LAJMI I FUNDIT:

Pse duhet t’i themi po arbitrazhit në Kosovë?

Me të drejtë është thënë se zgjidhjet alternative të kontesteve kanë lindur në kohë krizash. Zvarritja e zgjidhjes së lëndëve, si dobësi kryesore në sistemet gjyqësore të rajonit, ka bërë që përqindja e rasteve të arbitrazhit dukshëm të rritet. Cilat janë barrierat në zhvillimit e arbitrazhit në Kosovë, përderisa parakushtet për funksionimin e tij ekzistojnë?

Në qarqet profesionale, arbitrazhi tregtar nuk është term i panjohur, ndërsa për një audience laike, arbitrazhi definohet si mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve – e ashtuquajtur gjyqësi private. Ky dakordim i palëve parashihet në formë klauzole brenda kontratës dhe referon mosmarrëveshjet eventuale ndërmjet tyre te një tribunal, i cili do ta trajtojë çështjen duke e organizuar procedurën në marrëveshje me palët, dhe do të merr një vendim përfundimtar që do t’i nënshtrohet procedurës së përmbarimit në gjykata të rregullta.

Në botën moderne të biznesit, autonomia e palëve – përfshirë të drejtën e palëve që të organizojnë procedurën në bazë të nevojave të tyre – ka bërë që klauzolat e arbitrazhit t’i trajtojnë si komponentë kyçe në kontratat e tyre. Kjo kryesisht për arsyen se bizneset me çdo kusht mundohen t’i evitojnë procedurat e stërzgjatura gjyqësore, të cilat përveç se sjellin stagnimin e punës në segmente të caktuara, ato kanë një kosto të lartë financiare për biznesin.


Ruajtja e sekretit biznesor është një arsye më tepër për këtë zgjedhje, ndërsa zgjedhja e arbitërve të specializuar në llojin e kontestit (përkundër gjyqtarëve) janë vetëm disa përparësi të cilat i ofron ky sistem.

Ndonëse në mënyrë pothuajse konstante flitet për reformën gjyqësore në Kosovë, arbitrazhi si alternative jashtë gjyqësore do të duhej të konsiderohej pjesë e saj. Kosova plotëson parakushtet për funksionimin e arbitrazhit tregtar. Ligji për Arbitrazhin është miratuar qysh ne vitin 2007, ndërsa shërbimet e arbitrazhit institucional tashmë janë të disponueshme për palët. Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Kosovës ka bërë punë intensive në miratimin e rregullave procedurale, të cilat janë të krahasueshme me rregullat e procedurës së Odës Ndërkombëtare Tregtare në Paris, UNCITRAL-it, apo rregullave Zvicerane (dhe janë më moderne se ato të shteteve fqinje). Rastet janë duke u shqyrtuar bazuar në këto rregulla, dhe gjykatat vendore njohin vendimet e institucionit si përfundimtare.

Me të drejtë është thënë se zgjidhjet alternative të kontesteve kanë lindur në kohë krizash. Prandaj, mbingarkesa e gjykatave vendore, me pasojë të zvarritjes së vendimit formon bazë të qëndrueshme që bizneset të konsiderojnë arbitrazhin si alternativë serioze. Kështu, ata do t’i evitojnë pritjet e gjata dhe do të posedojnë një vendim final dhe të ekzekutueshëm.

Përkundër këtyre përparësive, mungesa e informacionit, dukuria e mos përdorimit të kontratave, dhe mos gatishmëra e bizneseve që t’i nënshtrohen këtij ndryshimi, duke reformuar kontratat ekzistuese, po ndikojnë në shkallën e ulët të rasteve të arbitrazhit. Opinioni vlerëson se bizneset ndihen më komod nëse kontestet e tyre eventuale mundohen t’i zgjidhin përmes rrugëve të cilat cilësohen si të politizuara, me shfrytëzimin e kontakteve personale, me pagesa jashtë ligjore, apo me marrëveshje të formave te ndryshme. Kjo domosdoshmërisht reflekton edhe në faktin se investitorët e huaj rrallë do të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me kompanitë vendore duke pranuar juridiksionin e gjykatave vendore. Ata vazhdimisht po zgjedhin gjykatat e vendeve të tyre, apo Parisin e Londrën si vende të arbitrazhit.

Prandaj, duke pasur parasysh se përparësitë e arbitrazhit për bizneset janë evidente dhe i bëjnë ata përfituesit kryesor, të njëjtit do të duhej të shprehin interesim për shfrytëzimin e kësaj alternative. Po ashtu në këtë mënyrë, thuajse direkt, arbitrazhi do të shndërrohet në ndihmën kyçe për gjykatat, duke iu dhënë hapësirë më të madhe veprimi për shqyrtimin e lëndëve në procedurë dhe po ashtu duke krijuar ambient konkurrent për të ardhmen me këto të fundit.