LAJMI I FUNDIT:

Pse po shajmë kaq shumë?

Shqiptarët s’i masin fjalët, i preke në tel, reagojnë, fyejnë. Janë të ndjeshëm njerëzit, nëse i çnderon, u bie shpullë në vend publik, pazar, apo aty ku bëhet politika. Ka të tillë, që i përmbahen Kanunit të Lekë Dukagjinit, e kanë parasysh thënien: "Plumbin ta fala, shpullën s’ ta fali…". Sharjet më tepër janë të shprehura në politikë, gjatë fushatave zgjedhore, në mitingje, demonstrata, përdoret zhargoni i rrugës, dikujt i vihet epiteti spiun, tradhtar, hajn, matrapaz, dallaveraxhi e çka jo tjetër.

Në fushata zgjedhore lejohen të ashtuquajturat "deliktet demokratike", por assesi të keqpërdoret demokracia. Politika bëhet edhe në restorante e kafene, njerëzit lavdërojnë partinë e tyre, shajnë tjetrën, shajnë liderin e partisë kundërshtare. Shkaktohen incidentet. Alkooli e bën të vetën, dikush i "shet drutë", kundërshtarit politik i thënë shishen e birrës para këmbëve, e lëndon, e pastaj i thotë: Ma fal…S’është demokraci që dikë publikisht ta quash spiun, tradhtar…, ngase, u mor vesh, të "kap" ligji, jep llogari për këtë.

Shprehet mllefi në ndonjë demonstratë, siç ndodhi ajo në Prishtinë, ku u etiketuan politikanët tanë: " Serbisë viza për udhëtim, Hashimit udhërrëfyes për nënshtrim", "Jakup Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së më 1999, zëdhënës i EULEX-it më 2009", "Bac u KRYmb"…, janë disa nga parullat që janë shpalosur të hënën (14 shtator) nga protestuesit gjatë demonstratës së organizuar nga rrjeti i 20 organizatave joqeveritare të Kosovës për të kundërshtuar nënshkrimin e protokollit ndërpolicor Eulex – Serbi. Dy ditë më herët, Prishtina gdhiu me afishet e ngjitura në shtylla, me portretin e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ngjyrosjes, vënies iks në portretin e tij të bërë nga aktivistët e "Vetëvendosjes".


Në Telegrafi online vërshuan opinionet për e kundër mbajtjes së këtyre demonstratave. Disa lexues, e quan në qiell liderin e "Vetëvendosjes", Albin Kurtin, të tjerët e shanë. Lexuesi – burim san sebastian shkruan:"…sdi a merrni vesh ju shqip a jo e sidomos ti Albin Kurti lufta u krye o shiptar i Kosovës…". Këtij i kundërvihet Lena:"…Albin Kurti edhe të tjerët nuk kanë dalë badihava se e dime qe lufta u krye po vendi po te shitet pjese pjese…". Ronaldi thotë:" Ky Albin Kurti vetëm ashtë tue e destabilizue Kosovën…".
Për njërin nga këta lexues, "lufta u kry", tash duhet të biem në gjumë !

Edhe në vendet më demokratike ndodhin demonstratat e kësaj natyre, ku nxirren në shënjestër, qoftë si karikaturë apo gogolë personalitete të ndryshme të politikës, ngase me kushtetutë, lejohet shprehja e lirë e mendimit.
Do të përsëritet "arsenali i sharjeve" në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, kjo pritet të shihet. Ndoshta politikanët, pra edhe militantët e partive, do të përmbahen.

Sharjet kanë për pasojë incidentet, ngatërresat, vrasjet. Terapia më e mirë në shmangien e së keqes është toleranca, vetëpërmbajtja, gjakftohtësia në raste shqetësimesh a fatkeqësish.
Të mençurit, kur kërcet belaja, sulmuesve u kërkojnë falje. Kërkimfalja është terapi e mirë në shmangien e së keqes, kërkimfalja automatikisht e ç’armatos sulmuesin, bile e bënë të pendohet. Ata që durojnë, nuk e kthejnë të keqën më të keqe, nuk e pësojnë.
Nëse budallenjtë i prek ne tel, çarten, ta kthejnë me të shara. Nuk i frikësohen askujt, as policisë, bile me policet kacafyten. Ndërkaq, u frikësohen vetëm mantelbardhëve, kur këta të dytët u tregojnë "armen" – shiringun.

