LAJMI I FUNDIT:

Sfidat politiko-juridike të botës shqiptare në mileniumin e ri

Sfidat politiko-juridike të botës shqiptare në mileniumin e ri
Ilustrim

Ksenofon Krisafi

Në vitin 1897, Abdyl Frashëri, një ndër shtetarët dhe diplomatët më të mëdhenj të trojeve shqiptare, i shkruante kryeministrit italian, arbëreshit Francesco Crispi:

“Në rast se fuqitë e mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm gadishullin Ballkanik, por edhe kontinentin Evropian”.


Zhvillimet e deritanishme, përgjithësisht të karakterit toksik, e kanë provuar profecinë dhe aktualitetin e thënies së tij. Ballkani ka qenë dhe vazhdon të jetë “fuçi baroti”, paqja vazhdon të mbetet seriozisht e kërcënuar nga padrejtësitë e ricikluara kohë pas kohe dhe rreziku rus sërish i pranishëm si qëmoti.

Një ndër këto padrejtësi lidhet me moszgjidhjen e duhur të të ardhmes politike të shqiptarëve, e cila, siç thotë profesori i madh, Rexhep Qosja, “pjesërisht është përmirësuar, pjesërisht është zgjidhur, por nuk mund të quhet historikisht e zgjidhur. E shikuar e shprehur në gjithë shtrirjen e saj gjeografike dhe demografike me mënyrën e jetës së tyre në trojet ku shqiptarët janë popullatë e vetme a shumicë etnike, çështja kombëtare mbetet edhe më tej çështje e rëndë kombëtare, njëra nga më të rëndat në Evropë sot.”

Ajo shtrohet në formën e pyetjes retorike se ç’do bëhet me shqiptarët, një popull që, duke qenë të shpërndarë në gjashtë shtete të gadishullit ballkanik, përbëjnë një nga rastet më të rralla në Evropë e në botë?

Nga zgjidhja e saj me urtësi dhe sens objektiviteti do të varet jo vetëm e ardhmja e tyre, por edhe paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet dhe prosperiteti politik, ekonomik e social i popujve të tjerë në gadishull dhe në Evropë.

Në vijim do të flitet shkurt për aspektet juridiko-ndërkombëtare të alternativave të mundshme për zgjidhjen e saj.

Konservimi i status quos aktuale, do të nënkuptonte vazhdimin e politikave asimiluese ndaj shqiptarëve që nuk janë pjesë e Shqipërisë dhe Kosovës, do të inkurajonte për arbitraritete të tjera ata të cilët iu mohuan gjuhën, përkatësinë etnike, iu mbyllën shkollat, iu prishën kishat dhe xhamitë, iu ndërruan emrat, kombësinë, fenë, i dënuan me amnezi historike dhe kombëtare, çka nuk pajtohet me konceptet dhe sjelljet moderne të qytetërimit të sotëm.

Kjo çështje kombëtare, ende e pazgjidhur në formën e saj më të përshtatshme, pret ditë më të mira. Një ndër alternativat, e ndryshme nga ajo që u përmend më sipër, është organizimi i shqiptarëve në një shtet kombëtar, siç ka ndodhur me fqinjët rreth një shekull e gjysmë më parë.

Kjo është jashtëzakonisht e vështirë, në mos e pamundur, sepse mund të preken realitete, mund të cenohen tërësi territoriale shtetesh, mund të prishen ekuilibra gjeopolitikë që ekzistojnë prej rreth një shekulli dhe mund të hapen probleme të reja.

Prandaj, zgjidhja optimale, relativisht më pak e komplikuar dhe njëkohësisht më e mundshme nga pikëpamja gjeopolitike dhe juridiko-ndërkombëtare, do të ishte integrimi-bashkimi kombëtar Shqipëri-Kosovë, shoqëruar edhe me ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e statusit të shqiptarëve që mbeten jashtë këtij unioni. Është rekomanduar si një ndërmarrje që mund të kontribuonte pozitivisht krijimi i një commonwealth-i ekonomik ballkanik madje edhe shqiptar, por me sa duket jo i mirëpritur.

***

Kështu që diskutimet fokusohen te bashkimi Shqipëri-Kosovë, i përkufizuar butë si integrimi ose edhe vëllazërimi ndërshqiptar. Ai mund të shfaqet në dy variante. I pari, i ashtuquajturi “bashkim në Bruksel”, mendohet se do të realizohet kur Shqipëria dhe Kosova dhe bashkë me to edhe Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ku jetojnë disa dhjetëra mijëra shqiptarë, të anëtarësohen në BE.

Aty shqiptarët do të kenë mundësi të gjithë ta konsiderojnë vetveten qytetarë të Evropës së Bashkuar, rrjedhimisht edhe pjesë e një Shqipërie të Bashkuar. Do të kenë mundësi që, si shtetas evropianë, të qarkullojnë, të vendosen, të jetojnë, punësohen, shkollohen, mjekohen etj kudo, pra edhe në të gjitha territoret shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi, Greqi etj.

Ky bashkim do të ishte më i thjeshti dhe pa kosto. Por nga disa qarqe shqiptare ai nuk konsiderohet si bashkimi i mirëfilltë, si realizimi i plotë i përfytyrimeve dhe dëshirës që kanë shqiptarët për të ardhmen e tyre politike. Dozat e mosbesimit shtohen sidomos nga qëndrimet e vazhdueshme kërcënuese të Beogradit, të përqendruara sistematikisht në veri të Kosovës, ku ndonjëherë marrin trajta të qarta agresive, që rrezikojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe paqen dhe sigurinë në rajon.

Dëshirën e shqiptarëve për krijimin e një atmosfere besimi me serbët e komprometojnë keqas sidomos përqendrimet e forcave ushtarake përreth Kosovës, si dhe rritja e konsiderueshme e dispozitivit luftarak nga Serbia, nëpërmjet blerjeve të armëve moderne në Rusi dhe vende të tjera dhe stacionimi i tyre në kufij me të.

Ato shtojnë pikëpyetjet te shqiptarët për efikasitetin e integrimit ndërshqiptar në formën e lartpërmendur të anëtarësimit në strukturat e Brukselit të shteteve, në territoret e të cilëve banojnë shqiptarë. Në këto rrethana ata preferojnë një bashkim më të ngushtë, mundësisht ndërshqiptar, i cili shoqërohet me shumë vështirësi. Më së paku, për zbatimin e tij, duhen përballuar ky kushte, të lidhur dhe të kushtëzuar me njëri tjetrin.

I pari, ka të bëjë me përgatitjen e një mjedisi të përshtatshëm dhe të pranueshëm politik, i cili nuk varet vetëm nga faktori lokal, por domosdoshmërisht edhe nga pëlqimi, madje nga konsensusi i ndërkombëtarëve. Zhvillime të tilla shoqërohen me reperkursione të thella politike, ekonomike, sociale etj, rajonale, çka, veç pëlqimit të fqinjëve, kërkon detyrimisht edhe marrëveshjen me Fuqitë e Mëdha, sepse ato vazhdojnë të shfaqen në rolin e arbitrit suprem duke mbajtur ekskluzivitetin e prerogativave të përcaktimit të zgjidhjeve të një rëndësie kaq madhore.

Për identifikimin e zgjidhjes së pranueshme mund të mbahen parasysh disa nga përvojat pozitive ndërkombëtare, si ato të bashkimit të Vietnamit, Jemenit dhe sidomos precedenti gjerman, që duket si më i përshtatshmi. Për të janë shprehur rezerva me justifikimin se nuk ka ngjashmëri me rastin shqiptar, çka, sipas meje, nuk qëndron. Prej tij mësohet se duhen ndjekur paralel aspekti politiko-diplomatik dhe ai juridiko-ndërkombëtar.

Joshja e faktorit ndërkombëtar drejt zgjidhjeve të qëndrueshme lypset sepse nuk përjashtohet që fuqi të interesuara, të përdorin ndikimin e vet për ruajtjen e status quos në arkitekturën politike në Ballkanin Perëndimor ose të pranojnë vetëm ndryshime në dobi të tyre.

Nëse do të arrihet që kushti politik, të realizohet me sukses duhet përballuar i dyti, gjetja e argumenteve me karakter juridiko-ndërkombëtar, mbi të cilat duhet të mbështetet kërkesa e shqiptarëve për afrim, integrim ose bashkim kombëtar. Doemos do të operohet nëpërmjet normave të së drejtës ndërkombëtare, e cila, ndryshe nga degët e tjera të së drejtës, është një soft law, efikasiteti i së cilës mbetet relativ, që do të thotë se shërbimi eventual i ofruar prej saj, të mos pranohet nga të gjitha palët.

