LAJMI I FUNDIT:

Shtëpia që mban çelësin e izolimit

Shtëpia që mban çelësin e izolimit

Që nga shpallja e Pavarësisë e këndej, të rralla mund të kenë qenë takimet e lidershipit të Kosovës me diplomatë e burrështetas të vendeve që janë pjesë e familjes së madhe evropiane, që kanë përfunduar pa ankesën se Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë që nuk po i hap dyert edhe për qytetarët e shtetit më të ri të kontinentit të vjetër.

Getoizimi i banorëve të kësaj pjese të Ballkanit perëndimor, gjatë gjithë kësaj kohe, është shndërruar në klishe që përmendet pa përjashtim nga secila figurë e ardhur në pushtet. Në anën tjetër edhe zyrtarët nga Brukseli, e mbajnë të pandryshuar retorikën se për t’u fituar kjo e drejtë, Kosova duhet t’i plotësojë kriteret.

Por, kush mund ta ketë pritur që do të vinte dita kur heqja e vizave për ata që veten e cilësojnë si “Young european”, do të ndërlidhej me fatin e një shtëpie. Rrethanës së krijuar i përgjigjet ajo thënia e famshme: “E pabesueshme, por e vërtet”.


“Si është e mundur kjo?”, do të mund të pyeste një i huaj.

Përgjigja është e thjeshtë.

Shtëpia ku është e vendosur Gjykata Kushtetuese i është dedikuar Avokatit të Popullit. Lirimi i objektit është vënë si kriter nga Brukseli, për liberalizim vizash. Mirëpo, gjyqtarët më kredibil që duhet t’i ketë shteti, nuk pranojnë të largohen prej saj, edhe sikur i gjithë populli të mbetet i izoluar. Tragjikomedi!. E njerëzit habiten me pak publik në teatër, kur shfaqje të tilla shohin çdo ditë në jetën reale!

E, teksa ky teatër absurdi vazhdon, edhe pak ditë në Aeroportin e Prishtinës do të zbresë Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos. Misioni i tij është që të shohë nëse janë plotësuar ose jo ato tetë kriteret e fundit për dhënien e rekomandimit për heqjen e vizave.

Paramendojeni se çfarë arsyetimesh mund të japin zyrtarët e Qeverisë për mossistemimin e Avokatit të Popullit: “I kemi lutur ata të Gjykatës Kushtetuese për ta liruar objektin, por nuk kanë pranuar! Por, ne zotohemi se nuk do ta lëmë keq Avokatin e Popullit”! Avramopoulus do t’i mbledh letrat dhe mbase do t’ju thotë: “OK, kur ta kryeni këtë punë, shihemi sërish. Veç, jo sivjet”!

Kështu, politikanët tanë do të ndahen me “hatërmbetje”, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë t’u drejtohen ambasadave për të marr viza, vetëm pse shteti i tyre i mjerë nuk qe në gjendje që ta ndërtojë një objekt jo privat dhe vetëm pse Qeveria qe tri vjet, për teket e një grushti të gjyqtarëve, nuk qe në gjendje që ta zhvendos Gjykatën Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë.

Lirimi i objektit të Gjykatës Kushtetuese, do duhej të ndodhte edhe sikur të mos ishte futur si një nga tetë kushtet/kriteret e paplotësuara për liberalizimin e vizave. Kjo do duhej të bëhej në emër të racionalizimit të shpenzimeve të parasë publike. Për çdo muaj, Institucioni i Avokatit të Popullit paguan nga pesëmijë euro për shfrytëzim të një shtëpie me qira. Kështu, për një vit humbin nga thesari 60 mijë euro të tatimpaguesve. Dështim është pak të thuhet në këso rastesh, kur kihet parasysh fakti se zotimet për t’i nxjerrë institucionet publike nga objektet private janë më të hershme se nomenklatura e tashme qeverisëse.

