LAJMI I FUNDIT:

Sfidat e demokracisë arabe

Një numër të regjimeve autoritare në shtetet arabe po u vjen fundi. Por, a do të zëvendësohen ato me regjime demokratike, kjo nuk është e sigurt. Jo për ndonjë predispozitë kundër-demokratike të kulturës arabo-islame, siç kishte me thënë ndonjë dritëshkurtër, por për shkak se demokracia parakupton kapacitete që diktaturat në këto vende e kanë mbytur me dekada të tëra, dhe që nuk ngjallen dot vetëm me zgjedhje, qofshin edhe të lira e të ndershme. Revolucionin demokratik e ngatërron edhe më natyra e ndërhyrjes nga shtete të jashtme në këto vende. Demokracia nuk është diçka që ndodh përnjëherë. Sfida e shoqërive arabe drejt demokracisë mbetet ndërtimi i këtyre kapaciteteve dhe çlirimi nga paternalizmi politik që vjen nga jashtë këtyre shoqërive.

‘Liderëve Arabë’ dhe ‘heronjve të paqes’ iu lëkund toka nën këmbë vetëm atëherë kur populli i hidhëruar u ngre dhe me ngulm kërkoi heqjen e maskës së tyre dhe më në fund edhe heqjen e tyre. Mirëpo, përkundër thirrjeve të protestuesve për liri e drejtësi sociale, derisa kjo pakënaqësi e turmave të përkthehet në aksion të organizuar dhe të orientuar politik, këto do të mbesin vetëm kryengritje dhe assesi lëvizje revolucionare.

E, shteteve arabe nuk u duhen kryengritje që do të trazonin jetën shoqërore, ekonomike e politike, edhe ashtu të brishtë. Kryengritje të tilla të turmave që as vetë nuk e dinë se çfarë do të ndodhë më pas, më së shumti që mund të arrijnë është ndërrimi i liderëve dhe ndryshimi i raportit të forcave politike në vend, me fjalë të tjera të zëvendësohet një tiran me një tjetër.


Kryengritjet e tanishme në Tunizi, Egjipt dhe ato të mëparshmet në Liban e Iran vërtet janë thirrje të një klase të mesme të pakënaqur me gjendjen e punësimit, lirisë e demokracisë. Mirëpo, se a do të ndodhë që kësaj radhe ato të rezultojnë në demokraci, kjo është një çështje tjetër. Duke pasur parasysh se demokracia nuk është vetëm votime, por sundim i ligjit, liri politike dhe e shprehjes, fuqizim i shoqërisë civile, e kështu me radhë, këto nuk arrihen vetvetiu vetëm pse turma e dëshiron.

Është propozuar që çlirimi nga tirania e Mubarakut dhe Ben Alisë mund dhe duhet të bëhet përmes ‘zgjedhjeve të lira’. Thuhet se zgjedhjet rezultojnë në qeveri legjitime dhe të përgjegjëse ndaj popullatës. Por, ky mbetet një supozim, ngase në realitet nuk ndodh kështu. Faktet dëshmojnë se të zgjedhurit e popullit kollaj mund të shndërrohen në diktatorë. Me fjalë, të tjera, zgjedhjet në kushte të caktuara krijojnë jo autoritete që kanë mandat të qeverisin në të mirë të publikut, por diktatorë e tiranë që sundojnë në interes vetëm të tyrin. Ky dallim besoj se është i qartë.

Krahas zgjedhjeve duhen edhe institucione funksionale të kontrollit, frenimit dhe balancimit të pushtetit që do të siguronin që zgjedhjet të jenë të pastra dhe të ndershme. Vetëm atëherë zgjedhjet do të kryenin funksionin e tyre demokratik dhe do të rezultonin në qeveri që do të bënte politika në të mirë të popullatës.

Tërheqja e Ben Alive dhe Mubarakave nuk janë garanci se demokracia do të lulëzojë në shoqëritë përkatëse. Parakusht për zgjedhje të vërteta e të kuptimta janë liria e shprehjes dhe ajo intelektuale, si dhe arsimimi i qytetarëve. Fundja, qytetarët duhet të fuqizohen që të ndikojnë në qeverisje jo vetëm përmes votimit, por edhe kanaleve të tjera të pjesëmarrjes demokratike, përtej kutive të votimit.

Duke pasur parasysh se partitë në pushtet dhe elita mbizotëruese sistematikisht i kanë shtypur partitë dhe grupet opozitare të interesit, opozita nuk ka ndonjë përvojë të mjaftueshme në veprimtari politike, në organizim të zgjedhjeve, studim e vlerësim të politikave, ose të bëjë kompromise politike. Andaj, ajo, pa kapacitete të këtilla, e ka të vështirë të mobilizojë dhe të sigurojë burime për të krijuar grupe efikase të interesit. Dorëheqja apo shkarkimi i liderëve tiranë nuk domethënë se do të rrënojë ngrehinën e regjimit të vjetër autoritar. Institucionet dhe aktorët e shtetit të vjetër mund të mbesin dhe të riorganizohen, sidomos duke qenë se një numër i madh i tyre gjatë dekadave të fundit kanë krijuar pasuri dhe ndikim të madh në shtet. Prandaj, kryengritësit e suksesshëm në rrëzimin e diktatorëve, duhet patjetër të gjejnë mënyra efikase për kalim në fazën e dytë të tranzicionit demokratik për të ndërtuar institucione demokratike dhe për të ndërruar vetë sistemin dhe të mos kënaqen vetëm me ndryshime sipërfaqësore në sistemin autoritar.