Sidoqoftë, duke i parë me optimizëm zhvillimet e kësaj çështjeje, bashkimin kombëtar të shqiptarëve, mundësitë, format dhe emërtimet etj, e drejta ndërkombëtare i trajton në kuadrin e bashkimeve juridike, ndër të cilat më kryesoret janë bashkimi në formën e shtetit unitar, federal, unionit real, personal, konfederatës etj.

***

Natyrisht varianti më i favorshëm, do te ishte bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë në formën e shtetit unitar ose shtetit federativ. Por ato, në rrethanat aktuale, duken mjaft të vështira. Prandaj, zgjidhja e çështjes kombëtare të shqiptarëve, një hap të parë jo pa rëndësi, mund ta gjente në formën e konfederatës shqiptare, nëse nga faktori ndërkombëtar nuk do pranohet alternativë tjetër, më e favorshme.

Ajo do të ishte më e mundshme, më pak “komprometuese” sepse konfederata nuk është shtet i bashkuar, por bashkim politik shtetesh, aleancë ndërkombëtare, e krijuar nëpërmjet një traktati ndërkombëtar midis shteteve sovrane, për arritjen e një qëllimi të caktuar në fushën e politikës së mbrojtjes, asaj të jashtme, zhvillimit ekonomik etj. Konfederata është bashkim i përciptë, i paqëndrueshëm, i ndërmjetëm, që çon ose drejt shthurjes ose drejt një bashkimi më të ngushtë, federatës ose shtetit unitar.

Është formë tipike e shekujve të mëparshëm, por ka pasur të tilla edhe më vonë. Në vitet 1981-1982 u krijua bashkimi konfederativ i Senegalit dhe Gambias, me emrin Senegambia.

Anëtarët e konfederatës mbeten subjekte të së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë se Shqipëria dhe Kosova, por nuk përjashtohen as Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, nëse themelojnë konfederatën shqiptare, nuk do të shkrihen në një shtet.

Konfederata mund të shërbejë për lehtësimin juridiko-institucional të intensifikimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve duke iu dhënë atyre edhe mundësinë që të krijojnë bindje të qëndrueshme nëse e duan bashkimin Shqipëri-Kosovë apo preferojnë të vijojnë rrugëtimin politik si dy shtete më vete. Ai mund të shërbejë gjithashtu për të bindur ndërkombëtarët për ta pranuar, kushtëzuar ose për ta penguar dëshirën e tyre për bashkim, siç vepruan 110 vjet më parë.

Avancimi i mëtejshëm në procesin e bashkimit Shqipëri-Kosovë si federatë, doemos në varësi të rrethanave, mund të ngjallte kundërshtimin e fqinjëve, ndoshta edhe të disa Fuqive të Mëdha. Nga pikëpamja formalo-juridike ato mund të vepronin duke mos akorduar njohjen ndërkombëtare.

Shqiptarët janë të detyruar të shpresojnë se faktori ndërkombëtar do të ndërgjegjësohet për domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar Shqipëri-Kosovë në një formë të pranueshme për të gjithë faktorët e interesuar. Ata duhet gjithashtu të tregojnë mirëkuptimin e duhur, veçanërisht për qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilët i kanë dhënë provat e vlerësimit pozitiv të shqiptarëve, nëpërmjet kontributit vendimtar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Shqiptarët gjithashtu duhet të ndërgjegjësohen se nuk janë kërthiza e botës, dhe duhet të bëjnë kujdes që të mos këmbëngulin për adoptimin e zgjidhjeve që iu interesojnë vetëm atyre.

Duhet t’i akomodojnë interesat e veta brenda realiteteve gjeostrategjike të krijuara, të ngurtësuara dhe të çertifikuara prej kohësh. Shqipëria nuk i ka as fuqitë, as mundësitë, as kapacitetet, (pavarësisht se ka aleatë strategjikë të mëdhenj si SHBA dhe disa vende të fuqishme të BE-së që janë të bindur në drejtësinë e kauzës shqiptare) prandaj hë për hë këto kërkesa tonat mund të mos pranohen sepse mund të konsiderohen si projekte që prishin ekuilibra dhe të përmbysin raporte forcash gjeopolitike.

