LAJMI I FUNDIT:

Shtatëdhjetë vjetët e NATO-s

Shtatëdhjetë vjetët e NATO-s

Leonard Demi

Më 4 prill, në Uashington, në Godinën Harry S. Truman (Departamenti i Shtetit), Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) do të përkujtojë 70 vjetorin e themelimit.

Në këtë përvjetor, NATO ka shumë për të festuar. Aleanca më e madhe, më e fuqishme, më e suksesshme dhe më jetëgjata në histori është në gjendjen e vetë më të mirë, sepse ka dëshmuar një aftësi mbresëlënëse të adaptohet ndaj zhvillimeve të reja dhe mjedisit gjeopolitik, që po ndryshon me shpejtësi të madhe; të modernizohet dhe të jetë në lartësinë e zhvillimeve sociale dhe teknologjike; të njësohet rreth qëllimit dhe interesave të përbashkëta, duke siguruar partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Që me krijimin e vetë më 1949, themelet e NATO-s u mbështetën në vlerat tona të përbashkëta: demokraci, liri individuale dhe rend ligjor. Këto vlera janë pjesë përbërëse e cementit, që mban Aleancën të bashkuar prej 70 vjetësh: gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, në përfundim të saj, si dhe gjatë viteve që erdhën më pas.


NATO mbron Evropën dhe Amerikën e Veriut nga sulme konvencionale dhe bërthamore dhe siguron mjedisin gjeopolitik të dy ekonomive më të mëdha të botës: Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve. Të gjitha përpjekjet e kohëve të fundit e kanë bërë NATO-n më të fortë, më të aftë për të ndërhyrë dhe më të angazhuar se më parë (që nga koha e Luftës së Ftohtë). Lidershipi amerikan e ka ndihmuar NATO-n të ngrihet në lartësinë e sfidave të krijuara nga agresiviteti i Rusisë dhe të ndërmarrë reforma, që do ta forcojnë ende edhe më shumë gjatë viteve që do të vijnë. NATO po adapton strukturën e komandimit dhe po ngre dy komanda të reja: një për Atlantikun në Norfolk Virxhinia dhe tjetrën për lëvizshmërinë e forcave dhe logjistikën e Aleancës në Evropë, në Ulm të Gjermanisë. Për herë të parë, NATO ka të dislokuar katër grupe luftarake: tri në vendet Baltike dhe një në Poloni; ka rritur praninë e vetë ushtarake në pjesën lindore të Aleancës dhe ka trefishuar Forcën Reaguese, të cilën po e forcon edhe më.

Gjatë viteve të fundit, SHBA-të kanë rritur praninë e tyre në Evropë. Sot, numri i ushtarakëve amerikanë të dislokuar në Evropë ka arritur 68,000 trupa. Përveç trupave të përhershëm, SHBA-të po sjellin trupa me rotacion për një Brigadë Luftarake të Blinduar dhe një Brigadë Luftarake Ajrore. Armatime për të pajisur një forcë të madhësisë së divizionit po mbushin depot e Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë. Forcat amerikane po marrin pjesë me efektivitet të lartë nga njëra stërvitje te tjetra. Siç dihet, tanku i fundit amerikan la Evropën në vitin 2013.

Por sot, numri i tankeve amerikane në Evropë po rritet dita-ditës. Në kuadër të Iniciativës së Shkurajimit Evropian (EDI), SHBA-të po rritin numrin e trupave me rotacion, stërvitjet dhe trajnimet, pajisjet, teknologjinë amerikane etj.. Buxheti i EDI-së së këtij viti është dyfishuar: nga 3.4 miliardë në 6.5 miliardë dollarë dhe afërsisht, 1.9 miliardë dollarë të këtij fondi do të shpenzohet për të rritur praninë ushtarake amerikane në Evropë. Pothuaj gjysma e buxhetit të EDI-së për vitin 2019 do të alokohet për pajisje ushtarake për një njësi ushtarake të rangut të divizionit. Po kështu, plani 30x30x30x30 pasuron NATO-n me 30 batalione, 30 skuadrone ajrore dhe 30 anije të gatshme për t’u dislokuar në 30 ditë. Të gjitha këto masa tregojnë për një angazhim të vazhdueshëm të SHBA-ve në NATO.

Buxheti dhe shpenzimet për mbrojtjen kanë gjeneruar debate të ngahershme në Aleancë, por vitet e fundit kemi një rritje të dukshme të buxhetit të NATO-s, sipas vendimit të Samitin të Uellsit. Për vitin 2019, buxheti civil është 250.5 milionë euro dhe ai ushtarak është 1.395 miliardë. Në fund të vitit të ardhshëm do të shtohen edhe 100 miliardë euro nga rritja e buxhetit të mbrojtjes së vendeve anëtare. Vendet evropiane anëtare të NATO-s shpenzojnë për mbrojtjen tri herë më shumë sesa Rusia dhe pak më shumë se Kina. Shpenzimi i përgjithshëm i të 29 anëtarëve për mbrojtjen ishte 900 miliardë dollarë në vitin 2017. Kjo shifër zë 52 për qind shpenzimeve botërore për mbrojtjen.

