LAJMI I FUNDIT:

Shkollat tona profesionale

Shkollat tona profesionale

Në sistemin arsimor parauniversitar të Kosovës ka një numër jo të vogël të shkollave të mesme të larta (SH.M.L) të drejtimeve profesionale, të cilat janë hapur me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Gjithashtu, ekzistojnë edhe SH.M.L. të tjera, të cilat sipas drejtimeve janë të karakterit të përzier (mikse), në të cilat ka drejtime të gjimnazit, siç janë drejtimet gjimnaz i shkencave natyrore, gjimnaz matematikë-informatikë, gjimnaz i shkencave shoqërore, gjimnaz i shkencave shoqërore e gjuhësore e të tjera, por edhe në këto shkolla hapen çdo vit drejtime profesionale, siç janë drejtimet e makinerisë, bujqësisë, shkenca juridike, drejtime të shkencave teknike, makineri, hotelieri, turizëm e shumë të tjera.

Në fakt, arsimi i mesëm i lartë rolin kryesor e ka në përgatitjen e nxënësve për studime universitare në drejtime në të cilat ata kanë prirje më të mëdha, por një numër jo i vogël i nxënësve të kësaj kategorie nuk arrijnë që të kenë suksesin e mjaftueshëm për t`u bërë studentë. Gjithashtu, ka një pjesë të tyre, të cilëve “nuk ua ka dashur kurrë mësimin”, as në shkollë fillore, por kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë diçka të mirë nga vetja e tyre. Është vërejtur se nxënësit e tillë, ndonëse nuk shkojnë mirë me mësime, ata kanë prirje për zanate e profesione të ndryshme, të cilat ata mund t`i praktikojnë mjaft mirë.

Për këtë arsye, ka qenë e nevojshme që të ketë shkolla profesionale, të ketë drejtime profesionale brenda gjimnazeve dhe në këtë mënyrë, nxënësve të tillë t`u jepet mundësia që ata të përgatiten për profesionet e tyre që parapëlqejnë dhe të bëhen zotërues të atyre profesioneve.


Por, në fakt çfarë po ndodh në shkollat tona profesionale?

Ministria jonë e Arsimit, ka ndërmarrë disa hapa në fillim, siç janë hartimi i kurrikulave, ndërtimi i objekteve shkollore, sistemimi i kuadrit mësimor profesional dhe hapja e drejtimeve të ndryshme profesionale. Por tani, pas këtyre hapave fillestarë, siç duket veprimet në këtë drejtim kanë ndaluar. Pse e them këtë? E them këtë për këto arsye:

– Në shkollat tona profesionale mungon baza themelore e të mësuarit dhe e të nxënit të dijeve nga ana e nxënësve. Në shkollat tona profesionale nxënësi nuk ka libër nga i cili duhet të mësojë. Nxënësit tanë nuk kanë libra të drejtimeve profesionale. Për shkak të mungesës së librave, mësimdhënësit detyrohen t`u sigurojnë literaturë qoftë nga interneti (dhe atë nëse munden ta gjejnë), qoftë duke u dhënë shënime nga kapituj të shkëputur nga librat universitarë, të cilat edhe lodhin nxënësit por edhe janë jo të përshtatshme për moshën e tyre.

– Në shumicën e shkollave tona profesionale, nxënësit nuk kanë ku dhe si ta bëjnë apo ushtrojnë praktikën e tyre profesionale, sepse para se të hapen këto drejtime profesionale, gati në asnjërin prej këtyre drejtimeve nuk është bërë studim i mjaftueshëm nga ekspertë të këtyre lëmive, në mënyrë që ata të përgjigjeshin në pyetjen: Ku dhe si ta realizojmë praktikën profesionale si pjesë e pandarë e planprogrameve të këtyre drejtimeve.

– Si pasojë e dy arsyeve të para, në shkollat tona profesionale regjistrohen nxënësit më të dobët të mundshëm për nga suksesi që e kanë pasur në shkollimin fillor dhe duke mos pasur mundësi që të realizohen synimet për një shkollim të duhur profesional, mësimdhënësit tanë të drejtimeve profesionale nuk e kanë dhe akoma nuk munden të gjejnë vullnetin e duhur për të joshur nxënësit e mirë që në shkollimin e mesëm të lartë të vijojnë në ndonjërin prej drejtimeve profesionale.

Duke u nisur nga këto 3 arsye themelore, mendoj se në qoftë se nuk veprohet në këtë drejtim, atëherë shkollat tona profesionale do të mbesin të zbrazëta, pa nxënës, edhepse janë dhënë miliona euro nga Ministria e Arsimit për t`i ndërtuar dhe funksionalizuar ato. Mendoj gjithashtu, se para se të merret vendim për të ndërtuar një shkollë profesionale, apo për të hapur ndonjë drejtim profesional në shkollat ekzistuese, duhet të bëhet studim i mirëfilltë edhe për kuadrin mësimor, edhe për literaturën që duhet përdorur, edhe për mjetet konkretizuese apo laboratorët që duhet ngritur për të realizuar praktikën profesionale.

Është e udhës që, në vend se të investohen miliona për ndërtimin e një objekteve shkollore profesionale, më mirë është që ato miliona euro të planifikohen për hapjen e punëtorive profesionale, funksionalizimin e bizneseve të vogla profesionale, në mënyrë që edhe nxënësit të kenë ku të bëjnë praktikën e tyre profesionale, poashtu edhe të hapen vende të reja të punës. Në vend se të derdhen miliona euro për ndërtime të objekteve të zbrazëta, do ishte më mirë që Ministria jonë e Arsimit t`i sigurojë secilit nxënës librin e tij në secilën lëndë mësimore të drejtimit profesional dhe pastaj të kërkohet cilësia në arsim, të cilën aq shpesh po e përmend ministri ynë i arsimit para kamerave televizive.