Nuk duhet harruar gjithashtu fakti që kur ëndrrat dhe aspiratat e saj të ligjshme mund të mbroheshin dhe të realizoheshin, ajo nuk mundi, sepse ndoshta ishte pa aleatë, e rrethuar nga armiq të egër, ose edhe e pafuqishme. Dhe, megjithëse u përpoq, luftoi dhe derdhi gjak për mbrojtjen e trojeve të veta, ato ia morën, vendin e copëtuan, e përgjysmuan. Eshtë fakt se ajo u çlirua e fundit nga zgjedha osmane. Dhe me keqardhje duhet pohuar se kur shqiptarët fituan pavarësinë, e para gjë që bënë disa prej tyre, ishte kacafytja se kush do të qeveriste.

Pas krijimit të qeverisë së Vlorës nga Kuvendi Kombëtar, të tjerë shqiptarë, krijuan edhe pesë të tjera, duke parcelizuar domenet e tyre. Një prej tyre ishte Esat Pasha, të cilit Ismail Qemali i besoi portofolin e ministrit të brendshëm në qeverinë e Vlorës. Disa muaj më pas, nën pretekstin e një inspektimi në rajonet e Shqipërisë së Mesme, ai u largua nga Vlora drejt Durrësit, ku më 12 tetor 1913, shpalli krijimin e Pleqësisë së Durrësit.

Siç u tha, qëndrime të tilla nuk mund të jenë pa kosto për paqen dhe sigurinë aktuale rajonale e më gjerë, prandaj lypset realizëm, mirëkuptim dhe prudencë e madhe për opsionet që do të përzgjidhen.

Afrimi ose bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, do të ndikonte në radhë të parë në të ardhmen politike, ekonomike, sociale etj të shqiptarëve të të dy vendeve. Por, ai do të krijonte situata të favorshme që edhe çështja e statusit të popullsisë shqiptare shtetformuese në Maqedoninë e Veriut, ose pakicave shqiptare në Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës), Malin e Zi etj, të trajtohet më mirë, në kuadrin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Nën mbrojtjen e dy shteteve shqiptarë, të cilët, të bashkuar në një formë të caktuar juridiko-ndërkombëtare, do të shfaqen me një zë më autoritar, ata do të kenë mundësi të deklarojnë lirshëm se ndjehen shqiptarë, se duan të kenë institucionet e veta politike, shkollore, kulturore, fetare, duan të flasin dhe të mësojnë gjuhën amtare.

***

Zgjidhjet bashkëkohore për ta dhe për rajonin vijnë vetëm nga forcimi i bashkëpunimit midis shteteve të tij, respektimi rigoroz i normave dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Mbështetja te Rusia, siç thoshte Abdyl Frashëri, është rrezik i përhershëm i lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve, ballkanasve në përgjithësi dhe i Evropës. Dëshmi janë zhvillimet tragjike të vitit 2022 në Ukrainë dhe situatat potencialisht eksplozive në veriun e Kosovës.

Vihet re se qarqe të ndryshme politike në disa nga shtetet fqinjë, i intimidojnë shqiptarët, i akuzojnë se bashkimin e duan për të krijuar Shqipërinë e Madhe, gogolin e krijuar dhe të hedhur në qarkullim prej tyre, me qëllimin djallëzor të frikësimit të faktorit ndërkombëtar. Duket se nisur nga shembëlltyrat e projektuara në shtetet e tyre, mendojnë se shqiptarët kërkojnë Shqipërinë e Madhe që të hakmerren ndaj fqinjëve mëkatarë dhe të krijojnë probleme për ta dhe paqen ballkanike.

Ndërkohë disa nga Fuqitë e Mëdha, teksa iu tërheqin pa të drejtë vëmendjen shqiptarëve, heshtin për shkaktarët e vërtetë, serbët dhe të tjerët, për të mos thënë që ndonjëherë edhe i llastojnë.

