LAJMI I FUNDIT:

Si ta identifikojmë stabilitetin e bankës

Si ta identifikojmë stabilitetin e bankës

Stabiliteti bankar pasqyrohet me karakteristikat, si niveli i likuiditetit dhe rreziqet që pasojnë nga ai, të cilat ndikojnë te klientët dhe reflektohet në besimin e tyre

Si të bindemi për stabilitetin e bankave, çështje që shpesh përkthehet edhe si siguri e parave tona? Pyetje si këto rëndom preokupojnë njerëzit në raste të krizave, siç ishte ajo evropiane e para disa vjetësh, ose kjo e Greqisë që po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Natyrisht se stabiliteti i sektorit bankar është themeli i qëndrueshmërisë së të gjithë sistemit financiar, ku bankat luajnë një rol qendror në procesin e krijimit të parave; në sistemin e pagesave, në financimin e investimeve dhe në rritjen ekonomike. Për më tepër, bankat qendrore për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar, por edhe autoritetet mbikëqyrëse, kanë interes të veçantë në vlerësimin e stabilitetit të sistemit bankar.


Stabiliteti bankar pasqyrohet me karakteristikat e veta, siç janë niveli i likuiditetit dhe rreziqet që pasojnë nga ai, të cilat pastaj ndikojnë te klientët dhe reflektohen në besimin e tyre.

Studimet kanë treguar se stabiliteti i bankave ka qenë i prekur kryesisht nga problemet me likuiditetin. Likuiditeti ndikohet nga shumë faktorë, por rreziku i kreditit dhe i mjaftueshmërisë së kapitalit janë ndër shkaqet kryesore. Për këtë arsye rregullatorët e çmojnë si element shumë të rëndësishëm menaxhimin e likuiditetit, rrezikut të kredisë dhe konfidencialitetin e klientëve nga ana e institucioneve bankare.

Një sistem financiar efikas dhe i qëndrueshëm është faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike. Në vendet më të zhvilluara, bankat – krahas me tregjet financiare – luajnë rol vendimtar si institucione ndërmjetëse në procesin e alokimit të mjeteve.

Sistemi bankar i sigurt dhe i shëndoshë siguron shpërndarjen optimale të burimeve të kapitalit, për këtë arsye edhe rregullatorët kanë për qëllim të parandalojnë krizat e kushtueshme të sistemit bankar dhe efektet shoqëruese negative të tyre në ekonominë reale.

Përcaktuesit e stabilitetit të sistemit bankar kombëtar përgjithësisht mund të klasifikohen në makroekonomik, në variablat financiare dhe ato strukturore. Me aplikimin e teknikës së panelit të regresionit, gjejmë se indikatorët e çmimeve të aseteve, bashkë me ciklet e bizneseve dhe ata të tregut të parave, mund të jenë treguesit e paralajmërimit të hershëm.

Sa i përket vendit tonë, Banka Qendrore e Kosovës ka për objektiv parësor ruajtjen dhe mbajtjen e një sistemi financiar stabil dhe të kontribuojë në stabilitetin e çmimeve. Po ashtu për objektiv tjetër, pa cenuar dy objektivat e para, e ka mbështetjen e politikave të përgjithshme ekonomike qeveritare.

Të gjithë objektivat e BQK-së janë të përcaktuara me Ligjin për BQK-në. Detyrat e tilla, në të cilat kontribuon Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar përfshijnë mbledhjen, analizimin dhe publikimin e informacioneve relevante ekonomike dhe financiare; bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në këshillat dhe organizatat ndërkombëtare relevante; veprimin si këshilltar ekonomik për qeverinë dhe subjektet e tjera publike; vlerësimin e stabilitetit financiar; përcaktimin e politikave për nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar; dhe përcaktimin e politikave për kontribuim në arritjen dhe mbajtjen e stabilitetit të çmimeve, si dhe stabilitetit makroekonomik në përgjithësi.

Sa i përket stabilitetit të bankave në Kosovë, mund te themi se në përgjithësi gjendja është e mirë dhe krahasuar me sektorët bankar në rajon, ai është më i qëndrueshmi. Prandaj, me të drejtë gëzon edhe besim të lartë nga publiku.

Në një konferecë me gazetarët e ekonomisë organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale STRAS, guvernatori Bedri Hamza theksoi se të gjithat këto përbëjnë një agjendë shumë të rëndësishme të faktorit ekonomik dhe në këtë mënyrë sigurojnë financim të qëndrueshëm, pa të cilin nuk mund të ketë zhvillim të suksesshëm të aktivitetit bankar.

Ky besim i publikut është shprehur nga rritja e qëndrueshme e depozitave që nga fillimi i funksionimit të sektorit bankar në vendin tonë. Nër mars të vitit 2015 sektori bankar në depozita kishte 2.57 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore 5.9%. Kjo rritje ka mundësuar zgjerimin e vazhdueshëm të kredive, të cilat arritën vlerën prej 1.9 miliardë euro, e cila paraqet rritje vjetore prej 4.3%.

Disa nga indikatorët kryesorë të cilët e pasqyrojnë shëndetin që ka sektori bankar i Kosovës janë:

– Portofoli kreditor ka cilësi mjaft të mirë, me pjesëmarrje të kredive joperformuese vetëm 8.1%, përderisa mesatarja e vendeve të rajonit është rreth 17%. Për më tepër, kreditë joperformuese janë të mbuluara mbi 100% nga provizionet, që do të thotë se bankat paraprakisht kanë ndarë rezervat e duhura për ballafaqimin me humbjet që mund të paraqiten nga këto kredi.

-Sektori bankar vazhdon të jetë shumë mirë i kapitalizuar, duke mbajtur në vazhdimësi treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit në rreth 18%, që paraqet nivel dukshëm më të lartë se minimumi i kërkuar nga Banka Qendrore. Niveli i lartë i kapitalizimit tregon se bankat kanë inkuadruar shumë kapital vetanak, i cili mund të përdoret për të absorbuar tronditjet e mundshme negative pa rrezikuar mjetet e investitorëve tjerë siç janë depozitorët.

– Po ashtu, sektori bankar vazhdon të ketë pozicion të fuqishëm të likuiditetit, që do të thotë se kanë aftësi të lartë për të përmbushur detyrimet e tyre afatshkurta, si për shembull kërkesat për tërheqje të depozitave. Treguesi i likuiditetit vazhdon të qëndrojë në mbi 40%, që paraqet nivel më të lartë se sa minimumi i kërkuar rregullativ prej 25%. Niveli i lartë i qëndrueshmërisë së sektorit bankar sugjerohet edhe nga analiza të tjera, siç është stres-testi, ku bankat paraqiten të afta për të përballuar dhe skenarë hipotetetik të konsideruar nën supozime mjaft konservative.

Sa i përket sektorit bankar të Kosovës mund të themi se aktualisht kemi një sektor cilësor, i cili është ndërtuar me kapacitete të avancuara për menaxhim të mirë; një bankë qendrore e cila ka ndërtuar kapacitete të avancuara në të gjitha sferat e operimit të saj për të realizuar me sukses objektivat e saj ligjore, ku vendin kryesor e zë ruajtja e stabilitetit financiar; dhe kemi një ambient të përgjithshëm ekonomik, i cili përkundër se nuk po arrin të sigurojë zhvillim të shpejtë të vendit, ka siguruar një shkallë stabiliteti që mundëson ruajtjen e stabilitetit financiar.