Arsyetimi i zyrtarëve qeveritarë se nuk mund t’ia imponojnë zhvendosjen Gjykatës, për shkak të ndjeshmërisë së institucionit, është sa absurd po aq edhe qesharak. Qeveria nuk duhet të ndërhyjë në vendimmarrjen e gjyqtarëve kushtetues, por ajo ka të drejtë dhe mund të merret me objektin e Gjykatës. Në të kundërtën, Gjykata Kushtetuese për jetë e mot do të duhej të mbetej aty ku është sot, pa iu nënshtruar kurrë as renovimit. Sepse, edhe renovimi, ashtu sikurse edhe ndërtimi kërkon para dhe ato nuk i lëshon kush tjetër pos Qeverisë.

Duke mos qenë në gjendje as ta detyrojë Gjykatën Kushtetuese që të zhvendoset në Pallatin e Drejtësisë e as ta ndërtojë një objekt të veçantë për Avokatin e Popullit, Qeveria po tregohet më e dobët se një këngëtar estrade i cili për më pak se një ditë, pas raportimit në medie të një rasti social, ia ka dalë- me ndihmën edhe të të tjerëve- që ta bëjë një familje me strehë.

E, kush nuk do të jepte para për të dalë nga izolimi?

Mijëra shqiptarë që e kanë kapërcyer ilegalisht kufirin gjatë dy dekadave të fundit, vetëm pse janë martuar për “letra” sot jetojnë e punojnë në Perëndim, pa drojën se një ditë mund të kapen nga autoritetet policore dhe do të riatdhesohen në vendin e origjinës. Një “kurorëzim teatral” secilit mund t’i ketë kushtuar jo më pak se 10 mijë euro fal shtetit tragjikomik, lëshimet e të cilit secili qytetar i paguan.

Kriteri për lirimin e objektit i cili do duhej të shënohej si rast i veçantë në historikun e Bashkimit Evropian, për aq sa e shpërfaq mjerimin shtetëror e tregon edhe papërgjegjësinë institucionale në Kosovë. Ky kriter nxjerr në pah edhe ‘kokëfortësinë’ që nganjëherë dimë ta tregojmë aty ku nuk duhet. Konica dikur thoshte se “shqiptarët më të shumtë janë shpirtrobër”, por, sot kjo thënie mbase do të mund të riformulohej: “shqiptarët më të shumtë e duanë lirinë por shpirtngushtët e paktë i mbajnë të ngujuar”. Kjo situatë na kthen edhe në kohën e Shyt Marecit, kur donte ta shpallte vendlindjen e tij shtet? Një çoban, që nuk ia mbante vetes për të mençur, i kishte thënë se kjo nuk bëhet pasi Mareci nuk kishte krip e gaz. Dhe, kështu dështoi “Republika e Marecit”! Ky rrëfim qesharak, por real, është pasqyrë edhe e realitetit të sotshëm! Sepse, kur një shtëpi e mban çelësin e izolimit, edhe shteti dështon!

(Autori është drejtor i informacionit në Tribuna Media Group)

Në trend

Më shumë
Një burrë dyshohet se ka grisur Kuranin në Prizren - kapet nga kamerat e sigurisë

Një burrë dyshohet se ka grisur Kuranin në Prizren - kapet nga kamerat e sigurisë

Lajme

"Thasë me vota të diasporës janë lënë në stacione të autobusëve", analistët: Procesi i votimit i kontaminuar

Politikë
Goditja e parë e administratës Trump për Kroacinë - i refuzohet hyrja në një organizatë të rëndësishme

Goditja e parë e administratës Trump për Kroacinë - i refuzohet hyrja në një organizatë të rëndësishme

Kroacia
Ish-kryetari i Graçanicës: 750 serbë nga Kosova do të përdoren për të mbrojtur Vuçiqin dhe destabilizuar protestat në Serbi

Ish-kryetari i Graçanicës: 750 serbë nga Kosova do të përdoren për të mbrojtur Vuçiqin dhe destabilizuar protestat në Serbi

Lajme
Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Ekonomi
Ola - banorja e vetme që po agjëron në Big Brother, por në një moment harron dhe bën një veprim të papritur

Ola - banorja e vetme që po agjëron në Big Brother, por në një moment harron dhe bën një veprim të papritur

Magazina
Kalo në kategori