As sistemi i krijuar ekonomik në këto vende nuk është i favorshëm për një revolucion progresiv. Këto shoqëri varen në masë të madhe nga ndihmat e donatorëve të jashtëm, sidomos Egjipti. Ndihmat dhe paratë që pranojnë këto vende nga shtetet e zhvilluara, sidomos nga ShBA, shkaktojë problem serioz, ngase ato donacione nuk përcillen me procese të pastra buxhetore. Paratë shfrytëzohen nga kriminelë të cilët më pas ndërtojë sisteme të patronazhit politik dhe korrupsion në qeveri.

Mirëpo, veç këtyre sfidave të brendshme, ajo çfarë e bën edhe më të zorshëm tranzicionin në demokraci liberale në këto shtete janë edhe interesat ekonomike të shteteve dhe grupeve të huaja në rajon që jo gjithmonë janë të pastra. Ato interesa shpeshherë janë të përfshirë në dallavere me batakçi në mesin e zyrtarëve qeveritarë të cilët ndërtojnë një sistem të patronazhit politik dhe për shkak se janë, apo vijnë më vonë në autoritet (ministra, etj.) edhe gjyqet janë të pafuqishëm ndaj tyre. Si rrjedhojë, kur të kesh kriminelë në pushtet, çdo përpjekje apo rrugë për demokratizimin vendit bëhet më e komplikuar.

Veç faktorit ekonomik, ndërhyrja nga shtete të jashtme për të siguruar që në pushtet të vijnë njerëz që do të ‘ruanin paqen’ në rajon dhe ‘stabilitetin’ brenda vendit (një mënyrë politikisht korrekte për të emërtuar politikanë që u binden atyre), shpërfill forcat progresive në vend dhe mund të rezultojë përsëri në sundime autoritare. Anti-semitizmi dhe ‘fundamentalizmi’ dhe ‘radikalizmi islamik’ janë frika përmes të cilave diktatorët në ‘Lindjen e Mesme’ legjitimojnë pushtetin e tyre, si ‘e keqja më e vogël e mundshme’. Por, është e diskutueshme nëse ndërrimi i regjimeve autokratike në këto vende domosdoshmërisht do të rezultonte në armiqësi kundër Izraelit apo në regjime ‘fundamentale’.

Presidenti Obama e kaloi testin e Egjiptit kur u rreshtuat në anën e popullit kundër Mubarakut. Sidoqoftë, kjo është vetëm pyetja e parë e testit të përkrahjes së demokracisë. Pyetje më të vështira po vijnë. Ato kanë të bëjnë me çështje të tilla si do të ndikojë Amerika në politikën e brendshme të Egjiptit, sa e si do të ndihmojë demokratizimin e këtyre vendeve, e kështu me radhë. Por, me sa duket efekti domino ka marrë hov të madh. Ndërsa Amerika do të ketë edhe teste të tjera me diktatorët në shtetet e rajonit, qëndrimet e diktatorëve të tjerë në rajon janë pak shpresëdhënëse.

Për të përmbledhur, kur flitet për tranzicion demokratik, atë nuk duhet kufizuar në kuptimin e ngushtë procedural të demokracisë që nënkupton zgjedhje me vota. Për tranzicion të suksesshëm duhen zgjedhje të çliruara nga marrëdhëniet e patronazhit, si dhe mekanizma të llogaridhënies, ndarje të gjyqësorit nga politika, politikën nga policitë e partive, garantimin e lirive fundamentale që i nënkupton një sistem demokratik liberal, si liria ekonomike e sipërmarrjes e çliruar nga marrëdhëniet klienteliste, liria e shprehjes, liria intelektuale, liria e shtypit që parakupton jo vetëm të jesh i sigurt nga ndëshkimi për fjalën e lirë, por edhe mundësi për të qenë i informuar drejt për punën dhe vendimet e autoriteteve, për të zbuluar materiale ‘sekrete’, e kështu me radhë.

Andaj, pa një vizion dhe proces të emancipimit që do të çlironte shoqëritë nga varësitë e brendshme të armatës, torturës së policisë sekrete, marrëdhënieve të patronazhit, korrupsionit qeveritar dhe shtypjes së lirisë së shprehjes, por edhe nga varësitë e jashtme të paternalizmit politik, revolucionet demokratike janë pothuaj të pamundshme.

(Autori është mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës)

Në trend

Më shumë
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori