LAJMI I FUNDIT:

Shkollimi me forcat tona dhe piramida e universiteteve private

Dikur është thënë që kush nuk mëson nga historia është i destinuar që të pësojë të njëjtat gabime, dhe me sa sipërmarrësit shqiptarë nuk kanë vënë mend siç do duhej nga procesi i kioskëzimit, dhe kjo vihet re me kërpudhëzimin e arsimit të lartë privat dhe tatëpjetën që ky sektor ka nisur të marrë. Në literaturën e shkencave sociale, kioskëzimi quhet zakonisht sjellje kope (herd behaviour) dhe nënkupton masivizimin e një sjellje të caktuar prej turmës individët e së cilës imitojnë njëri tjetrin dhe ndërmarrin veprimet të caktuara me ngut pa i peshuar mirë pasojat. Moda e fundit pas kioskave, firmave piramidale, ndërtimeve, lokaleve, hoteleve ishte pikërisht hapja e shkollave të larta private. Epidemia e shkollave të larta lidhet me një tjetër reminishencë historike por e një të kaluare edhe më të largët, asaj të përmbushjes së nevojave duke “prodhuar gjithçka mbështetur tërësisht me forcat tona dhe hov revolucionar”. Skeletet e ambicieve të industrisë së rëndë të regjimit komunist që sot zhvaten dita ditës për skrap, nuk u kanë shërbyer shqiptarëve për t’i parandaluar në një ambicie tjetër po aq absurde sikurse është realizimi i arsimimimit të lartë me forcat tona, në një kohë kur tradita dhe trashëgimia jonë akademike është minimale.

Në fillimet e veta ky sektor i dominuar nga pak aktorë u duk goxha fitimprurës dhe kjo shtyu shumë sipërmarrës që të imitonin universitetet e para private duke hapur të rejat. Mirëpo në këto momente po dallohen simptomat e para që dëshmojnë se ky fenomen e ka kaluar kulmin e kurbës së rritjes dhe tani është duke përjetuar një tatëpjetë. Shumë nga universitetet private janë duke pësuar probleme serioze ekonomike që shihet nga fakti që disa syresh nuk i paguajnë rregullisht pedagogët, po minimizojnë numrin e pedagogëve të jashtëm duke u ngarkuar një barrë të jashtëzakonshme akademike pedagogëve të brendshëm që kanë apo edhe me disa shitje aksionesh apo transferim pronësie që është vënë re në disa prej institucioneve. Kjo situatë paralajmëron tërmetin e këtij sektori të cilën e kanë pësuar vende të tjera të Evropës Lindore më herët. Rasti klasik është ai i Rumanisë ku në vitet 90-të u ngritën mbi 180 institute private të arsimit të lartë e në fillim të viteve 2000 ky numër shkoi në rreth 30, me dhjetëra universitete që falimentuan e u zhdukën.

Një ndër faktorët që çoi në inflacionin e kërkesës për arsim privat ishte prania e një segmenti domethënës të shoqërisë që ka pasur dëshirë për të patur arsim të lartë por nuk ka pasur mundësi dikur sepse nuk kanë pasur biografi të mirë politike, u është dashur të emigrojnë për nevoja ekonomike ose nuk kanë mundur të pranohen në universitetet shtetërore në kohën kur kriteret e pranimit kanë qenë të rrepta. Mirëpo kjo rezervë kliente është shteruar tashmë ndërkohë që universitetet shtetërore kanë lehtësuar kriteret e pranimeve dhe kanë shtuar në mënyrë të ekzagjeruar kuotat e pranimit për studentë të rinj duke ofruar mundësi arsimi për rreth 80% të maturantëve, ndërkohë që edhe në vendet më të zhvilluara si Britania vetëm gjysma e maturantëve shkojnë në universitet pas shkollës së mesme. Këtu shtohet edhe tepria e ofertës duke arritur numrin 39 të shkollave private ne këtë moment duke dëshmuar për lehtësinë me të cilën janë dhënë licencat e shkollave private në Shqipëri. Ky është numër goxha i madh kur kihet parasysh që Spanja ka 22 dhe Bullgaria diku tek 23 shkolla të larta private. Procesi i akreditimit nga i cili shpresohej që të bëhej një filtrim i shkollave private ka dështuar në shfryrjen e sektorit sikurse ngjau në Kosovë, dhe ka certifikuar disa prej shkollave më të përfolura për diploma fiktive vetëm se këto shkolla kanë pasur mbështetje e lidhje politike apo kanë vënë në dispozicion shuma të majme ryshfetesh.


