, thekson vetëmjaftueshmërinë dhe synon ta rikthejë vendin te rrënjët e veta rurale. Ai nuk përfaqëson ndonjë parti politike tradicionale, por përdor TikTok-un për të arritur te miliona ndjekës.

Si specialist për zhvillim të qëndrueshëm – i përshkruar, me vend, si një “ekspert i mbetjeve toksike” – Georgescu pretendon të flasë “për ata që ndihen se nuk kanë rëndësi, por që në të vërtetë kanë më shumë rëndësi”, siç thotë ai vetë. Inflacioni, borxhi, korrupsioni dhe siguria janë çështjet kryesore teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve parlamentare këtë fundjavë, të ndjekura nga balotazhi presidencial më 8 dhjetor.

Epërsia e Georgescut në raundin e parë ishte e ngushtë: 22 për qind, kundrejt 19.17 përqindëshit të kandidates qendrore Elena Lasconi – dhe Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka urdhëruar rinumërimin, duke vënë në pikëpyetje rezultatin dhe kohën e zhvillimit të balotazhit. Nëse dhe kur ai do të zhvillohet, pritet që Partia Liberale dhe votuesit e së majtës të kalojnë mbështetjen te Lasconi në një përpjekje të bashkuar për të bllokuar Georgescun.

Kjo trazirë e paparë po dramatizon një tjetër shqetësim pan-evropian: luftën hibride ruse dhe, më specifikisht, ndërhyrjet zgjedhore dhe fushatat e dezinformimit përmes mediave sociale. Arritja e Georgescut për të fituar nga asgjëja, ka ngritur alarmin për “trajtim preferencial” dhe operacione të shpërfillura nga shumica. Një hetim është hapur mes thirrjeve për pezullimin e TikTok-ut.

Megjithatë, edhe nëse Georgescu përfundimisht dështon, tërheqja e dukshme ndaj axhendës së tij të fortë të djathtë dhe sovraniste, mund të zhvendosë Parlamentin e ardhshëm djathtas dhe të ndikojë thellësisht në drejtimin e ardhshëm të Rumanisë.

NATO ka arsye të veçanta për shqetësim. Në fillim të këtij viti, aleanca njoftoi një zgjerim prej 2.7 miliardë dollarësh në bazën e saj “Mihail Kogălniceanu” në Konstancë, në bregun e Detit të Zi. Kur të përfundojë, ajo do të jetë baza më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë. Prania e saj nënvizon rolin jetik të Rumanisë në ruajtjen e rrugëve të furnizimit për Ukrainën, lehtësimin e eksporteve të grurit të Kievit dhe mbajtjen e vijës së frontit në konfrontimin gjithnjë e më të thellë të Perëndimit me Rusinë e Vladimir Putinit.

Por, nëse ia del mbanë në rrugën e tij, Georgescu do të ndërpresë ndihmën për Ukrainën dhe do të kufizojë bashkëpunimin e Rumanisë me NATO-n, të cilën ai e konsideron si një objektiv të panevojshëm. Ai kritikon ashpër vendosjen e sistemeve kundër-raketore amerikane në Deveselu, në jug të Rumanisë, duke i cilësuar si një provokim i panevojshëm për Moskën.

Këto zhvillime po ushqejnë një ndjenjë frike në Evropë, e cila tashmë ndihet e rrethuar – nga brenda prej partive ekstreme politike dhe nga jashtë prej ndërhyrjeve subversive të Rusisë dhe aleatëve të saj antidemokratikë. Paqëndrueshmëria përgjatë vijës juglindore të BE-së po thellohet, e përkeqësuar nga pakënaqësitë ekonomike. Frika se çfarë mund të bëjë Rusia më tej, pas Ukrainës, po shton mbështetjen për ata që kërkojnë të pajtohen me Kremlinin.

Zgjedhjet e nëntorit në Moldavi, shtetin fqinj të Rumanisë, ofruan shembuj të tjerë tronditës mbi këto sfida. Maia Sandu, presidentja pro-perëndimore e vendit, fitoi rizgjedhjen me një diferencë të vogël kundër një kundërshtari që përfaqësonte një fushatë të fshehtë të frymëzuar dhe të financuar nga Rusia. Sandu mundi versionin moldav të Georgescut, autsajderin pro-Kremlin, Alexandr Stoianoglo. Gjithashtu, një referendum mbi integrimin në BE, i mbajtur në tetor, ishte objektiv i sulmeve të paligjshme nga Moska.

