LAJMI I FUNDIT:

Shtatë arsyet…

Pse zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejtë

Kosova ka nevojë që sa më shpejt të arrihet stabiliteti institucional. Nëse nuk është e mundur që presidenti të zgjidhet me marrëveshje të partive në koalicion, apo të zgjidhet një president koncensual, partitë politike duhet menjëherë të caktojnë datën e zgjedhjeve në kohën më të afërt të mundshme. Ja disa nga arsyet.

E para, procesi i njohjeve do të lëvizë tepër ngadalë nëse vendi nuk arrin një legjitimitet më të qëndrueshëm institucional. Ofensiva e diplomacisë serbe dhe neglizhenca e diplomacisë sonë kanë konvergjuar (!) në atë mënyrë që procesi i njohjeve pothuajse ka stagnuar. As pas këtij dështimi nuk shohim ndonjë lëvizje pozitive të Ministrisë së Punëve të Jashtme që ta ndërrojë konceptin e punës së saj lidhur me njohjet. Nëse një situatë e pazakonshme politike, në të cilën Kosova gjendet tani, nuk arrihet të kalohet shpejt, atëherë do ta kemi krizën politike që do ta implikonte krizën institucionale. Është e kuptueshme se një imazh i tillë do t’i bënte dëm të madh procesit të njohjeve.


Arsyeja e dytë është dialogu me Serbinë, apo integrimi me Evropën. Meqenëse qëndrimet e Kosovës për agjendën e bisedimeve janë të njohura, nuk është praktikisht e dobishme që të mos respektohen afatet e BE-së. Qëndrimi i BE-së është i qartë se Serbia dhe Kosova do të hynë paralelisht në Evropë. Por kjo është e saktë vetëm politikisht, në kuptimin që ato nuk mund ta shantazhojnë njëra tjetrën. Pra, në praktikë mund të ndodh ndryshe. Nëse ne vonohemi me detyrimet tona në këtë proces, nuk është reale që të presim të hyjmë në BE paralelisht me Serbinë, e cila të themi kushtimisht, do t’i kryente detyrat para nesh. Në një situatë të tillë (hipotetike), askush nuk mund ta parashikojë diplomacinë serbe, e cila di të luajë poteza shumë hipokritë.

Arsyeja e tretë ka të bëjë me anarkinë institucionale. Kosova duhet të çlirohet nga barra e zgjedhjeve që kapacitetet politike të fokusohen në veprimtaritë shtetërore në vend të atyre partiake. Ta marrim rastin e ministrit Bukoshi për shembull. Ende pa arritur ta shohim ndihmën e parë të tij ndaj shëndetësisë që është në gjendje kome, ai ka ndërruar fokusin e angazhimeve të tij duke nisur fushatën elektorale brenda partisë. I njëjti pastaj do të jetë i zënë me fushatën e zgjedhjeve nacionale. Tagrin për këtë nuk do ta paguajë Bukoshi, as LDK-ja e as qeveria, por qytetarët që kanë nevojë për një kujdes tjetër shëndetësor. Ideja është që sa më shumë të zgjasë kjo “aventurë” e tij aq më tepër do të zgjasë edhe koma e shëndetësisë kosovare. Situatë të ngjashme, edhe pse jo kaq absurde, mund të kemi edhe me ndonjë ministri tjetër të LDK-së, si me Ministrinë e Jashtme bie fjala.

Analogjikisht, së shpejti pritet që edhe PDK-ja ta fillojë procesin e saj zgjedhor, i cili mund të marrë shumë energji të vetë Kryeministrit, zëvendësit të tij dhe ministrave të kësaj partie. Ky proces pritet të ndikojë veçanërisht në funksionimin e dy ministrive më të ngarkuara me punë, siç është Ministria e Arsimit dhe Edukimit dhe ajo e Postës dhe
Telekomunikacionit, në krye të të cilave janë dy figura kyçe të PDK-së, Enver Hoxhaj, përkatësisht Fatmir Limaj, që të dytë nënkryetarë të PDK-së.

