Nata e sotme shënon 21-vjetorin e përfundimit të Konferencës për Implementimin e Paqes në Bosnjë e Hercegovinë. Kjo konferencë u mbajt në Londër me 8 dhe 9 dhjetor të vitit 1995 dhe ishte pjesë përcjellëse e vendimeve të Konferencës së Daytonit që u mbajt një muaj më herët.
Konferenca e Implementimit të Paqes u përkrah nga 55 shtete të cilat u zotuan se në Bosnjë dhe Hercegovinë do të ndihmonin në aspektin financiar, do ta furnizonin EUFOR-in me trupa ushtarake, do të dërgonin vëzhgues dhe do të udhëhiqnin operacione tjera të kësaj natyre.
Është interesant që sot, pas 21 viteve, të shihet se në Bosnjë situata nuk është shumë më e mirë nga koha para fillimit të konfliktit. Po ashtu, është interesante nëse bëhet një krahasim me mënyrën e ushtrimit të profesionit të gazetarit të asaj kohe më këtë të sotmen. Fjala është për sigurimin e informatave nga gazetari dhe shpërndarjen e tyre te lexuesi.
Pasi që konferenca mbahej në Londër, organizatori i saj ishte ‘Foreign Office’ (Ministria e Jashtme Britanike) e udhëhequr nga sekretari i jashtëm, Malcolm Rifkind. Gjatë dy ditëve sa zgjati kjo konferencë, organizatori në Press Centre kishte vëne disa tavolina mbi të cilat kishte vetëm telefona. Informatat për gazetarët vinin nëpërmjet monitorëve të vendosur në mure (që shihen edhe në foton më poshtë). Natyrisht, informatat ishin të filtruara dhe si të tilla, jo aq interesante. Mënyra tjetër, shumë më atraktive, për sigurimin e informatave në lidhje me mënyrën e vajtjes së punëve të konferencës pas dyerve të mbyllura dhe larg gazetarëve, vinte nga kontaktet – nëse ato ekzistonin.
Konferenca, siç dihej, nuk kishte të bëjë aspak me Kosovën, por unë e përcillja. Një ditë aty e takova të ndjerin Gani Azemin, i cili atëherë ishte aktivist politik, por pasi që ishte udhëheqës i zyrës së QIK-ut në Bruksel mund të konsiderohej edhe si gazetar. Kosova, sikur në Dayton, edhe në Londër u injorua tërësisht. Prandaj, pyetjet e mia, sikur edhe të Ganiut që i parashtronim, kishin të bëjnë me këtë temë: Pse po injorohet Kosova? Në fakt dihej pse injorohej, por unë në këtë konferencë, sidomos Ganiu, e bënim më shumë punën e propaganduesit për çështjen e Kosovës sesa të gazetarit. Së paku mundoheshim t’ia bënim botës me dije se problem i Kosovës ekzistonte, por askush nuk merrej me të. Ganiu përcillte çfarëdo konference nëpër Evropë dhe e bënte të njëjtën pyetje.
Një ditë shkova bashkë me Ganiun për të përcjell atë që kishte për të thënë Karl Bildt (atëherë ministër i Jashtëm suedez). U ulëm në rreshtin e parë dhe kur hyri Karl Bildt brenda. Menjëherë e pa Ganiun të cilit, nëse e përkthejmë në shqip, përafërsisht në mënyrë habitore i tha kështu: ’Qy, edhe këtu paske ardhë a?’ D.m.th. kaq mirë njiheshin këta dy pasi që ishin takuar në konferenca të shumta për shtyp.
Në këtë kohë, Kosova, por edhe ne gazetarët nga ky vend sikur edhe nga Shqipëria, injoroheshim tërësisht nga politikanët e botës. Siç thotë një fjalë popullore, ‘askush pesë pare nuk i jepte për neve’. Arsyeja dihej: nuk ishim faktorë dhe askush nuk dëshironte të humbte kohë me neve pasi që ishin të zënë me ata që luftonin.
