Reforma perverse për zgjedhjen e presidentit në Kosovë
Kosova është duke iu futur një reforme radikale kushtetuese me një lehtësi dhe shkujdesje të jashtëzakonshme që të trondit për sa i përket papërgjegjshmërisë që po e karakterizon. Të gjithë faktorët me ndikim në Kosovë, të brendshëm dhe të huaj, pajtohen se sfida kryesore e shtetit më të ri dhe më të varfër të Evropës është konsolidimi i institucioneve shtetërore, ndërkohë që po duket se një pjesë e mirë e po këtyre faktorëve janë duke u pajtuar në mënyrë të heshtur e të nënkuptuar për një ndryshim drastik institucional që padyshim do të jetë një tërmet i vërtetë në strukturën institucionale të këtij shteti.
Pra një mungesë e theksuar koherence që në fakt po përvijohet në dy forma, jo vetëm me ndryshimin rrënjësor të sistemit zgjedhor, por edhe nëpërmjet futjes së një sistemi pothuaj presidencial ose gjysëm presidencial duke kërkuar që presidenti të zgjidhet nga populli dhe duke kërkuar ndryshimin e kompetencave të presidentit. Aq e dukshme është që këto dy ndryshime drastike institucionale po bëhen për interesat e ngushta e personale të disa liderëve të Kosovës sa asnjë palë nuk ka marrë mundimin të shpjegojë qartazi e bindshëm se përse po ndërmerren këto reforma, por thjesht janë ndërtuar komisionet.
Mungon vetëm që këto komisione si pjesë të rekomandimeve të tyre të vendosin edhe inicialet, numrin e këpucës dhe shenjën zodiakale të individëve që do të kandidohen, sepse “reforma po qepet taman si një kostum pas masës” së lojtarëve më në zë të lojës politike kosovare dhe jo si një përpjekje për të përmirësuar realitetin politik të vendit. Duket hapur që elita politike aktuale kosovare gradualisht po e humbet legjitimitetin ne sytë e popullsisë kosovare dhe duke qenë se e ka të pamundur të mbajnë pushtetin me rregullat e lojës që i kanë sjellë në pushtet atëherë janë duke i ndryshuar rregullat e lojës si t’ju leverdisë më të mirë për mbijetesën e tyre politike, duke minimizuar në kulm hapësirën për garë politike dhe rifreksim të elitave politike me prurje të reja.
Nëse presidenti zgjidhet nga populli kuptohet që atij do i shtohen kompetencat duke ndryshuar si me efekt domino të gjitha institucionet e tjera të Kosovës nga pak dhe duke rikonfiguruar jetën politike të Kosovës. Me pak fjalë nënkuptohet hedhja në kosh të plehrave të të gjithë përvojës dhjetëvjeçare të demokracisë së brishtë Kosovare dhe nisja nga e para me konjukturë të re institucionale duke i trajtuar institucionet kushtetuese si të ishin filtra vaji të një makine që duhen ndërruar pas një numri të caktuar kilometrash.
Studimet të shumta tregojnë që sistemet qeverisëse presidenciale në përgjithësi rastisin të jenë më autoritare sesa republikat parlamentare (mjafton të shihet Amerika Latine dhe republikat ish sovjetike) dhe më shumë autoritarizëm është e fundit gjë që i leverdis Kosovës. Mundësia për të hequr apo vënë para përgjegjësisë një president është shumë më e kufizuar sesa me kryeministrin, të cilin mund ta rrëzoj nga pushteti një ndryshim i lehtë i balancave të parlamentit e brenda një legjislature mund të ketë disa kryeministra.
Presidenti nëse zgjidhet nga populli e merr mandatin disavjeçar të plotë e të pa-kontrollueshëm nga parlamenti që do të thotë se nëse më shumë pushtet kalohet në dorën e presidentit, atëherë mundësia për ta mbajtur nën-kontroll apo për të ndëshkuar abuzimet e bëra me këtë njësi pushteti të transferuar nga ekzekutivi tek presidenti, minimizohet në maksimum. Një president e ndërpret mandatin e tij vetëm me procedura të impeachment që lidhen me shkelje të rënda të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi si dhe me pamundësitë shëndetësore për të vijuar mandatin ndërkohë që një kryeministër mund të hiqet qafe më lehtë nëse abuzon skajshëm me pushtetin.