Shqiptarët dhe sidomos ata që janë në krye të tyre, nuk kanë arsye që të ngurojnë për ta shprehur haptas dëshirën për integrimin – vëllazërimin Shqipëri-Kosovë, si një ndër të drejtat e veta natyrore më sublime. Përveçse realizim i pjesshëm i një aspirate legjitime, ai nuk drejtohet kundër fqinjëve. Nuk synohet që t’iu prishen atyre shtetet e veta. Shqiptarët duan vetëm të restaurojnë, për aq sa është e mundur, brenda logjikës dhe arsyes, normave dhe parimeve themelore të së drejtës aktuale ndërkombëtare, drejtësinë e dhunuar një shekull e ca më parë, të integrojnë dy hapësirat territoriale të banuara gati 100 % nga popullsi autoktone kompakte shqiptare, që shtrihen në vazhdim të njëra tjetrës.

***

Nëse realisht e dëshirojnë atë, ka ardhur koha që të përgatisin dhe të miratojnë zyrtarisht platformën strategjike të të ardhmes së vet politike, natyrisht jo si shëmbëlltyrë të “Megali Idesë” ose të “Naçertanias”, sepse ato janë ngritur dhe bazohen në politika agresive e ekspansioniste kundër fqinjëve. Platforma e tyre duhet të përshkohet nga integrimi ndërshqiptar, progresi ekonomik e social, garantimi i paqes dhe sigurisë rajonale, fqinjësia e mirë, bashkëpunimi me fqinjët dhe shtetet e tjerë etj.

Përgatitja e saj iu duhet besuar politikanëve me integritet, të përkushtuar ndaj interesave kombëtare shqiptare, që vlerësojnë dhe ushqejnë respekt ndaj fqinjëve. Ata duhet të njohin shumë mirë historinë, realitetet aktuale, të shohin me largpamësi të ardhmen, të kenë dëshmuar mençuri, përgjegjshmëri, realizëm dhe mirëkuptim për bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Së bashku me ta duhen angazhuar edhe studiuesit, akademikët, specialistët më të spikatur në këtë fushë, nga Shqipëria, Kosova, territoret shqiptare përreth dhe në diasporë, që të identifikojnë dhe të argumentojnë në çdo aspekt alternativat më të përshtatshme të zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Ajo nuk iu duhet lënë improvizimeve të imponuara nga entuziazmi foklorik, romantizmi nacionalist ose nga reagimet emocionale që mund të shkaktohen nga zhvillime ekstreme në kufijtë e Kosovës me Serbinë.

Në këtë mënyrë do të jetë më i lehtë adoptimi nga organet kompetente të shteteve shqiptare, fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha, i një zgjidhjeje të drejtë të një çështjeje që ekziston realisht.

Kështu do të kontribuohet më mirë për arritjen e qëllimit të shqiptarëve, afirmimin e tyre ndërkombëtar, anëtarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës në BE, të Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare etj. Do të kontribuohet edhe për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë.

***

Duke folur për këtë çështje është e domosdoshme të mos harrohet se prej rreth dy shekujsh, historia ka dëshmuar që shqiptarët janë trajtuar si kurbani i paqes dhe i stabilitetit rajonal e kontinental. Kështu veproi 110 vjet më parë Konferenca e Ambasadorëve e Londrës. Më 12 gusht 1913, të nesërmen e përfundimit të punimeve të saj, Eduard Grei që e kryesonte, deklaroi se “unë e di fare mirë se kur gjithëçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale.

Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qënë që të ruhej marrëveshja midis vetë Fuqive të Mëdha (korsivi i autorit) dhe, në qoftë se vendimi mbi Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëhere ai e ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Evropë.”

Kjo frymë padrejtësie ka vazhduar dhe, për fat të keq, vazhdon të shfaqet sërish herë pas here. Shfaqet në kërkesat që iu bëhen shqiptarëve për lëshime ndaj “më të fortëve” të gadishullit në emër të paqes dhe të sigurisë. Mendoj se qëndrimi skajshmërisht i përulur ndaj thirrjeve të tilla, që mund të marrë trajtat e sakrifikimit të interesave dhe dinjitetit kombëtar, duhet të marrë fund.

Ndërkombëtarëve që ua kërkojnë paqen vetëm shqiptarëve, iu duhet lënë të kuptojnë se paqja nuk iu nevojitet vetëm atyre, por të gjithëve, ju duhet edhe fqinjëve, të cilët, prej rreth një shekulli e gjysmë, e turbullojnë dhe e shkatërrojnë atë, duke provokuar dhe sulmuar të tjerët, në mënyrë të veçantë shqiptarët, të cilët nuk kanë sulmuar asnjëherë të tjerët, por vetëm janë mbrojtur me heroizëm dhe dinjitet, siç bënë edhe në luftën e fundit të Kosovës.

Duke shpresuar dhe insistuar në mirëkuptimin e të interesuarve, duhet të thuhet pa asnjë ndjenjë kompleksiteti se janë pikërisht fqinjët ata që kanë detyrime ndaj paqes ballkanike. Nuk iu lejohet që me pretekste të rëndomta të simulojnë, të intimidojnë, të kërcënojnë dhe të trazojnë Ballkanin. Atyre iu duhet kërkuar që të kenë kurajon e duhur dhe të përballojnë, për aq sa iu takon, kostot e të ashtuquajturës paqe, për të cilën flasin ndonjëherë pa u menduar shumë edhe disa nga funksionarët e Brukselit a të Nju Jorkut.

E para gjë që ata duhet të bëjnë është t’i lënë të qetë shqiptarët. Nuk ka pse në emër të një paqeje fiktive të ndalohen shqiptarët të kenë shtetin e vet kombëtar, në formën më të përshtatshme të mundshme, në një kohë kur të tjerët, i kanë krijuar shtetet “e veta” madje “të mëdhenj”, madje edhe në shkelje të parimeve dhe normave themelore të së drejtës ndërkombëtare, duke aneksuar trojet e shqiptarëve.

Nuk ka arsye që ata të përmbushin kërkesat tekanjoze të prindërve dhe të pranojnë të cedojnë nga territori, sovraniteti, paqa dhe siguria e tyre kombëtare.

***

Nuk mund të mos vihet në dukje me kënaqësi se paralel me diskutimet teorike, politike, diplomatike e juridike rreth bashkimit Shqipëri-Kosovë, prej afro 15 vjetësh ekziston dhe zhvillohet dita-ditës një realitet tjetër, i pamohueshëm inkurajues edhe pse i paçertifikuar zyrtarisht. Ai është bashkimi de facto i një lloji të veçantë i Kosovës me Shqipërinë. Shprehet në faktin që kufiri i tyre sikurse edhe shumë barriera të tjera që ndajnë shtetet, janë hequr ose janë duke u hequr. Janë ndërmarrë hapa sistematikë, të konkretizuara në mbledhjet e përbashkëta të të dy qeverive.

Madje këto ditë me rastin e kremtimit të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pati një tjetër episod domethënës. Të dielën e 27 dhjetorit 2022, deputetet e të dy shteteve shqiptarë, Shqipërisë dhe Kosovës, zunë vend në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ku u zhvillua një seancë emocionuese, e pandodhur ndonjëherë më parë.

Ajo çka u pa në ekranet e televizioneve që e transmetuan, e çon kujtesën e cilitdo, 110 vjet më parë, në Kuvendin e Vlorës, të thirrur nga Ismail Qemali. Edhe atëhere, në pasditen e 28 nëntorit 1912, në shtëpinë e kushëririt të tij, u mblodhën 37 vetë, të cilët në ditët në vazhdim u bënë 63. Ishin drejtues ose veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që vinin nga të gjitha viset shqiptare, veçanërisht nga Kosova, Maqedonia, Çamëria etj.

Nuk mbërritën dot Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., të burgosur në Beograd, si edhe Bajram Curri, që u pengua nga luftimet gjatë rrugës. Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, të mandatuar në përshtatje edhe me rrethanat e kohës, si përfaqësues të të gjithë popullit shqiptar, duke përfshirë edhe rajonet “që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.”

Përngjasimet kanë të bëjnë vetëm me simbolikën dhe jo me thelbin e ngjarjeve. Sepse në 1912 përfaqësuesit e të gjithë shqiptarëve u mblodhën në Vlorë për ta bërë shtet gjithë Shqipërinë. Me shumë dhimbje dhe një peng të madh shpirtëror, e bënë vetëm në letër dhe në zemrën e tyre. Sepse diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe fqinjët e penguan realizimin e projektit të tyre.

Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve shqiptare, në Tiranë, në nëntorin e 2022, mund të interpretohet edhe si tregues që ëndrra shekullore e shqiptarëve për bashkimin institucional të politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, bëri një tjetër hap shumë të rëndësishëm. Për herë të parë deputetët e parlamentit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë, të ulur së bashku në sallën e kuvendit në Tiranë, iu përcollën kancelerive vendimmarrëse botërore mesazhin e bashkimit jo thjesht në mënyrë simbolike. Transmetuan dëshirën e shqiptarëve për të menduar dhe për të gjetur zgjidhjen e duhur për çështjen shqiptare, ende të pazgjidhur.

Përvoja e tetë mbledhjeve të përbashkëta të qeverive u çua më përpara. Edhe pse arritjet nuk janë ato që do të dëshirohej, përsëri ka rezultate premtuese. Mund të përmenden abetarja e përbashkët, puna për fjalorin enciklopedik, unifikimi i tregjeve të punës, angazhimet për unifikimin doganor dhe një sërë projektesh të tjera të rëndësishme.

***

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane, por askush nuk mund ta mohojë se në hapësirat e tyre territoriale jeton një komb, një popull, që flet një gjuhë, që ka një kulturë, një histori, një qëllim, një aspiratë, një të ardhme dhe një orientim strategjik afatgjatë euro-atlantik. Aty mbizotëron ndjesia e përkatësisë së përbashkët etnike, shpirtërore, zakonore.

Pjesë të këtij kombi që ndodhen në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, po përjetojnë gjithashtu zhvillime pozitive, të cilat përfaqësojnë realitete të paimagjinueshme deri para disa vjetësh. Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat drejtohen nga shqiptarët, edhe në dy shtete të tjerë në Ballkan në poste të larta drejtuese ka shqiptarë.

Në Mal të Zi është kryeministri Dritan Abazoviq, në Maqedoninë e Veriut shqiptari Talat Xhaferri drejton parlamentin, shqiptari tjetër Artan Grubi është zëvendëskryeministri i parë. Prania e tyre në drejtimin e organeve qendrore nuk mund të mos ndikojë pozitivisht në statusin e shqiptarëve që banojnë në trojet e veta në këto shtete.

Një tjetër zhvillim domethënës është edhe ai që vërtetohet me shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve të veta. Me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Çamëria etj., ata mblidhen herë pas here së bashku për të kremtuar ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare ose krishtlindjet dhe festa të tjera fetare. Të gjithë edhe pse mund të kenë dekada që e kanë lënë vendin për arsye të ndryshme, ruajnë dashurinë për atdheun, vazhdojnë të ndjehen shqiptarë, të orientuar fuqimisht nga shqiptaria, punojnë me aq sa munden për të kontribuar në të mirë çështjes shqiptare, duke i dhënë një mësim të madh dhe shumë të çmuar politikës dhe politikanëve shqiptarë këtu në Ballkan.

***

Strategjia e përbashkët e zhvillimit ndërshqiptar nuk i kundërvihet bashkësive të tjera në rajon dhe në Evropë. Përkundrazi, fryma emancipuese dhe qytetëruese që sjell në këto kohë politika shqiptare në rajon, nivelet e zhvillimit të shqiptarëve në rajon, i kontribuojnë qëndrueshmërisë së Ballkanit dhe të Evropës. Disa prej fqinjëve të ngarkuar me makthe për shkak të padrejtësive ndaj tyre, i shohin me frikë e dyshim, duke menduar se edhe shqiptarët për simetri udhëhiqen nga të njëjtat paudhësi.

Qëndrimet korrekte të të gjithë segmenteve të politikës shqiptare si nga Tirana, Prishtina, Tetova etj. ndaj fqinjëve, të cilëve iu kanë ofruar garanci për bashkëpunim, janë shndërruar në modele që kanë kontribuar për emancipimin e ndërgjegjes së kontinentit, për demokratizimin e rajonit për krijimin e një klime paqeje dhe sigurie rajonale.

Në raport me të huajt, por edhe me vetveten, shqiptarët kanë arritur nivele që nuk i kanë pasur kurrë më parë. Rrugëtimi historik i integrimit-bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ka filluar dhe nuk mund të ndalet. Le t’i besojmë Naim Frashërit, i cili një shekull e ca më parë, thoshte gjithë shpresë se “për Shqipërinë ditët e mira paskëtaj vijnë”. /Gazeta “Dita”/

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A

Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A

La Liga
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Kalo në kategori