LAJMI I FUNDIT:

Shkëlzeni, kulla në Viçidol dhe një gënjeshtër

Shkëlzeni, kulla në Viçidol dhe një gënjeshtër
Berisha restauron shtëpinë ku lindi, ja si duket kulla në Viçidol
Lexo po ashtu Berisha restauron shtëpinë ku lindi, ja si duket kulla në Viçidol
Sali Berisha thotë se shtëpia e tij në Tropojë ishte bazë e UÇK-së
Lexo po ashtu Sali Berisha thotë se shtëpia e tij në Tropojë ishte bazë e UÇK-së

Bedri Islami

Nga të gjitha pallavrat që kam dëgjuar për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sigurisht për luftën e saj, ajo më e çuditshmja, njëkohësisht më e paturpshmja, më erdhi ditët e fundit, kur “historisë me zhurmues” të Berishës, për kullën e tij që paska qenë bazë e luftës në Kosovë, iu shtua, kaq papritur edhe “historia” tjetër se, pikërisht atë kullë paskan granatuar ushtarët serbë, si hakmarrje për bazën logjistike të atyre djemve që kishin vendosur të luftonin.

Nuk e di pse e bën këtë ai. Edhe kështu, me aq sa ka folur e kanë shkruar të tjerët për të, mjerisht një taraf mediatistësh të lidhur fort me botën udbashe në Kosovë, ka qenë e mjaftueshme për të krijuar një mit të rremë, i cili dalëngadalë, po fillon e lëshon gjethet e tij dhe, pas saj, del një e vërtetë që nuk mund të fshihet.


Ndoshta ai e bën gjithë këtë pasi, edhe ashtu, dërmueshëm, ndjen në vete fajin që bëri në kohën e presidentllëkut të tij, kur, me gjithë çfarë kishte në duart e tij dhe në rrethin e afërt pranë tij, bëri atë që kishte mundur të bënte për të ndaluar një lëvizje çlirimtare. Ndoshta me kalimin e viteve, ai si shumë të tjerë, e ndjen mëkatin për atë që ndodhi, dhe, duke dashur të qetësojë veten, skenarit të mëhershëm i shton detaje të tjera, për ta bërë, të paktën deri diku të besueshme një histori, në të cilën ai u ndodh jashtë.

Ndoshta tashmë, ashtu si njeriu që përpiqet të gjejë rreth vetes vendin e tij në një periudhë piku historie, edhe ai me aq sa mundet, përpiqet ta krijojë këtë vend, përpiqet të gjejë lehtësim rrethanash dhe krijim ëndërrimtar, përmes të cilave, edhe ai vetë do të mund të ndjehet më i qetë se askund tjetër.

“Mos e pvet, se kallzon vetë”, thonë në Drenicë, dhe, për krijimin e një historie të tillë, zhurmuese, askush nuk e pyeti se kush ia rrënoi kullën, askush nuk e pyeti se me cilat para të vjedhura ia ringriti i biri kullën që nga fillimi, e në fund, askush nuk e vendosi para ndëshkimit për atë periudhë kur mund të ishte i adhuruar, por u zgjua gjynahqar.

“Kulla” e Berishës, në atë Viçidol, që e ngritën njerëzit, nuk është as më shumë e as më pak se sa një kullë e zakonshme e viseve tona malore, në të cilën njerëzit kanë jetuar, në të mirë e në të keq. Vitet e braktisjes e rrënuan atë, si mund të kenë rrënuar edhe sot e kësaj dite dhjetëra e qindra të tjera, që ndjehen të braktisura.

Më shumë se nga të gjitha banesat e tjera, një kullë duket sikur frymon përmes njerëzve dhe, kur ata mungojnë, kullat asfiksohen në vetminë e tyre, deri sa fillon edhe rrënimi.

Kjo ka ndodhur edhe me kullën e Berishajve në Viçidol.

Megjithatë, si qëndron e vërteta?

Nuk kam asnjë merak se kush ka bujtur në atë kullë në vitin 1944 apo më herët e më pas. Këto janë hamendje të cilat nuk më pëlqejnë dhe nuk janë pjesë të mendimit tim.

Por, e di fare mirë se çfarë ndodhi në vitet 1996 deri në verën e vitit 1999, sidomos në atë pjesë të Tropojës, përmes së cilës, kalonte, si të thuash “buka” e UÇK-së, megjithëse ishte e hekurt.

Do të jenë disa familje në Tropojë, të cilat do të bëhen bazat e para të logjistikës së UÇK-së, përmes së cilave do të kalonin, ditën e natën, më shumë netëve të dimrit gjithë dëborë, disa djem të vendosur, të cilët kishin marrë përsipër të vendosnin jetën e tyre në atë rrugëkalim. Disa prej tyre u vranë, mes të cilëve edhe Ilir Konushevci, Adrian Krasniqi, Hazir Malaj; të tjerë, si grupi i njohur si “Grupi i Gani Nuhës”, vazhdues të strukturës së logjistikës pas rënies së Ilirit, vazhduan edhe më tej.

