LAJMI I FUNDIT:

Rezoluta për çështjen çame dhe Strategjia Kombëtare

Rezoluta për çështjen çame dhe Strategjia Kombëtare

Në datën 22 tetor fola në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me disa probleme të mprehta për zgjidhjen e problemit çam, sidomos nga detyrimet që rrjedhin për Parlamentin dhe qeverinë shqiptare nga miratimi i Rezolutës për këtë problem. Mjerisht vura re që nuk pati reagim nga deputetët e Kuvendit dhe veçanërisht ata të PDIU-së. Po mbushen 25 vjet që komuniteti çam me forma dhe aktivitete të ndryshme paqësore, me përfaqësuesit e saj në Parlament dhe jashtë tij po përpiqet të zgjidhë problemin e pronave në Çamëri.

Ne si komunitet jemi shprehur qartë dhe prerë se nuk jemi për ndryshime kufijsh, por duam të na kthehet pasuria jonë, tokat, shtëpitë, të dëmshpërblehemi për pronat dhe pasurinë e shkatërruar dhe të grabitur, të na kërkohet falje nga qeveria greke për gjenocidin e pashembullt të ushtruar mbi popullsinë civile të pambrojtur të komunitetit çam gjatë dy shekujve, deri në dëbimin e dhunshëm dhe vrasjet masive të vitit 1944, nga ushtarët me uniformë të udhëhequr nga gjenerali famëkeq Napolon Zerva.

Kaq janë kërkesat tona, thënë shkurt dhe qartë. Por unë shoh me pikëllim dhe keqardhje që, me gjithë përpjekjet e komunitetit tonë dhe përkrahësve të shumtë brenda e jashtë Shqipërisë, Parlamenti dhe qeveria kanë mbajtur një qëndrim indiferent, duke lënë të nënkuptohet se ky është një problem vetëm i çamëve, gjë që nuk është e vërtetë. Më 8 prill të vitit 2004, Parlamenti shqiptar ka aprovuar një Rezolutë në përkrahje të problemin çam, pavarësisht se Rezoluta u botua në Fletoren Zyrtare në vitin 2013, por edhe kjo e pakonfirmuar plotësisht.


Nuk dua t’i hyj problemit që pse kjo Rezolutë u fsheh, dhe u botua në Fletoren Zyrtare në vitin 2013, duke u anashkaluar si jo e vërtetë. Nuk mund të them gjithashtu nëse ishte kjo një keqdashje e qarqeve ose individëve të caktuar filogrekë në Parlamentin shqiptar, paaftësi e administratës së Kuvendit apo një servilizëm i vazhdueshëm dhe i pakuptimtë ndaj qeverisë greke. Sidoqoftë, ne sot kemi një Rezolutë të aprovuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe prej këndej rrjedhin disa detyrime për Presidentin e Republikës, Kuvendin dhe Qeverinë shqiptare. Çdo të enjte vërej me keqardhje që parlamentarët shqiptarë të të dy krahëve arrijnë të shqetë- sohen, e jo rrallë të zihen, për gjëra fare pa rëndësi, por asnjëherë nuk kam parë të ngrejë dikush problemin e kthimit të pronave çame.

E kam shprehur haptazi disa herë që do të jem në opozitë me çdo President, Parlament, qeveri e parti që nuk fut në axhendën e programit zgjidhjen e problemit çam. Çdo aleancë me qeveritë që nuk kanë në programin e tyre zgjidhjen e problemit çam unë do ta konsideroja tradhti ndaj kësaj çështjeje. Qeveria Rama nuk ka në asnjë pikë të saj problemin çam. Kryeministri u thotë ministrave që “u ka hyrë turku në bark”, por unë do të thosha që greku mban tokat çame dhe po kërkon edhe detin tani. Është si ai proverbi popullor që thotë: “Ujku, ujku, po çakalli bën kërdinë”.

Në Rezolutën e aprovuar 11 vjet më parë dhe e publikuar në vitin 2013, midis të tjerash thuhet:

Pika 4: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i kërkon qeverisë shqiptare që nëpërmjet grupeve të posaçme të punës të bashkëpunojë me palën greke dhe, në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë, të përshpejtojë fillimin e negociatave me qeverinë greke për zgjidhjen e këtij problemi dhe në pikën gjashtë.

Pika 6: Kuvendi ngarkon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë Rezolutë tua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë duhet të pohoj se as Kuvendi i Shqipërisë dhe as qeveritë shqiptare nuk kanë plotësuar qoftë dhe një pikë të vetme të kësaj Rezolute, duke dëmtuar rëndë çështjen çame me qëndrimin e tyre indiferent. Si deputet dhe përfaqësues i komuniteti çam, i kujtoj Parlamentit shqiptar t’i përmbahet Rezolutës së miratuar 11 vite më parë nga deputetët dhe t’i kërkojë qeverisë realizimin e saj. Nisur nga kjo Rezolutë dhe detyrimet që rrjedhin prej saj, Presidenti i Republikës, Kuvendi, Qeveria dhe gjithë partitë shqiptare duhet në unison të bëjnë përpjekje, që zgjidhja e problemit çam të futet në Strategjinë e Sigurimit Kombëtar si një pikë që kërkon zgjidhje.

Në pikën 7, forcimi i rolit rajonal dhe ndërkombëtar i Shqipërisë, të Dokumentit të Strategjisë së Sigurimit Kombëtar thuhet: Sistemi ndërkombëtar në të cilin Shqipëria dëshiron të ndjekë interesat e saj strategjike bazohet në parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të Aktit Final të Helsinkit, dhe në parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve mes shteteve. Forcimi i rolit rajonal të Republikës së Shqipërisë do të arrihet duke rritur angazhimin për zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga historia e ngatërruar e rajonit ballkanik, përmes dialogut në frymën e mirëbesimit, në funksion të pajtimit, paqes dhe integrimit rajonal europian dhe euroatlantik. Në këtë dokument, për zgjidhjen e problemeve të trashëguara në rajon është ngarkuar Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, dhe ajo e Mjedisit.

Deri sot ky dokument me rëndësi Kombëtare që hartohet çdo katër- pesë vjet në pikat e cituara më sipër është formal dhe larg realitetit. Nga ministritë e sipërcituara nuk është bërë asnjë hap lidhur me detyrimet që rrjedhin nga Strategjia e Sigurimit Kombëtar. Atëherë kujt i duhet ky dokument bazë dhe pse aty për çështje si kjo e Çamërisë shkruhen fjalë të përgjithshme, duke cituar të drejtat ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve dhe merren angazhime formale pa kurrfarë objektivi konkret?

Ka ardhur koha që në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar të futet çështja e zgjidhjes së pronave çame si një detyrim i ministrive përkatëse me detaje dhe afate kohore.

Çështja çame ka nevojë të përkrahet jo vetëm nga komuniteti çam, por të gjithë forcat politike, të djathta e të majta. Rezoluta e aprovuar nga Parlamenti duhet të shikohet si një detyrim i Parlamentit dhe i qeverisë, prandaj deputetët e majtë dhe të djathtë duhet të bashkohen për zbatimin e Rezolutës dhe të bëjnë presion pranë Parlamentit dhe qeverisë që kjo çështje e Shenjtë të shkojë drejt zgjidhjes.

Në rast të kundërt, komunitetit çam dhe përkrahësve të tyre u lind e drejta të përshkallëzojnë veprimet e tyre deri në njohjen dhe zgjidhjen e problemit. Me këngë e valle folklorike e me fjalime e marshime në Qafë-Botë një herë në vit po shihet qartë që kjo çështje nuk mund të zgjidhet. Unë jam i bindur që kurrë nuk ka për të pasur marrëdhënie të një fqinjësie të mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë, bazuar në të drejtat ndërkombëtare, derisa çamët të marrin pronat dhe t’u kërkohet falje për gjenocidin e ushtruar ndaj tyre.

Në trend

Më shumë
Nis ndryshe spektakli i BBVA, Ledioni futet brenda në shtëpi dhe i jep G Banit lajmin e hidhur - ai lë shtëpinë mes lotësh

Nis ndryshe spektakli i BBVA, Ledioni futet brenda në shtëpi dhe i jep G Banit lajmin e hidhur - ai lë shtëpinë mes lotësh

Magazina
Kështu do të duket shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Kështu do të duket shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Vazhdon ‘lufta’ amerikano-kanadeze - Ontario do ta lë në terr New Yorkun, Michiganin dhe Minnesotën

Vazhdon ‘lufta’ amerikano-kanadeze - Ontario do ta lë në terr New Yorkun, Michiganin dhe Minnesotën

Amerika
Avokati Gashi për mos zbatimin e vendimit të gjykatës nga Kurti: Është gabim, institucionet dhe ligji duhet respektuar

Avokati Gashi për mos zbatimin e vendimit të gjykatës nga Kurti: Është gabim, institucionet dhe ligji duhet respektuar

Lajme
E përmendi kryeministrin disa herë gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, këshilltari i Kurtit i reagon Brnabiqit

E përmendi kryeministrin disa herë gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, këshilltari i Kurtit i reagon Brnabiqit

Lajme
Trump ende nuk ka reaguar pas propozimit të Zelenskyt, por këtë e bën Musk: Duam vepra dhe jo fjalë

Trump ende nuk ka reaguar pas propozimit të Zelenskyt, por këtë e bën Musk: Duam vepra dhe jo fjalë

Evropa
Kalo në kategori