LAJMI I FUNDIT:

Si Republika Serbe e Krajinës!

Duke përcjellë atë se çka po ndodh në tri komunat veriore, shihet se Serbia aspak nuk e ka ndërruar strategjinë. E përdor atë taktikë që dikur e përdorte në Kroaci, sikurse edhe në territoret e tjera të ish-Jugosllavisë. Ju kujtohet psikiatri Jovan Rashkoviq, i cili e krijoi Partinë Demokratike Serbe (SDP), në shkurt të vitit 1990. Fillimisht ai kërkonte “më shumë të drejta për minoritetin serb në Kroaci”, minoritet i cili sipas tyre “ishte i rrezikuar nga neofashizmi kroat”.

Siç dihet, ato kërkesa nuk ishin në akordim me realitetin. Ngase, situata zhvillohej në baza ditore shpejt. Rashkoviqi tërhiqet në Serbi dhe në skenë paraqitet dentisti Milan Babiq, që ishte më radikal. Babiq, si udhëheqës i SDP-së, në gusht të vitit 1990 organizoi referendumin ku me rezultat 97.7 për qind serbët u deklaruan për “autonominë serbe brenda Kroacisë”.

Natyrisht se atë referendum udhëheqja kroate nuk e pranoi dhe e shpalli ilegal. Si kundërpërgjigje, serbët u armatosën dhe nën udhëheqjen e policit Milan Martiq filluan të organizojnë barrikadat dhe rojet, nën arsyetimin se “serbët nuk ndihen të sigurt, se flamuri i Kroacisë (shahovnica) ua kujton serbëve Kroacinë e Paveliqit, regjimin ustash, gjenocidin në Jasenovc” e etiketime të ngjashme. Dhe, në dhjetor të 1990, për faktin se situata zhvillohej në favor të tyre, ata e shpallën Zonën Autonome të Krajinës (ZAK).


Ndërsa, kur Kroacia e shpalli pavarësinë, në prill të vitit 1991, Këshilli Nacional Serb (KNS) vendosi që ZAK të ndahet nga Kroacia dhe t’i bashkohet Jugosllavisë së mbetur. KNS apeloi në minoritetin serb që ta bojkotojë referendumin për pavarësinë e Kroacisë, të cilin institucionet legjitime kroate e mbajtën më 19 maj. Këshilli Nacional Serb si kundërpërgjigje organizoi referendumin ilegal një javë më parë, pra më 12 maj.

Të gjitha këto Partia Demokrate Serbe (së bashku me Këshillin Nacional Serb) ishte në gjendje t’i bënte, sepse kishin përkrahjen e parezervë të UDB-së dhe ushtrisë serbe që në atë kohë edhe më tutje quhej Armata Popullore e Jugosllavisë.

Vlen të ceket se kur lufta u intensifikua më 1991, pra atëherë kur ushtria serbe (APJ) – që ishte superiore – korrte suksese te njëpasnjëshme, Tugjmani, duke qenë i pafuqishëm, serbëve u ofroi autonomi, d.m.th. atë që më parë e kishin kërkuar serbët, por serbët e refuzuan duke e marrë nën kontroll rreth 30 për qind të territorit kroat. Republikën Serbe të Krajinës e shpallën shtet të pavarur dhe sovran të ndarë nga Kroacia. E krijuan Ushtrinë Serbe te Kajinës, madje shtypën edhe bankënotën e tyre (Dinarin e Krajinës).
Në atë kohë, Beogradi, si sponsorues i tërë asaj që ndodhte, në strategjinë e vet si “mekanizëm të intensifikimit” përdorte metodën e ndërrimit. Pra, i ndërronte udhëheqësit, me qëllim të intensifikimit të presionit dhe zhvillimit të proceseve.

Fillimisht e ndërruan psikiatrin Rashkoviq (që ishte më i “moderuar”) me dentistin Babiq (më radikal në kërkesa), kurse Babiqin me Goran Haxhiqin (edhe më ekstrem në kërkesa). Dhe, ky muhabet zgjati deri sa Kroacia nuk u forcua.

Ngjashëm është duke ndodhur edhe në komunat tona veriore, me disa dallime sipërfaqësore. Bie fjala, për dallim nga “barrikadat me trungje” (revolucioni i trungjeve) të Krajinës, tek ne përdoret më shumë rëra dhe gurë të ndryshëm. Edhe retorika është e ngjashme: për dallim nga Krajina ku “serbët ndiheshin të rrezikuar nga ustashët dhe frikoheshin se do t’ju përsëritet holokausti i Jasenovacit, dhe se assesi Krajina nuk mund ta pranojë flamurin ustash” (pra këto argumente i përdornin në kohën kur ata bënin vetë gjenocid, si në Vukovar e po ashtu edhe në qytetet tjera kroate) në Kosovë frikësohen nga “terroristët shqiptarë” dhe “spastrimi etnik” (shih ti!) për çka nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Realiteti (si në Kosovë e po ashtu edhe në viset e tjera) është se serbet i bëjnë këto gjëra sepse janë të përkrahur nga shteti i Serbisë. Pra, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) dhe Ushtria serbe e agjencitë e ndryshme të sigurisë. Dhe, normalisht, edhe nga institucionet politike.

Ne tashmë e dimë se rojat e urave janë në realitet pjesëtarë të agjencive të ndryshme të sigurisë, njerëz të cilët ishin shumë aktivë në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, d.m.th. vrasës profesionistë e mercenarë të ndryshëm.

Po ashtu shihet qartë se Serbia i bën të gjitha këto jo se dëshiron të ndajë drejtësi apo të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon, apo se e ka të “drejtën historike”, por e di mirë se e kontrollon atë pjesë dhe se Kosova nuk është e gatshme për t’u konfrontuar atje.

Mirëpo, në anën tjetër, Serbia po ashtu e di se në anën tjetër të lumit Ibër nuk mund ta sjellë ushtrinë për shkak se rrethanat kanë ndryshuar tërësisht nga vitet e 90-ta. Pra, e di se në mënyrë klasike ajo nuk mund ta pushtojë më Kosovën, por dëshiron ta ruajë influencën edhe më tutje në ish-viset e Jugosllavisë. Gjithashtu, është e vetëdijshme se influencën në Slloveni e Kroaci e ka humbur përfundimisht. I ka mbetur Bosnja, ku influencën e ushtron nëpërmes Republikës Serbe; Mal i Zi, ku influencën do ta ruajë nëpërmes minoritetit serb dhe kishës ortodokse; në Maqedoni e ka një strategji tjetër të ngjashme (Kosova “in erga omnes”). Kurse, në Kosovë influencën dëshiron ta ruajë në veri nëpërmes “Republikës Serbe të Veriut” (e cila mund edhe të mos quhet ashtu, mund të quhet bie fjala “Ahtisarit plus” ose “Plani gjashtëpikësh i Ban Ki-Munit”, a diçka të ngjashme), gjersa në viset e tjera të Kosovës nëpërmes decentralizmit. Kështu do ta kontrollojë Kosovën të tërën.

Shpesh disa politikanë dhe analistë (kosovarë e ndërkombëtarë) futen në grackën e ndarjes, të cilën Serbia për mendimin tim e ka blof. Sepse, ndarja e Kosovës nuk është në interes të saj. Pse ta ndajë Kosovën dhe ta humbë influencën e saj në më shumë se dy të tretën e territorit, kur në këtë mënyrë do ta kontrollojë të tërën?! Asnjëherë nuk duhet harruar se në tri komunat veriore jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Se a do t’ia arrijë qëllimit, kjo mbetet të shihet. Por. një gjë duhet pranuar se për një kohë shumë të shkurtër Serbia ka arritur me mjeshtëri të ndërrojë imazhin e saj. U mor vesh, edhe falë gabimeve tona diplomatike. Tashti më nuk bisedohet me “Serbinë kriminele e cila shkaktoi gjenocid”, por me “Serbinë demokratike proevropiane, e cila është e interesuar ta ruajë paqen, dhe e cila është e brengosur për minoritetin e saj të pafajshëm i cili terrorizohet nga ekstremistët shqiptarë”.

Po ashtu, duhet cekur se edhe “Plani gjashtëpikësh i Ban Ki-Munit”, që nga 26 nëntori i vitit 2008 është i adaptuar në mënyrë unanime nga Këshilli i Sigurimit, e pranuam ne apo jo. Për atë miratim kanë votuar edhe miqtë tanë: SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca, sikurse edhe disa miq tjerë (si, bie fjala Belgjika, Kroacia, Italia etj.) që ishin anëtare të Këshillit të Sigurimit në atë kohë.

Pyetja e cila parashtrohet tashti është: sa jemi në gjendje ne që ta kundërshtojmë atë plan që e ka miratuar Këshilli i Sigurimit? Dhe, si do ta stopojmë realizmin e tij në praktikë, kur tashmë të gjithë miqtë e armiqtë na “rekomandojnë” (për të mos thënë na imponojnë) zgjidhje për veriun nëpërmes bisedimeve ku pala kosovare duhet dhënë serbëve një ofertë speciale e cila do t’i kënaqë ata. Sigurisht se nuk mjafton të thirremi në atë se zgjidhjen duhet gjetur brenda dokumentit Ahtisari dhe të apelojnë në gjakftohtësi, kur kihet parasysh fakti se pikërisht në bazë të atij dokumenti ne shpallëm pavarësinë, por që asnjëherë nuk u realizua në tërë territorin e Kosovës, dhe se sponsoruesit e dokumentit të Ahtisarit, si “palë kontraktuese”, deri më tani nuk ndërmorën asgjë për ta implementuar në praktikë atë dokument në tërë territorin e Kosovës (përkundrazi na sugjerojnë “miqësisht” që ne ta tejkalojmë atë dokument për veriun me qëllim që të ecim përpara).

Siç tha ambasadori i Francës në Kosovë: për veriun duhet vizioni e jo llafet. A nuk është kjo demagogji!

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Kalo në kategori