LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët nën vellon HD

Dikur në një kohë ishte e pamundur të shihnim imazhe lëvizëse, madje as bardh e zi. Pastaj më vonë filloi diçka, mirëpo megjithatë na duhej gjithmonë një person për të qëndruar në ballkon me antenë në duar, në mënyrë që njerëzit brenda shtëpisë të servoheshin me pamje në kutinë e quajtur televizor.

Kaloi edhe kjo kohë. Filluan ngjyrat. Meqë filluan ngjyrat dhe gati gjithçka dukej e përsosur, shqiptarët menduan se diçka megjithatë po i mungonte televizorit: ishte ajo “tentena” mbi të. Ndonjëherë qëndisej aq e madhe “tentena” sa që e mbulonte një pjesë të mirë të aparatit televiziv.
Kjo ishte shpikja e shkencës sonë: i shtuam diçka vendore televizorit e jo televizionit. Në ndërkohë, shkenca e vërtetë teknologjike u zhvillua dhe në treg filluan të dalin televizorët shumë të hollë si keksa (flat), me një pamje e rezolucion shumë të lartë e që u bënë të njohur si high definition (HD).

Pas gjithë kësaj pune lindet pyetja: a thua ku iu mbeti “tentena” shqiptarëve? Përgjigjja mund të duket e vështirë për t’u gjetur, por është shumë e thjeshtë: tani tentena u vendos nën televizor.


Kur flasim për show-emisionet këndej e andej, flasim për një komb, i cili në paraqitjen vizuale/televizive ndryshon shumë. Nuk është e domosdoshme të shikohet logoja, sepse menjëherë kuptohet se cilës anë i përket kanali përkatës: Shqipërisë apo Kosovës. Siç denoton edhe titulli më lartë, po i bie që në këtë artin/biznesin e televizionit, Shqipëria është si dita e Kosova, fatkeqësisht, si nata.

Duke u munduar ta shpjegoj këtë punë më mirë, menjëherë më vjen t’ia bëj vetes një pyetje: Pse po i ndodh kjo Kosovës? Para së gjithash e pa u zgjeruar tepër, problemi fillestar qëndron te ndarja e posteve. Në televizionet kombëtare të Kosovës janë vendosur njerëz, të cilët nuk kanë aftësi e dijeni mbi televizionin. Për më tepër, ata krenohen me titujt që mbajnë, e shumë prej tyre në të vërtet as që dinë ta japin një definicion të thjeshtë të postit që e mbajnë. Besa, kur e shohin emrin në titujt në fund të emisioneve, duket sikur zgërdhihen brenda vetes me një krenari të pamerituar.

E kur në fund shihet rezultati dhe juria janë shikuesit me telekomandë në dorë, të cilët vendosin për vete, shohim se Kosova është gati gjithmonë në atë zonën e rrezikshme për të rënë nga liga konkurrente e televizionit.

Këtu, përsëri fatkeqësisht, menjëherë të shkon mendja tek ato zbritjet e mëdha që ndodhin në mega-dyqanet e vendeve më të zhvilluara në botë (alla Black Friday). Jo për shkak të arkitekturës apo madhësisë së dyqaneve apo të vetë artikujve në zbritje, por pikërisht për shkak të tollovisë që ndodh gjatë asaj zbritjeje.

Lidhja ndërmjet realizimit të emisioneve dhe transmetimit të tyre është shumë e shkëputur nga njëra-tjetra. Xhirimet dhe kuadrat e kamerës nuk e kanë përkushtimin e duhur, sepse duket sikur fillojnë duke e menduar fundin dhe kryerjen e punës e jo qëllimin primar e kryesor të tyre: realizimin e denjë të një emisioni të mirë për informimin/edukimin/argëtimin (tri shtyllat e BBC-së) e shikuesve.

Disa nga emisionet bëhen vetëm se duhet bërë për ta ngjeshur skemën programore. Disa të tjera bëhen sepse kërkohen, por jo nga shumica po nga individë të caktuar. Disa bëhen se kanë pjesë një figurë publike, ani pse ai person gati që nuk e ka idenë sa çfarë po bën aty.

Këto skema programore janë aq të ngjeshura, sa që gjatë paradites gati kurrë nuk mungon logoja me shkronjën R (ritransmetim). Besa, ndodh që ndonjëherë programi të ritransmetohet më shumë se dy herë. E kur emisionet premierë nuk e tërheqin vëmendjen e duhur, atëherë mund ta paramendoni se çfarë do të ndodh me ritransmetimin e atij emisioni. Pra, është e qartë se këto programe të mërzitshme janë të radhitura në skemë sa për sy e faqe, sepse ne brendësi janë të shterrura dhe pa ndonjë rrëfim kuptimplotë/estetik që t’iu mbetej në kokë shikuesve.

Unë (shikuesi) dua të shoh diçka që do të m’i merrte sytë. Dua të mësoj diçka përmes vizuales. Dua të informohem me pamje nga vendi i ngjarjes. Dua te shoh diçka që më bën të ndihem mirë. Dua ta ndiej artin mediatik. Të gjitha këto i dua në shqip, sepse unë veç kam filluar të shikoj HD.