është e vetmja mbrojtje e Evropës kundër agresivitetit të Rusisë, e cila po i ndërhyn në çështjet e veta të brendshme dhe në proceset demokratike. Ngjarjet e vitit 2014, që ndryshuan situatën e sigurisë në Evropë, treguan se Rusia sot është rreziku kryesor i sigurisë në rajonin euroatlantik. Ajo ka aneksuar Krimenë dhe shkel sovranitetin e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë; ka kryer sulme kibernetike kundër shteteve baltike dhe Ukrainës; kryen stërvitje dhe manovra gjatë kufirit të NATO-s; ka zgjeruar aktivitetin ushtarak në Arktik dhe në Atlantikun e Veriut; ka ndërhyrë në Lindjen e Mesme kundër interesave Perëndimore, ndërhyn në proceset demokratike të anëtarëve të Aleancës në Evropë dhe në Ballkan; ka ndërhyrë në zgjedhjet e SHBAve dhe vendeve të tjera perëndimore; ka sulmuar anije të flotës ukrainase, që kalonin transit në Ngushticën Kerç për në portet e Ukrainës në detin Azov.

Minon rendin ligjor ndërkombëtar për të rindarë Evropën në sfera influence, duke rritur ndikimin rus në vendet kufitare me Rusinë, veçanërisht në Ukrainë dhe në Gjeorgji; shfrytëzon çdo rast të gërryejë kohezionin e NATO-s dhe të BE-së, të rrisë përçarjet në vende të veçanta, anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Me një NATO dhe BE të dobët, Presidenti Putin e ka shumë të lehtë ta bëjë Federatën Ruse një kundërpeshë ushtarake në Evropë dhe të mënjanojë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga operacionet destabilizuese ruse në lindjen dhe juglindjen evropiane: nga shtetet baltike në veri, deri në Ballkanin Perëndimor, ku aktivizon një gamë të gjerë mjetesh e masash, si: provokatorë politikë, operacione informimi, vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të qeverive, kërcënimin e interesave ekonomike kombëtare, mobilizimin e partive apo grupimeve politike për veprimtari të posaçme politike, operacione kibernetike, grupe apo institucione fetare, mbështetës të dukshëm dhe të padukshëm, forca ushtarake konvencionale, si dhe pushtetin e forcave bërthamore.

Në këtë situatë mjaft të tensionuar, në marrëdhënien me Rusinë, NATO vazhdon të mbështetet në qasjen e vetë me dy drejtime: (i) shkurajim dhe mbrojtje dhe (ii) dialog politik. Siç përshkruam edhe më sipër, NATO inkurajon një spektër të gjerë kërcënimesh dhe mbron çdo ditë, jo vetëm 100 milionë qytetarët e Evropës Lindore, të cilët jetojnë në demokraci dhe liri që nga rënia e komunizmit, por edhe 900 milionë qytetarë të tjerë evropianë dhe amerikano-veriorë.

Në këtë përpjekje të mrekullueshme, BE është partneri më natyror dhe më strategjik i NATO-s. Të dyja organizatat ndajnë të njëjtat vlera dhe 22 vende anëtare të NATOs janë anëtare të BE-së. BE dhe NATO zotërojnë një potencial shumë të madh, që zgjeron dhe forcon misionet e NATO-s kudo qofshin. Ky potencial është shumë më i madh sesa ai që mund të arrinte NATO me të dyzetë vendet partnere. Në këtë ndërmarrje, të dyja organizatat kanë interes të mënjanojnë dublimet dhe të zhvillojnë kapacitete mbrojtëse komplementare për të përballuar taktikat hibride.

Të dyja organizatat janë të ndërgjegjshme të përmirësojnë koordinimin ndërmjet tyre, duke u përqendruar në sigurinë kibernetike dhe në stërvitje të përbashkëta. Kësisoj, NATO mirëpret përpjekjet për një mbrojtje më të fuqishme të BEsë dhe një unitet më të madh evropian. Por uniteti evropian nuk mund të zëvendësojë unitetin transatlantik dhe përpjekjet e BEsë për mbrojtje, nuk janë një alternativë që mund të zëvendësojë NATO-n. Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, 80 për qind e shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen do të sigurohen nga vende që nuk janë anëtare të BE-së. NATO dhe BE, në unitet me njëri-tjetrin, ende përpiqen të fuqizojnë forcat demokratike në të gjithë Ballkanin Perëndimor për të eliminuar përfundimisht efektet helmuese të disa liderëve, që kanë humbur prej kohësh legjitimitetin të drejtojnë vendet e tyre. Ky është një rast që fton NATO-n, BE-në dhe SHBA-të të mos çojnë dëm investimin e madh që kanë bërë për sigurinë e Ballkanit.

