LAJMI I FUNDIT:

Si të shkruhet historia?

Gjithë kombet që kanë pasur fatkeqësinë komuniste kanë përjetuar edhe versionin komunist të të shkruarit dhe të mësuarit të historisë. Me të dalë nga komunizmi, këto kombe iu kthyen versionit paraprak të të shkruarit dhe të të mësuarit të historisë.

Problemi me historinë tek shqiptarët është shumë më i rëndë. Shqiptarët si komb i vonshëm nuk arritën të krijojnë historiografi para Luftës së Dytë Botërore. Historiografia pas Luftës së Dytë Botërore u shkrua nga komunistët sipas modelit sovjetik. Edhe në Kosovë u importua kjo lloj historiografie.

Pas rënies së komunizmit u bënë ca revidime të vogla faktuale, por qasja mbeti njësoj. Madje, kjo nuk ndodhi as në dritën e zbulimit të shumë fakteve të fshehura që dolën në dritë me botimin e memoareve dhe librave të tjerë të shumë autorëve, siç ishin ato të Sejfi Vllamasit, Mehdi Frashërit, Mit’hat Frashërit, Ismail-Qemal bej Vlorës, Eqrem bej Vlorës, Mustafa Krujës, Hasan Prishtinës, Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës etj.


Disa nga faktet e shprehura në këto dokumente e që konfirmojnë njëra tjetrën dhe që shkencërisht mund të konsiderohet të sakta, nuk gjetën vendin në historiografinë zyrtare që mësohet në shkollat tona. Kjo ndodh për shkak se aparati historiografik i tipit sovjetik nuk mund të kapërdijë fakte që ndryshojnë tërësisht konstruktin e tij. Nuk futet elefanti në kotecin e pulave.

Disa nga ata shqiptarë që bënë gradat shkencore për histori në Perëndim, nuk mjaftuan që të krijojnë një qasje të re, përkatësisht një historiografi të re. Arsyeja është se formimi i tyre parësor është bërë në shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës, dhe studimet universitare apo pasuniversitare në Perëndim i kanë bërë për një periudhë specifike të historisë e janë mjaftuar me këtë. Ata kanë problem t’ i promovojnë rezultatet e tyre specifike në atdhe, e lerë më për një qasje më të gjerë. Duke qenë se këta studiues nuk janë të lidhur mes vete, sepse janë pak dhe secili ka hallin t’i promovojë rezultatet e veta njëherë, kanë mbetur në margjina.

Situata pritet të ndryshojë kur ndonjëri nga këta të bëhet kryeministër apo ministër arsimi. Kuptohet, këtu nënkuptoj ndonjë nga ata që vërtetë ka marrë shkollë nga Perëndimi e jo vetëm diplomë.

Ç’është e vërteta, Skender Rizaj me hulumtimin në arkivat osmane, dhe Eqrem Zenelaj e Jusuf Buxhovi në ato gjermane, kanë bërë prurje të konsiderueshme dokumentuese në historiografinë shqiptare. Këto prurje sikur të merrnin interpretimin meritor, do të mund të bënin përmbysje në këtë historiografi. Por,. fatkeqësisht edhe këta historianë nuk kanë dalë nga skema e historiografisë zyrtare e tipit sovjetik.

Citimet dhe referencat kryesore të tyre janë nga Historia e Popullit Shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, çka i zvetënon substancialisht edhe ato pak rezultate të mirëfillta.

Shtrohet pyetja: me shmangien e historiografisë të tipit sovjetik, që fatkeqësisht akoma e mësojnë nëpër shkolla e universitete në Kosovë e Shqipëri, çfarë historiografie duam? Duam historiografi me qasje realiste apo me qasje mobilizuese?

Para se komunistët të merrnin pushtetin në Serbi më 1945, historiografinë serbe e kanë përbërë dy qasje: qasja realiste e arkimandritit Ilarijon Ruvaracit (1832-1905) dhe qasja mobilizuese e Pantelija Sreçkoviqit (1834-1903), anëtarit të Shoqatës së Serbeve të Mësuar, shoqatë kjo që më vonë do të shndërrohet në Akademinë Serbe të Shkencave e të Arteve.

Ilarion Ruvarac dhe pasuesit e tij kanë insistuar që ndërgjegjja kombëtare serbe të krijohet vetëm duke ia treguar popullit të vërtetën shkencore. Sreçkoviqi dhe pasuesit e tij insistonin për një historiografi në shërbim të aspiratave kombëtare serbe, pavarësisht se a përputhet me të vërtetën apo jo.

Qasja e Pantelija Sreçkoviqit dhe pasuesve të tij (historiografia përplot mite e rrena të qëllimshme) ishte dominuese në historiografinë serbe, pasi kjo historiografi ishte ajo çfarë u vendos të mësohet në shkollat dhe universitetet e Serbisë. Por, qasja e Ilarijon Ruvarcit nuk është se u hodh tërësisht. Madje, mund të thuhet se të dyja këto qasje u vunë në përdorim. Derisa historiografia me qasje shkencore ishte në përdorim vetëm për qarqet akademike, ajo me mitologji e rrena ishte e vetmja që u vu në përdorim për masat e gjëra.

Shembulli më tipik është rasti i historianit Vaso Çubrilloviq (1897-1990) në elaboratin e vet “Dëbimi i arnautëve”, që i dedikohej qeverisë së Serbisë. Çubrilloviq flet se si në kohën e mbretit Millan Obrenoviq, përmes dhunës e terrorit u morën tokat etnikisht të pastra shqiptare të Toplicës e Kosanicës (1877-1878). Pra, sipas Çubrilloviqit ato ishin toka shqiptare dhe jo serbe siç figurojnë në tekstet shkollore të Serbisë në vazhdimësi, qëkur Serbia fitoi Kushtetutën e parë autonome nën Perandorinë Osmane më 15 shkurt 1835 e deri më sot.

Polemikat mes Ilarijon Ruvarcit dhe Pantelija Sreçkoviqit, si dhe pasuesve të tyre, nuk kishin të bëjnë me atë se si do të zhvillohet historia në qarqe akademike, por si do t’i prezantohet ajo publikut. Sreçkoviqi dhe pasuesit e tij mendonin se kombit i duhen mitet si stimuj dhe frymëzim për progres, kurse Ruvarci mendonte se një komb mund të ndërtohet i shëndoshë vetëm nëse ai ushqehet me të vërtetën historike.

Për cilëndo variant që përcaktohet Kosova dhe/apo Shqipëria, ka nevojë për një historiografi të tipit jo-sovjetik. Historiografia e tipit sovjetik kishte mitet e caktuara dhe nëse ne përcaktohemi se mitet do të jenë të nevojshme edhe më tutje në komb-ndërtimin tonë, atëherë duhet të heqim disa mite siç është ai për Luftën Nacional Çlirimtare e shumë të tjerë, dhe duhet të mendojmë se me cilat mite do t’i zëvendësojmë ato që i heqim.

Këtu, për shkak të nivelit të ndryshëm të zhvillimit kombëtar në Kosovë e Shqipëri, lind çështja me cilat mite duhet të ushqehet publiku në Kosovë e me cilat ai në Shqipëri? Ndërsa, nëse do të vendosim që publikut të brendshëm e të jashtëm t’ia servirim të vërtetën shkencore, atëherë duhet të krijojmë një historiografi pa mite. Kjo nënkupton që të heqim dorë nga miti ilir, nga miti për luftërat e Skënderbeut etj. dhe gjitha këto t’i reduktojmë në përmasat e të vërtetës historike.

A jemi të gatshëm për këtë?

Në trend

Më shumë
Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Injorimi dhe mosmirënjohja që ia bëri pas fitores në Big Brother VIP Kosova, Driloni i përgjigjet Edit pas akuzave

Magazina
Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Vuçiq: Në dhjetë ditët e ardhshme do të vendosim nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të formojmë qeverinë e re

Serbia
Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Kronika e Zezë

"Fitore e shitur", Rezarti me akuza të forta për produksionin e BBVK: A jeni gati t'i nxirrni votat Drilon-Gjesti në gjykatë? Me qëllim i tërhiqnit kamerat për Drilonin

Magazina
U përfol se ka qenë i martuar? Zbulohet e vërteta e Gjestit - bashkëjetesa e tij katër vjeçare me një vajzë të quajtur Diellza

U përfol se ka qenë i martuar? Zbulohet e vërteta e Gjestit - bashkëjetesa e tij katër vjeçare me një vajzë të quajtur Diellza

Magazina
Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Konfirmohet fajësia për vrasësit e Enver Hadrit në Belgjikë, mbetet dënimi i përjetshëm

Drejtësi
Kalo në kategori