Nga: Christopher Booth, ish-shef i zyrës së BBC-së në Moskë / The Spectator
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Në fund të vitit 1994, i çonim ca pije – në një apartament të marrë me qira – në qendër të Groznit. Një grup të reporterëve të huaj, përfshirë mua – që zakonisht banonim në Moskë – na dërguam atje për ta ndjekur konfliktin e çuditshëm që e ndezi Çeçeninë. Ishte natë e vonë. Dhoma ishte e mbushur me tym cigaresh. Dikush qëlloi për t’i rënë kitarës. Aty kishte edhe vodkë. Gratë gazetare – që ishin më në numër – i duronin llafet e burrave që gërmonin nëpër luftërat e kaluara dhe ditët më të mira të jetëve të tyre. Në disa raste ndodhte e kundërta: producentët e rinj meshkuj u bënë objektiva interesantë të grave reportere që ishin të kalitura nga përvoja.
Atë kohë, thashethemet e prapaskenave të Kremlinit ishin se nëse rebelët çeçenë nuk tërhiqen, do të ketë pasoja të paspecifikuara për ta – por të tmerrshme. Mirëpo, në fakt askush nuk besonte se Shtabi i Përgjithshëm rus po e mendonte seriozisht këtë. U tallëm, sepse ndejat tjera të mëdha na pritnin jo shumë larg tregut ku me para të gatshme mund të blinit granata, AK-47 dhe Zoti e di se çka tjetër.
Duhet të jetë bllof, sjellje e shtirë – asnjë nga këto nuk ka kuptim. Burrat në Moskë nuk ishin aq të çmendur. Presidenti, ndoshta po. Por, ai ishte i rrethuar nga të rriturit. E saktë? (Diçka që mund të duket e njohur)
Deri më sot ky ka qenë konflikt gjysmë i rrejshëm: një qeveri kryengritëse në Çeçeni ngacmohej dhe sulmohej kohë pas kohe nga trupat “lokale” të drejtuara nga GRU-ja – Inteligjenca Ushtarake Ruse – të cilët i përdorën si kukulla liderët “lokalë” nga zonat e “shkëputur” të republikës. (Edhe kjo ndoshta të kujton diçka)
Ministri i atëhershëm rus i Mbrojtjes, i korruptuari i famshëm Pavel Grachev, mburrej se mund ta merrte Groznin për dy orë – me një regjiment ajror. Punë shumë e lehtë. Pra, mos na tundoni. (Krahasimi përfundimtar)
Papritmas – në mes të ndejës sonë, deri atëherë disi të shthurur – një korrespondent i Sky News-it bërtiti: “Djalli e marrtë! Ata me tamam janë duke e bërë atë”!
Të rënat në kitare nga një tip i dehur vendas, u mbytën prej shpërthimeve masive që ndodhnin shumë afër nesh, si dhe nga zhurma aeroplanëve reaktivë që ktheheshin për një raund tjetër bombardimesh. Të gjithë u kthjellëm, u grumbulluam në automjetet më të afërta – instinkt ky që i karakterizon gazetarët dhe e nxit gjykimin e arsyeshëm.
Pak më lart në rrugën tonë, digjej një ndërtesë apartamentesh. Nuk ishin më muret që duhej t’i mbronin ata që ëndërronin nëpër shtretër. Mund ta shihja dikë në një kat më të lartë që endej hutueshëm nëpër banjë.
Në përdhese, dritat e kamerës e zbuluan një burrë të mbuluar me pluhur allçie dhe me blozë, me flokët njëmend të çuara përpjetë e me krahët e shtrirë dhe gishtat që bënin gjeste çmendurie, thuajse përpiqej ta kuptonte të pamundshmen e atij momenti. Sytë dhe gojën i kishte hapur, por nuk kishte fjalë. E xhiruam.
Ca ditë më vonë, u ktheva në zyrën tonë në Moskë. Duhej bërë ca punë administratore, ndërsa ishin edhe fakset që duhej kontrolluar. Njëri nga ta ishte i shërbimit qeveritar të informacionit. Citohej Oleg Soskovetsi – zyrtar tashmë i harruar, atëherë zëvendëskryeministër me portofol për çështjet e sigurisë:
“Grupet e banditëve në Çeçeni i kanë hedhur në erë blloqet e tyre të apartamenteve, që t’i simulojnë efektet e sulmeve ajrore”!
Nuk mund ta besoja këtë që po lexoja.
Një deklaratë për shtyp që pasoi e pranoi më në fund se ka mundur të ketë edhe sulme ajrore, por thuhej se ishin nga “aeroplanët e paidentifikuar”.
Aeroplanët nga Lihtenshtajni, e pyesja veten? Kjo është ajo që po thoni? Ndoshta pilotët djallëzisht të zgjuar, nga hapësira e jashtme, me misionet që ne veç mund t’i hamendësojmë? Duke e pasur parasysh atë që kisha parë në Grozni, u habita nga përmasat e çmendura të atyre gënjeshtrave.
E ruajta faksin, sepse ishte tejet skandaloz. Një version i keq i propagandës naziste. Goebbelsi në një ditë pushimi. Duhet të ishte përjashtim e jo rregull ky. E vura në kornizë dhe e vara në tualetin tim, për ta analizuar më mirë në kohën e lirë – me një si përzierje të habisë dhe të tmerrit.
Veç tash më kujtohet se në asnjë moment në atë kohë, Kremlini nuk e tha me emër atë që po ndodhte – një “luftë”. E cilësonin si “operacion për rivendosjen e rendit kushtetues”. Njëjtë si ajo që po ndodh pothuajse tridhjetë vjet më vonë në Ukrainë – se po ashtu nuk ka luftë, por veçse një “operacion ushtarak special”.
Në kuadër të shumë komplimenteve që ia dhanë versionit të tiranisë së Vladimir Putinit, mbase është një dhunti e re e tij në luftën informacionit të rrejshëm. Është një si lloj gjeniu post-modern: Foucault (Michel – filozof frëng që ndër të tjera merrej me raportin mes fuqisë dhe dijes – v.p.) me noviçok (helm nervor – v.p.) dhe me tanke.
E vërteta është se ai thjesht është një trashëgimtar i ADN-së së rrënjosur qeverisëse. Gënjeshtra patologjike është procedurë standarde e veprimit ndaj të huajve dhe ndaj qytetarëve të vet.
Autori i ndjerë, disidenti sovjetik Vladimir Voinovich, në muzgun e BRSS-së ka thënë se kritikët e tij vendas nuk e kishin vlerësuar kurrë “metodën që ishte shumë e huaj për ne – përshkrimi i realitetit ashtu siç është”.
Figurat e opozitës – si Alexei Navalny – e kuptojnë çfarë donte të thoshte. Aktivisti kundër korrupsionit ka paralajmëruar për paturpësinë e habitshme të zyrtarëve që vetes ia caktojnë detyrën për respekt të kujdesshëm ndaj vlerave kulturore – skrepi, në rusisht – teksa shpërblehen me luks grotesk dhe me shtëpi të dyta në Itali dhe në Spanjë. Pasi i mbijetoi tentativës së atentatit me helmim, Navalny – që tashmë gjendet prapa grilave – për këto brenga këtë javë u dënua me nëntë vjet burg.
Shumë gazetarë rusë janë vrarë nën regjimin e Putit. E, ditëve të fundit, atyre që mbetën gazetarë – përfshirë këtu miqtë e guximshëm nga shërbimi rus i BBC-së – u është dhënë zgjedhja e heshtjes ose e internimit, Në fakt, është kundërligjshme ta thuash të vërtetën në Rusi. Sot, më shumë se kurrë, nuk mund ta çnderoni parimin që merret si i mirëqenë nga shumica e njerëzve në vend: ‘menshe znaesh, luchshe spish’ – sa më pak që dini, aq më mirë flini.
Pra, të thuash se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij -në mediat si Rusia Russia – kanë talent të veçantë për gënjeshtrën, do të thotë të shpërfillësh të kaluarën e t’ua japësh një vlerësim të pamerituar figurave të tilla mjerane. Gënjeshtra këtu e ka pedigre të gjatë.
Për disa kjo është një tjetër joshje: disa prej ish-kolegëve rusë e ndërruan kahun dhe iu bashkuan bandave të dezinformatave që po mbusheshin me bollëk. Një producent në Associated Press, i cili i radhiste para vetes Big Mac-ët (hamburgerët e McDonald’s-it, dikur luks për rusët – v.p.) në vitet nëntëdhjetë dhe që kishte lezet kur paguhej me dollarë, u bë emër i rëndësishëm i Russia Today. Një reporter i BBC-së – me të cilin punoja në Moskë – sot ka kontratë për ta drejtuar zyrën e Sputnik-ut në Mbretërinë e Bashkuar – shoqëruesen me fjalë të ofertës helmuese të transmetuesit Russia Today.