Shajnë të dehurit dhe të çdehurit, njerëzit e rëndomtë, por edhe intelektualët, politikanët… Ç’ është më e keqja, kanë shpërthyer të sharat publike. Kanë dalë në skenë "mitralozat" që të bombardojnë në shtyp, gazetat online, por edhe në emisionet e ndryshme televizive.
Ne kodet penale janë të sanksionuara veprat penale – shpifja dhe fyerja. Të rrallë janë ata që e padisin ndokë në gjykatë për fyerje ose shpifje, te rralla janë ato gazeta që dalin para gjyqit.

Në gjyqet e Kosovës, nëse akëcili përfaqësues i gazetës nxirret në gjyq, nëse fajësohet, zakonisht i caktohet dënimi me kusht, sipas asaj: "Tjera herë mos e përsërit gabimin…". Me gjasë kështu ngjet edhe në Shqipëri. Ndërkaq, në Amerikë, Britani të Madhe, Francë, Itali… nëse ndonjë gazetë shpif, fyen personalitetin e ndokujt, shtrenjtë e paguan llogarinë…

Cila është etiologjia dhe fenomenologjia e dukurisë së sharjeve, pse shqiptaret, kohëve të fundit shajnë kaq shumë, kjo është çështja me të cilën duhet të merren studiuesit e ndryshëm, psikonalistët, psikologët…

Mjerisht, e fatkeqësisht, shajnë edhe politikanët, në parlamentin shqiptar, por edhe në parlamentin e Kosovës. Përse shprehet mllefi, urrejtja, madje edhe ajo patologjike?
Ne parlamentin shqiptar "pushkatohen" njerëzit. Ne një intervistë me Dritëro Agollin në "Gazetën Shqiptare" bëhet fjalë për "parlamentin fjalëvrasës"! I indinjuar për vrasjen e deputetit te PS, Agolli tërheq vëmendjen që të "rregullohet gjuha e parlamentit", i shqetësuar për gjendjen e përgjithshme në vend. Zotëri Agolli, fajin nuk e kanë vetëm politikanët, por edhe gazetarët, këta të dytët, që bien nën ndikimin e politikës, vrasin më tepër, ata janë të prirë "të shkelin nëpër kufoma", pa e llogaritur pasojën.

Edhe në mitingjet e partive politike, politikanët fyejnë rivalin e tyre, e bëjnë paçavure. Sharjet u dëgjuan edhe në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 në Shqipëri. Televizionet këtu ishin shndërruar në ringje boksi, shikuesit kureshtarë prisnin se kush kujt do t’i jap "nokaut klasik", siç do të shpreheshin reporterët e lojës së boksit. Më ka rënë të shoh debatin politik publik në "Opinion" të Tv Klan-it ndërmjet dy përfaqësuesve të partive politike – PS e PD, Ben Blushit dhe Lulzim Bashës. Dueli i tyre ka qenë shumë i ashpër. Bëhej lufta se kush kënd do ta nxjerrë nga takti. Blushi i thoshte rivalit të tij:" Ti je karagjoz…". Po kështu, ia ktheu edhe Basha.

Kështu ngjet në "arenat e gladiatorëve", në vend të ideve, alternativave dhe zgjidhjeve të ndryshme, politikanët "prodhuan" vetëm fjalë, shpifje, sharje biologjike e patologjike. Fjalëvrasësit nuk i masin fjalët, të "pushkatojnë", pastaj krekosen, mburren se kanë bërë punë të madhe, e kanë rrëzuar në kokërr të shpinës kundërshtarin politik.

Gjatë qershorit të këtij viti, mysafir i Blendi Fevziut, në "Opinion", ishte kolegu i tij, italiani, i mirënjohuri Bruno Vespa. Në njërën nga pyetjet e Fevziut, Vespa ka rrëfyer se shikuesit s’i kanë në qejf emisionet e zymta, por ato të zjarrta, janë kureshtarë të shohin "debatet e nxehta", incidentet, ngase kjo i jep gjallëri emisionit, e bënë interesant.

Më ka rënë të lexoj esenë filozofike të Arben Xhaferit – Njeriu – Zot. Në "Shekullin online" për këtë ese vërshuan opinionet e lexuesëve. Disa e lavdëruan Xhaferin, të tjerët këtë shkrim e morën si pretekst për të shfryer mllefin e tyre, dolën jashtë teme, e shanë Sali Berishën, e quajtën vrasës, kriminel, Sali Gërdeci, Sali serbi, e çka jo tjetër. Kështu e kanë "analistët" e këtillë – hedhin gurin, fshehin dorën.

Fyerjet në TV që i bëhen Sali Berishës, Edi Ramës, Fatos Nanos e të tjerëve janë bërë modë, si diçka normale, palët kundërshtare në tv bëjnë gara se kush me tepër po fyen, kush kujt po ia "lë kile".
Pati mendime për e kundër mbajtjes së Big Brother Albania 2. Llafazanët në rrugë, ndeja të ndryshme, në restorante apo gjetiu për këtë fenomen shprehën mllefin e tyre, shanë: "Këqyre more kjo kurva, naj mori fytyrën, na koriti…". Këtij apo atij banori të BB iu ngjitën bishta, i fyen me shprehjet më banale.

Për dallim nga Shqipëria, në Kosovë njerëzit janë më të përmbajtur, i kritikojnë politikanët për ndonjë gafë, hap të pamatur politik, Fatmir Sejdiun, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn…, por publikisht, në TV, nuk i bëjnë paçavure, nuk i quajnë vrasës, kriminelë…

Njeriu që më së shumti u "bombardua" në Shqipëri është ish -ministri i kulturës Ylli Pango. Atë e bënë "shoshë" në Parlament, "të vetët" ishin më të zëshëm…Për rastin Pango vërshuan opinionet e publikuara në gazetat online. Gjaknxehtët e shfryen mllefin, përdoren shprehjet e rënda që "s’ i çon as pampuri". Nëse ndokush, në gazetat online, ka shprehur mendimin ndryshe, janë sharë edhe këta sipas asaj: "O ti pleh i Kosovës, mos e mbroj ujkun…, qoja motrën tënde Pangos…". Kam përshtypjen se për këtë rast "opinionistët" kanë thye "rekordin".

Shqiptarët e shajnë njëri tjetrin, në Shqipëri e Kosovë. Nëse shqiptari i Kosovës shpreh ndonjë opinion të tij në ndonjë gazetë online të Shqipërisë, ky i Shqipërisë i kundërvihet:"Ti je jugosllav i Kosovës, legen, qelbësirë, ‘rracë m*ti’… Kjo flet se kemi të bëjmë me sharlatanë, analfabetë, që s’dinë gjë tjetër pos të shajnë. Nga injorantët, kodoshët, kanë qenë të zhgënjyer edhe Gjergj Fishta, Faik Konica e intelektualë të tjerë.

Zhargoni i sharjeve është i pranishëm tek të gjithë popujt. Më tepër është i theksuar në Ballkan. Serbët shajnë Zotin, Diellin… Këtë nuk e bëjnë shqiptaret. Por edhe tek ne, ka shprehje te shumta kur dikush fyhet me ndonjë fjalë të rendë, banale, të pahijshme…
Të rrallë janë ata që nuk shajnë. Në një mënyrë, njerëzit, për nga natyra, janë ‘ psikopatë ‘. Kur u lëndohet shpirti, nervozohen, i bien derës, tavolinës…, nervozen e shprehin me të shara. "Shkunden" të tillët, i zbrazin emocionet, shfryhen. Pastaj, pasi numërojnë ‘deri në dhjetë’ qetësohen.

Në Kosovë të shajnë "robt e shpijes", nënën, motrën, më rrallë gruan. Themi "më rrallë gruan", ngase këtu – "kërset alltia". Ka të tillë, që s’i heqin nga goja shprehjet që kanë të bëjnë me organet gjenitale, të cilat nuk i gjejmë në Fjalor.
Njerëzit bëjnë shaka, qeshin, kjo është normale. Qeshja është një sekret i jetëgjatësisë. Fjalëvrasësve, atyre që shajnë, fyejnë rëndë, duhet ndalur turrin. Ka mekanizma të shtetit, kjo është punë e gjyqit, ngase llafazanët që s’i binden ligjit, ka ilaç për ta, gjykatësit le t’i godasini në "xhep", atëherë këndellen…

Në trend

Më shumë
Iu referua Gjestit si

Iu referua Gjestit si "djaloshi kosovar", Egla Ceno reagon në rrjetet sociale: Të jesh kosovar është krenari, kush mendon ndryshe është qelbësirë

Magazina
Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Përplasen komisionerët e LVV-së dhe LDK-së, ndërpritet numërimi i votave për kandidatë në sallën ‘1 Tetori’

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, njerëzit po braktisin shtëpitë e tyre

Kroacia
LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Politikë
KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

KQZ përditëson rezultatet pas numërimit të 99.53% të votave, LVV me ngritje të lehtë

Lajme
“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin

“Limaj mund t’i kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin", Lladrovci thotë se i qëndron kësaj deklarate – parashikon edhe sa deputet mund t’i ketë Nisma

Lajme
Kalo në kategori