Përtej Detit të Zi, votuesit në Gjeorgji janë zhytur në një krizë politike pasi partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, vodhi zgjedhjet parlamentare të tetorit. BE-ja ka refuzuar rezultatin, duke theksuar “parregullsitë e rëndësishme”, përfshirë ryshfetin, manipulimet dhe dhunën. Për më tepër, një ish-futbollist i “Manchester City”-t, Mikheil Kavelashvili, duket se do të emërohet si president.

Autoritarizmi i partisë Ëndrra Gjeorgjiane fajësohet për ngecjen në bisedimet për anëtarësim në BE. Partia shihet si gjithnjë e më shumë nën ndikimin e Rusisë, e cila, sipas raporteve, ka qenë në prapaskenë të zgjedhjeve. Protestat e fuqishme të opozitës në rrugë dhe bojkotimi i Parlamentit nuk kanë arritur ta ndryshojnë rezultatin.

Brukseli ka shprehur zhgënjim, ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se është “thellësisht i shqetësuar nga kthimi prapa i demokracisë në vend”. Pavarësisht kësaj, janë bërë pak hapa konkretë për të ndihmuar. Për momentin, duket se suksesi është në anën e Moskës.

Ngjarje të ngjashme po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të Evropës Juglindore dhe Qendrore. Në Serbi, Bosnjë, Hungari dhe Sllovaki, liderët politikë të djathtë ndjekin politikën e Putinit dhe sfidojnë vlerat e BE-së të cilat pretendojnë se i mbështesin. Madje, ndikimi i djathtë i nxitur nga Rusia po përhapet edhe në Francë dhe Gjermani – qendra tradicionale të projektit evropian – ku figurat si Marine Le Pen dhe Alice Weidel po fitojnë terren.

Partitë populiste-nacionaliste, të nxitura nga zemërimi mbi koston e jetesës, emigracionin dhe tensionet kulturore, po përforcohen nga një Rusi armiqësore që zhvillon luftë hibride dhe kognitive. Këta janë armiqtë binjakë që po destabilizojnë, ndajnë dhe dobësojnë demokracitë evropiane. Asnjë vend nuk është imun ndaj kësaj vale destabilizuese dhe asnjë vend nuk ka gjetur ende një mënyrë për ta ndaluar atë.

Ndërkohë, tani ndikon një forcë tjetër negative. Zgjedhjet në Rumani janë zgjedhjet e para kombëtare të mbajtura në një demokraci perëndimore, që nga fitorja e Donald Trumpit në Amerikë. A mund të flasim për efektin Trump? Populizmi i tij cinik, ekonomia e orientuar drejt interesave kombëtare, qëndrimi pro-Rus dhe përçmimi për normat demokratike mishërojnë – dhe, për fat të keq, legjitimojnë – gjithçka që po shkon keq në Evropë sot. Duke kujtuar vitet ’30 të shekullit XX, disa sugjerojnë se po rikthehet fashizmi në stilin e Gardës së Hekurt të Codreanut. Ndoshta po, ndoshta jo. Pavarësisht emërtimit, situata mbetet e frikshme. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
“Më duket se vdes për ty po nuk e pranon dot”, Egli pretendon se Jozi ka pëlqim për Gjestin

“Më duket se vdes për ty po nuk e pranon dot”, Egli pretendon se Jozi ka pëlqim për Gjestin

Magazina
Tragjedia në Çubrel të Skenderajt - arrestohet polici që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona

Tragjedia në Çubrel të Skenderajt - arrestohet polici që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona

Lajme
Xuxi flet për fitoren e Drilonit: A e kanë votuar populli, u kry ky muhabet

Xuxi flet për fitoren e Drilonit: A e kanë votuar populli, u kry ky muhabet

Magazina
IPK jep detaje për aksidentin me fatalitet në Skenderaj, u shkaktua si pasojë e humbjes së kontrollit të veturës nga polici

IPK jep detaje për aksidentin me fatalitet në Skenderaj, u shkaktua si pasojë e humbjes së kontrollit të veturës nga polici

Lajme
Çfarë tha Donald Trump për Gazën që ka shkaktuar kaq shumë shqetësim?

Çfarë tha Donald Trump për Gazën që ka shkaktuar kaq shumë shqetësim?

Botë
Gjyqtari Michael Oliver e ka të ndaluar të ndajë drejtësinë në ndeshjet e klubit anglez

Gjyqtari Michael Oliver e ka të ndaluar të ndajë drejtësinë në ndeshjet e klubit anglez

Premier League
Kalo në kategori