Një mendim që shpesh shprehet është ai se ajo që po ndodh në Rusi, se ajo që Rusia sot po e bën në Ukrainë, po ndodhë veç nga faji i liderëve miopë ose keqdashës perëndimorë. Një mendim ky i pacivilizuar e primitiv, që mbase thotë se rusët do të ishin në paqe me fqinjët dhe me veten po të mos ishim “ne”. Pra, një përfundim logjik është se këta dy ish-kolegë me të cilët dikur u përpoqa t’i mbuloja ngjarjet, u detyruan të flasin marrëzira për shkak të diçkaje që e bëra ose të diçkaje që nuk arrita ta bëj.
Kjo qasje është e dëmshme për natyrën njerëzore, e cila e dimë se na lejon të besojmë te disa gjëra të papajtueshme nëse e ndiejmë se kjo na përshtatet.
Në rastin e oligarkëve dhe të burrave të KGB-së, ndoshta janë të merituara pasuritë përrallore të fituara duke e grabitur vendin sepse, sipas tyre, ata po e mbrojnë kombin në një mënyrë të papërshkrueshme, ama shumë të rëndësishme.
Apo – në rastin e ish-kolegëve të mi – ndoshta të thuash ashiqare gënjeshtra brenda dhe jashtë vendit, kjo disi i shërben një të vërtete më të madhe. A kështu e fashitin ata ndërgjegjen, meqë gëzojnë shtetësi të dyfishtë dhe më shumë se një skemë pensionesh? Ose mbase nuk kanë ideologji, as ndjesi për zemërimin e të përbuzurve: thjesht i donin paratë. Ose të tria së bashku. Ku mund ta di?
Por, ashiqare është më mirë të thuhet se burrat e tillë kanë autonomi morale – se vendimet e tyre janë marrë lirisht e jo si pasojë pashmangshme e keqtrajtimit ose keqkuptimit nga bashkëpunëtorët perëndimorë. Pikëpamja e fundit do të ishte goxha patronuese: fanatizmi në kufi me racizmin.
Cilido qoftë katekizmi post-sovjetik i këtyre njerëzve, kjo shtrihet në traditën e gjatë të mashtrimit: ideja se mund ta ndryshoni realitetin e hidhur, duke e riemërtuar atë. Sigurisht, problemi është se në një moment njerëzit lodhen duke u ushqyer me budallallëqe dhe nisin të flasin.
Satiristët më të mirë, me cigare të helmuara donin t’i ndanin nga e vërteta, ndërsa Voinovichi (Vladimir) ishte i njohur për këtë. Në të vërtetë, pas vdekjes së tij më 2018, një thënie e tij duket si profetike:
“Njerëzit vazhdojnë të thonë se po bëhen të vërteta të gjitha gjërat e këqija që po i shkruaj, ndaj do të shkruaj diçka të mirë”.
Kjo thjesht nuk është shaka. Në thelb është si mbrojtje e fortë për rëndësinë e zgjedhjes më të mirë të fjalëve – të besueshme, sado i modës së vjetër të jetë ky koncept. Është gjithashtu një deklaratë e një agjencie, dhe po për këtë është arsye e mirë për të trajtuar me përbuzje pohimin se “po të pyeteshim ne, asgjë nga këto nuk do të ndodhte”. Sa shumë të fiksuar pas vetes janë rusët sa që të shtyjnë të mendosh se janë të paaftë për sjellje të liga e se as nuk kanë fare dorë në këtë.
Me këtë madje do të pajtohej edhe Oleg Soskovetsi, heroi i faksit në tualetin tim që foli për mënyrën se si çeçenët i falsifikonin sulmet ajrore. Ai është ende gjallë dhe këtë pranverë do të festojë ditëlindjen e tij të 74-të – nëse i besohet Wikipedia-s. Megjithatë, si mund të jesh i sigurt për këtë? Ndoshta një gazetar mund ta gjejë dhe të raportojë për të. Në rregull, ndoshta jo në Rusi.
Ndërkohë, që të mos nervozohesha, një mik më këshilloi të mos e shikoja postimin në Twitter të ish-punëtorit të BBC-së – që tashmë punon për Sputnik-un. Por, sigurisht që e shikova. Një javë pas luftës në Ukrainë, tipi e postoi këtë koment – poshtë një video të ndërtesave të bombarduara të banimit: “Çfarë ju shtyn të mendoni se rusët e kanë bërë këtë”?
“Nichego ne menyaetsya”, siç thonë prej vendit nga ai vjen. Asgjë nuk ndryshon.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDrenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë