LAJMI I FUNDIT:

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e drejta e autorit

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e drejta e autorit

Të enjten në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, në organizim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u shënua Dita Botërore e Librit dhe e drejta e autorit. Në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lirije Kajtazi, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Nazmi Rrahmani si dhe shumë krijues dhe botues të librave.

Në fjalën e saj të rastit, zëvendësministrja Kajtazi tha se festa e sotme e librit është e një karakteri më solemn, ngase, përveç ndonjë fjalimi të mbushur me retorikë solemne, sot komunikojmë edhe me vetë librin, me 37 titujt, botimin e të cilëve Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka përkrahur financiarisht gjatë vitit të kaluar.

Në vazhdim, zonja Kajtazi theksoi se, gjatë këtij mandati, MKRS si një nga prioritetet e politikave të veta kulturore e ka pasur edhe librin, kujdesin ndaj tij, format e stimulimit, kujdesin për përhapjen e librit, përpjekjen për pasurimin e fondit bibliotekar dhe përgjithësisht nxitjen e procesit kulturor dhe letrar. Më tutje, Zëvendësministrja Kajtazi shtoi se larmia e botimeve dhe cilësia e tyre dëshmon se kjo formë e përkrahjes financiare po ndikon në formësimin e një procesi letrar, sikurse edhe në rivlerësimin dhe konsolidimin e traditës tonë letrare dhe kulturore.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Nazmi Rrahmani, në fjalën e tij të rastit, tha se, sot, në ditën ndërkombëtare të librit, kur po bëjmë edhe promovimin e 37 titujve të botuar vitin e kaluar me ndihmën e MKRS-së, është e udhës të theksojmë edhe njëherë jo vetëm rëndësinë e librit në shoqërinë e zhvilluar, por të flasim edhe për problemet që i preokupojnë të gjithë ata që sot në Kosovë merren me libër në faza të ndryshme.