LAJMI I FUNDIT:

Rritet Bruto Produkti Vendor

Rritet Bruto Produkti Vendor

Në bazë të statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Bruto Produkti Vendor (BPV) shënon një rritje reale për 0.22 për qind në krahasim me tre mujorin e parë të vitit paraprak.

Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave me 26.2 për qind; hotelet dhe restorantet me 28.2 për qind; aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 2.9 për qind.

Rënie shënuan te: bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi me -1.7 për qind; industria nxjerrëse -7.6 për qind; industria përpunuese me -0.1 për qind; furnizimi me energji elektrike, gaz dhe ujë -14.1 për qind; ndërtimtaria me -14.1 për qind; transporti dhe magazinimi me -4.3 për qind; afarizmi me pasuri të patundshme me -2.1 për qind; administrimi publik me -7.9 për qind; dhe shërbime të tjera me -17.2 për qind.


BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje veçanërisht në: shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe Institucionet Jopërfituese në Shërbim të Ekonomive Shtëpiake (IJPShESh) me 2.6 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak; eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 15.0 për qind; dhe importi i mallrave dhe shërbimeve me 5.3 për qind. Ndërsa, rënie shënuan: shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me -8.7 për qind, formimi i bruto kapitalit me 2.5 për qind. /Telegrafi/