LAJMI I FUNDIT:

Retorika patetike për korrupsionin dhe zgjidhjet konkrete politike

Retorika patetike për korrupsionin dhe zgjidhjet konkrete politike

Korrupsioni është një ndër pengesat kryesore të zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë së shqiptarëve dhe lufta ndaj këtij fenomeni social meriton maksimumin e energjive dhe burimeve. Mirëpo, ajo që vihet re është se diskutimi për korrupsionin bëhet vetëm në formën e retorikës patetike, moraliste e normative dhe pothuaj aspak nëpërmjet propozimeve të reformave, ligjeve apo nismave që japin zgjidhje konkrete për ta minimizuar atë.

Lufta kundër korrupsionit është në qendër të vëmendjes kudo në trojet e banuara nga shqiptarët, Në Shqipëri mbizotëron debati mbi procesin e dekriminalizimit të kastës politike si dhe reforma e drejtësisë që synon luftimin e korrupsionit në këtë sektor.

Në Kosovë çështja e korrupsionit është përditë në krye të listës së çështjeve të trajtuara ndërkohë që Maqedonia po i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme si pasojë e abuzimeve të qeverisë të nxjerra prej përgjimeve. Kryesisht debati i politikanëve vërtitet tek pretendimi i një epërsie morale dhe tek njollosja e kundërshtarit ndërkohë që kultivimi i moralit është kryesisht detyrë e institucioneve fetare, pra e hoxhës apo priftit ndërsa targetimi i shkeljeve të individëve të caktuara është rol dhe përgjegjësi e prokurorisë dhe gjyqësorit. Kuptohet që edhe politikani mund të flasë për këto çështje ama detyra e tij kryesore është të veprojë me politika, reforma e nisma legjislative e jo të imitojë klerikët apo funksionarët e drejtësisë.


Kuptohet që këtë qasje e kemi edhe peshqesh nga e kaluara. Populli shqiptar ka dalë nga një e kaluar komuniste që ka lënë gjurmë të thella ende sot në mentalitetin dhe retorikën e përditshme tonën. Regjimi i kaluar besonte se shoqëria ideale do të përbehej nga “njeriu i ri socialist” që do të punonte sipas mundësive dhe shpërblehej për punën e bërë sipas nevojave dhe ku do të ishte vendosur një barazi që do parandalonte çdo lloj zilie apo tundimi për të abuzuar. Kjo filozofi që vendoste kolektiven sipër individuales e shikonte dhe trajtonte korrupsionin si një kalbëzim moral dhe dobësi karakteri të një individi që ishte infektuar nga “shfaqjet e huaja” të një shoqërie “të degraduar” kapitaliste.

Nga ana tjetër, liberalët si unë besojnë që korrupsioni nuk duhet parë thjesht si një defekt apo lëshim moral pra si një cen i karakterit të një personi por duhet trajtuar si një produkt i dështimit institucional. Kuptohet që grykësia e individëve kontribuon në përmasat e këtij fenomeni social mirëpo problem kryesor është i sistemit prandaj edhe kura kryesore është ndërtimi i strukturave institucionale që shpërblejnë ndershmërinë dhe transparencën, minimizon mundësitë dhe hapësirat për të kryer korrupsion dhe ndëshkon shpërdorimin apo abuzimin me postet shtetërore.

Nuk ka asnjë dyshim që konsolidimi i sundimit të ligjit nëpërmjet reformimit të sistemit të prokurorisë dhe gjyqësorit është një ndër shtyllat kryesore të luftës kundër korrupsionit. Një zyrtar përfshihet në korrupsion jo thjeshtë prej degradimit moral, por mbi të gjitha se sheh që ka mundësi për të abuzuar pa i hyrë gjemb në këmbë prej sistemit të drejtësisë. Reformimi i sistemit të drejtësisë për të ngritur vigjilencën, efikasitetin dhe integritetin në ndëshkimin e të korruptuarve është thelbësore dhe faktikisht garantimi i sundimi të ligjit është një ndër shtyllat e filozofisë politike liberale. Mirëpo përtej forcës së ligjit ka shumë mundësi për të ndërmarrë politika publike të frymëzuara nga liberalizmi që kanë një impakt shumë të madh në luftën në fjalë.

Korrupsioni prej Transparency International përkufizohet si abuzimi i postit shtetëror për përfitim dhe manifestohet në forma të ndryshme por kuptohet që në çdo rast ka dy anë të medaljes, palën që jep mitë dhe palën që merr, pra ofertën dhe kërkesën. Në mënyrë të natyrshme debati politik merret më shumë me anën e kërkesës që nënkupton qeverisjes.

Një ndër zgjidhjet konkrete që vjen prej aplikimit të parimeve ideologjike liberale në praktikë është qasja zvogëlimi i sektorit publik dhe ulja e shpenzimeve publike. Nëpërmjet kësaj strategjike synohet të arrihet e ashtuquajtura “qeveri e vogël” në mënyrë që jo vetëm të lihet sa më shumë ekonomi në dorën efikase të tregut por edhe që të garantohet një zvogëlim i korrupsionit. Logjika e thjeshtë e shëndoshë lë të kuptohet që nëse zyrtarët e pushtetarët kanë pak para në menaxhim do të kenë edhe më pak mundësi për të vjedhur.

Në kushtet e një tregu të lirë kur aktorët ekonomik janë të panumërt në rrethana konkurrence atëherë ofertuesit që shesin shërbime apo produkte të ndryshme për të joshur konsumatorët e shumtë privat përqendrohen tek rritja e cilësisë apo ulja e çmimit. Mirëpo nëse konsumatori kryesor dominues në ekonomi është shteti dhe vendim-marrja merret nga politikanët atëherë nuk funksionon logjika e tregut privat pra e garimit me cilësi apo çmim por targetohet politika.

Prandaj, sa më shumë peshë të ketë në ekonomi shteti si shpenzues aq më shumë detyrohen biznesmenët që të fokusohen tek shteti e jo tek konsumatorët e thjeshtë dhe që të joshin konsumatorin shtet nëpërmjet mitmarrjes apo përfshirjes vetë në politikë. Sa më e vogël të jetë ekonomia shtetërore pra roli i shteti në ekonomi aq më pak lidhje biznes-politikë dhe aq më shumë hapësirë do të ketë për garën e lirë me shumë aktorë të përqendruar tek ulja e çmimeve e rritja e cilësisë për konsumatorët. Këtu del në pah rëndësia e kultivimit të tregtisë së lirë të mbështetur tek konkurrenca e ndershme si një tjetër formë liberale e adresimit të problemit të korrupsionit. Barrierat tregtare që eliminojnë konkurrencën si dhe privilegjimi i aktorëve të caktuar është një ndër mënyrat e ofiqarëve shtetëror për të përfituar prej pushtetit.

Nga ana tjetër kundër korrupsionit është e nevojshme të synohet edhe legalizimi i ekonomisë informale jo thjeshtë me masa represive sikurse po ndodh sot në Tiranë por duke ulur kostot që duhen shpenzuar për t’u shndërruar në biznes formal dhe për te operuar si i tillë. Thjeshtëzimi i sistemit fiskal gjithashtu nëpërmjet reformave të taksave të sheshta është një strategji që mbyll rrugët e abuzimeve të tatimorëve.

Një tjetër zgjidhje e frymës liberale për të kuruar korrupsionin është de-rregullimi që synon të lërë sa më pak autoritet në dorë të vullnetit apo vendimit të qeveritarëve apo burokratëve në mënyrë që mos ta përdorin autoritetin për të bërë presion e siguruar ryshfete. Me de-rregullim liberalët nënkuptojnë thjeshtëzimin e procedurave, minimizimin e hallkave burokratike, heqjen e barrierave ligjore të panevojshme, automatizimet e proceseve administrative nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së avancuar pra electronic government, eliminimin e ligjeve apo rregullave që dublifikojnë njëri tjetrin, shmangien e mbivendosjeve apo zbrazëtirave ligjore e procedurale.

Me logjikë të ngjashme me de-rregullimin funksionon kundër korrupsionit edhe privatizimi . Privatizimi i mëtejshëm i ndërmarrjeve publike që kanë mbetur në pronë shtetërore do të shërbente si një çarmatosje e mirëfilltë ndaj partive dhe pushtetarëve prej një prej “armëve” kryesore që ekzistojnë në duart e tyre për të kryer korrupsion. Nuk ka asnjë dyshim që kompanitë shtetërore janë oaze abuzimesh e korrupsioni ndërkohë që kur prona bëhet private nuk ka më kuptim që pronarët e rinj të shpërdorojnë pronën e vetë. Privatizimi si akt përmban shumë rreziqe dhe hapësira për përfitime të pandershme gjatë procesit dhe padyshim që kërkohet maksimumi i transparencës, profesionalizmit, konkurrencës dhe vigjilencës së gjyqësorit dhe shoqërisë civile në këto procese. Mirëpo pas kryerjes së procesit dhe transferimit të pronësisë është zvogëluar hapësira për të përdorur pushtetin për përfitime personale.

Këto janë vetëm disa nga zgjidhjet konkrete që jep mendimi liberal për plagën e korrupsionit dhe padyshim edhe ideologji të tjera politike pretendojnë se kanë zgjidhje alternative edhe më të mira. Ajo që ka rëndësi është që duhet të nisim sa më parë që të diskutojmë për politika konkrete e jo më me ligjërimin bosh patetik që na ka shurdhuar gjithë këto vite pa dhënë ndonjë rezultat konkret. Politika e përbaltjes është provuar për vite me radhë pa sukses tani i ka ardhur radha politikës së përmbajtjes.

.

Në trend

Më shumë
Olsa Muhameti flet për Gjestin në BBVA: Po bën të njëjtën lojë si në Big Brother të Kosovës, ia nxorëm më të mirën

Olsa Muhameti flet për Gjestin në BBVA: Po bën të njëjtën lojë si në Big Brother të Kosovës, ia nxorëm më të mirën

Magazina
Xhamia e shqiptarëve në Damask, Fevziu takon 77-vjeçarin që flet shqip

Xhamia e shqiptarëve në Damask, Fevziu takon 77-vjeçarin që flet shqip

Lajme
Gerta - Gjestit: Kë do të shpëtoje po të mos ishte Egli?, banori befason me përgjigjen

Gerta - Gjestit: Kë do të shpëtoje po të mos ishte Egli?, banori befason me përgjigjen

Magazina
Arabia Saudite po përgatit ‘bombën’ - një transferim nga Real Madridi, një nga Barcelona

Arabia Saudite po përgatit ‘bombën’ - një transferim nga Real Madridi, një nga Barcelona

Ndërkombëtare
Bernardi me deklaratë të fortë: Klajdi, Jozi dhe Laerti kanë pikëpyetje në lidhje me orientimin e tyre seksual

Bernardi me deklaratë të fortë: Klajdi, Jozi dhe Laerti kanë pikëpyetje në lidhje me orientimin e tyre seksual

Magazina
Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre

Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre

Magazina
Kalo në kategori