Një ditë erdhi një aktivist i LDK që kishte siguruar hyrje në konferencë në cilësi të gazetarit që përfaqësonte QIK-un në Londër. Derisa unë po bisedoja me një zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes Britanike, ky aktivisti u afrua dhe në mënyrë aspak të sjellshme filloi ta sulmonte funksionarin britanik, thuajse ai ishte fajtor për gjendjen e rëndë në Kosovë. E mundonte me pyetjet: pse në konferencën për Bosnjën nuk po diskutohet problem i Kosovës dhe me një varg të pyetjeve tjera të kësaj natyre. Funksionarit britanik dikur i plasi perdja dhe iu drejtua këtij aktivistit, përafërsisht me fjalë që kishin këtë domethënie: ’Në konferenca paqësore marrin pjesë ata që luftojnë. Dhe nëse dëshiron të marrësh pjesë në konferencë të paqes, duhesh të luftosh’. Shumë e qartë. Me fjalë tjera, porosi ishte se konferencat e paqes janë për burra që luftojnë e jo për ata që vajtojnë.
I përcillja pothuaj të gjitha konferencat për shtyp të ministrave të Jashtëm dhe pothuajse të gjithë i injoronin pyetjet e mia ose përgjigjeshin sa për sy e faqe. I vetmi që i kushtoi rëndësi pyetjes sime ishte Deniz Baykal, zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të Jashtme të Turqisë.
Konferencën e fundit dhe kryesore për shtyp e mbajti nikoqiri Malcolm Rifkind (sekretar britanik për punë të Jashtme) edhe i cili i shpalli të suksesshme punimet e Konferencës për implimentimin e paqes. Në mesin e disa qindra gazetarëve unë e ngritja dorën pa kurrfarë shprese për ta marrë mikrofonin për pyetje. Për çudi, në pyetjen e tretë, Rifkind bëri me dorë nga unë. Natyrisht, dihej pyetja ime, e cila nuk kishte lidhje me konferencën. Pa lidhje ishte edhe përgjigja e Rifkindit i cili edhe sot mendon se gjërat në Kosovë nuk kanë qenë edhe aq keq. Por, në momentin kur mua ma dhanë mikrofonin, televizioni Channel 4 në emisionin kryesor të lajmeve kishte vendosur që të inkuadrohej drejtpërdrejt nga Konferenca. Dhe, transmetimi kishte filluar me mua ‘live’ në plan të parë dhe me pyetje për Kosovën kurse muhabeti ishte për Bosnjën. Pyetja ishte joadekuate, por miliona njerëz atë mbrëmje me siguri e kanë marrë vesh se në Jugosllavi, pos Bosnjës dhe Kroacisë, ekzistonte edhe një problem tjetër që kërkonte zgjidhje.
Në realitet, viti 1995 ka qenë vit i vështirë për Kosovën. Në Konferencën e Daytonit dhe në këtë të Londrës, Millosheviqi e mori epitetin e një negociatori të moderuar, i interesuar për paqe dhe gati konsiderohej hero në Perëndim. Qeveria konservatore britanike e cila në këtë kohë udhëhiqej nga John Major, në shumicën e rasteve e përkrahte regjimin e Millosheviqit. Nëse në ndonjë rast nuk e përkrahte, nuk e pengonte. Serbia nuk kërkonte më shumë se kaq.
Në fakt, që nga viti 1881, kur në Britani erdhi në pushtet William Gladstone, ky shtet ka udhëhequr një politikë pro-serbe – pa rezerva. Për shqiptarët kjo ka qenë një ‘melodi’ e trishtueshme, telin e të cilës për herë të fundit e rrihte Malcolm Rifkind.
Kështu ka qenë deri në maj të vitit 1997 kur Tony Blair erdhi në pushtet dhe menjëherë e ‘ndërroi plloqën’ dhe vendosi me ‘ndigju edhe shqip’.
Pos politikës britanike kanë ndryshuar edhe shumë gjëra tjera nga viti 1995. Në atë kohë kompjuteri dhe interneti sa kishin hyrë në përdorim të gazetarisë dhe dita ditës i zëvendësonin makinat e shkrimit dhe faksin. Sot, puna e shkruarjes dhe botimit për gazetarin është lehtësuar tej imagjinatës së atëhershme. Por, disa gjëra janë më keq se atëherë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit
Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje