LAJMI I FUNDIT:

Socializmi si ideal: Pse ka ende nostalgji për komunizmin?

Socializmi si ideal: Pse ka ende nostalgji për komunizmin?

Fatos Tarifa

Është një pikëpamje gjerësisht e përhapur ajo se sundimi komunist mbështetej në dy faktorë kryesorë: në indoktrinim ideologjik dhe në terror. Kjo është përgjithësisht e vërtetë. Sidoqoftë, një pikëpamje e tillë mendoj se është sempliste dhe reduksioniste, pasi ajo nuk arrin të shpjegojë të paktën dy çështje shumë të rëndësishme: së pari, cilat janë dallimet mes rendit komunist dhe formave të tjera të sundimit autoritarist, ose totalitarist dhe, së dyti, përse sundimi komunist arriti të mbijetojë, si një sistem shoqëror, për më tepër se katër dekada në të gjitha vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe për më shumë se shtatë dekada në “atdheun” e tij, në Bashkimin Sovjetik.

Para se të vijoj me analizën time, dëshiroj të shpjegoj se termi “totalitarist”, si një sundim politik “total” prej shtetit, u formulua për herë të parë në vitin 1923, nga gazetari dhe politikani antifashist italian, Giovanni Amendola, për ta dalluar fashizmin italian si një sistem politik esencialisht i ndryshëm nga sisteme të tjerë diktatorialë.[1] Sidoqoftë, ajo që e popullarizoi këtë term në leksikonin e shkencës politike dhe në zhargonin politik në përgjithësi ishte Hannah Arendt, me veprën e saj tashmë klasike “Origjina e totalitarizmit”.[2] Ndryshe nga format e tjera të regjimit despotik, të cilat thjesht kërkojnë bindjen e subjekteve ndaj pushtetit, sistemi totalitarist kërkon prej qytetarëve nënshtrimin e tyre absolut, përfshirë edhe jetën private dhe personalitetin e tyre si individë, ndaj shtetit, ose ndaj drejtuesit të tij më të lartë.


U kthehem përsëri pyetjeve të mësipërme: nga se dallon regjimi komunist prej formave të tjera të sundimit autoritarist, dhe përse ai mundi të mbijetojë për një periudhë kaq të gjatë? Nëse këtyre pyetjeve nuk u përgjigjemi sociologjikisht, çdo shpjegim tjetër do të çonte në përfundimin jo të plotë, pra edhe jo tërësisht të saktë, se partitë komuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore arritën të uzurpojnë pushtetin me ndihmën e tankeve sovjetike dhe e ruajtën sundimin e tyre përmes përdorimit tiranik të pushtetit dhe përmes manipulimit thjesht makiavelik të popullsive të tyre, duke mos gëzuar kësisoj kurrfarë mbështetjeje të vërtetë, pra as edhe ndonjë lloj legjitimiteti.

BINDJA VULLNETARE VIS-A-VIS DETYRIMIT ME DHUNË

Çështja, sidoqoftë, nuk është kaq e thjeshtë. Siç argumenton filozofi i shquar Leszek Kolakowski, i cili pasi u dëbua nga vendi i tij, Polonia, në vitin 1968, punoi thuajse deri në fund të jetës së tij në Universitetin e Oksfordit, “Nuk është aspak e vërtetë se sundimi komunist nuk kishte që nga fillimi asgjë tjetër në dispozicion përveçse revolverë, burgje dhe kampe përqëndrimi dhe se ideologjia e tij nuk ishte gjë tjetër veçse një zbukurim i nevojshëm por bosh”.[3]

Vetëm indoktrinimi ideologjik, ose terrori nuk do të kishin mjaftuar për ta mbajtur në këmbë sistemin komunist kaq gjatë. Siç na kujton Rusoi, në “Kontratën Sociale” të tij, “Edhe njeriu më i fortë nuk është kurrë aq i fortë sa ta ruajë kurdoherë zotësinë e tij, nëse nuk e transformon forcën në të drejtë dhe bindjen në detyrë”. Ky filozof i shquar argumenton më tej se, “Meqenëse askush nuk ka një autoritet të natyrshëm mbi të tjerët dhe meqenëse vetëm forca nuk të jep asnjë të drejtë, atëherë konventat mbeten baza e çdo autoriteti legjitim midis njerëzve”.[4]

