LAJMI I FUNDIT:

Pse nuk bëhen publike të dhënat statistikore në Maqedoni?

Është e vërtetë se institucioni i Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) në Shkup ka qenë i mbyllur për opinion dhe asnjëherë nuk i pati bërë publike të dhënat relevante të indeksit përkitazi me ecuritë ekonomike, të politikës së investimeve, të planit të buxhetit, të ekonomive familjare dhe të resurseve tjera zhvillimore në këtë vend. Me këto të dhëna e nis këtë debat SHSHA-ja në Çikago me drejtoreshën e ESHS-së, Blagica Novkovska, e cila në një prononcim të saj pati thënë me gjysmë të zërit, se janë të punësuar shqiptarë në pajtim me Ligjin për administratën publike. Dhe, përsëri e lë në dilemë qasjen tonë se a ka vërtetë shqiptarë të punësuar në këtë institucion shtetërorë me bagazh profesional (ekonomistë, juristë dhe inxhinierë të informatikës dhe të përpunimit të të dhënave nga fushat gjegjëse të statistikave).

Dihet se ndër vite në këtë institucion shtetëror nuk pati asnjë shqiptar të punësuar dhe të dhënat statistikore mbetën në drynin e kohës politike; se ato më shumë janë kalkuluar për manipulimet e mundshme për çështjen e popullit shqiptar karshi me opinionin ndërkombëtar.

Në këtë debat publik, SHSHA-ja ia përkujton drejtoreshës Novkovska se viteve të fundit, hiq pa të dhënat statistikore, jemi në dijeni për lëvizjet e reja të indeksit, sidomos në politikën e investimeve ekonomike përmes investitorëve të huaj që përmes kapitalit të tyre ekonomik po ofrojnë mundësitë për një zhvillim dhe persepktivë të zbutjes së problemit të papunësisë.


Mirëpo, në ecuritë e politikës së investimeve ekonomike me investitorët e huaj kemi të dhëna të qëndrueshme se ato po shkojnë përmes (projekteve), më shumë me kahe të politikës aktuale të Nikola Gruevskit në pjesën Lindore ku jetojnë shumica e popullit maqedonas, për të lënë pas shpine pjesën Perëndimore me shumicë shqiptare.

Për të dëshmuar indeksin e këtyre investimeve ekonomike, po përmendim rastin e investitorëve potencial nga Turqia, kapitali i të cilëve ka shkuar në vijat e ndarjes etnike vetëm për popullin maqedonas. Përkitazi me këto projekte të anashkalimit të pjesës shqiptare, SHSHA-ja pati bërë me dije edhe Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë me seli në Çikago, i cili me të dëgjuar për këto të dhëna mori përgjegjësinë që të njoftojë mekanizmat përgjegjës të qeverisë së kryeministrit Rexhep Erdoan në Ankara.

Prandaj, për të parë me sy realitetin në këtë institucion (ESHS-së) do ishte mirë që edhe deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë të kërkojnë që të dhënat statistikore për vitet 2000-2013 të bëhen publike me të gjitha të dhënat e indeksit paraprak, dhe ato të bëhen pjesë e debateve publike me tonet sa më demokratike dhe kombëtare.

Ka ardhur koha që në çështjet aktuale politike, ekonomike dhe të vijave tjera të aktiviteteve të institucioneve shtetërore në Maqedoni, populli shqiptar duhet të participojë të drejtën e vet legjitime (pa ligjet e shkuara kushtetuese) dhe të flasë pa mbulojën e perdes politike të ligjeve të koalicioneve se kështu ka thanë shteti; që të bëhen subjekt i barabartë me të tjerët për të sendërtuar kahet e reja të vlerave të demokracisë, të lirisë dhe të mirëqenies tevona në integrimet në Evropën e bashkuar.

Në këtë rrafsh politik përgjegjësinë historike dhe kombëtare e mbajnë të gjitha subjektet politike shqiptare në Maqedoni që nuk po flasin zëshëm para dyerve të institucioneve relevante shtetërore, aty ku i ka sjell koha dhe vota e verdiktit të popullit.