Sot, NATO bashkëpunon me një numër të konsiderueshëm partnerësh (40) dhe organizatash ndërkombëtare në të gjithë globin dhe ka kryer e kryen një sërë operacionesh shumë ambicioze jashtë territorit të vendeve anëtare, kryesisht në Ballkan, Afganistan dhe në Libi. Nëpërmjet Partneritetit për Paqe, Dialogut Mesdhetar dhe Iniciativës së Bashkëpunimit të Stambollit, Aleanca ofron trajnime dhe stërvitje, këshillon dhe po punon të aftësojë shumë syresh të mbrojnë veten, duke u ngritur kapacitetet e nevojshme. Me partnerët e vetë globalë, si: Australia, Japonia, Koreja dhe Pakistani, NATO ka miratuar marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi. Po kështu, Aleanca ka ngritur Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride në Helsinki, Finlandë.

Politika e Derës së Hapur është një nga sukseset e mëdha të Aleancës. Zgjerimet e herëpashershme kanë forcuar sigurinë tonë kolektive dhe sigurinë e të gjithë rajonit euroatlantik. Kështu, Aleanca i hapi dyert e veta për demokracitë e reja që lindën nga shpërbërja e bllokut sovjetik dhe në këtë mënyrë, ajo forcoi sigurinë dhe nxiti ndryshimet demokratike në një Evropë më të gjerë. Falë kësaj politike, ky vit shënon: 20vjetorin e anëtarësimit në NATO të Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë; 15 vjetorin e anëtarësimit të 3 vendeve baltike, Sllovakisë, Sllovenisë, Rumanisë dhe Bullgarisë; si dhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë. Më 5 qershor 2017, Mali i Zi u bë zyrtarisht anëtari i 29të i Aleancës dhe Maqedonia e Veriut nënshkroi protokollin e pranimit më 6 shkurt të këtij viti. Maqedonia e Veriut do të bëhet vendi i 30-të i Aleancës, kur protokolli i pranimit të miratohet nga parlamentet e vendeve anëtare. Me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, NATO po konsolidon pozitën e vetë në Ballkanin Perëndimor si garantues i sigurisë dhe nxitës i bashkëpunimit ndërshtetëror. Integrimi euroatlantik i rajonit ka forcuar vlerat demokratike, reformat dhe zbatimin e shtetit ligjor.

Sot, NATO përballet me sfida të ndryshme. Në disa vende anëtare po vihen në pikëpyetje angazhimet e tyre ndaj vlerave themelore të Aleancës. Rritja e prirjeve autoritare, që gërryejnë vlerat demokratike, nuk është e re për Aleancën. Në të kaluarën, ajo është përballur edhe me diktatura ushtarake. Kësisoj, Aleanca do të reagojë kundër centralizimit autoritar të pushtetit ekzekutiv, ndalimit të shtypit të lirë, shtypjes së shoqërisë civile dhe të opozitës politike apo ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, kudo që të shfaqet.

Në këtë fillim shekulli të turbullt dhe përçarës, ku fuqitë autoritare janë në rritje, nuk do të thoshim ndonjë gjë të tepërt po të kumtonin se, në qoftë se NATO nuk do të ekzistonte, vendet e dy anëve të Atlantikut duhet ta krijonin atë. Sot po bëhet gjithnjë mëse e qartë se dobësimi apo lëshimi i NATO-s do të ishte një katastrofë në politikën e jashtme euroatlantike dhe do të fuqizonte autokratë si Vladimir Putini, i cili kërkon të dobësojë Aleancën për të rritur pushtetin dhe influencën e vet politike dhe ushtarake në Evropë. Studiues të ndryshëm besojnë se pasoja më katastrofike pa NATO-n do të ishte rreziku i një agresioni rus, që mund të ripushtonte vendet baltike dhe të zotëronte më shumë territore ukrainase; së dyti, do të zvogëlohej ndikimi ushtarak, politik dhe interesi ekonomik i SHBA-ve në Evropë dhe, po kështu, do të kërcënoheshin interesat jetësore amerikane; së treti, do përkeqësoheshin ndarjet në Evropë, NATO jo vetë që mban të bashkuar forcat ushtarake evropiane, por siguron forumin kryesor për të diskutuar çështje të sigurisë; së katërti, aleancat amerikane në Azi do të tronditeshin dhe aleatët e Amerikës do të kërkonin të afroheshin me Kinën dhe së fundi, rendi ndërkombëtar liberal do të ishte pranë kolapsit.