Duke patur parasysh klimën konfliktuale politike në vend, nevojën për institucione efikase e të pavarura dhe sfidat e mëdha që ka përballë Kosova, mund të thuhet me gojën plotë që Kosovës i nevojitet një president sa më konsensual e sa më pak partiak. Vetëm një president i tillë do të mund që të përfaqësojë më denjësisht shtetin kosovar, të shërbejë si urë lidhëse apo arbitër sipër palëve, të merret me interesin e madh të vendit në kushtet kur shumica e aktorëve mendojnë vetëm për interesat partiak ose personal, si dhe do të mund të shërbejë si garant për institucionet e pavarura të drejtësisë e sigurisë.
Përpos kësaj është e nevojshme që në Kosovë të lihen të hapura shtigje e hapësira karriere e rolesh publike për ata individë, kuadro e personalitete që duan të qëndrojnë të pavarur. Duke patur një post presidenti sa më të pavarur e konsensual jepet një mesazh për shumë qytetarë që pavarësia mund të shpërblehet jo vetëm me poste në akademi apo drejtësi, por edhe me postin më simbolik e domethënës të shtetit atë të presidentit. Deri më sot i vetmi sinjal që është dhënë në Kosovë është që vetëm kur je pjesë e një partie ke mundësi të bësh karrierë.
Është naive të mendohet që presidenti që do të zgjidhet nga populli do të jetë më jo-partiak e përfaqësues i interesave të gjera. Zgjedhjet presidenciale padyshim që do kërkojnë fushatë elektorale që janë atribut kryesor i partive politike dhe kandidati sipas të gjitha gjasave ka për të qenë partiak, pra një figurë aktive politike me përvojë që të mund të mobilizojë votuesit, të përcjellë mesazhe politike dhe të administrojë një kampanjë të mirëfilltë. Në rastet kur presidenti është figurë dytësore, pra diçka gjysmë presidenciale si Maqedonia, zakonisht pjesëmarrja në votim është 10-15% më e ulët se ajo në zgjedhjet parlamentare.
Përpos kësaj duhet patur parasysh që edhe pse pretendohet që të marrë legjitimitetin nga populli, presidenti i zgjedhur do të jetë një figurë e kontestuar nga vetë gara dhe do të zgjidhet me një përqindje shumë të vogël të votuesve, sikurse ndodh me vendet fqinje të Kosovës, Serbi e Maqedoni ku presidenti merr më pak se 30% të votave. Kuptohet që me këtë përqindje ka për të shkuar në raundin e dytë, mirëpo pjesëmarrja në votim në raundin e dytë do jetë edhe më e ulët sikurse ndodh rëndom pasi votuesit që kishin votuar për kandidatin e skualifikuar nuk dalin më në votim dhe ngelet që presidenti zakonisht zgjidhet me rreth çerekun e votuesve. Me pak fjalë presidenti që projektohet të ketë Kosova do të jetë shumë partiak dhe do të marrë postin me një përqindje të vogël të qytetarëve.
Ka zëra që thonë se zgjedhja nga populli e një presidenti më të fuqishëm se aktuali mund të shërbejë si baraspeshë e ekzekutivit sepse mund të ndodhë që ta zëmë në zgjedhjet presidenciale dy vjet pas atyre parlamentare, presidenti të vij nga një parti opozitare dhe kjo situatë quhet cohabitation ose bashkëjetesë. Në fakt ky është një eventualitet goxha i rrallë për vende gjysmë-presidenciale si Franca ku ka ndodhur tre herë (Miteran-Shirak, Miteran- Baladyr dhe Miteran-Zhospen).
Zakonisht ndodh e kundërta, e njëjta parti që fiton zgjedhjet parlamentare me shumë gjasa merr edhe presidentin duke e blinduar kështu akoma më tepër centralizimin e pushtetit politik në pak duar. Kjo gjë është veçanërisht e mundshme në vendet me demokraci të pakonsoliduar si Kosova ku të pasurit e pushtetit shfrytëzohet për të siguruar vota nëpërmjet investimeve elektorale, presioneve politike dhe ekonomike nëpërmjet gjobave, angazhimit të burimeve materiale shtetërore dhe administratës së politizuar, punësimeve të politizuara e formave të shumta të panumërta me anën e të cilave pushtetarët përpiqen të ndikojnë rezultatin zgjedhor duke abuzuar me pushtetin.
Kur flitet për një president të zgjedhur nga populli duhet patur parasysh sa problematikë është edhe vetë fakti që po propozohet që Kosova të ketë një palë zgjedhje të treta, ato presidenciale, përtej ekzistueseve që janë vendore e parlamentare. Dihet mirë që gjatë fushatës zgjedhore administrata në Kosovë shkrehet fare, vihet të punojë në fushatë duke përkeqësuar ndjeshëm shërbimin publik, ekonomia topitet, investimet pezullohen në pritje të rezultatit zgjedhor dhe debati politik dominohet nga ligjërimi elektoral dhe përballja e kandidatëve duke eklipsuar problemet e tjera të rëndësishme të vendit. Pra me tre palë zgjedhje që siç e do udha do të mbahen në periudha të ndryshme, Kosova do të jetë gjithnjë e agjituar prej fushatave dhe i bie që vështirë se do të kihet mjaftueshëm periudhë stabile politike gjatë së cilës të hartohen politika të mirëfillta, të hartohen e vihen në jetë reforma dhe të administrohet siç duhet shteti.
Kosova në fakt ka nevojë për të kundërtën, ka vuajtur nga pasja e presidentëve të politizuar të cilët duke qenë se kanë qenë kryekëput partiak e kanë bërë disfunksional rolin e kryetarit të shtetit dhe kanë ndjekur një agjendë partiake e jo shtetërore në kryerjen e detyrës. Zgjedhja e presidentit është shndërruar në një banalitet pazaresh me interesa të ngushta e meskine duke e diskredituar dhe zhvleftësuar rëndësinë që ka ky post në konstelacionin institucional të Kosovës. Po ashtu ka vuajtur nga vështirësia me të cilën mund të hiqen presidentët abuziv dhe nëse do të duhej të bëhej diçka do të qe më mirë të thjeshtëzohej procedura e impeachment e jo sajimi i një presidenti të zgjedhur nga populli që më pas do kishte mandat të zgjeruar dhe çimentuar.
Që presidenti i Kosovës të mund të luajë rolin që i takon në përfaqësimin simbolik të interesave dhe unitetit të shtetit, në garantimin e respektimit dhe zbatimit të kushtetutës, në kryesimin e forcave të armatosura dhe garantimin e pavarësisë të sistemit të drejtësisë ai duhet të jetë sa më konsensual dhe të gëzojë një mbështetje sa më të gjerë. Prandaj më e mira e mundshme sot për Kosovën nuk është që ndryshimin e kushtetutës ta bëj jo që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë, por ta bëj atë të zgjedhur vetëm nga një shumica e cilësuar e parlamentit, duke e detyruar mazhorancën që të heq dorë nga arroganca e pushtetit për të zgjedhur një president në bashkëpunim me opozitën përndryshe vendi çohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo ka qenë edhe logjika që ka mbizotëruar deri në 2008 në Shqipëri, që palët të hiqni dorë nga konfliktualiteti i skajshëm që të detyroheshin të uleshin në tryezë bashkëpunimi për të gjetur një president të përbashkët, dhe në fakt presidenti më dinjitoz dhe efikas i historisë së demokracisë së Shqipërisë ngelet Alfred Moisiu, i zgjedhur pikërisht me këtë mënyrë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëReshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje