LAJMI I FUNDIT:

Revolucioni i verdhë

Revolucioni i verdhë

Ekstremistët janë falsifikatorë të lindur. Kështu i përshkruan politologu dhe filozofi italian, Giovanni Sartori, ata që zhgërryhen në emër të një kauze, e në fakt synimet i kanë krejt diku tjetër. Të tillë paraqiten – që nga mesi ishtatorit – shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe një pjesë e strukturës pushtetare.

Në emër të së drejtës kushtetuese, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe interesit shtetëror, të dyja palët ose i pranojnë goditjet me vezë dhe fërshëllimat në vesh, ose gjuajnë me vezë, me gaz lotsjellës e u fryjnë bilbilave dhe bëhen kinse nuk lëvizin nga pozicionet me asnjë çmim.

Praktikisht, në demokracitë përfaqësuese shumica është determinuese, ndërsa opozita kontrolluese. Por, në Kuvendin e Kosovës, këto role tashmë kanë ndryshuar.Opozita është bërë përcaktuese, ndërsa pozita aktron sikur është një trup unik në qëndrime dhe veprime.


Në rrethanat konfliktuoze i takon të madhit t’ia ofrojë të voglit mundësinë për t’u marrë vesh. E, nëse i vogli refuzon, atëherë duhet ndërhyrje nga jashtë me rol ndërmjetësues.

Një ndërhyrje e tillë nuk do të paraqiste asgjë te re, pasi kronologjikisht, qëkur ka nisur procesi i konstituimit të institucioneve të përkohshme para 16 vjetësh – e gjerë në ditët e sotme – zgjidhjet janë ofruar nga jashtë.

Duke pasur parasysh pafuqinë e presidentes për shkak të mungesës së legjitimitetit qytetar dhe pakënaqësitë e shumta që janë akumuluar ndër vite, pala e tretë do të duhej në mënyrë imediate të ndërhyjë për ta parandaluar një “pranverë arabe” në Kosovë, apo që sheshi i Prishtinës të shndërrohet në “Taksim” të Stambollit.

Kryeministri Isa Mustafa duhet të jetë realist dhe t’i shohë gjërat objektivisht. Po bëhen tre muaj qëkur Kuvendi i Kosovës nuk është duke e kryer funksionin kushtetues dhe askush më mirë se ai nuk do duhej ta dinte se sa marrëveshjet ndërkombëtare i kanë mbetur të paratifikuara dhe se sa miliona euro është duke i humbur Kosova – si donacione nga shtetet e jashtme – vetëm për shkak të bllokadës së Kuvendit.

Mospranimi i krizës politike konceptohet thjesht si shpërfillje kundrejt zhvillimeve negative brenda institucioneve qendrore të shtetit dhe moskokëçarje në raport me sjelljet e opozitës.

Derisa kryeministri Mustafa refuzon ta pranojë se vendi është futur në krizë, dhe për aq kohë sa liderët opozitarë nuk pranojnë të ulën në një tryezë të përbashkët me të, nuk mund të pritet tejkalim i kësaj situate. Përkundrazi, pritet përshkallëzim i gjendjes e cila mund të çojë deri në protesta masive. Pavarësisht masës që potencialisht mund të dalë nesër në rrugë, organizatorët e protestës do të thirren në vullnetin e mbi 200 mijë nënshkruesve të peticionit kundër marrëveshjeve të Brukselit dhe Vjenës.

Është e qartë se Mustafa nuk e ka të lehtë t’i tërheq nënshkrimet nga marrëveshjet, duke u dorëzuar para opozitës, sepse kjo do të shënonte fundin e karrierës së tij në pushtet e në parti, sikundër që është e qartë që dy prej tri partive opozitare llogarisin që në përshkallëzim të situatës mund të ketë ose rikonfigurim të Qeverisë ose zgjedhje. Ekziston edhe një palë e përbashkët që pretendojnë se përshkallëzimi i situatës mund të zvarrisë funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

Të gjitha palët duhet ta kenë parasysh se interesi i shtetit duhet të dominojë mbi atë personal e partiak.

Shkatërrimin e shtetit, duke u thirrur në emër të popullit, nuk mund ta bëjë as pozita e as opozita. Populli është sovrani dhe sovrani duhet të flasë vet. Fjala e tij është referendumi. Kush i frikohet referendumit, i frikohet vullnetit të popullit. Prandaj, popullit duhet t’i jepet mundësia që të flasë para se të kallet shteti!

Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Nuk është as pjesë e Bashkimit Evropian. Është larg anëtarësimit në NATO. Ende e ka përmbi Rezolutën 1244.Nuk duhet harruar se çmimi i shtetit përveç tjerash u pagua edhe me Pakon e Ahtisaarit. Me të u garantuan të drejtat e komuniteteve. Çfarëdo rrezikimi i këtyre të drejtave, mund ta rrezikojë pozicionin e saj karshi faktorit ndërkombëtar.

Pushteti mund të bie gjatë krizës. Në vend të këtyre që sot qeverisin, mund të vijnë këta që po synojnë t’i rrëzojnë. Por, qytetari nuk do të përfitojë asgjë. Përkundrazi, do të dëmtohet edhe më tepër, sepse ndërrimi i pushteteve nuk po synohet të bëhet për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit, shkatërrimit të ekonomisë, degradimit të arsimit e shëndetësisë, varfërisë e papunësisë, por për interesa puro politike.

Sot nevojitet një forcë që e ndryshon mendësinë e qeverisjes. Qytetari sot nuk duhet të ndikohet nga e kaluara e lavdishme e shumë personaliteteve të tashme politike.

Kolegu nga Deutsche Welle, Aleksandër Andreev, shkruante muaj më herët se diskutimet për trimëritë e dhe heroizmat duhet të lihen në arkivat e historisë, për t’ia lënë njeriut modern të drejtën që t’i marrë vet vendimet dramatike – qoftë nevoja edhe për rrezikimin me vetëdije të jetës së tij.

Nëse kjo nuk ndodh tek ne, atëherë do të përfshihemi në një revolucion politik që ka filluar me gjuajtje vezësh e i cili nuk mund të prodhojë asgjë më shumë pos pështjellimit, siç është vet përbërje e vesë.

Nëse në Çekosllovaki përmbysja e sistemit komunist është bërë përmes “Revolucionit të kadifenjtë”, përpjekja për ta rrëzuar pushtetin aktual në Kosovë mund të regjistrohet si “Revolucion i verdhë”!

Në trend

Më shumë
Nis ndryshe spektakli i BBVA, Ledioni futet brenda në shtëpi dhe i jep G Banit lajmin e hidhur - ai lë shtëpinë mes lotësh

Nis ndryshe spektakli i BBVA, Ledioni futet brenda në shtëpi dhe i jep G Banit lajmin e hidhur - ai lë shtëpinë mes lotësh

Magazina
Kështu do të duket shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Kështu do të duket shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Vazhdon ‘lufta’ amerikano-kanadeze - Ontario do ta lë në terr New Yorkun, Michiganin dhe Minnesotën

Vazhdon ‘lufta’ amerikano-kanadeze - Ontario do ta lë në terr New Yorkun, Michiganin dhe Minnesotën

Amerika
Avokati Gashi për mos zbatimin e vendimit të gjykatës nga Kurti: Është gabim, institucionet dhe ligji duhet respektuar

Avokati Gashi për mos zbatimin e vendimit të gjykatës nga Kurti: Është gabim, institucionet dhe ligji duhet respektuar

Lajme
E përmendi kryeministrin disa herë gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, këshilltari i Kurtit i reagon Brnabiqit

E përmendi kryeministrin disa herë gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, këshilltari i Kurtit i reagon Brnabiqit

Lajme
Trump ende nuk ka reaguar pas propozimit të Zelenskyt, por këtë e bën Musk: Duam vepra dhe jo fjalë

Trump ende nuk ka reaguar pas propozimit të Zelenskyt, por këtë e bën Musk: Duam vepra dhe jo fjalë

Evropa
Kalo në kategori