Një tjetër arsye pse ky sektor u inflacionua ishte edhe mungesa e arsimit profesional ose teknik dhe mania për të pasur një diplomë të lartë pa e vrarë mendjen nëse ajo diplomë të çon drejt një punësimi apo karriere të suksesshme. Në këtë pikë e fundit del edhe problemi tjetër i arsimit të lartë privat i cili është përqendruar tek fushë të hiper-romantizuara si juridiku, ekonomiku apo shkencat politike, por që nuk kanë kërkesë punësimi. Tanimë janë bërë disa breza të diplomuarish prej universiteteve private të cilët janë ballafaquar me tregun e punës dhe e kanë kuptuar se cilësia e tyre e shkollimit dhe emri i shkollës ku janë diplomuar jo vetëm nuk i ka ndihmuar, por ka qenë një barrë në procesin e punësimit. Kjo situatë ka bërë që prindërit ta mendojnë dy herë çuarjen e fëmijëve në një shkollë private të lartë. Heqja e vizave gjithashtu ka rritur mobilitetin e studentëve shqiptarë të cilët duke udhëtuar pa viza do kenë mundësi të njohin më mirë sistemet arsimore të Evropës Perëndimore dhe për rrjedhojë të kuptojnë se në shumë vende arsimi është falas, kostot e jetës janë të ngjashme me Tiranë dhe cilësia e shkollës është vite dritë larg cilësisë së shkollave private të Tiranës.

Mundësimi i ofrimit të programeve master dhe doktoraturë nga shumë universitete private vetëm e majisi më tej situatën dhe shërbeu si “serum” ose “patericë” për të vonuar shembjen e disa prej këtyre universiteteve por që vështirë se do t’ia sigurojë jetëgjatësinë e pashmangshme. Shteti shqiptar duhet të marrë masa për të mos u gjetur i papërgatitur në një situatë të rënies së skemave piramidale universitare që po jep shenjat e para sot duke nisur nga parandalimi i një rrjedhje të re të trurit. Duhen marrë masa për të rritur rrogat e pedagogëve të universiteteve publike në mënyrë që shumë individë të mirëarsimuar në perëndim që do ngelen pa punë me shfryrjen e sektorit privat të universiteteve, të mos detyrohen të ikin prapë nga vendi, por të kenë motive materiale për tu punësuar në shkollat shtetërore. Po ashtu nevojitet që të merren masa për të lehtësuar transferimin në universitete publike të atyre që janë duke zhvilluar apo kanë mbaruar arsimin në shkollat private që po falimentojnë.

Por ajo që është më e rëndësishme është që duhet të vetëdijesohemi që ashtu sikurse Shqipëria nuk kishte kapacitete dikur për të prodhuar makina dhe investimi marramendës në kombinatin e auto-traktorëve gjatë regjimit komunist ishte një gabim trashanik me pasoja të rënda për ekonominë, duhet të vetëdijesohemi sot që ne nuk kemi kapacitete njerëzore për të mbajtur në këmbë gjithë këtë ngrehinë të zbrazët të arsimit të lartë. Kjo ngrehinë jo vetëm që është jo-rentable, por është duke shkaktuar një kosto të madhe në rritje që do paguhet nga tërë shoqëria shqiptare në vitet që vijnë dhe që përkthehet në certifikim të injorancës dhe në katandisjen e burimeve njerëzore shqiptare në kushte kur do ta kenë të pamundur të konkurrojnë në nivel ndërkombëtar. Kjo do të thotë që qoftë në sektorin privat e qoftë në sektorin shtetëror duhen marrë masa graduale për ta zvogëluar këtë sistem për ta bërë më cilësor, efikas dhe rentabël dhe duke investuar më shumë në bursa shqiptarësh që të shkojnë e studiojnë në universitete cilësore perëndimore si dhe në sjelljen në Shqipëri të sa më shumë profesorë të njohur të huaj për të dhënë mësim e udhëhequr kërkime në universitete publike.