LAJMI I FUNDIT:

Sfidat e sistemit të drejtësisë penale

Sistemi i drejtësisë penale përfshinë tërësinë e mekanizmave shtetëror të krijuar në një shoqëri me qëllim të mbrojtjes së vlerave shoqërore e individuale, nga sjelljet e dukuritë e ndryshme kriminale. Ndonëse në shoqëritë bashkëkohore vërehet një tendencë në rritje e mekanizmave të tillë, është më se e qartë se barra kryesore, sa i përket mbrojtjes së këtyre vlerave, u takon institucioneve shtetërore klasike penale – policisë, prokurorive publike, gjykatave dhe institucioneve penitensiare. Ky sistem organesh, në përmbushjen e përgjegjësive të përcaktuara me ligj, në çdo shtet përballet me probleme, vështirësi e sfida. Sidoqoftë, janë vendet në tranzicion dhe ato që ndeshen me kriza ekonomike, politike e shoqërore, çfarë është edhe Kosova, në të cilat sfidat dhe problemet në funksionimin e këtij sistemi janë më se të theksuara. Rrjedhimisht, sfidat kryesore me të cilat aktualisht përballet sistemi i drejtësisë penale të Kosovës janë:

I. Reformimi

Reformimi paraqet grumbullin e veprimeve (masave, metodave etj.) përmes të cilave ndryshohet organizimi dhe drejtimi i një fushe të veprimtarisë shtetërore apo shoqërore. Në rastin konkret, fjala është për veprime që ndryshojnë organizimin dhe drejtimin e sistemit të drejtësisë penale. Vlerësoj se në gjendjen si aktualisht funksionon, ky sistem ka nevojë imediate që të përfshihet nga reforma të thella dhe të gjithanshme. Rrjedhimisht, si segmente kyçe në të cilat duhej shtrirë reformat e këtij sistemi konsiderohen:


1. Legjislacioni

Reforma do duhej fokusuar në drejtim të krijimit të një legjislacioni gjithëpërfshirës që siguron pavarësi në vendimmarrje, përgjegjësi dhe profesionalizëm në punë të të gjithë akterëve përgjegjës të gjykatave, prokurorive, policisë, institucioneve penitensiare dhe agjencive tjera të autorizuara për të zhvilluar veprimtari në çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit.

Pavarësisht faktit se Kosova ka një legjislacion bazik që mëton të sigurojë ekzistencën e postulateve që u theksuan më lart, prapë se prapë konsideroj se ky legjislacion duhet domosdoshmërish t’i nënshtrohet një procesi ndryshimi e plotësimi në mënyrë që të evitohen zbrazësitë jo të pakta që aktualisht e përcjellin funksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend.

Konsideroj se një rishikim i domosdoshëm profesional, i guximshëm dhe pa paragjykime duhet bërë edhe sa i përket Kodit penal, Kodit të procedurës penale, Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, por edhe të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ligjeve tjera që adresojnë çështje penale materiale, procedurale e të ekzekutimit.

2. Mënyra e fitimit të pozitave në gjykata, prokurori, polici e institucionet penitensiare

Reforma do të duhej të sigurojë përzgjedhje të gjyqtarëve, prokurorëve, përgjegjësve të policisë dhe udhëheqësve të institucioneve penitensiare mbi bazën e kriterit të meritokracisë, Në opinionin publik, sidomos atë profesional, aktualisht mbretëron mendimi se janë të paktë prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë publik në kuadër të Policisë së Kosovës dhe institucioneve penitensiare që janë emëruar në pozicionet e tyre mbi bazën e këtij kriteri. Për më tepër konsiderohet se pjesa dërmuese e zyrtarëve publikë të këtyre institucioneve janë emëruar sipas preferencave politike. Pasojë e kësaj vlerësohet të jetë fakti që vë në dukje punën me shumë mangësi të këtyre organeve – punë që vazhdon të hasë në kritika serioze të akterëve të shumtë relevantë ndërkombëtar.

Së këndejmi, shtrohet detyrë imediate që procesi i përzgjedhjes së këtyre nëpunësve publik të pësojë ndryshime radikale. Në kuadër të kësaj përzgjedhje sigurisht do duhej dhënë më shumë hapësirë gjeneratave të reja (qoftë edhe përmes ndryshimeve konkrete në ligjet përkatëse bazike që do të fokusoheshin në uljen e përvojës së punës që kërkohet për pozita përkatëse) dhe duhet ecur drejt mbylljes së kapitullit të përzgjedhjes së nëpunësve publik (gjyqtarëve, prokurorëve, udhëheqësve të policisë dhe të institucioneve penitensiare) që u treguan në vazhdimësi të pasuksesshëm dhe që para vitit 1999 dënuan shqiptarët që në demonstratat paqësore kërkonin të drejta e liri dhe krijimin e shtetit të tyre.

3. Aspektet teknike të funksionimit të veprimtarisë së gjykatave, prokurorive publike, policisë e institucioneve penitensiare

Reforma do të duhej të ofroj krijimin e kushteve optimale teknike që u sigurojnë gjyqtarëve, prokurorëve, policëve etj., veprimtari efikase në punë. Pavarësisht përpjekjeve të vogla që janë bërë, konsiderohet se e tërë periudha e pasluftës karakterizohet me probleme të shumta të kësaj natyre. Shumë prokurori, gjykata, burgje e polici akoma punojnë në objekte të papërshtatshme dhe shumë zyrtarë të këtyre organeve vazhdojnë të kërcënohen për punën e tyre që bëjnë. Së këndejmi, me qëllim që të sigurohet punë efikase në këto organe është koha e fundit që atyre t’u sigurohen kushte të duhura teknike (hapësirë e mjaftueshme) dhe mbrojtje adekuate, dhe në mënyrë të veçantë të futet në aplikim sistemi i përgjegjësisë për punë të pasuksesshme.

4.Modelet e funksionimit të gjykatave, prokurorive e ndoshta dhe të policisë:

Në fakt, kur janë në pyetje gjykatat dhe prokuroritë, sa i përket kësaj çështje, është bërë një hap të thuash tejet i rëndësishëm. Ky hap është konkretizuar me miratimin e Ligjit për gjykatat dhe Ligjit për prokurorin e shtetit. Këto dy ligje që, sa i përket çështjes së shtruar, pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2013, kanë vënë bazat e një sistemi gjyqësor e prokurorial të ri, të përshtatur modeleve të vendeve të përparuara, që pritet të ketë efekte edhe në uljen e shpenzimeve të gjyqësorit dhe prokurorisë (sidomos në pjesën që ka të bëj me administratën).

Natyrisht, akoma është shumë herët të dilet me ndonjë konkluzionin se si dhe sa do të avancohet puna e këtyre dy organeve që janë përfshirë në kuadër të këtij reformimi struktural, pasi me gjasë punët përgatitore që reflektojnë angazhimin për të lehtësuar këtë transformim duken akoma larg drejt diçkaje konkrete dhe të dukshme. Të shpresohet se zbatimi i këtyre dy ligjeve nuk do ta kenë fatin e shumë ligjeve të tjera që në fakt ekzistojnë vetëm në letër, por jo edhe në zbatim.

Ndërsa, sa i përket policisë, përveç shumë aspekteve tjera, dihet se çalimet më të mëdha kanë të bëjnë me mosfunksionalizimin e punës së policisë gjyqësore, e cila, përkundër përcaktimeve ligjore, de fakto nuk ekziston. Çalimet në punën e institucioneve penitensiare po ashtu janë evidente dhe ato kryesisht shtrihen në segmentin e sigurisë.

5. Aspektet e mënyrës së zbatimit të trajnimeve

Reforma do duhej të sigurojë trajnim të vazhdueshëm të gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, zyrtarëve penitensiar etj., të atillë që u përshtatet nevojave të kohës etj. Në opinionin publik mendohet se Kosova deri më tash ka ndjekur një politikë jo adekuate të trajnimit të këtyre zyrtarëve publikë. Kjo për faktin se në trajnime kryesisht janë përfshirë gjyqtarë, prokuror e polic e personel i burgjeve që janë para pensionit, në vend që në to të përfshiheshin kuadrat e reja dhe me perspektivë që në studimet e tyre brenda e jashtë vendit kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme.

II. Përballja me elementet kriminale

Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dukuritë të cilat në mënyrën më të vrazhdë po e sfidojnë të ardhmen e Kosovës. Jo shumë larg tyre janë edhe format tjera të kriminalitetit. Aktualisht konsiderohet se organet e sistemit të drejtësisë penale të Kosovës janë larg realizimit të përgjegjësive të tyre në çështjen e përballjes me elementet kriminale. Për këtë dëshmojnë raportet e organizatave të shumta respektive ndërkombëtare dhe prononcimet e zyrtarëve me ndikim në skenën politike ndërkombëtare.

Është për çdo kritikë fakti se aktualisht në sirtarët e gjykatave presin për tu zgjidhur edhe rreth 100 mijë lëndë gjyqësore, shumë nga to të natyrës penale që presin me vite për tu zgjidhur. Në këtë linjë gjithsesi shkon edhe fakti se, përkundër prioriteteit që i është dhënë nga Prokuroria e Shtetit dhe gjyqësia e Kosovës procedimit dhe zgjidhjes së lëndëve penale që kanë për objekt veprat penale që ndërlidhen me zgjedhjet, deri më tash kanë arritur të zgjidhen një numër simbolik i tyre. Për më tepër, për këto vepra penale gjykatat kanë shqiptuar kryesisht dënime me gjobë dhe kusht gjë që flet për një politikë ndëshkuese jo adekuate që kanë aplikuar ato, politikë që aspak nuk korrespondon me peshën e tyre.

Nuk konsideroj që kjo është mënyra ideale e përballjes me krimin. Për më tepër kjo qasje e gjyqësorit trimëron kryesitë për të vazhduar me veprimtaritë e tyre kriminale. Si rrjedhojë, është detyrë ligjore e akterëve kryesorë institucionalë që të ndërmarrin çdo masë të lejuar me ligj dhe kështu të marrin mbi vete përgjegjësinë që kanë për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjitha formave të tjera të kriminalitetit në Kosovë, në mënyrë që vendit t’i hapen perspektivat e sundimit të ligjit, zhvillimit të demokracisë dhe integrimit rajonal e ndërkombëtar të saj.

III. Depolitizimi

Depolitizimi në këtë rast ka të bëj me eliminimin e ndikimit të politikës në punën e organeve që sajojnë sistemin e drejtësisë penale. Opinioni publik, sidomos ai profesional në Kosovë dhe jashtë saj konsideron se në punën e organeve që përbëjnë sistemin e drejtësisë penale të Kosovës vërehet ndikimi i fuqishëm nga jashtë, sidomos i ekzekutivit dhe politikës. Në vendet e Evropës Perëndimore kjo situatë as që mund të imagjinohet se mund të ndodhë. Kjo gjendje, në fakt, nuk duhet të ndodhë as në Kosovë, dhe në asnjë vend tjetër që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian e organizma tjerë ndërkombëtarë. Është shumë i saktë fakti se Bashkimi Evropianë nuk do të lejoj hyrjen në gjirin e vet të asnjë shteti që e ka sistemin e drejtësisë penale të politizuar dhe të ndikuar nga ekzekutivi. Së këndejmi, akterët përgjegjës institucional duhet jo vetëm të fillojnë t’i eliminojnë praktikat e ndërhyrjeve të tyre në punën e këtyre organeve, por edhe të ndërmarrin masat ligjore ndaj të tjerëve të cilët duke shfrytëzuar pozitat politike apo tjera vazhdojnë të ushtrojnë ndërhyrje të tilla.

IV. Bashkëpunimi regjional dhe ndërkombëtar

Kosova aktualisht ndodhet para obligimeve të vendosura ndërkombëtare dhe trysnisë së shtuar për të shënuar zhvillime konkrete drejt shtimit të nivelit të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. Njëri prej segmenteve kyçe të këtij bashkëpunimi padyshim përbën avancimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të sigurisë dhe luftimit të krimit me autoritetet homologe të vendeve tjera në rajon dhe më gjerë. Së këndejmi, shtrohet detyrë imediate sidomos avancimi i nivelit të bashkëpunimit të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës për zbatim të ligjit me EULEX-in, Interpolin, Evropolin dhe autoritetet homologe të vendeve tjera.

Ndonëse aktualisht ka disa shenja se në çështjet e trajtuara në Kosovë, më në fund, do të mund të lëvizet për së mbari, është akoma herët që të krijohet një përshtypje shpresëdhënëse për këtë. Kjo për faktin se procesin e emërimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe udhëheqësve të lartë policorë e penitensiar po e përcjellin shumë probleme dhe parregullsi; se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera kriminale akoma vazhdon të jetë shumë e brishtë; se akoma vazhdon të jetë evident ndikimi i politikës në punën e gjykatave, prokurorisë, policisë së shtetit etj.