Dyert në Tropojë u hapën nga Sulejman Krasniqi dhe djemtë e tij, të cilët, jo vetëm se ishin në lidhje gjaku me Adrianin, por edhe se i vlonte shpirti për Kosovën, u bënë, me të gjitha mjetet e tyre, baza e parë e luftës. Dyert i hapi Sulejman Berisha, me djalin e tij Gëzimin dhe të tjerët, kushërinj të largët të Sali Berishës; dyert i hapën fisi i Malajve, i Haklajve, i Haxhiajve, të cilët kurë nuk rrahën gjoksin e nuk kërkuan shpërblim, por edhe dhanë nga vetja.

Ku ishte Sali Berisha në atë kohë?

Askund e gjithkund. Askund për të mirë e gjithkund për të keq.

Në Shqipëri, në harkun e tij presidencial, do të ndodhnin disa burgime të rrezikshme, mes të cilëve edhe Zahir Pajaziti, i cili pas kalimit të kufirit, megjithëse kohë tjetër dhe pushtetarët e kishin marrë pushtetin duke premtuar bashkimin kombëtar, iu dorëzua Policisë serbe; në burg ishte Hashim Thaçi, iu bë e pamundur kalimi në Shqipëri Adem Jasharit, dhe gjithë kjo sepse asaj kohe, ashtu si ndodhte në Prishtinë, presidenti i vendit amë preferonte lëvizjen paqësore dhe kërcënonte lëvizjen e armatosur.

Vetëm në fundin e vitit 1996, herën e parë përmes Demaçit, dhe, herën e dytë përmes Hydajet Hysenit, atë kohë nënkryetar i LDK-së, ish i burgosur politik dhe prijës i demonstratave të vitit 1981, ai, Berisha, kërkoi të radikalizonte lëvizjen paqësore të Prishtinës, në mënyrë që furtuna që pritej të vinte e shembjes së piramidave financiare, të kishte koston e saj edhe në Kosovë.

Të heshtësh do të thotë të kesh zënë mend. Berisha i shtoi “historisë” së tij edhe granatimet e posaçme të Ushtrisë serbe mbi kullën e tij, të cilët ia paskan bërë të papërdorshme. Gati sa nuk thotë se i duhet shtetit të ma dëmshpërblejë këtë “dëmtim”, sepse ai qenka bërë në emër të patriotizmit.

Serbia edhe mund të sulmojë një kullë, sidomos kur ajo është bazë e luftës, mund ta sulmojë edhe për të fshehur një të vërtetë që e di vetëm ajo, por në këtë rast, mjerisht, nuk ka ndodhur as njëra e as tjetra.

Ka ndodhur tjetra: Njerëzit e Berishës dhe të Azem Hajdarit, për fat të keq, kanë qenë ndër grabitësit më të rrezikshëm të logjistikës së UÇK-së, kanë qenë ndër ata që kanë gjymtuar luftëtarë e kanë qëlluar mbi ta, dhe, akoma më e rëndë kur, jo si ishte menduar, në majin e vitit 1998, bashkë me ta u bënë edhe disa shtetarë të dorës së dytë, të cilët edhe bukën e furrave të Tropojës desh e ndaluan për rreth 3000 luftëtarë që prisnin për armë dhe flinin nën qiell.

Serbia vrau mbi 50 vetë në anën e këtejme të kufirit dhe deri tani, të gjithë ata që e përjetuan këtë dhimbje, nuk u mburrën se bënë diçka të pashoqe. Ata e perceptuan luftën si luftë.

Berisha e percepton si justifikim për heshtjen e tij, kur pritej të mos heshtte. Veç të tjerave ai ngriti edhe alibinë e bombardimit serb për të justifikuar harbimin e të birit.

Kulla është dëshmi e dyfishtë: E braktisjes dhe e harbimit financiar e politik. Njeriu i papunë, thjesht i punësuar si djali i kryeministrit, ndërton një kullë qindramijra eurosh dhe e bën për “inat” të bombardimit serb.

Përse bëra këtë shënim kaq të gatë?

E vërteta rreth faktorit Berisha në luftën e Kosovës është e qartë për shumëkënd. Ajo periudhë ishte vetmia e madhe e tij. Nuk mund të gjesh asnjë takim të tij me liderët e UÇK-së, edhe pse ai nuk ishte më faktor, edhe pse struktura jashtë Shqipërisë nuk ua këshillonin. “Përrallat” e lindura më vonë, që erdhën në formë përshëndetjesh nga liderë të politikës matanë kufijve për kontributin e tij, të zbehin ndjenjën ndaj politikës dhe të saktës.

Edhe në këtë rast, njeriu i vetëm që reagoi ishte Nasim Haradinaj, njëri ndër njerëzit e afërt të Ramush Haradinajt, të tjerët heshtën.

Dhe, bënë mirë që heshtën. Dhe, do të bënin mirë të heshtnin edhe më tej. Ajo kohë që shkoi, ashtu si ka ngjarjet e saj, ashtu ka edhe dëshmitë e veta.

Shënimin e bëra jo thjesht për saktësimin e një të vërtete, në të cilën kam qenë më shumë se pjesë, por edhe për të përcjellë mesazhin tek ata që kanë ende mundësinë për të bërë diçka të vyer.

Të mos jenë të vonuar. Që nesër të mos sajojnë “histori me zhurmues” për të thënë se edhe ne ishim aty.

Nesër do të jetë tepër vonë.