Max Weber, i cili në veprën e tij është marrë gjerësisht me rëndësinë që ka legjitimimi i autoritetit, ka argumentuar në mënyrë bindëse se sistemet e pushtetit nuk i bazojnë pretendimet e tyre për kontroll dhe dominim mbi shoqërinë thjesht te forca fizike.[5] Pushteti i zhveshur, ose imponues, pushteti pa legjitimitet, është një tipar i rrallë në shoqërinë njerëzore. Shumë më i zakontë është pushteti konsensual, ose autoriteti, i cili pranohet me dëshirë dhe që, për rrjedhojë, është i legjitimuar. Kjo, sipas Weberit, është baza e shumicës së rendeve shoqërorë. Sado të fuqishëm që t’i kenë mjetet e imponimit fizik dhe instrumentet e dhunës, të gjithë sunduesit preferojnë dhe kërkojnë pranimin e vullnetshëm të autoritetit të tyre, të së drejtës së tyre për të sunduar dhe komanduar.

Edhe David Hume, megjithëse e pranonte rolin e forcës imponuese, argumentonte se “asgjë tjetër përveç pëlqimit dhe sensit të avantazhit, që rezulton nga qetësia dhe rregulli”, nuk mund ta bëjë shumicën që t’i nënshtrohet një sunduesi.[6] Këtu Hume kishte parasysh “jo vetëm qeveritë më liberale e më popullore, por edhe ato më despotike e më militariste”.[7] Si rregull, frika e sanksioneve ndërthuret me pëlqimin dhe dëshirën e lirë për t’iu bindur autoritetit të pushtetit. Kjo, siç ka vënë në dukje Carl Friedrich, vlen si për sistemet totalitaristë, ashtu dhe për ata demokratikë, sepse “që të dy këta sisteme ushtrojnë një pushtet, i cili, në një shkallë të konsiderueshme është imponues, dhe në një shkallë po aq të konsideueshme është konsensual”.[8]

Në të njëjtën linjë arsyetimi që gjejmë te Barrington Moore, se pushteti mund ta ketë zanafillën e tij si në imponimin e vullnetit tënd mbi të tjerët, ashtu dhe në pëlqimin e tyre,[9] Friedrich mendon se “imponimi dhe pëlqimi nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por veprojnë secili më vete”. Sipas tij, “një pjesë e madhe e mendimit dhe e analizës politike bazohen në idenë se, ose imponimi mund të përkufizohet si mospëlqim, ose pëlqimi si mosimponim. Mirëpo, imponimi ka forcën e vet, ashtu si edhe pëlqimi dhe, në shumicën e situatave të pushtetit, të dy këta faktorë veprojnë në shkallë dhe kombinime të ndryshme. Prandaj, formula më e përgjithshme e pushtetit është kjo: sasia e pushtetit (p) i korrespondon sasisë së imponimit (i) plus asaj të pëlqimit (pp); rastet në të cilat i ose pp i afrohen zeros duhen konsideruar të skajshme.[10]

Thomas Green ka vënë në dukje, gjithashtu, se “bindja vështirë se do të ishte e natyrshme nëse nuk është e sinqertë dhe e paimponuar”,[11] ndërsa Alexis de Tocqueville, në veprën e tij të famshme Demokracia në Amerikë, theksonte se: “Një qeveri, e cila nuk ka mjete të tjera për të garantuar bindjen [e qytetarëve ndaj saj] përveç luftës së hapur, duhet të jetë shumë pranë falimentimit”.[12]

Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se, edhe kur një sistem politik mbështetet kryesisht te forca, veprimi i forcës duhet të jetë legjitim, për t’i lejuar ushtruesit e saj që ta zbatojë këtë forcë me efektivitet.[13] Me fjalë të tjera, aftësia për të imponuar sanksione dhe efektiviteti ose jo i sanksioneve apo i veprimit me forcë, kur ky është i disponueshëm dhe ushtrohet, varen nga reagimi i subjekteve ndaj të cilëve ato kërcënohen ose zbatohen.

