LAJMI I FUNDIT:

Shoqata e të Përndjekurve, gjeni eshtrat e 316 të ekzekutuarve

Shoqata e të Përndjekurve, gjeni eshtrat e 316 të ekzekutuarve

Kryetari i Shoqatës së Ish të Përndjekurve, Zenel Drangu, i kërkoi të martën Ministrisë së Brendshme të angazhohej për gjetjen e eshtrave të 316 të pushkatuarve në kohën e regjimit komunist në Shkodër.

Zoti Zeneli bëri thirrje që ministria e Brendshme të vendosë në dispozicion hartat që disponon në arkivat e saj për të gjetur këto eshtra, diçka që sipas tij është lehtësisht e mundshme, pasi për çdo person të ekzekutuar nga regjimi komunist është mbajtur proçesverbal.

“Me këtë rast do bëja thirrje që t’i kthejnë sytë nga ne që jemi shtresa më e përvuajtur. Të na jepet mundësia që të gjendeshin eshtrat dhe të varrosen në mënyrë që familjarët të dinë ku të çojnë një tufë me lule”, tha Kryetari i Shoqatës së Ish-të përndjekurve Zenel Drangu.

Postriba është një tjetër zonë, ku sipas kryetarit Drangu ekzistojnë të tjera eshtra të personave të pushkatuar, prandaj sipas tij duhet që strukturat përkatëse të nisin kërkimet.


Kjo kërkesë erdhi pas gjetjes së eshtrave të të pushkatuarve të revoltës së Qafë Barit, Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës disa ditë më parë ndërkohë që ka më tepër se 20 vjet që të përndjekurit politikë kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre, të cilët janë pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste.

Ende mbeten të pazbardhura varrezat e rreth 316 të ekzekutuarve vetëm në Qarkun e Shkodrës, ndërkohë që në rang vendi ky numër shkon në 4500, raportoi BW./Telegrafi/