Arben Boshnjaku, MSc Pt, MSc Sport Sci. Fizioterapeut

Sipas disa studimeve 40 deri 50% e vrapuesve maratonikë kanë pasur në të kaluarën apo kanë ende probleme me dhembje të barkut. Arsyet kryesore që ndikojnë në shfaqjen e dhimbjes së pjesës së poshtme abdominale janë: tendosjet e këtyre muskujve, cikli menstrual, infeksionet e brendshëm, gurët në veshka, etj.


Kjo dhembje mund të vijë prej tri regjioneve: muskujve të murit të përparmë të barkut, diafragmës dhe sistemit tretës.

Muri i përparmë abdominal paraqet atë pjesën e parë që i ekspozohet stresit të shtuar përgjatë vrapimit dhe rënies së furnizimit me oksigjen (përkundër frymëmarrjes së shtuar dhe mjaft të fuqishme).

Kështu, kombinimi i zgjatjeve të tepruara dhe mungesës së furnizimit të mjaftueshëm të fibrave muskulore me gjak qon në rritje të eksitueshmërisë në mbaresat nervore dhe shfaqje të dhimbjes.

Fotolia 33989884 © Maridav 1 scaled

Për të larguar dhimbjen në këto raste, fillimisht duhet ulur ritmin e aktivitetit, e pastaj mund të masazhohet regjioni me qëllim të lehtësimit të gjendjes.

Diafragma është membrana muskulore që ndan hapësirën e poshtme të barkut, prej asaj të sipërme torakale ku ndodhen mushkëritë, zemra, mëlçia etj. Forma më karakteristike e dhimbjes së diafragmës është dhembja që shfaqet menjëherë nën brinjë, atëherë kur aktiviteti fizik është më i madh se në të kaluarën.

Abdominal Pain While Running

Te këto raste është e rëndësishme që të përshtatet niveli i aktivitetit fizik dhe sidomos vrapimit me aq sa e duron trupi. Kështu, ngadalësohet vrapimi, zvogëlohet ngarkesa dhe provohet që gradualisht të relaksohet frymëmarrja me fundin e barkut (diafragmatike abdominale), duke e bërë frymëmarrjen sa më ritmike dhe assesi pa mbajtje fryme.

Dhembjet që vijnë prej sistemit tretës më rrallë shfaqen si të vetme, por zakonisht shoqërohen me simptoma të tilla si: gromësirë, ndjenja e të vjellurit, të vjella, barkqitje, etj.

sidestitch 56c7895b5f9b5879cc41c3c7

Edhe pse mund të ketë mjaft arsye për shfaqjen e këtyre dhimbjeve, dy prej shkaqeve kryesore janë dehidrimi dhe kequshqyerja një ditë më parë apo mëngjesin para garës apo aktivitetit fizik.

Dehidrimi është një problem i cili mund të rezultojë si mjaft serioz në qoftë se nuk tregohet kujdes ndaj tij. Rekomandohet të pihen 400-600ml lëngje të ftohta 10-20 minuta përpara ushtrimeve (pasi që lëngjet e ftohta thithen 50% më shpejt se lëngjet në temperaturë trupore), është e nevojshme të pihen sasi të vogla të lëngjeve çdo 10-15 minuta (për të larguar ndjenjën e stomakut të mbushur).

protein powder maltodextrin

Poashtu duhet konsumuar kombinime që përmbajnë komplekse sheqernash (sikurse maltodextrina, pasi që ato nuk e ngadalësojnë shkallën e përthithjes, përderisa sheqernat e thjeshta sikurse glukoza e ngadalësojnë përthithjen deri në 50%).

Në anën tjetër kequshqyeshmëria në ditën e garës (kompeticionit) dhe një ditë para saj është poashtu një faktor kyç në shfaqjen e çrregullimeve të tretjes.

Sipas një studimi të bërë në këtë fushë rezulton që ushqimet që përmbajnë sasi të mëdha fibrash i shkaktojnë problemet më të mëdha në procesin tretës.

Sidoqoftë, një fakt nuk duhet harruar kurrë: pa marrë parasysh faktorët e përgjithshëm që ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve të barkut gjatë aktivitetit fizik, njeriu duhet përshtatur gjithçka edhe me organizmin e tij dhe përshtatshmërinë e këtij të fundit ndaj faktorëve të jashtëm. /Telegrafi/