LAJMI I FUNDIT:

Shenjat e (pa)lumturisë

Shenjat e (pa)lumturisë

Interpretimi i gjendjeve të ndryshme, apo sjelljeve ka qenë gjithmonë burim studimi për të kuptuar lumturinë, këtë gjendje, për të cilën secili prej nesh ka një perceptim të vetin, ndoshta jo domosdoshmërisht të ngjashëm me atë të tjetrit.

Stresi i pakontrollueshëm
Në bazë të parimeve të të ashtuquajturës “psikologji pozitive”, apo shkencës së mirëqenies, mjedisi përreth, i cili përbehet jo vetëm nga kushtet në të cilat jetojmë, por edhe njerëzit, luan një rol të rëndësishëm në lumturinë e njerëzve. Të ndihesh i sigurt dhe rehat gjeneron kënaqësi. Në të kundërt, një mjedis stresues, prodhon ankth dhe pasiguri.

Një studim i kryer, i cili krahasonte stresin e kontrollueshëm dhe atë të pakontrollueshëm, tregoi se ky i fundit shkaktonte palumturi dhe tension në pjesën më të madhe të njerëzve që prekte. Edhe pse studiuesit i kanë gjetur stresit edhe anë pozitive, të tipit që na shtyn për të punuar më shumë e për të arritur më tepër, sërish një dozë e madhe e tij dhe e vazhdueshme mund të prekë në mënyrë të drejtpërdrejtë lumturinë tonë, transmeton Telegrafi. Një shembull sa tipik, po aq paradoksal është ai i femrave moderne, të cilat gjatë 40 vjeçarit të fundit, edhe pse kanë arritur një sukses të padiskutueshëm në shumë fusha, mirëqenia e tyre, sipas atyre vetë, ka rënë ndjeshëm. Kërkuesit e kanë shpjeguar këtë me faktin se femrat gjenerojnë stres në momentin kur duan të kujdesen për të dyja: familjen dhe karrierën, madje edhe të jenë të suksesshme në të dyja këto sipërmarrje.


Edhe fakti se përse sot, meshkujt konsiderohen më të lumtur se femrat, është pikërisht prej kësaj, atyre nuk iu duhet të jenë të suksesshëm në të dyja këto. Në këtë rast, mund të shërbente fare mirë psikologjia pozitive, si përshembull mendimet pozitive, optimizmi, etj., të cilat shërbejnë si të kundërtat e stresit.

Nëse i kushtoni shumë kohë televizorit
Ngandonjëherë, një ditë e tmerrshme dhe stresuese, thjesht ju bën të kërkoni një mbrëmje të përhumbur para televizorit, programeve të ndryshme. kjo është më se normale, pasi në këtë formë e lini mendjen tuaj të shkrihet në morinë e informacionit, të cilin me siguri nuk e regjistroni në mendje, por ju shërben thjesht si përhumbje. Ndërkaq, shqetësimi juaj duhet të nisë që në momentin që kjo gjë, pra orët e zgjatura para televizorit, bëhen të shpeshta, thuajse çdo natë.

Sipas një studimi të fundit, kjo është shenjë e padiskutueshme e palumturisë. Që prej vitit 1972, kërkues në universitetin e Çikagos kanë kryer herë pas here studime për të përcaktuar këtë gjendje, mes njerëzve në SHBA. Rezultoi se përveç faktorëve si të ardhurat financiare, edukimi, martesa, një tjetër shenjë që përcaktontë lumturinë dhe palumturinë, ishte edhe shikueshmëria e televizorit. Të palumturit shihnin 30% më shumë televizor në javë. E përkthyer në shifër konkrete, të palumturit shihnin 25 orë në javë televizor, përkundrejtë 19 orëve që shihnin të lumturit.

Lidhje shoqërore të trazuara
Njerëzit e palumtur e kanë shumë më të vështirë të zgjidhin çështjet që i shqetësojnë, jo vetëm në një lidhje sentimentale, por edhe në lidhjet shoqërore apo raportet në punë. Ata e kanë të pamundur të ndihen rehat edhe në shoqërinë e miqve të tyre, apo të bëjnë shokë të rinj. Kjo mund të shtojë edhe dozën e palumturisë tek ata. Sipas studimeve, njerëzit e lumtur kalojnë më shumë kohë me njerëzit e tjerë, në një mënyrë apo tjetrën. Ata të cilët kanë lidhje të gjera dhe të thella në shoqëri, tregojnë edhe nivelin më të lartë të kënaqësisë. Kështu përshembull njerëzit e martuar janë përgjithësisht më të lumtur, se ata të cilët nuk janë të martuar.

Nga ana tjetër, teknologjia e përparuar mund të shërbejë si nxitëse e lumturisë. Kështu përshembull, në SHBA ka nisur të aplikohet një projekt “The Virtual Happiness Project” apo ndryshe, projekti i lumturisë virtuale, sipas së cilit interaktiviteti përmes rrjeteve sociale në internet, pra në mënyrë virtuale, mund të ndihmojë në gjetjen e lumturisë, përmes ndërveprimit me shokë të rinj, apo të vjetër, virtualisht. /Telegrafi/