Arsyeja e katërt është koncepti qeverisës. Ka një kohë që opozita kosovare ka shfaqur zëshëm skepticizmin e vet ndaj koalicionit qeverisës. Një pjesë e shoqërisë civile ka paralajmëruar organizimin e një subjekti politik me pretendime për një qeverisje ndryshe. Nëse këta subjekte e kanë pasur seriozisht, atëherë behari ka ardhur në kopshtin e tyre më herët sesa kanë menduar. Kjo është dita që ata e kanë kërkuar dhe nuk do të duhej t’i frikësoheshin. Gjithashtu, disponimi i qytetarëve për ta ndërruar konceptin qeverisës është evident. Por, në të njëjtën kohë ata kërkojnë të shohin se cila është oferta alternative. A ka vepra pas fjalëve. Për ta fituar minimumin e besimit këto subjekte do të duhej të kishin të paktën programe atraktive. Vërtet është kohë e shkurtër, por adaptimi në këtë limit kohor do të dëshmonte për vlerat organizative të subjekteve të reja. Ai që di ta organizojë veten, ka gjasa se di ta bëjë edhe qeverisjen e mirë.

Arsyeja e pestë është ekonomia e vendit. Sa kemi parë deri më tash, të çarat mes koalicionit qeveritar kanë filluar. Shtyrja e miratimit të privatizimit të PTK-së në seancën e fundit të Kuvendit flet për fillimin e luftës psikologjike mes partnerëve të koalicionit. Kjo mund të rezultojë me situata të paparashikueshme që mund ta fusin vendin në krizë të vërtetë. Dihet se Fatmir Sejdiu, lider aktual i LDK-së, pas situatës së krijuar me dorëheqjen e tij, nuk e ka as gjysmën e peshës që kishte më pare për t’i amortizuar tendencat e tilla në partinë e vet, ndërkohë që pengesat rreth privatizimit, apo miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm mund ta shpijnë vendin në kolaps të vërtetë financiar, sidomos kur gjithandej flitet për deficitet e mundshme buxhetore në vitin që vjen.

Arsyeja e gjashtë është korrupsioni. Nëse zhurma e opozitës, e shoqërisë civile dhe e mediave për korrupsionin në qeveri përmban qoftë edhe fare pak nga gjendja reale, atëherë është moment i mirë që një spirale e tillë të ndërpritet. Sa më shpejt aq më mirë. Ndërsa, një gjendje pak a shumë anarkie për disa muaj me radhë, mund ta keqësojë situatën. Por, në anën tjetër, nëse është i vërtetë zotimi i qeverisë për jotolerancë ndaj korrupsionit e që ka zëra se këtë zotim Brukseli ta ketë pranuar seriozisht, atëherë tranzicioni i shpejtë dhe efikas i qeverisjes do ta ruante dhe përcillte shumë më lehtë këtë frymë në qeverinë e re. Kjo do të thoshte dhe një plus drejt integrimit evropian.

Dhe e shtata, që mund të mos jetë arsyeja e fundit, është vetë Kuvendi i tanishëm. Një pjesë e madhe e deputetëve të këtij Kuvendi as përafërsisht nuk e kanë kryer punën e tyre si duhet dhe po të kishte mekanizëm legjitim për shkarkimin e tyre, kjo pune duhej të kish përfunduar qëmoti. Përderisa disa deputetë janë shquar për mungesë të kompetencës minimale, të tjerët kanë uzurpuar vende pune dhe funksione te dyfishta edhe kur kjo ka qenë në kundërshtim me ligjin. Ndoshta, e mira e zgjedhjeve të parakohshme është pikërisht mundësia e ndërrimit të deputetëve të tillë para përfundimit të mandatit të
rregullt. Të gjitha partitë i kanë arsyet e veta pse duan që zgjedhjet të mbahen tash apo më vonë. Por interesat partiake duhet lënë anash që të arrihet një stabilitet i shpejt politik dhe institucional në vend.

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori