LAJMI I FUNDIT:

Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva

Jo që vetëm nuk duhet që emërtimet ‘Rexhep Mitrovica’ e ‘Xhafer Deva’ të hiqen nga rrugët e Prishtinës, por do ta këshilloja Isa Mustafën që rrugëve dhe institucioneve të reja që do të krijohen në Prishtinë t’u jep emrat e kolosëve të mendimit shqiptar të etiketuar e të persekutuar në kohën e komunizmit.

Krimet e nazizmit, komunizmit dhe të luftës së fundit

Kur deputeti Nait Hasani doli me propozim-idenë për dënimin e krimeve të komunizmit më pat rastisur të bisedoj me diplomatë të akredituar në Prishtinë, që e kundërshtonin Nait Hasanin. Në pyetjen time se çka ka të keqe nga dënimi i krimeve të komunizmit, njëri prej tyre m’u pat përgjigjur: krimet e disa nga bashkëluftëtarët e Naitit (aludimi ishte për krimet gjatë dhe pas luftës së fundit) janë më të freskëta dhe nga ato duhet filluar. Propozim-ideja e Nait Hasanit nuk u përfill, jo vetëm se ai e teproi me përfshirjen e emrave që s’kishin aspak faj për ardhjen e komunizmit në Kosovë, sepse disa prej tyre ishin lindur pas ardhjes së komunizmit, por edhe pse Kosova kishte tjera prioritete. Mirëpo, çfarë ndodhi këtyre ditëve? Disa dhjetëra bijë e nipër komunistësh nisën një peticion për heqjen e emërtimeve ‘Rexhep Mitrovica’ e ‘Xhafer Deva’ nga rrugët e Prishtinës. Arsyetimi: ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve!.


Rexhep Mitrovica ishte Kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë në periudhën 1943/44 ndërsa Xhafer Deva ishte Ministër i Brendshëm në këtë Qeveri.

Raporti i ambasadorit amerikan pranë qeverisë së Greqisë, në Kairo, në vitin 1944

Çfarë shkruante ambasadori amerikan pranë qeverisë së Greqisë, në Kairo, më 1944 në raportin me titull: “Gjendja në Shqipëri”? Ai përshkruan pesë grupimet politike shqiptare të asaj kohe dhe unë këtu po citoj vetëm një pjesë ku përshkruhen qeveria e atëhershme e Rexhep Mitrovicës dhe partizanët.

Ja se çfarë shkruante ambasadori amerikan për Qeverinë e Rexhep Mitrovicës:

“Qeveria është e përbërë prej njerëzve, të cilët në të kaluarën gëzonin respekt në Vend dhe disa prej tyre llogariten si njerëzit më të mirë që dolën nga gjiri i Shqipërisë. Shumica prej tyre nuk njihen si progjermanë të ndezur e as si fashistë politikë Disa me të vërtetë ishin miq të Anglisë dhe Amerikës. Nuk gabohet nëse thuhet se ata ishin kundër dominimit italian. Aq sa ndershmëria personale mund ta kapë, ata janë njerëzit me kualitetet më të larta prej gjithë atyre qeverive që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sidoqoftë, këta njerëz e pranuan sundimin gjerman dhe qëndruan në anën e Gjermanisë. Arsyeja ndoshta ishte se ata me sinqeritet e përcjellin politikën e Chamberlainit. Ata përpiqen me çdo forcë për të mbetur neutral. Shpresojnë për ta bashkuar mbarë kombin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, në një pjesë kompakte, që do të mund të miratohej prej ngadhënjimtarëve kushdo që do të mund të ishin ata (gjermanët, apo aleatët) (…)”.

Ja se çfarë shkruante ambasadori amerikan për partizanët:

“Partizanët janë grupi më dinamik në Vend. Ata kryesisht gjenden në Shqipërinë Jugore. (…) Qëllimi kryesor i partizanëve është për ta sunduar Shqipërinë politikisht dhe në çdo mënyrë tjetër. Veprimtaria e tyre kryesore po vazhdohet në luftën civile. Programi i tyre fisnik dhe joshës është përgjithësisht i pashpresë. (…) Partizanët janë luftëtarët më të mirë, që dolën prej gjirit të Vendit (përkundër mendimit të përgjithshëm, shumica e shqiptarëve nuk janë aq luftëtarë të mirë). Në të vërtetë, partizanët nuk bënë ndonjë gjë të dukshme kundër gjermanëve, përveç se vranë shqiptarë të tjerë. (…) Në marrëdhënie ndërkombëtare, ata i përngjajnë shumicës së fanatikëve të përcaktuar për të hipur në pushtet. Ashtu si ustashi Paveliq (kryeministri i qeverisë kuislinge kroate, 1941-1945, vërejtja N.S.), hoqi dorë prej Dalmacisë, ashtu si Lenini hoqi dorë prej Rusisë Perëndimore, po ashtu edhe partizanët shqiptarë janë të gatshëm ta lëshojnë Kosovën, vetëm e vetëm për ta marrë pushtetin. (…)”.

Vendet ku jetuan pas luftës Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva

Pas Luftës së Dytë Botërore Rexhep Mitrovica (i lindur në Mitrovicë me 1887) jetoi deri më 1967 në Stamboll (Turqi), kurse Xhafer Deva (i lindur më 1905 në Mitrovicë) jetoi në Palo Alto (SHBA) deri më 1979, ndërsa deri në pension punoi në Universitetin e Stenfordit.

Në Shqipërinë dhe Jugosllavinë komuniste Xhafer Deva u konsiderua tradhtar i popullit e kriminel, por shteti më demokratik në botë (SHBA) i kishte dhënë strehim politik ing.Xhafer Devës. Strehimi i ishte dhënë në saje të kërkesës së komunitetit hebre të Amerikës, i cili në shenjë mirënjohje po i kthente të mirën ish-Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.
Xhefer Deva si Ministër i Brendshëm i kishte kursyer nën hundët e gjermanëve jo vetëm hebrenjtë e Shqipërisë, por edhe ata të ikurit nga Jugosllavia në Shqipëri.

Cilat ishin mëkatet e Rexhep Mitrovicës e Xhafer Devës? Ishin të vetëdijshëm për rrezikun nga komunistët?!

Gjatë kohës sa jetoja në Tiranë, 15 vite më parë, bisedoja shpesh me ish-të burgosur politikë. Në fakt, gjithë Shqipëria e asaj kohe ishte përplot ish të burgosur politikë. Të gjithë ata flisnin zi e më zi për Enver Hoxhën, por për ata ish të burgosur që dikur kishin qenë partizanë, e keqja e Enver Hoxhës përfundonte më 1945. Para këtij viti për ta ishte shoku Enver që luftoi armiqtë e popullit. Kur përmendej emri i Xhafer Devës ata tërboheshin fare duke thënë se ka qenë armik, tradhtar e kriminel.

Një ditë mora një libër dhe u lexova një faqe prej tij. I pyeta: a e dini kush e ka shkruar këtë? Zonja Liri Belishova, dikur anëtare e Byrosë Politike, e më vonë e burgosur dhe e internuar, u përgjigj: këtë sigurisht e ka shkruar dikush nga shokët tanë që ka vuajtur tmerret e Enver Hoxhës.

Atëherë tregova se pjesa që u lexova ishte pjesë nga artikulli i Xhafer Devës i shkruar më 1942. Aq mirë e kishte përshkruar Xhafer Deva situatën në të cilën do të ndodhej Shqipëria në rast se do të vinin në pushtet komunistët saqë asgjë nuk dallonte nga ajo që vërtetë ndodhi më pas. More po ky nuk paska qenë armik, por ne paskemi qenë budallenj që bënim plane ta vrisnim këtë njeri dhe sollëm në pushtet të zezën tonë – brofi njëri nga ish partizanët.

Kjo bëri që disave t’u turbullohet fare, por disave edhe t’u kthjellet mendja. Njëri nga këta tha se kriminelet kemi qenë vetë ne komunistët kur vrisnim njerëz të pafajshëm vetëm pse ishin të pasur apo pse kishin funksione shtetërore. Njëri nga ish partizanët përmendi rastin e atentatit nga dy të rinj komunistë kosovarë ndaj Ilaz Agushit (atdhetar nga Prishtina, në shtëpinë e të cilit tani është vendosur RTK) atëherë Nën-Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Njëri prej këtyre atentatorëve është gjysh i njërit prej nënshkruesve të peticionit aktual kundër emërtimeve Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva.

Shtrohet pyetja se ata që kanë shkruar peticion kundër Rexhep Mitrovicës e Xhafer Devës a kanë lexuar ndonjë gjë nga këta njerëz të mëdhenj të historisë sonë apo vetëm kanë dëgjuar tregimet e etërve dhe gjyshërve të tyre të marrosur me ide komuniste se Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva paskëshin qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve?

Nëse ndokush nga nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore do të ketë bërë krime, këto krime janë minore karshi krimeve të komunistëve shqiptarë, krime këto që jo vetëm janë më të mëdha, por janë edhe më të freskëta.

Nga 25 kolosët e mendimit politik shqiptar (Vaso Pasha, Sami Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Eqrem bej Vlora, Branko Merxhani, Anton Harapi, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Zef Valentini, Stavro Skendi, Ismet Toto, Safet Butka, Nebil Çika, Sejfullah Malëshova, Zef Mala, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Krist Maloki e Gjon Shllaku) për mëse 50 vite me radhë 22 prej tyre kanë qenë të ndaluar tërësisht kurse tre prej tyre (Vaso Pashës, Sami Frashërit e Fan Nolit) veprat u janë botuar vetëm pjesërisht. Po të lexosh librin e Samiut, të botuar në kohën e komunizmit, shënimet sqaruese të redaktorëve poshtë faqeve të librit janë aq të neveritshme sa e kupton se si janë debilizuar gjenerata të tëra shqiptarësh sa që të bën të kuptosh se ka qenë krim më i vogël ndalimi i tërësishëm i Gjergj Fishtës se sa botimi i tillë i cunguar i Sami Frashrit.

Jo që vetëm nuk është e rrugës që emërtimet ‘Rexhep Mitrovica’ e ‘Xhafer Deva’ të hiqen nga rrugët e Prishtinës, por do ta këshilloja Isa Mustafën që rrugëve dhe institucioneve të reja që do të krijohen në Prishtinë t’u jep emrat e kolosëve të mendimit shqiptar të etiketuar e të persekutuar në kohën e komunizmit. Ndër këta kolosë sigurisht bëjnë pjesë edhe Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva.