LAJMI I FUNDIT:

“Shpërndani bursa edhe për nivelin e studimeve Master”

“Shpërndani bursa edhe për nivelin e studimeve Master”

I nderuari rektor Zejnullahu

Vazhdimisht kam qëndruar pas vendimeve tuaja dhe i kam mbështetur fuqishëm ato. Pa mëdyshje, edhe në të ardhmen do të ju mbështes, sa herë që do të merrni vendime të drejta.

Dua të ngris shqetësimin tim, si dhe të kolegëve të tjerë si puna ime,në lidhje me largimin e studentëve të nivelit master nga bursa universitare.


Të gjithë nivelet e studimeve, janë pjesë e shtëpisë tonë të madhe UP-së, të gjithë ne po i nënshtrohemi kushteve në mënyrë të barabartë, të gjithë i kryejmë obligimet tona të paracaktuara ndaj është pjesë jona, mirëpo kur vjen puna tek përfitimi i bursave, një pjesë e anëtarëve të kësaj shtëpie po neglizhohet!

Më lejoni të ju përkujtojë që bursa universitare nuk është ndihmë sociale, mirëpo është nxitje për studentët që të arrijnë rezultate sa më të mira.

I nderuar rektor, gjatë mandatit tuaj, vazhdimisht keni luftuar për ngritjen e cilësisë në universitet, mirëpo si mendoni të ngrisni cilësinë në studime kur studentët nuk vlerësohen për asgjë? Mos i ktheni fondet e universiteti mbrapa, sikurse vitin e kaluar, sepse ato do të keqpërdoren, por shpërndani bursa për studentët tuaj, për të ardhmen e këtij universiteti për të ardhmen e këtij vendi.

Përkundër faktit që u përballa me kushte të mjerueshme në fakultet, përkundër faktit që është dashur të hyja në provime me dorëza në dorë e kapelë në kokë për shkak të të ftohtit, përkundër mungesës së laboratorëve, e përkundër shumë mungesave të tjera elementare; Këtë vit arrita t’i përfundojë të gjitha provimet me kohë dhe të kisha rezultatet më të mira (më falni për jo modesti), universiteti nuk më shpërbleu me asgjë, nuk u interesua askush të paktën të më përgëzojë për arritjet e mia ose të më jep ndonjë copë letre në shenjë mirënjohje, e në fund po privohem edhe nga bursa! Arsyetohet kjo?

Në kohën kur e gjithë bota po lufton t’i ofroj afër vetës studentët më të mirë, me këto vendime, këta pak studentë që kanë mbetur, nxiten të largohen sa më parë. Si mendoni të ngritët cilësia kur po detyrohet të largohet ajka e studentëve e të UP-s?

Kush po mbetet këtu?

Edhe ju rektor i nderuar, e njihni mirë situatën aktuale në vendin tonë, po besoj e dini që mbi 90% e studentëve në nivelin e studimeve master janë të papunësuar, andaj mos lejoni të dëshpërohen nga ngushëllimi i vetëm i tyre, universiteti.

Nga lista e studentëve, përfitues të bursës nga MASHT, shohim se ekziston një numër tejet i vogël i studentëve potencial, niveli master,për përfitim të bursës (http://masht.rks-gov.net/studentet ),

Kandidatët potencial për bursa
FIEK- BACHELOR 44 93.6%
FIEK- MASTER 3 6.4%
Gjithsej 47 100%

Nëse përfshihet edhe niveli master i studimeve në shpërndarjen e të njëjtit fond të ndarë, nga rezultate më lartë, shihet sedo të kishim një ndikim tejet të vogël në vlerën përfundimtare të bursës.

Nëse bëjmë një krahasim në mes të studenteve të cilët kanë arritur të i plotësojnë kushtet për bursë dhe studenteve të regjistruar nxjerrim këto rezultate (http://fiek.uni-pr.edu/Lajmet/Rezultatet-e-pranimit-te-studenteve-ne-studimet-Ma.aspx ),

FIEK-MASTER

Jo potencial për bursë 104 97.2%

Potencial për bursë 3 2.8%

Gjithsej student të regjistruar 107 100%

Pra vetëm 2.8% e studentëve kanë arritur t’i plotësojnë kushtet e përfitimit të bursës, që nënkupton se nevojitet sakrificë e lartë për të i arritur këto rezultate. Andaj, mos e nënvlerësoni punën e këtyre studentëve.

Nëse e vendosni vetën tuaj në pozitën tonë, nëse i analizoni arsyetimet e paraqitura më lartë, nëse i shikoni mundimet tona për ti arritur këto rezultate, nëse ktheheni mbrapa dhe mendoni për bursat që i morët ju gjatë kohës sa ishit student (bursa me të cilat jo vetëm që i mbuluat shpenzimet tuaja mirëpo arritët ti ndihmoni edhe familjet tuaja), nëse filloni e mendoni që edhe në vendet me të pazhvilluara afrikane ekzistojnë bursa për studentë, sigurisht dhe ju do të mendoni që edhe ne e meritojmë nga një bursë simbolike me të cilën të paktën do ti mbulonim shpenzimet administrative të universitetit.

Duke u bazuar në punën tuaj si profesor dhe tani si rektor i universitetit, besoj që do t’a merrni në konsideratë shqetësimin tim dhe të kolegëve të mi, dhe sigurisht do të bëni një zgjidhje edhe për këtë grup studentësh.