IDEOLOGJIA DHE INDOKTRINIMI

Përsa i përket bindjes ideologjike, ose indoktrinimit, përgjithësisht mendohet se synimi i tyre është që t’i bëjnë qytetarët të identifikohen me qëllimet e elitës sunduese në shoqëri dhe të legjitimojnë kështu sundimin e saj. Sidoqoftë, ky arsyetim vlen për të gjithë tipet e sistemeve politikë dhe jo vetëm për atë komunist, sepse asnjë regjimi politik nuk i intereson që t’i neglizhojë synime të tilla. Siç ka vërejtur Bertrand de Jouvenel, kyçi për arritjen e bindjes së natyrshme është pushtimi i mendjes së njerëzve.[14] Madje, edhe Hitleri e kuptonte se, “në një vështrimin afatgjatë, sistemet politikë nuk mbahen në këmbë nga presioni i forcës, por nga besimi në cilësinë dhe në besnikërinë me të cilat ata përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e popullit”.[15]

Një ndryshim thelbësor mes sistemit komunist dhe tipeve të tjerë të sundimit autoritar është se i pari kishte një makineri mjaft të centralizuar indoktrinimi dhe një ideologji zyrtare, që mori formën e një katekizmi të rreptë politik. Megjithatë, sado intensive dhe skizofrenike të kenë qenë propaganda dhe indoktrinimi komunist, ato nuk do të mund të kishin bindur miliona njerëz për të ecur në një rrugë, të cilën ata nuk e dëshironin, ose që të ndiqnin udhëheqës dhe elita, të cilat ata i urrenin. Richard Löwenthal ka venë në dukje se totalitarizmi i tipit komunist nuk do të mund të kishte krijuar dhe ruajtur karakterin e tij pa një besim thellësisht utopik.[16] Alfred Meyer, po ashtu, ishte i bindur se, pavarësisht natyrës së rendit politik, “pushteti mund të legjitimohet vetëm nga besimi dhe nga mitet, të cilat pranohen vetëm sepse, në fund të fundit, ato mbështeten nga pushteti. Pra, në analizë të fundit, e vetmja gjë që e legjitimon pushtetin është vetë pushteti”.[17]

IDEALI HUMAN SI PREMTIM

Është e tepërt të thuhet se një nga bazat mbi të cilën shumica e partive komuniste e ruajtën pushtetin e tyre dhe arritën, në shkallë të ndryshme, të gëzojnë një autoritet legjitim, sidomos në dekadën e parë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte premtimi sublim dhe idealist për ndërtimin e një shoqërie më egalitare, më të drejtë, më të begatë e më të organizuar, në të cilën thuhej se do të zhdukej shfrytëzimi i njeriut nga njeriu dhe se problemet e njohura sociale të vendeve kapitaliste “në kalbëzim”, ose të shoqërive të tjera me klasa antagoniste, do të zhdukeshin gradualisht dhe një herë e përgjithmonë. Siç është vënë në dukje nga Peter Berger, joshja e socializmit shpjegohej pikërisht në “premtimin e të gjitha të mirave të botës moderne dhe likuidimin e çmimit të saj, sidomos të tjetërsimit, duke krijuar imazhin e një shoqërie shpëtimtare për të ardhmen”.[18]

Doktrina komuniste, me “parimet e saj shpërblyese të humanizmit”,[19] siç shprehej në kohën e tij senatori i shquaj demokrat amerikan, J. William Fulbright, u shndërrua në një besim të gjallë, madje u transformua në një forcë të jashtëzakonshme, që i shtyu miliona njerëz inteligjentë kudo në Evropën Lindore që të punonin me pasion, pasi ata besonin sinqerisht se e ardhmja i takonte komunizmit, ndërsa kapitalizmi, sistemi i shtypjes dhe i shfrytëzimit, ndodhej në shtratin e vdekjes. Ishin “dështimet e kapitalizmit” dhe “paaftësia e sistemit kapitalist për të krijuar një rend ndërkombëtar paqësor e të qendrueshëm” ato që, siç argumentojnë Robert Knight dhe Michael Fitzpatrick,[20] shpjegojnë pse komunizmi vazhdoi të ekzistojë për një kohë aq të gjatë, deri në fundin e shekullit të 20-të. Sipas fjalëve të historianit amerikan Walter Laqueur, “Komunistët nuk ishin një parti politike si të tjerat; ata premtonin jo thjesht një qeverisje të mirë dhe një ekonomi të begatë, por një botë të re lirie, drejtësie dhe lumturie për të gjithë….Në këtë parajsë tokësore, të çliruar nga prangat e shtypjes dhe të shfrytëzimit, çdo individ (dhe shoqëria në tërësi) do të mund t’i zhvillonte plotësisht aftësitë e tij. Më në fund, qëniet njerëzore do të bëheshin plotësisht njerëzore”.[21]

SOCIALIZMI SI FRYMËZIM DHE NOSTALGJI

Sot, kur socializmi shtetëror, si sistem shoqëror, nuk ekziston më në asnjë prej vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe në republikat ish-sovjetike, shpeshherë harrohet se “pushteti komunist nuk do të ishte ushtruar dot kurrë, madje as që do të kishte qenë i mundur, në rast se nuk do të kishte ekzistuar një “kontingjent i konsiderueshëm besuesish të devotshëm” (Chirot),[22] si dhe pranimi i tij nga një numër i madh njerëzish, pra pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë, ose të tërthortë të miliona fshatarëve, punëtorëve dhe intelektualëve në të gjitha vendet e Evropës Lindore.

Kjo pikëpamje i kundërvihet shpjegimit gjerësisht të përhapur, që ia atribuon fatin e Evropës Lindore të dominuar nga Bashkimi Sovjetik thjesht pranisë imponuese të Ushtrisë së Kuqe në këto territore. Pa një besim të fortë dhe pa një mbështetje masive për partitë komuniste në këta vende, vështirë që vetëm forca e ushtrisë sovjetike do ta kishte mbajtur krejt Evropën Lindore nën kontrollin e saj për një kohë kaq të gjatë.[23] Për sa kohë që populli i thjeshtë dhe kuadrot e administratës besonin në angazhimin e drejtuesve të Partisë dhe të shtetit socialist për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe një shoqëri të begatë, ata i mbështetën politikat e tyre – madje, në disa vende, me një entusiazëm të pazakontë dhe me një patos revolucionar, sidomos në fillim – duke i siguruar shtetit socialist një bazë të fuqishme legjitimiteti.

Sado paradoksale që të duket, nga kjo rrjedh se, pavarësisht nga sa arriti ose premtoi të arrijë bota komuniste, pavarësisht nga shtrembërimet e tij në praktikë dhe nga krimet e kryera në emër të tij, komunizmi kishte aftësinë që të frymëzonte dhe, për një numër të madh njerëzish, ai është ende i aftë që të frymëzojë një farë nostalgjie. Sot, vinte në dukje me të drejtë Ismail Kadare në fillimin e viteve 1990, kjo është e vështirë të kuptohet, pasi distanca në kohë që na ndan prej atij rendi është e shkurtër, pasi ndjenjat e njerëzve janë ende në kulmin e shfryrjes dhe pasionet që dënojnë komunizmin mposhtin çdo sentiment tjetër. Ai shkruan: “Ka një mendim se, si çdo sistem, në të cilin jetuan e vdiqën miliona njerëz, edhe kjo botë, e cila, në fund të fundit, është rezultantja e gabimeve dhe e meritave të tyre të përbashkëta, ka patur drejtpeshimin e saj të brendshëm, me fjalë të tjera, ato që në gjuhën e rëndomtë quhen: anët e mira dhe anët e këqia të saj. Gjithmonë sipas këtij mendimi, mjafton të përmendim pasurinë kolosale intelektuale që u krijua nën atë sistem, atë thesar që tani i përket mbarë njerëzimit dhe pa të cilin ky shekull do të kish qenë shumë më i varfër. Mirëpo, sistemi është lavdëruar dhe vetëmburrur aq shumë, sa që duket se e ka humbur të drejtën që t’i njihen anët e tij të mira, ato që Perëndimi me zgjuarësi dhe pa bujë ia ka huajtur për të korrigjuar e fuqizuar vetveten.[24]

Shënime dhe referenca

[1] Richard Pippes, Russia under the Bolshevik Regime (New York: Vintage Books, 1995).

[2] Hannah Arendt, The Origins of Totalitarianism (Cleveland: Meridian Books, 1958).

[3] Leszek Kolakowski, “Mind and Body: Ideology and Economy in the Collapse of Communism”, në K. Poznanski (ed.), Constructing Capitalism (Boulder: Westview Press, 1992), ff. 9-23;

[4] Jean-Jacque Rousseau, On the Social Contract (Indianapolis: Kacket Publishing Company, 1987), ff. 19, 20.

[5] Max Weber, The Theory of Social and Economic Organization (Glencoe, IL: Free Press, 1947); Economy and Society (New York: Bedminster Press, 1968).

[6] Shih: Frederick Watkins, Hume: Theory of Politics (Edinburgh: Thomas Nelson & Sons, 1951), f. 196.

[7] Ibid., f. 148.

[8] Carl Friedrich, “Political Leadership and the Problem of the Charismatic Power”, The Journal of Politics (1961), 23, 1: 7.

[9] Barrington Moore, Jr., Political Power and Social Theory (Cambridge: Harvard University Press, 1958).

[10] Friedrich, “Political Leadership and the Problem of the Charismatic Power, f. 8.

[11] Thomas Green, Lectures on the Principles of Political Obligation (London: Longmans, Green & Co., 1948), f. 121.

[12] Alexis de Tocqueville, Democracy in America (Garden City Anchor Books, 1969), f. 139.

[13] James Schellenberg, The Science of Conflict (New York: Oxford University Press, 1982).

[14] Bertrand de Jouvenel, On Power: Its Nature and the History of its Growth (Boston: Beacon, 1962), f. 355.

[15] Adolf Hitler, Mein Kampf (New York: Reynal and Hitchcock, 1941), f. 388.

[16] Richard Löwenthal, Letter to the Editor. Commentary (January 1986).

[17] Alfred Meyer, “Legitimacy of Power in East Central Europe”, në S. Sinanian, I. Deak & P. Ludz (eds.), Eastern Europe in the 1970s (New York: Praeger, 1972), f. 48.

[18] Peter Berger, “The Socialist Myth”, Public Interest (Summer 1976): 8-9.

[19] J. William Fulbright, The Arrogance of Power (New York: Random House, 1966), f. 81.

[20] Robert Knight, Stalinism in Crisis (London: Pluto 1991); Michael Fitzpatrick, “Why Communism Survived for So Long”, Spiked Review of Books (August 2007).

[21] Walter Laqueur, The Dream that Failed: Reflections on the Soviet Union (New York: Oxford University Press, 1994), f. 3.

[22] Daniel Chirot, “What Happened in Eastern Europe in 1989?” në D. Chirot (ed.), The Crisis of Leninism and the Decline of the Left (Seattle: University of Washington Press, 1991), ff. 3-32).

[23] Ibid.

[24] Ismail Kadare, Albanian Spring: The Anatomy of Tyranny (London: Saqi Books, 1995), ff. 205-206.

Në trend

Më shumë
Vdekja e të riut nga Prishtina, Prokuroria jep detaje

Vdekja e të riut nga Prishtina, Prokuroria jep detaje

Kronika e Zezë
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
Videoja e publikuar zbulon arsyen e vërtetë pse Tyson e goditi me shuplakë Paulin, gjithë faji ishte i YouTuber-it

Videoja e publikuar zbulon arsyen e vërtetë pse Tyson e goditi me shuplakë Paulin, gjithë faji ishte i YouTuber-it

Boks
Mbretëria e Bashkuar ngrit në ajër aeroplanët luftarakë në përgjigje të aeroplanit rus që po shkonte drejt hapësirës ajrore të saj

Mbretëria e Bashkuar ngrit në ajër aeroplanët luftarakë në përgjigje të aeroplanit rus që po shkonte drejt hapësirës ajrore të saj

Botë
Ledri Vula: Askush nuk e ka ditur por unë dhe Sara jemi ndarë në pandemi, një ditë më pas më dërgoi ekon - pyetja e parë ishte se a do ta mbajmë fëmijën

Ledri Vula: Askush nuk e ka ditur por unë dhe Sara jemi ndarë në pandemi, një ditë më pas më dërgoi ekon - pyetja e parë ishte se a do ta mbajmë fëmijën

Magazina
Jeta e re e Giovani Dos Santos: Nga krahasimi me Messin te biznesmen  i naftës

Jeta e re e Giovani Dos Santos: Nga krahasimi me Messin te biznesmen  i naftës

Ndërkombëtare
Kalo në kategori