LAJMI I FUNDIT:

“Rikuerci” i Akademisë!

Korrigjimi, e jo tërheqja. Kështu ia "lidhën kryet" mbledhjes së tyre akademikët maqedonas, të mërkurën (23 shtator). Sajuesit e Enciklopedisë shprehën pishmanllëkun e tyre tek pjesa që ka të bëjë me fyerjen e shqiptarëve dhe historisë së tyre. Uragani ndodhi një javë pas luftës së ashpër ndërmjet engjëjve të bardhë e të zinj. Akademikëve u ra zhetoni, sikur kërkuan falje për "gafat" e bëra…

Ndodhi, pra, "rikuerci", i cili nuk do të ndodhte po të mos reagohej ashpër nga trungu shqiptar, po të mos ngrihej në këmbë Shkupi, Prishtina e Tirana, po të mos bënte presion edhe Evropa. Çfarë do të jetë ai korrigjim, si dhe në ç’mënyrë do të paraqitën shqiptarët, historia e tyre, kjo pritet të shihet.

Redaktori kryesor i kësaj Enciklopedie, Bllazhe Ristovski, siç ka deklaruar për BBC, është këmbëngulës:" Nuk e bëmë Enciklopedinë që dikush ta tërheqë!". Sipas tij ajo çka kanë shkruar për shqiptarët është OK! Tërthorazi e pranon se ka gabime "të vogla", të cilat "ato më vonë do të herren". Kësaj i thonë: Njëherë po të shaj, pastaj shohim e bëjmë… Megjithëkëtë, Ristovski, në një mënyrë, la të kuptoj se do të ndodhë ajo çka ndodhi.


Si duket, presioni, edhe ai ndërkombëtar, bëri që akademikët të shprehin pishmanllëkun , mbase, atyre u ka fry në vesh politika. Akademikët e pësuan vetëm "nokdaunin", jo edhe "nokautin klasik". Politika "ndërhyri" që të qetësohen sado pak shpirtrat e trazuar, të mos bëhet përrallë Maqedonia, të mos krijohet imazh i keq për këtë shtet të brishtë.

Nëse punët shkojnë llugë brenda, krijohen probleme nacionale, kanë llogaritur politikanët maqedonas, vështirë se do ta marrin "biletën" për në Bruksel. U ka ra zhetoni politikanëve, pra edhe akademikëve, të mos i qesin hije të keqe vendit të tyre. Nëse të lidhë ndokush, zgjidhesh, e nëse e lidhë vetveten, vështirë e ke. Këtë e kanë pasur parasysh elita maqedonase.

Mbeti enigma. Kush është faktori vendimtar që ia ‘ngrehu veshin" kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, t’i ketë thënë hiqni dorë nga ato marrëzira që i keni bërë ndaj shqiptarëve, ngase shtrenjtë do ta paguani llogarinë.

Në një shtet normal, ku ka ligje, s’bën të lejohen të dalin në skenë sharlatanët, të hedhin baltë mbi shqiptarët, atyre duhet ndalur turrin. Për të parët e shqiptarëve, ilirët, por edhe pellazgët janë shkruar shumë libra, flitet se ku janë shtrirë. Pellazgët, stërgjyshërit e shqiptarëve janë banorët e parë të Greqisë së lashtë, sikundër thotë Spiro N. Konda në librin e tij shkencor "Shqiptarët dhe problemi pellazgjik", Prishtinë, 1997.

Konda, i cili i citon mendimtarët e vjetër grekë Homerin, Herodotin, Tuqididin, Strabonin, Aristotelin, Platonin, Virgjilin dhe të tjerët, nxjerrë toponimet shqipe edhe në territorin e Maqedonisë së sotme, emri i së cilës po kontestohet nga zyrtarët grekë.

Shihe ti, autorët e Enciklopedisë, ngrehin tezën së "njerëzit e malit", shqiptarët paskan ardhur nga veriu i Shqipërisë, në Maqedoni, dhe këtu i kanë uzurpuar shtëpitë e maqedonasve. Ku e mbështesin tezën e tyre, u kanë folur kështu gjyshet, apo u kanë fryrë në vesh politikanët, tipat si Gruevski e të tjerët, ta bëjnë një shërbim "për tokën maqedonase". Por, me përralla, me gënjeshtra, shpifje, fyerje s’bëhet historia, nuk hartohet enciklopedia, ngase, ndryshe, qesh bota.

Spiro Konda edhe për Athinën thotë se është toponim shqip. "Në gjuhën shqipe është fjala: than d.m.th. greq. kranja, pa nyje dhe me nyje në fund të fjalës bëhet: thana. Greku duke dëgjuar se qyteti quhet Thana e merr për një fjalë dhe jo të përbërë nga rrënja e fjalës than dhe nyja a. Prandaj i vuri në krye nyjën greke a, dhe thotë: Athana… Janë të shumta qytetet që kanë marrë emrin e tyre nga dru dhe bimë të ndryshme, spikat në librin e tij, faqe 141, autori Konda.

Para dhjetë vjetësh, pikërisht më 12 qershor 1999, kur trupat e NATO-s marshuan nga Shkupi drejtë Kosovës, shqiptarët u duartrokitën paqeruajtësve, hedhën lule në tanket e tyre, ndërkaq maqedonasit u ngritën në demonstrata jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër NATO-s, hedhën gurë mbi shqiptarët, brohoritën: "Do t’i vrasim shqiptarët". Deliriumi i tyre pat zgjatur deri në orët e vona të pasmesnatës. Për këtë çmendi atëbotë pat shkruar edhe gazeta e Shkupit "Fakti".

Zyrtarët e Shkupit, matanë lumit Vardar, në një kodër ngritën kryqin gjigand, për të treguar se kjo na qenkësh tokë e maqedonasve. Ikonografia, grafitet antishqiptare i ke në çdo cep të Maqedonisë. Kjo ndodhë, mu për shkak të ndjenjës së inferioritetit, maqedonasit donë të tregojnë se kullen këtu, ndërsa ‘ të tjerët’, duhet të bëhen të dëgjueshëm, të rrinë urtë, ndryshe i pret burgu.

Politikanët shqiptarë, heshtin, nuk e ngrisin zërin aty ku duhet, në parlament, nuk e ngrisin zërin që të mos ia prishin qejfin "gazda" Nikolla Gruevskit. E bëjnë politikën e tyre, ma mirë në kolltuk, me Gruevskin, se pa të.

"Fizkulturistët" e ligjeve, ligjit për përdorim të gjuhës shqipe, e kanë gjetur një formulë, sipas së cilës, në nenin 2, vihet në pah: "Në organet shtetërore të Republikës së Maqedonisë, MUND të përdoret edhe gjuha zyrtare, tjetër nga ajo e maqedonishtes, në përputhje me këtë ligj. Në Kushtetutë, thuhet shprehimisht, theksohet se shqipja është në përdorim zyrtar", tërheq vërejtjen në shkrimet e tij dhelpra në politikë, në kuptimin pozitiv, Arbër Xhaferi. Në këtë kontekst, ai vë në pah: "…ligji këtë të drejtë e shndërron në mundësi hipotetike, ose foljen ‘është’ e zëvendëson me ‘mund’.

Kur është fjala për gjuhën zyrtare, kush duhet të kullet në Maqedoni, Xhaferi përmend një fakt: Maqedonasit imponojnë parimin latin:"Quis lingua eius regio" ("E kujt është gjuha, atij i takon territori"). Sipas kësaj logjike të përçudshme, shqiptarët në Maqedoni qenkan qiraxhinj, të ardhur nga ndonjë vend tjetër.

Në organet shtetërore të administratës i kanë nxjerrë ‘në aut’ nëpunësit shqiptarë si "tepricë teknologjike". S’bën shqiptarët të jenë zyrtarë të lartë të administratës, se bëhet kiameti, atyre u mjafton të jenë pastrues të qytetit, shitës të patëllxhanëve, specave… në Bit Pazar…

Në vallen e filarmonisë antishqiptare, pos serbëve lozin edhe maqedonasit. Lozin në kohën kur që të dy shtetet, Serbia e Maqedonia, pretendojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE). Serbët, e luajnë "lojën me kopili", ndërsa maqedonasit s’dinë të luajnë, bien në grackë, sharrojnë si gomari në lloç.

Cili ishte motivi i kësaj aventure, çmendurie të akademikëve, i ka paguar ata kryeministri i tyre, Nikolla Gruevski, apo deshën të hyjnë në histori se kanë bërë "vepër patriotike". Për të qenë ironia edhe më e madhe, në atë Enciklopedi i kanë përfshirë edhe tre shqiptarë të mjerë. Themi të mjerë, ngase njeriu normal, kur me sy në ballë sheh se i përbuzet, i fyhet identiteti i tij kombëtar, nuk pranon të hyjë në vallen e djajve.

Serbët dhe maqedonasit bëjnë gara se kush më tepërt po hedhë baltë mbi shqiptarët, shkruajnë libra. Por, kësaj radhe, ‘në epërsi" janë maqedonasit, ngase sajuan Enciklopedinë. "Babai" i kombit serb, qe e ka titullin e akademikut, Dobrica Qosiqi doli ne skene me librin e tij kundër shqiptareve te titulluar: "Koha e gjarpinjve – Shënime të shkrimtarit, 1999 – 2000" ("Vreme zmija – piscevi zapisi 1999 – 2000"), në botim të "Sluzbeni glasnik".

Në librin e tij, faqe 211, për shqiptarët ka shkruar këto fjalë:"Ajo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit merr për aleatë Amerikën dhe Bashkimin Evropian për të luftuar kundër popullit më demokratik, më të civilizuar dhe më të kulturuar ballkanik – popullit serb". Merr guximin, i quan shqiptarët "ajo fundërrinë"!

Hëpërhë, sa për të mos thënë se s’ka forca progresive në Serbi, Qosiqin e denoncuan, i bën kallëzim penal në Gjykatën e Qarkut në Beograd, në prill të këtij viti. E denoncuan për dy vepra penale, urrejtje nacionale, fetare dhe racore dhe për diskriminim racor. Pikësynim i Qosiqit, 87 vjeç, këtij partizani që luftoi "kundër fashistëve gjermanë", ishte që ta godas edhe Amerikën.

E di Qosiqi, apo jo, se pikërisht ‘të vetët" të veshur me uniformat e ushtrisë gjermane, i vranë nxënësit dhe arsimtarët serbë në Kragujevc. Poetja Desanka Maksimoviqi u kushtoi një poezi ‘"të fuqishme" viktimave të "fashizmit gjerman"!!! Hordhitë e Millosheviqit nuk e harruan vesin e vjetër, në uniformat e tyre ngjitën emblemat e UÇK-së, por kjo nuk iu shit, luftëtarët e UÇK-së ua qëndisën lulen e ballit.

Publicisti serb Mirko Kovaç, në një fejton të gjatë, të publikuar në prill të 2009-ës në shtypin e Beogradit, Qosiqin e tipizon si alter ego të Sllobodan Millosheviqit. Madje, për habi, mbititullin e fejtonit e ka:" Qosiqi – babai i kobshëm i popullit " ( "Cosic – kobni otac nacije" ). Për të thotë se "është inxhinier i shpirtrave të njerëzve, shërbëtor i të gjitha regjimeve, si titist e antititist".

Intelektualët serbë, kur e kërkon nevoja – e bëjnë lojën e tyre, shpërthejnë, i godasin ‘ të vetët ‘, vetëm për të treguar para botës se e luftojnë të keqën. Ndërkaq, maqedonasit, këtë nuk e bëjnë.

Bashkëkombësit e Boris Tadiqit e të Gjorgje Ivanovit, e luajnë vallen e djajve, njollosin popullin më të lashtë të Ballkanit, shqiptarët. Madje, shkruajnë edhe libra, enciklopedi. Ndërkaq, akteve të tyre primitive u kundërvihemi me ndonjë koment në gazeta, deklarata të përfaqësuesve të partive politike. Ky është reagimi ynë.

Antishqiptarët, të zhytur në urrejtje patologjike, veprojnë edhe kundër ligjeve të gjuhëve të tyre, shqiptarët i quajnë "shiptari", e jo "albanci". Të tillët vështirë të këndellen. Për ta nuk vlen një urti jona:Fjala e ëmbël thërret mikun, ngushëllon dhe qetëson armikun.

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori